FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR ENERGJINË DHE BURIMET NATYRORE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë prezantimit të programit qeverisës 2025-2029, për sektorin e ‘Energjisë dhe burimeve natyrore’, në bashkëpunim me fondacionin ‘Konrad Adenauer’ është shprehur se Shqipëria për PD-në dhe koalicionin ‘Shqipëria Madhështore’, do mund të japë përgjigjen më të shkëlqyer, problemeve të mëdha të akumuluara.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se, Shqipëria ka potenciale të mëdha diellore por 12 vitet e fundit janë ndërtuar gjithsej me kontratat e tyre, disa parqe të vogla që shkojnë apo jo, 50-60 megavat në tërësinë e tyre, në një kohë që Shqipëria është një nga vendet më me diell të të gjithë rajonit.
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë prezantimit të programit për sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore, është shprehur se përmes projektit ´Shqipëria Madhështore´, vendi nynë mund të bëhet realisht një superfuqi energjitike rajonale. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se përmes programit të PD, këmbëngulim dhe dëshirojmë që Shqipëria të shndërrohet në një superfuqi energjetike e rajonit, ku përfituesit e parë të jenë qytetarët shqiptarë. ‘Made in Albania’ do të jetë motoja e krenarisë kombëtare, u shpreh Berisha, duke theksuar se shqiptarët duhet të krenohen me markën ‘Made in Albania’ me prodhimin ‘Made in Albania’.
Gjatë fjalës në prezantimin e programit të energjisë dhe burimeve natyrore, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, Shqipëri a ka mundësi dhe potenciale për të dhënë çmimet më të ulëta për konsumatorët, më shumë se çdo vend tjetër.
‘Ka një vend, mund të jenë shumë, por një di unë, që i furnizon qytetarët e saj me ujë falas, krenarisht. Austria. Pas Austrisë, Shqipëria nuk po them të japë energjinë falas, por mund ta japë absolutisht me çmimet më të arsyeshme që mund ta japë një vend tjetër’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të programit qeverisës 2025-2029, u shpreh se, do ketë transparencë në shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe gazit në Shqipëri.
‘Rezervat e Shqipërisë janë të mëdha në gaz dhe naftë. Janë të pamohueshme. Gjithnjë ky vend ka mikluar dhe ka tërhequr kompanitë më të mëdha të botës. Kanë ardhur, kanë ikë, por interesi po këtu është’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë prezantimit të programit për sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore, është shprehur se energjia do të shndërrohet në një nga sektorët më fitimprurës dhe në një nga gjeneratorët kryesorë të begatisë për shqiptarët. Berisha theksoi se, ‘Made in Albania’ do mbetet krenaria për shqiptarët pasi do të bëhet gjithçka që këto minerale të përpunohen jo vetëm në pasurim apo shkrirje, por do bëjmë gjithçka që ato të shndërrohen në Shqipëri në pjesë prodhimi, në makineri prodhimi.
FJALA E PLOTE:
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, ekspertëve të shquar të këtyre fushave të një rëndësie të jashtëzakonshme, për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Përshëndes panelistët për ekspozetë e shkëlqyera dhe departamentin për punën e madhe që ka bërë.
Të dashur miq!
Ne kemi shpallur si objektiv kryesor të programit tonë ‘Shqipërinë Madhështore’. Por theksoj këtu se nëqoftëse ka një fushë në të cilën ky program, ky objektiv ka themelet më të forta dhe më të sigurta, është fusha e energjisë dhe fusha e pasurive natyrore, mineraleve, mbasi Shqipëria është vend me një potencial të jashtëzakonshëm, energjetik, të energjisë së rinovueshme dhe tashti edhe të energjisë termike.
Kështu që nëqoftëse ka një fushë ku shqiptarët mund të ëndërrojnë ‘big’, mund të kenë ëndërra të mëdha është fusha e energjetikës.
Por edhe nëqoftëse ka një fushë e cila është themelore për zhvillimin e të gjitha fushave të tjera është fusha e energjisë.
Në rast se, nga viti jo i afërt tashmë, 2006-2007 patëm deklaruar Shqipëria superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon, tani këtë e vogël mund ta heqim dhe në projektin ‘Shqipëria Madhështore’, Shqipëria mund të bëhet realisht një superfuqi energjetike në rajon. Dhe do të bëhet.
Në programin tonë, ne duam që Shqipërinë ta shndërrojmë në një superfuqi energjetike të rajonit, në të cilin përfituesit më të parë do të jenë qytetarët shqiptarë.
Ne duam të përdorim çdo burim energjie për të ua shitur shqiptarëve më lirë energjinë.
Ky është një qëllim madhor i yni.
Por ne do të përdorim çdo burim energjie, për të shumëfishuar prodhimin e saj dhe për ta eksportuar.
‘Made in Albania’ do të jetë motoja e krenarisë kombëtare. Shqiptarët duhet të krenohen me markën ‘Made in Albania’ me prodhimin ‘Made in Albania’.
Shqipëria po shterron. Ka 6 semestra që prodhimi në këtë vend, bie nga semestri në semestër. Vetëm nga viti 2023 në vitin 2024 eksportet kanë rënë me 32 %.
Vetëm kursi i këmbimit, narkoeuro, nuk është kurs këmbimi, është euro e helmuar nga kokaina e trafikantëve. Vetëm ajo rrëzon përdhe eksportet e vendit, i godet ato me 38%.
Pra, Shqipëria për PD-në dhe koalicionin ‘Shqipëria Madhështore’, vetëm një Shqipëri Madhështore do mund të japë përgjigjen më të shkëlqyer, problemeve të mëdha të akumuluara.
Por a jemi ne realistë në këtë? Jemi shumë realistë, sepse po të kthehemi pak vite mbrapa, me moton ‘Shqipëria superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme’ u licencuan me një praktikë më transparente që ekzistonte, u firmosën kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentrale. Në total një investim prej 5 miliardë euro.
Por përveç kësaj, Shqipëria ka potenciale të mëdha diellore. Koha ndaloi, dhe më keq se ndaloi
në 12 vite për energjinë. Kanë ndërtuar gjithsej me kontratat e tyre, disa parqe të vogla që shkojnë apo jo, 50-60 megavat në tërësinë e tyre, në një kohë që Shqipëria është një nga vendet më me diell të të gjithë rajonit.
Platforma të erës së këtij vendi, janë të nivelit evropian, nga Shëmria e Kukësit gjer në Tepelenë. A kanë instaluar kund apo jo, 1 turbinë ere.
Koha ka ndaluar dhe ka ecur mbrapa në këto 12 vite.
Anuluan sa erdhën kontratat, dekurajuan bankat të cilat me pasion të veçantë kreditonin HEC-et në Shqipëri, sepse e vërteta është se leverdisshmëria e tyre, ose rikthimi i investimeve arriti në nivelet që ishte për TEC-et dhe bankat kreditonin pa kundërshtira.
I morën që ti vilnin gjithçka.
Po të cilësonin moton e tyre në energji, para së gjithash vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Vjedhjet në energji, garantojë qytetarët shqiptarë se tejkalojnë vjedhjet në çdo sektor tjetër.
Shqipëria ia doli të shndërrohet në faktor kryesor, në projektin më të madh që Europa kishte në atë kohë, gazsjellësin TAP dhe duhej një rol përcaktues në këtë gazsjellës në finalizimin e kontratës me këtë gazsjellës.
Për shkak të këtij gazsjellësi, një marrëveshje tjetër gazsjellësi ‘IAP’ që lidhte vendet Shqipërinë-Malin e Zi, Bosjen, Kroacinë. U firmos marrëveshja. Cila ishte vlera e saj. Vlera e saj ishte e jashtëzakonshme, e shndërronte Shqipërinë në hap energjetik kryesor të rajonit.
Epiqendër të shpërndarjes të energjisë në rajon dhe të gazit.
Koha ndaloi miqtë e mi. TAP përfundoi. Nga TAP-i shqiptarët nuk përfitojnë asnjë megavat energji, pavarësisht se kontrata ka përcaktime të qarta, qoftë për ngrohjen dhe prodhimin e energjisë.
TEC i Vlorës kishte nevojë për një përfundim dhe investim dhe zgjatja e tubacionit. Por u desh të merreshin barxhat nga Bangladeshi që vetëm të vidhej.
Energjia, sistemi i saj nga një sektor i fuqishëm, lider u shndërrua në një barrë të rëndë për qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare, sepse vjedhjet masive, punësimi pa asnjë kriter bënë që të jetë kjo një pasuri ndëshkuese për shqiptarët.
Me mburrje deklarojnë se kemi investuar 1.3 miliardë. Po ku janë investuar? Ku janë? Keni vjedhur të paktën 1.1 miliardë.
Duke parë vjedhjet e jashtëzakonshme Banka Botërore u imponoi bursën, hapjen e bursës. Bursa sa u inaugurua i’u vu dryni. Vetëm 10% e energjisë tregtohet në bursë, të gjitha të tjerat në bursën personale, private të Lubi Ballukut, me ekipin e saj që nuk kanë të ndalur.
Një potencial tepër i madh është vendosja e një sistemi unik energjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Të paktën 20 përqind është përfitimi i dy vendeve.
Prodhues energjie vetëm me qymyr, prodhues energji vetëm me ujë. Kombinimet dhe krijimi i një truri dixhital që i komandon si digat, ashtu edhe furrat, përbën një potencial tjetër të ri shumë të madh, shumë të rëndësishëm.
Po atë e pengon mafia.
Ku lë mafia të lehtësohen qytetarët? Mafia shikon vetëm si të pasurohet vetë.
Tre kabllo trans-Adriatike janë licencuar gjatë viteve 2008, ja kjo që firmosi Eid Rama në Dubai. Një në Otranto, tjetra në Porto Romano, tjetra në Lezhë. U harruan, asgjë…
Ndaj dhe ne kemi besim të madh tek projektet e mëdha të prodhimit të energjisë.
Ne kemi besim tek projektet që do mbështesin fuqishëm zhvillimin e Shqipërisë.
Po mjafton të gazifikoje qytetet kryesore të vendit, nuk po them të gjithë vendin se është i mundur i gjithë vendi pa asnjë vështirësi, sot teknologjia të lejon të gazifikosh kudo, por mjafton të gazifikoje qytetet e mëdha, t’i bëje një kursim të madh se dihet se kostoja është më e ulët për ngrohje e gatim me gazin dhe më e leverdishme. T’i bëje një kursim të madh, një fitim të madh me energjinë elektrike që shpenzohet për këto qëllime.
Absolutisht asgjë, koha ndaloi për ta. Koha funksionoi vetëm për të vjedhur, për të vjedhur, për të vjedhur.
Pra, në rast se ka një fushë ku ne do të vendosim Shqipërinë Madhështore shpejt, është kjo fushë.
Po fushë ama që lehtëson çdo qytetar, që lehtëson çdo biznes.
Ne rikthehemi te çmimi i energjisë 7 lekë kilovat orë për konsumatorin familjar.
Rikthehemi te çmimi 6 lekë për biznesin nga 18-24 që është sot.
Dhe ky është një inkurajim i madh për suksesin e biznesit dhe klimën ndaj tij.
Rezervat e Shqipërisë janë të mëdha në gaz dhe naftë. Janë të pamohueshme. Gjithnjë ky vend ka mikluar dhe ka tërhequr kompanitë më të mëdha të botës. Kanë ardhur, kanë ikë, por interesi po këtu është.
Një vend që ka fushën më të madhe të naftës onshore, nuk mund t’i largohen. Edhe në qoftë se largohen, prapë kthehen.
E rëndësishme është që ne të bëjmë çdo gjë që të vendosim praktikat më transparente në kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin e burimeve energjetike të naftës dhe gazit në Shqipëri.
Unë mendoj se energjia do të shndërrohet në një nga sektorët më fitimprurës, do shndërrohet në një nga gjeneratorët kryesorë të begatisë së shqiptarëve.
Synimi ynë është begatimi i shqiptarëve.
Shqipëria nuk është e madhe vetëm në fushën e energjisë.
Shqipëria është po kaq e madhe në fushën e minierave.
Ky vend ka rezerva botërore të mineraleve, nevojat për të cilat mbetet pothuajse e përjetshme.
Shqipëria përsëri disponon rezerva kromi, të cilat pak vite më parë tërhoqën gjigantët e minierave në botë si Vankuver, etj.
Shqipëria ka rezerva po kaq të mëdha të nikelit, hekurit, hekur-nikelit, por Shqipëria ka edhe minerale të tjera, përfshi këtu tokat e rralla.
Gjeologët shqiptarë kanë bërë studime shumë serioze, të cilat po myken në arkivat e fakulteteve apo bibliotekave.
Studime që dëshmojnë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm minerale.
Banka Botërore në vetvete ka sponsorizuar dhe ka ndërmarrë studime shumë serioze mbi potencialet minerare të Shqipërisë.
Përpjekje serioze u bënë, por të gjitha përfunduan në duart e mafies. Ligji u shkartis, u shkatërrua.
Oferta transparente u zhduk.
Me përpjekje, Shqipëria u anëtarësua në Iniciativën e Transparencës së Industrive Nxjerrëse pranë OKB. Shkelën të gjitha kushtet për të cilat ne u anëtarësuam.
Por në qoftë se ka një fushë ku, përveç naftës dhe gazit, ku Made in Albania mund të jetë e nivelit botëror, janë mineralet, janë minierat që gjenden në të katër anët e këtij vendi.
Në këtë kontekst, ne synojmë me projektin tonë Shqipëria Madhështore, të ofrojmë dhe të vendosim metodat më moderne të eksplorimit, studimit dhe shfrytëzimit të pasurive të pafundme minerale të ka vendi.
Ne do bëjmë gjithçka që ato të përpunohen jo vetëm në pasurim apo shkrirje, por do bëjmë gjithçka që ato të shndërrohen në Shqipëri në pjesë prodhimi, në makineri prodhimi.
Pra, Made in Albania do mbetet krenaria për shqiptarët.
Në këtë kuadër, mobilizimi i potencialit intelektual dhe ekspertizës më të mirë shqiptare dhe të huaj, është një objektiv i yni.
Fuqizimi i institucioneve tona kërkimore shkencore është kusht i domosdoshëm që këto pasuri të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe të shndërrohen në pasuri të vërteta për shqiptarët.
Mineralet, nafta, gazi, janë shfrytëzuar prej kohësh, por ka shfrytëzim e shfrytëzim. Ka shfrytëzim kolonial, ka shfrytëzim tjetër në të cilin në vendet e lira, këto pasuri shndërrohen në pasuri të qytetarëve, në shumë mënyra. Këtu synojmë ne.
Ne do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme sektorit minerar.
Do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme shfrytëzimit të këtyre potencialeve, zbulimit të potencialeve të tjera, industrisë përpunuese.
Këto shkojnë me njëra-tjetrën, energjia dhe minierat, mbështesin njëra-tjetrën.
Dhe unë shoh në këtë program, shoh Shqipërinë Madhështore reale të viteve që vijnë.
Ndaj dhe ju falënderoj shumë për këtë kontribut dhe ftoj të gjithë ekspertët, specialistët e këtyre fushave të një rëndësie shumë të madhe, të shprehin mendimet e tyre në mënyrë që ky program i paraqitur të pasurohet në të gjitha aspektet dhe të instalohet pas 11 majit me vendosmëri, përgjegjësi dhe saktësi, në mënyrë që të shënojmë gjithnjë e më shumë, të ecim gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë Madhështore.
Në këto fusha, natyra dhe Zoti u ka dhënë gjithçka shqiptarëve.
Mbetet në duart e tyre ta konkretizojnë Shqipërinë që duan.