FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditëm e sotme deklaroi se Shqipëria po përballet me katastrofën më të madhe demografike në historinë e kombit, duke e cilësuar shpopullimin si një gjenocid të heshtur sipas interpretimit të Konventës së OKB-së. Lideri demokrat, Sali Berisha tha se gjatë viteve 2014–2024 vendi ka pësuar rënie të paprecedentë të lindshmërisë, rritje të vdekjeve dhe emigrim masiv, që po çojnë drejt boshatisjes së Shqipërisë.
Berisha paraqiti paketën e propozuar nga PD për nxitjen e lindshmërisë dhe përmirësimin e treguesve demografikë, me një kosto vjetore prej 265 milionë eurosh dhe 4 miliardë euro deri në vitin 2040. Paketa përfshin: bonus për lindje (1,000–5,000 euro), pagesa mujore për fëmijët deri në 18 vjeç, leje lindjeje me pagesë të plotë, përjashtime nga tatimi për prindër me 3 ose më shumë fëmijë, mbështetje për të rinjtë deri në 25 vjeç, kredi të buta për çiftet e reja, subvencione për banesa, nxitje për sipërmarrjen, lehtësira në taksa për bujqësinë dhe linja prodhimi, si edhe dhënie toke publike për strehim ose biznes.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për presion dhe terror ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e krahasuar me praktikat autoritare. Ai e akuzoi Ramën se ka ndërhyrë për të mbrojtur interesat e tij në çështjen e tunelit të Llogarasë dhe se ka përdorur Komisionin e Venecias në mënyrë të manipuluar. Berisha deklaroi se dosja hetimore ndaj Ramës është ndarë dhe se kryeministri po përpiqet të shmangë drejtësinë.
Lideri i PD bëri thirrje për protesta të fuqishme qytetare për t’i dhënë fund qeverisjes më të korruptuar që ka pasur vendi.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigje me gazetarët, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti kundërshtimin e plotë të PD ndaj amnistisë fiskale të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një skemë për pastrimin e parave të krimit dhe të drogës. I pyetur për amendamentin e deputetit Gazment Bardhi, që kërkon të mos përjashtohen nga amnistia tatimore kompanitë që janë në proces gjyqësor me shtetin, Berisha tha se edhe pse PD e refuzon në tërësi amnistinë, nëse ajo miratohet, nuk mund të krijohen pabarazi mes kompanive. Ai sqaroi se në gjykata janë qindra kompani dhe nuk mund të penalizohen ata që kanë kërkuar të drejtat e tyre në gjyq, ndërkohë që falen kompanitë që nuk kanë apeluar.
Berisha u pyet edhe për situatën e krijuar me kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit, duke deklaruar se PD i tërhoqi firmat pas vendimit të Komisionit të Ligjeve që një deputet të ketë vetëm një firmë mbështetëse dhe pasi shumica socialiste kërkoi t’i imponojë opozitës kandidatin që donte vetë. Ai tha se PD vendosi unanimisht të mos e mbështeste Shabanin dhe të tërhiqte propozimin, duke theksuar se opozita nuk do të pranojë të kthehet në “opozitën e Edi Ramës”.
Sa i përket kostos së paketës së amendamenteve të PD për buxhetin, lideri democrat, Sali Berisha tha se ato janë të përballueshme, duke argumentuar se vlera e tyre është më pak se një e pesta e vjedhjeve qeveritare, të cilat arrijnë mbi 1.2 miliardë euro në vit. Ai akuzoi qeverinë për abuzime masive me fondet publike dhe solli shembuj të projekteve infrastrukturore që sipas tij janë shkatërruar ose kanë tejkaluar kostot në mënyrë të pajustifikueshme.
Lideri opozitar, Sali Berisha në konferencën me gazetarët akuzoi ashpër edhe sistemin e drejtësisë, duke e akuzuar kryeministrin Rama se ka deformuar skemën e pagave dhe ka krijuar një prokurori politike. Ai tha se nuk mund të pranohen paga më të larta për prokurorët e SPAK se për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, duke e quajtur këtë një skemë të Ramës për të kontrolluar drejtësinë. Po ashtu Berisha akuzoi SPAK se ka mbyllur dosje të rëndësishme dhe e krahasoi me task-forcën e qeverisjes së tij, e cila ka pasur rezultate më të mëdha në luftën kundër korrupsionit.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Berisha deklaroi se gjendja e lirive në Shqipëri është e ngjashme me ato të regjimeve autoritare, duke akuzuar qeverinë për kontroll të 90% të medias, përqindje rekord të të paraburgosurve dhe një drejtësi të paralizuar me 200 mijë dosje të prapambetura.
Kryetari i PD reagoi edhe ndaj projektligjit të qeverisë për PPP-të në burgje dhe infrastrukturën gjyqësore, duke thënë se Rama synon të vjedhë çdo qelizë të shtetit. Berisha denoncoi gjithashtu licencimin e një banke “Bitcoin offshore” si jashtëzakonisht e rrezikshme për ekonominë që u miratua vetëm pas presionit të kryeministrit ndaj Bankës së Shqipërisë.

FJALA E PLOTË
Shpopullimi masiv i Shqipërisë përbën goditjen më të rëndë ekzistenciale që kombi shqiptar ka marrë në tërë historinë e tij të gjatë.
Kurrë ndonjëherë, treguesit themelorë të popullsisë të këtij vendi, nuk kanë rënë brenda 10 viteve një shekull.
Nuk është regjistruar kurrë një kastastrofë e tillë demografike, siç është regjistruar në 10 vitet e qeverisjes së Eid Ramës 2014-2024.
Lindshmëria në Shqipëri sot është e barabartë me lindshmërinë që kishte kur shqiptarët ishin 700 mijë banorë, 100 vite më parë.
Jam ndalur shumë herë në këtë akt të planifikuar që përbën një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve në kuptimin e krijimit të kushteve për largimin nga vendi i tyre.
Konventa e OKB, neni 3 i saj, shpall këtë rrethanë si një rrethanë të gjenocidit të heshtur, paqësor që mund të ushtrohet ndaj një populli.
Ky gjenocid tejkalon në përmasat e veta çdo lloj katastrofë demografike që shqiptarët kanë përjetuar nga Mesjeta gjer sot, qoftë nga pushtimet, qoftë nga epidemitë e murtajës dhe epidemitë e tjera të rënda.
Sot është emergjencë absolute vendosja e një platforme, e cila të mund të shënojë kthesën e treguesve demografikë të popullit shqiptar, në mënyrë që ky popull të mos shkojë drejt zhdukjes të pashmangshme me këto tregues që ka sot.
Nga viti 2018 gjer sot, vdekjet në Shqipëri janë qartësisht më të larta se lindjet.
Po të shtojmë këtu edhe largimet masive nga vendi, boshatisja e Shqipërisë është e garantuar.
Për t’i dhënë një përgjigje kësaj katastrofe ekzistenciale demografike të shqiptarëve në Shqipëri, PD mendon se duhet të fillohet këtë vit me buxhetin për fëmijët që lindin dhe për fëmijët.
Fëmija e parë të ketë një trajtim mujor 1 mijë euro në vit.
Fëmija e dytë 2 mijë euro.
Fëmija e tretë 3 mijë euro bonus.
Fëmija e katërt dhe më shumë, 5 mijë euro bonus.
Të gjitha këto të përllogaritura për 30 mijë lindje në vit, shkojnë 60 milionë euro sepse ne kemi përllogaritur edhe kostot e kësaj ndërhyrje.
Bonusi mujor për fëmijët e lindur, ato ishin bonus i përnjëhershëm, bonusi mujor për fëmijët e lindur, me këtë buxhet, pra për vitin 2026, të jetë 50 euro për çdo fëmijë gjer në moshën 6 vjeç.
60 euro për çdo fëmijë, në moshën 6 deri 18-vjeçare.
Vlera në vit për 30 mijë lindje i bie të jetë 15 milionë euro.
Zero pagesë për fëmijën e tretë apo më shumë për çerdhe dhe kopshte.
Të gjitha i paguan shteti.
Me këtë mbështeten të paktën 15 mijë fëmijë në vit dhe shuma e nevojshme nga buxheti për këtë masë është 5 milionë euro.
Rimbursim të ilaçeve për fëmijën e tretë apo më shumë në masën 120 euro në vit.
Të paktën 8 mijë fëmijë përfitojnë nga kjo dhe shumë është 1 milion euro në vit rimbursim i plotë.
Leje lindje me pagesë të plotë për 365 ditë.
Të paktën për 30 mijë nëna në vit shuma është 80 milionë euro.
Tatimi mbi të ardhurat personale mbi pagën, nënat me tre fëmijë përjashtohen nga ky tatim. Nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale.
Baballarët me katër fëmijë, përjashtohen nga ky tatim.
Shteti paguan në këtë rast 25 milionë euro.
Të rinjtë, deri në moshën 25-vjeçare, të përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat mbi pagën.
Janë rreth 200 mijë të rinj dhe shuma është rreth 10 milionë euro.
Kredi të butë, interesa kreditore të subvencionuara nga buxheti i shtetit për 5 mijë çifte të reja në vit.
Kredi gjer në 100 mijë euro.
Shuma vjetore 15 milionë euro.
Bonus rindërtimi. Shtëpi ekzistuese, çiftet e reja, për banesat urbane, 8 mijë euro për banesat rurale. Shuma 10 milionë euro.
Subvencion deri në masën e një të tretës së vlerës shtesë që familja duhet të paguajë për banesë më të madhe, si pasojë e shtimit të numrit të personave në familje, lindje të reja, por jo më shumë se 30 mijë euro.
Në total, të paktën 500 përfitues çdo vit, kjo arrin vlerën 15 milionë euro.
Zero taksë mbi tokën bujqësore, me kushtin që ajo të punohet.
Shuma 1 milion euro.
Përgjysmim i tatimit mbi të ardhurat personale dhe përgjysmim mbi taksë, tatim, tarifë vendore dhe qendrore për ata që punojnë tokën.
Shuma 5 milionë euro.
Për ata që rikthehen nga jashtë të punojnë në fshat, zero taksa, tarifa për 5 vitet e para.
Shuma 10 milionë euro.
Linjat e prodhimit, financim 50 përqind i çdo linje prodhimi, por jo më shumë se 30 mijë euro për çdo linjë.
Për ata që vijnë nga emigrimi, financimi do jetë 70 përqind, jo më shumë se 40 mijë euro për çdo linjë prodhimi.
Në total përllogariten 8 milionë euro.
Përgjysmim të çdo takse, tarife, tatimi për gratë sipërmarrëse që do hapin biznese në një nga tre qarqet më të varfa apo që punësojnë të paktën 50 përqind gra në sipërmarrjet e tyre.
Shuma 5 milionë euro.
Tokë publike falas për ndërtime për strehim.
Tokë publike me 1 euro për 99 vite për qëllime biznesi.
Impakti në buxheti e këtij viti është 265 milionë euro.
Impakti në buxhetin gjer në vitin 2040, shkon gjithsej 4 miliardë euro.
Natyrisht kjo paketë është vetëm hapi i parë i domosdoshëm për të shënuar një kthesë, e cila synon të shpëtojë Shqipërinë nga shkretimi i plotë i banorëve të saj.
Fshirja, shuarja.
Historia e kombeve është histori e lindjes, lulëzimit, por edhe zhdukjes së tyre.
Shqiptarët nuk e meritojnë të zhduken.
Shqiptarët duhet të meritojnë në trojet e tyre që nga kohërat ilire gjer sot.
Kjo që ndodh është katastrofa më e madhe demografike në historinë e kombit.
Kurrë shqiptarët nuk kanë përjetuar një shpopullim të tillë nga asnjë pushtim, nga asnjë sëmundje, nga asnjë epidemi.
Kjo ishte çështja që desha të sjell tek ju dhe që ne do e mbrojmë në parlament.
Së dyti, dënoj me forcën më të madh presionin dhe terrorin e Edi Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Dënoj me forcën më të madhe.
Në një akt të pashembullt, ditën e djeshme ai ka ndërmarrë dy sulme të egra që tejkalon edhe Maduron e Venezuelës, ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigjen e tij ndaj deklaratës së shoqatës së gjyqtarëve, ku ata denonconin dhe dënonin ndërhyrjet brutale të Edi Ramës mbi Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur vjedhjen e tij me tunelin e Llogarasë, është kapur mat, nuk ka ku lëviz.
Është mat, nuk del më.
Dhe u vërsulet me një gjuhë që edhe Maduro do e ketë lakmi kur ta lexojë, kur t’ia përkthejnë.
Çfarë kërkuan gjykatësit?
Kërkuan që të mos ndërhyhet, të mos ushtrohet presion ndaj gjykatës.
Ju jeni dëshmitarë se si një javë më parë, ky mashtrues publik, i kapur në çark me vjedhjen e tunelit të Llogarasë, citoi kushedi sa herë Komisionin e Venecias, sikur ky Komision paska dhënë opinione se nuk mund të pezullohen ministra.
Tani e ka hequr, ka katër ditë që nuk e përmend më Komisionin e Venecias.
Duket ka marrë ndonjë karton të kuq.
Dhe i bëj thirrje Komisionit të Venecias të bëjë ndonjë deklaratë që ta mësojnë shqiptarët se ky është mashtrues publik ndërkombëtar.
Nuk mjafton kartoni i kuq.
Mjafton edhe deklarata publike për të denoncuar njeriun që citoi në një ligjëratë koprolalike të gjatë, dias herë Komisionin e Venecias, që në asnjë rast nuk ishte ai Komision që kishte dhënë ato direktiva apo ato këshilla.
Përkundrazi, në shqyrtimin e nenit të kodit të procedurës penale të Kosovës, i cili autorizon gjykatësit njëlloj si neni i Shqipërisë, të pezullojë, Komisioni i Venecias thotë se ky nen nuk bie ndesh as me Kushtetutën.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka gjykuar se pezullimi nuk është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dhe kjo është evidente.
Edi Rama ka hallin se është në radhë pas Lubisë.
E keni marrë vesh ju se është ndarë dosja në dysh.
Dosja e Lubisë dhe dosja e Ramës.
Nuk fle më dosja e Ramës.
Dhe ai tani po bën gjithçka për të përdorur Lubinë si parzmore.
Shqiptarët nuk do jenë indiferentë.
Do jenë ata që do imponojnë ligjin dhe drejtësinë.
Po kështu dje, për herë të dytë, në një ndërhyrje tjetër, iu përmend gjykatësve rrogat, sikur i ka nga pronat e Surrelit, sikur i jep nga fondet e vjedhura dhe jo nga buxheti i shtetit.
Një akt pacipësie, në një kohë kur ata gjykojnë, ai përpiqet t’i kërcënojë.
Të përdorë buxhetin e qytetarëve që e ka vjedhur vetë për të këcënuar gjykatësit që kërkojnë të mbrojnë buxhetin nga hajdutët.
PD dënon me forcën më të madhe dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, të gatshëm për protestat më të fuqishme që vendi ka njohur, për t’u ndarë përfundimisht nga kjo bandë që kombi shqiptar nuk e ka pasur kurrë në drejtim që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot.

PYETJE- PËRGJIGJE
Mariglen Kume, MCN Tv: Z.Berisha, në pjesën e parë ku juve u ndalët tek çështjet ekonomike dhe paketa fiskale. Në paketën fiskale, te paketa e paqes fiskale, një nga elementët është amnistia e detyrimeve tatimore për kompanitë për detyrimet më të vjetra se 10 vjet dhe e ndarë kjo me fasha. Ju dje e konsideruat këtë paketë në tërësi si një mundësi për legjitimim të evazionit fiskal dhe për pastrimin e parave të krimit dhe të drogës. Ndërkohë, po në Kuvendin e Shqipërisë, ka mbërritur nga deputeti i PD, z.Gazment Bardhi, një amendim ku thuhet që nuk duhet që të përjashtohen nga e drejta për amnistinë e këtyre detyrimeve tatimore edhe kompanitë të cilat janë në një proces gjyqësor me shtetin shqiptar. A është ky një amendim që ka të veshur një emër konkret, konkretish BANKERS, i cili ka një proces gjyqësir me shtetin? A e mbështesni ju këtë amendim?
Berisha: Unë nuk mbështes amnistinë. PD nuk mbështet amnistinë në kuadrin ligjor që ka sjellë Edi Rama.
Ky është qëndrimi i PD.
Por nëse amnistia ndodh, ti nuk mund të përjashton. Se ai ka shkuar në gjykatë dhe tjetri nuk ka shkuar në gjykatë ti smund të përjashtosh. Unë nuk konceptoj se pse mund të përjashtohet ai që ka shkuar në gjykatë me këtë që ka shkuar në gjykatë, për të kërkuar një të drejtë. Nuk mund të jetë kurrë vetëm një kompani. Të garantoj se në gjykatë janë me qindra kompani.
Por nëqoftëse ti hyn dhe fal ato të cilat nuk kanë shkuar në gjykatë dhe nuk kanë falë ato që kanë shkuar në gjykatë, të cilat të paktën pretendojnë se kanë një të drejtë dhe guxojnë të kërkojnë të drejtën e tyre, ti bën minimumi një pabarazi.
Por ne jemi absolutisht kundër këtij ligjor të amnistisë. E kemi deklaruar, të kësaj amnistie e cila fsheh kanalet e zeza të larjes së miliarda eurove nga klanet dhe kartelet e drogës.
Ne jemi kategorikisht kundra.
Në pamje të parë, kjo mund të duket se ne jemi kundër flukseve të parave. Jemi sepse është para toksise, është shkatërrimtare.
Është faktuar që këto investime po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.
Si po e shkatërrojnë? Po e shkatërrojnë me një mekanizëm kryesor, dhe të tjerat pastaj, që është zhvlerësimi i euros. Nuk kam parë ndonjëherë në studiot televizive të bëhet një emision për zhvlerësimin e euros dhe pasojat e tmerrshme mbi ekonominë shqiptare.
Zhvlerësimi i euros me 35% do të thotë humbja me 35% minimumi, i fitimit të të gjithë kompanive të eksporteve që punojnë me euro.
Do të thotë, rënie prodhimi në bujqësi, industri dhe rritje e madhe çmimesh.
Do të thotë shok ekonomik. Sot po lexoja. Merrni e lexoni pak të dhënat e inflacionit për muajin nëntor të INSTAT. Çfarë thoshin, u rrit çmimi i qirave.
Po mirë më thuaj pak, a ka paradoks më të madh që të rritet çmimi i qirave në një kohë kur, janë në shkallë vendi mbi 200 e ca mijë banesa bosh dhe në Tiranë mbi 60 mijë apartamente bosh.
Si mund të rritet çmimi në kushet normale, kur ka dhjetëra e mijëra banesa të pashitura. Çmimi rritet se tregu është në kthetrat e drogës. Ndaj rritet qiraja, ndaj rritet çmimi. Ndaj bie prodhimi, eksporti, shkatërrohen qindra e mijëra vende pune dhe ikin qytetarët.
Çështja e narkoshtetit në Shqipëri është çështje themelore, është vorbulla e zezë që po i përpin shqiptarët.
Është jashtëzakonisht e trishtueshme për mua, kur shof gjithë ato shkrime, dokumentarë të televizioneve më serioze të botës për narkoshtetin në Shqipëri dhe nuk ka një media shqiptare që të ketë një dokumentar të tillë.
Nuk ka një gazetar që të bëjë një hetim dhe të dokumentojë e faktojë pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit në Shqipëri…
Janë në një sintoni, Bardhi me propozimin e tij ngrihet kundër një pabarazie që ngre ligji. Pabarazi. Por ne nuk e dimë atë, nuk mund të paragjykosh atë, që kanë shkuar në gjykata. Ata që kanë shkuar në gjykata, mund të jenë publike, private mund të jenë të shumëllojta.
Ata kanë kundërshti me shtetin. Në masën 90-95% kanë shkuar në gjykata për kundërshtirat që kanë me shtetin.
Kur ti përjashton ata që nuk i janë adresuar gjykatës dhe përjashton këta që i janë drejtuar gjykatës, të cilët të paktën pretendojnë se u është bërë një padrejtësi ndaj tyre, dhe amniston ata që nuk shkojnë në gjykatë, kjo për mua është një gjë absurde.
Përsa i përket deputetit Bozdo, unë e përgëzoj atë sepse ato janë të gjitha pasuri publike të shpërndara nga Edi Rama jashtë të gjitha kritereve ligjore, vetëm favore për korrupsion.
Mariglen Kume, MCN Tv: A është e koordinuar PD në qëndrimet e saj, pasi propozimet e n/kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, z.Bozdo, pra amendimet që ka depozituar në Kuvendi parashikon që kompanitë që kanë përfituar pasuri/prona publike duhet të përjashtohen nga këto lehtësira, ndërkohë rrjedhimisht propozimi i z.Bardhi çon në të kundërtën…
Berisha: Jo, janë në një sintoni. Z.Bardhi me propozimin e tij ngrihet kundër një pabarazie që ngre ligji. Pabarazi. Por ne nuk e dimë atë, nuk mund të paragjykosh atë, që kanë shkuar në gjykata. Ata që kanë shkuar në gjykata, mund të jenë publike, private mund të jenë të shumëllojta.
Ata kanë kundërshti me shtetin. Në masën 90-95% kanë shkuar në gjykata për kundërshtirat që kanë me shtetin.
Kur ti përjashton ata që nuk i janë adresuar gjykatës dhe përjashton këta që i janë drejtuar gjykatës, të cilët të paktën pretendojnë se u është bërë një padrejtësi ndaj tyre, dhe amniston ata që nuk shkojnë në gjykatë, kjo për mua është një gjë absurde.
Përsa i përket deputetit Bozdo, unë e përgëzoj atë sepse ato janë të gjitha pasuri publike të shpërndara nga Edi Rama jashtë të gjitha kritereve ligjore, vetëm favore për korrupsion.
Mariglen Kume, MCN Tv: Z.Berisha, ju ditën e djeshme deklaruat se tërhiqeni procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por ndërkohë të 6 kandidatët të cilët i janë përcjellë kryetarit të Kuvendit për t’i futur në seancën plenare të ditës së nesërme janë vetëm me firmat e deputetëve të PD. Ku ishte PD, grupi parlamentar i PD dhe qëndrimi politik kur z.Shabani kërkonte një e nga një firmat firmat e deputetëve të PD, dhe patjetër ata i kanë dhënë, sipas informacioneve 37 firma?
Berisha: Tani ju e patë se në atë proces u rreshtuan 27 kandidatura, në mos gaboj.
Mund të ketë dhe të tjerë që mund të kenë marrë firma përveç Endri Shabanit. Në mbledhjen e saj që bëri PD, para 4 ditësh, pas kërkesës dhe të socialistëve që deputeti të ketë të drejtë vetëm për një firmë, dhe vendimit jo kërkesës, vendimit që mori Komisioni i Ligjeve i drejtuar nga socialistët, PD u mblodh grupi parlamentar dhe përcaktoi kandidaturat që do të mbështesë ai.
Në kandidaturat që do të mbështeste PD nuk figuronte kandidatura e Endri Shabanit. PD i hoqi mbështetjen zotërisë dhe ata që kanë firmosur tërhoqën propozimin. E tërhoqën zyrtarisht propozimin. Kjo është e vërteta.
Por, po këtu unë ju kam deklaruar se, kjo ndodhi pasi u deklaruar nga pala tjetër se, kandidati do ti jepej opozitës.
Ata operojnë me opozitën që duan, por opozitën që duan nuk e pranon kurrë PD-ja. Opozitën që duan e ka Edi Rama tani, kjo është platforma e tij.
Por ne jemi opozita e shqiptarëve, jo opozita e Edi Ramës. Jemi krenar që nuk na don Edi Rama.
Po të mos ishte gabim, nuk tërhiqej mbështetja. Po të mos ishte gabim firmosja nuk tërhiqej mbështetja. Unë duhet ta pranoj një proces, por kjo erdhi krejtësisht nga një qëndrim i PS-së e cila kishte qëllim që të dilte tek opozita që donte.
Me opozitën që do ne nuk do jemi kurrë, ne do jemi opozitë e sovranit. Besoj se është e drejtë kjo dhe është interesi i të gjithëve kjo.
Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, me faturën financare të amendamenteve që ju keni hartuar projekt-buxhetin, a është e mundur të përballohet nga të ardhurat që ka parashikuar qeveria për këtë projekt-buxhet?
Berisha: Anisa, kjo faturë, në qoftë se ju lexoni KLSH-në, aktet e kontrollit të tyre, jo 1-vjeçare, 9-mujore, kjo faturë është një e katërta e vjedhjeve të qeveritarëve.
Vjedhjet qeveritare në një vit, sipas KLSH, që nuk mund të jenë kurrë në thellësinë maksimale, janë mbi 1 miliard e 200 milionë.
Këto janë më pak, këto janë një e pesta e vjedhjeve qeveritare.
Absolutisht e mundshme.
Por unë ndjej keqardhje të madhe kur shqiptarët, por veçanërisht media, nuk shtrojnë pyetjen se ku shkuan 67 miliardë euro të qytetarëve shqiptarë në 12 vite.
Urdhëroni ku janë.
Rruga Qukës- Qafë Plloçë, ku është rruga?
370 milionë euro nga 73 milionë euro e planifikuar.
Rruga Korçë-Ersekë 17 km, se 18 i kishim ndërtuar ne me 800 mijë euro kilometri. E dini vetë sa shkuan.
Ku është rruga? E shembur përsëri.
Rruga Kardhiq-Delvinë, edhe ajo e ndërtuar në 12 kilometrat e para. Segmenti i tyre u shemb përsëri.
Rruga e Arbrit.
Dhe këto janë 67 milardë, se vetëm Lubia ka administruar 12 miliardë euro.
Ku janë?
U them unë ju, për ta pasur një ide, autostrada Rrëshen-Morinë, hiq segmentin Milot-Rrëshen, superstrada Hani i Hotit-Shkodër, Shkodër-Muriqan, Shkodër-Velipojë, Milot- Fushë Krujë, Rrogozhinë-Lushnje-Fier, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Korçë- Qafë Pllocë, Devoll- Korçë, 32 kilometra të Rrugës së Arbrit, rruga Orikum-Sarandë, rruga e bregut, rindërtimi i rrugës Pukë-Kukës, rrugë që u ngjitën në të gjitha majat e vendit, Gjirokastër-Çajup, Korçë-Vithkuq, Korçë-Liqeni i Prespës, Librazhd-Çermenikë, Kukës-Peshkopi, Kukës-Novosej, Tropojë-Valbonë, Hani i Hotit-Bogë, Hani i Hotit-Leqet e Hotit.
Të gjitha këto së bashku dhe mijëra kilometra të tjera rrugë dytësore dhe tretësore kanë kushtuar absolutisht asnjë qindarkë më shumë se 5 miliardë euro.
12 miliardë Lubia.
Pra, shikoni 11.300 kilometra rrugë janë ndërtuar me më pak 5 miliardë.
Për të pasur të qartë shqiptarët se ç’gropë e zezë e tmerrshme ka qenë kjo qeveri.
Andon Kello, Abc Neës: Z.Berisha, përplasjen e kryeministrit Edi Rama me shoqatën e gjyqtarëve, ju cekët edhe çështjen e pagave. A jeni ju dakord që një gjyqtari dhe prokurori t’i rritet rroga 1600 euro dhe prokurorëve të SPAK dhe GJKKO 3100 euro?
Berisha: Nuk është qeveria jonë që ka vendosur këtë sistem që ka vendosur Edi Rama.
Për qëllime për të patur një prokurori politike, Edi Rama shpalli më të paguarit, jo të Shqipërisë, më të paguarin zyrtar të Drejtësisë në të gjithë vendet e Ballkanit, Altin Troplonin apo Pojën e Skapit, me 7200 euro rrogën.
Sepse i duhej që të arrestonte opozitës, i duhej që të siguronte karrigen. Po, nuk mund të konceptoj kurrë që një prokuror cili do qoftë ai të marrë rrogë më shumë se kryetari i Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese, apo gjykatësi Kushtetues.
Por këtë e ka krijuar vetë Edi Rama për qëllime politike, sepse i duhej që mercenari të shndërrohej në një armik të egër të pluralizmit politik. I duhej që të amnistonte krimin elektoral. Dosjet 184 dhe 339, i duhej. Sigurisht. Ndaj dhe shkatërroi sistemin e pagave në drejtësi.
Nëse je i interesuar, merr pak aktivitetin e task forcës kundër korrupsionit në vitin 2007-2008 dhe krahasoje me dy vitet e Dumanit. Absolutisht është i trefishtë, 300% më e madhe goditja e korrupsionit.
Qoftë në çështje të dërguara në gjykatë, qoftë në çështje të gjykuara dhe të dënuara nga gjykata. Për këtë merr e lexo raportet e DASH për vitet 2009-2010-2011. Nxirri aty i ke shifrat. Pse? Dumani ka qenë, por nuk i mbyllte dot dosjet se ishte task force. Aty kishte agjentë tatimor, agjent doganor, agjent të shërbimit informativ, anëtarë të policisë kriminale, dhe Dumani nuk i mbyllte dot siç bën tani. Jo.
Prandaj dhe është me shumë interes tu thuhet e vërteta qytetarëve.
Kurse ata të cilët përkrahin prokurori politike, ata kanë një koncept rudimentar për demokracinë dhe është keqardhje e madhe.
Prokuroria politike nuk mund të përkrahet kurrë. Sepse prokuroria politike është absolutisht e destinuar të dështojë në mënyrën më të sigurtë.
E morët vesh. Ky u përpoq ta bllokonte dosjen ‘Balluku’. I shkoi atij mbrapa një fjalë, ruaje pak atë kokën tende. Po ja tha këtë, e imagjinon ti tani. Në vend që ti thoshte të përgëzoj për këtë, i tha ki kujdes kokën. Nuk ja vlen të flasim për këtë.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, si e shihni ju gjendjen e të drjetave të njeriut në Shqipëri?
Berisha: Sot, të drejtat e njeriut në Shqipëri janë të ngjashme ose identike me të drejtat e njeriut në diktaturat autoritare.
Sot liria e fjalës është në satrin e narkoshtetit.
Mediat janë në 90 përqind të kontrolluara nga qeveria.
Sot, për të vrarë lirinë e fjalës, përdoren mjete nga më të sofistikuarat.
Përdoren rrjete nga më mafiozet.
Por duhet të themi se gjithcka fillon me lirinë e fjalës.
Sot, burgjet shqiptare janë burgjet me përqindjen më të lartë në botë të të paraburgosurve.
Pra, të qytetarëve që asnjëri nuk e meriton të jetë në burg. Janë të padënuar.
70 përqind e të burgosurve në burgjet e Shqipërisë janë të padënuar. Kurrë diktatura komuniste nuk ka pasur këtë përqindje.
Sot, qytetarët shqiptarë, siç konkludoi në hearing edhe Kongresi i SHBA, kanë humbur të drejtën e procesit ligjor.
Drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar.
Për të marrë një vendim të zbardhur, një qytetari i duhen 1300 ditë.
Një gjyqtar sot ka deri në 1 mijë vendime të pazbardhura.
Tmerr.
Vetëm drejtësi nuk është.
Dosjet, nga 16 mijë që ishin para reformës së Sorosit, janë 200 mijë.
Pra, ka një abuzim të tmerrshëm masiv me të drejtat e njeriut.
Shqipëria mund të quhet edhe vendi i lirive dhe të drejtave të mohuara.
Apel për qytetarët, të ngrihemi për rifitimin e tyre.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Meqë përmendët burgjet, ka edhe një projekt-ligj nga qeveria për PPP-të, ku synohet që edhe burgjet të jepen me koncension dhe infrastruktura gjyqësore. Keni një koment për këtë?
Berisha: Nuk ka segment dhe qelizë të këtij shteti që Edi Rama nuk do ta përdorë për të vjedhur.
Komenti im i vetëm është ky: që Edi Rama gjithçka do ta përdorë për të vjedhur.
Ju e lexuat pak këtë skandalin me kompaninë Kayo.
Sapo i doli koka.
Asgjë tjetër nuk ka ky vetëm të vjedhë dhe të vjedhë.
Ky i ka vënë vetes të bëhet multi miliarder.
Licencoi këto ditë, pas refuzimeve disavjeçare të Bankës, e mposhti Bankën dhe licencoi bankën e Bitcoin offshore, që është absolutisht jashtëzakonisht e rrezikshme për ekonominë shqiptare.
Pse offshore? Pse do e çosh offshore?
Jo, të regjistruar dhe onshore.
Po offshore, u dorëzua guvernatori pas një rezistence që ka bërë bordi i bankës, u dorëzua edhe bordi, pas një rezistence disavjeçare nga presioni i tmerrshëm i Edi Ramës.


