‘Shqipëria Madhështore’/ Berisha: Ne synojmë të shndërrojmë pasuritë natyrore, pasuritë publike në mirësi të mira për qytetarët shqiptarë në vende pune, në prodhim dhe në zhvillim

FJALA MBYLLËSE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR ENERGJINË DHE BURIMET NATYRORE

EKSTRAKT

Në fjalën përmbyllëse në prezantimin e programit të energjisë dhe burimeve natyrore, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se, me ardhjen në pushtet do të përmbyset shpërndarja e të ardhurave buxhetore.

Berisha u shpreh se, duke ‘vënë në epiqendër së pari qytetarin, rrogat, pensionin, jetën e tij, të bindur, kjo është rruga më e mirë për të ecur drejt prosperitetit, zhvillimit, për ta bërë Shqipërinë të jetueshme’.

Kryetari i PD-së Sali Berisha theksoi në fjalë se, Partia Demokratike dhe qeverisja e saj, synon që të Në shndërrojë pasuritë natyrore, pasuritë publike në mirësi të mira për qytetarët shqiptarë në vende pune, në prodhim dhe në zhvillim.

FJALA E PLOTE:

Së pari ju falënderoj shumë për ndërhyrjet që bëtë, ndërhyrje që pasuruan më tej këtë program, ju ftoj që të gjitha mendimet, idetë tuaja të ja përcillni departamentit dhe ju garantoj se do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh.

Jam plotësisht dakord dhe e theksoj këtu se investimi kryesor, për ne ka qenë dhe do të mbetet, investimi në burimet njerëzore. Ne kemi deklaruar publikisht se ne do të përmbysim shpërndarjen e të ardhurave buxhetore.

Do të përmbysim shpërndarjen e të ardhurave buxhetore, duke vënë në epiqendër së pari qytetarin, rrogat, pensionin, jetën e tij, të bindur se kjo është rruga më e mirë për të ecur drejt prosperitetit, zhvillimit, për ta bërë Shqipërinë të jetueshme, për të bërë atë që arritëm nga viti 2007 deri në vitin 2014 edhe një vit pasi ikëm ne, në Shqipëri rritej çdo vit numri i qytetarëve shqiptarë.

Por që të arrihet kjo është një kusht themelor që qytetarët shqiptarë, profesionistët, specialistët, ekspertët, minatorët, naftëtarët të paguhen, të shpërblehen me dinjitet.

Do të firmosim marrëveshjen parazgjedhjeve, tre muaj e parë do të zgjidhet në mënyrë përfundimtare çështja e statusit të minatorit, të naftëtarit. Detyrimet janë të mëdha.

Nga ajo që bëjnë këta me ato licencimin, kjo është se si ti largojnë. Kjo është politikë, siç ishte taksa 23% ndaj profesioneve të lira. Si të largosh nga ky vend shtresën e mesme, të shkojë të gjejë strehë dhe punë diku tjetër dhe Shqipëria të mbetet pa shtresën e mesme.

Por shpirtkazmëria e tyre, për të akaparuar pushtete pasurimi, etj., nuk ka kufi.

Këta sollën në parlament ligjin e fermave të grave. Po e sollën dhe më thotë mua një koleg mjek, që po kanë prurë ligjin. Por çfarë ishte.

Ishin krijuar klinikat para se të vinte ligji. Si puna e këtyre që duan të marrin të drejtën për të hequr dhe venë licenca. Është gjithçka e udhëhequr nga babëzia, makutëria dhe qëllime të mbrapshta.

Sot, a e dini ju që studiot e projektimit dhe arkitekturës, le të kenë të gjithë talentet, le ti kenë bërë të gjitha investimet, ata janë të falimentuar. Sepse një njeri pa studio, apo me studio, përcakton gjithçka, se kush fiton projektet, këtë e atë.

Pra kjo është një politikë shkatërrimtare mbi shtresën e mesme, apo mbi elitën drejtuese, projektuese të ekspertizës së vendit. Kështu që kjo merr fund.

Borxhi që kanë kompanitë, po pse e kanë atë borxh? Ai borxh është krijuar absolutisht fund e krye nga vjedhja dhe nga shndërrimi i tyre në rifuxho të patronazhistëve. Këto të dyja janë arsyet kryesore.

Kusht themelor i nxjerrjes së tyre nga borxhi që është 1.3 miliardë apo më shumë sot, është vendosja e tyre në perfomancën e duhur, vendosja e transparencës se s’ka si të mos ketë borxh kur KESH shet në verë, ja shet axhentit të vet Lubia me Çelën, ja shet energjinë me 45 euro dhe ai e merr e nxjerr në treg me 120 euro. E faktuar kjo. Dhe pastaj kur blihet në vjeshtë, blihet me 170 euro se i ka zbrazur digat.

I gjithë ai borxh është i bërë nga hajdutët. Ka në bazë hajdutët.

Edhe njëherë do të bëhet gjithçka për të inkurajuar eksplorimin, kërkimin, prodhimin,

përpunimin në stadet më të avancuara që të jetë e mundur.

Pasuritë energjetike dhe minerare të Shqipërisë janë vërtetë pasuri madhështore mbi të cilat mund të ndërtohet dhe do të ndërtohet Shqipëria madhështore.

Ju falënderoj dhe ju ftoj të kontribuoni në këtë projekt, më i miri që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e vet.

Në këtë projekt ku ne synojmë të shndërrojmë pasuritë natyrore, pasuritë publike në mirësi të mira për qytetarët shqiptarë në vende pune, në prodhim dhe në zhvillim.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale