Takimi në Romë/ Flamur Noka thirrje diasporës: Me votën tuaj do ta mundim narkoshtetin me 11 maj, ndaj regjistrohuni

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka duke folur në takimin entuziast me diasporën në Romë, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.

Nga fjala e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

I nderuar Kryetar i PD dhe Opozitës Prof. Dr. Sali Berisha

Të nderuar zotërinj nënkryetar të PD

I nderuar kryetar i degës Romë.  E nderuara deputete e Forza Italia, znj. Mazzeti.

I nderuar miku im deputeti i Forza Italia, Batilokio. I dashur mik Pepe Leoni

Vëllezër dhe motra, një falënderim për këtë pritje madhështore tuajën.

Një pritje tipike shqiptare dhe këtu në Romë, si kudo ku kemi shkelur ku jetojnë shqiptarët dhe flitet shqip. Nuk ka cep të botës të mos dëgjohet fjala shqip, rrugë e rrugicë qyteti që të mos dëgjohet fjala shqip.

Nga njëra anë kjo tregon se jemi kudo, por edhe tregon me dhimbje se populli është larguar dhe se shumë bashkëkombës tanë janë detyruar ta lënë atdheun tonë, që ditën që erdhi rilindja në pushtet.

Zhvillimit ju pre rruga nga PPP-të e famshme, nga investitorët strategjikë, nga krimi dhe korrupsioni qeveritar.

Cili biznes i rregullt në Shqipëri mund të konkurrojë përballë parave të pista të narkoshtetit dhe narkobandave.

Shqipërinë Edi Rama e ktheu në narkoshtet. Kjo që turpëron çdo shtetar, çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, por Edi Ramën dhe bandën e rilindjes kjo nuk e turpëron.

Kjo bëri që ju të merrni rrugët e Europës dhe botës dhe hallet e problemet e familjeve tuaja, atje nuk i ka trajtuar kurrë shteti, por Shqipëria është ushqyer nga ju, diaspora jonë.

Ju jeni gjendur pensionistëve, familjarëve tuaj, ju i keni mbajtur detyrë që duhej ta bënte shteti. Por kur shteti zëvendësohet nga narkoshteti ky bëhet një realitet i dhimbshëm.

Shumë prej jush këtu kanë ardhur të rinj, sot janë gjyshër, kanë nipër dhe mbesa, prandaj të gjithë sa jemi këtu dhe kudo në diasporë, të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që Edi Rama Shqipërinë ta kthejë në tokë të djegur dhe vendi të ngelet dhe i huaj për ne.

Ne duhet ti prijmë atij ndryshimi të shumëpritur që çdo shqiptar e pret dhe ndryshimi do të vijë nga vota e diasporës.

Që ky ndryshim do të trokasë në 11 maj në Shqipëri, duhet që mërgata shqiptare të regjistrohet dhe votojë masivisht në këto zgjedhje. Është vota juaj, vota e diasporës që pritet si një rreze shprese nga të gjithë shqiptarët.

Ky është një moment jetik, i papërsëritshëm për vendin tonë, është një mundësi që PD e bëri realitet që ju të votoni në Shqipëri.

Me votën tuaj ne do ta mundim regjimin, do ta zëvendësojmë regjimin me një demokraci evropiane. Vota juaj do të ndalojë dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, do ta ndalë dëbimin e të rinjve.

Me votën tuaj do ta mundim narkoshtetin me 11 maj, ndaj vetëm një thirrje për çdo njërin prej jush, regjistrohuni, është e vetmja mënyrë që ti ktheni reston regjimit që ju largoi nga Shqipëria.

Ne së bashku do ta çlirojmë Shqipërinë nga llumi politik që zhgërryhet në luks do ta çlirojmë Shqipërinë nga një regjim narkomanësh që ushqehet në kurriz të popullit më të varfër të Europës.

Kush nga ju, megjithëse keni vite që punoni, mund t’i ketw luksin ti ofroj  vetes një seancë 10 mijë euro detoks në Bolzano? Kush emigrant i ka 33 mijë euro për një shishe vere? I ka Edi Rama. I ka nga kursimet që ju dërgoni në Shqipëri. Ia ka marrë familjarëve tuaj me taksa.

Sepse ai luksin e tij e ka ndërtuar duke futur duart në taksat e shqiptarëve. Me to fluturon me charter, me to pi verë 33 mijë euro. Prandaj ne duhet ta ndalim! Nuk kemi zgjedhje tjetër: Për të shpëtuar Shqipërinë do të ndalim Edi Ramën.

Fillimisht duke u regjistruar për të votuar, sepse vota juaj do e bëjë ndryshimin. Jeni të thirrur në detyrë nga historia, për të shpëtuar Shqipërinë. Është koha jonë! O sot o kurrë!

Partia Demokratike ka bërë qëndresë titanike me regjimin. Më shumë se çdo opozitë në Europë. I mbijetuam të gjitha komploteve për asgjësimin e saj. Jo vetëm që jemi kockë e fortë e gjithnjë në këmbë, të panumërt në bulevard në Tiranë, por jemi mes zemrave këtu në Romë, në Itali, në Gjermani e Greqi, në të gjithë Europën, edhe në Amerikë e Zelandën e fundme; kudo ku fluturuan shqipet.

Politikisht e kemi çmontuar narkoshtetin. Opozita jonë ka skanuar çdo akt të qeverisë Rama. Ne kemi bërë transparencën më të madhe që një opozitë mund të bejë. Vendosmërinë tonë për transparencë e kanë parë demokratët dhe çdo syhapur që para bindjeve politike vendos atdheun.

Çdokush që deri më sot ka qenë i dyzuar, që ka patur mëdyshjet e veta; socialist apo i paparti, e ka të qartë se ‘Rilindja e Ramës’ po numëron ditët e fundit. 

Ne kemi detyrë së bashku t’i kthejmë normalitetin vendit tonë. Atë normalitet ku çdo shqiptar ndihet i denjë në vendin e tij dhe krenar për rrënjët e tij. Do projektojmë një Shqipëri, ku të rinjtë ëndrrat për të ardhmen i thurin atje. Shqipërinë ku pensionistët trajtohen me respekt për punën e një jete. Një vend ku qeveria i mbështet fermerët të bëjnë para, e nuk i vjedh fondet që Bashkimi Europian jep për ta. Kjo votë e juaj do të jetë votë drejtësie për të gjitha padrejtësitë ndaj atij vendi. Do të jetë votë mundësie dhe ndryshimi, që e presin me ngulm familjarët tuaj që jetojnë atje. Nga ju kemi sytë, kurse ju për Shqipërinë keni kokën pas.

Shqipërinë e duam me ju.

Tani është fjala juaj. Është vendimi juaj.

Faleminderit dhe fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale