KONFERENCA E KRYETARI TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat të mbajtur ditën e sotme, denoncoi Kryeministrin Edi Rama për vendimin e firmosur prej tij për të shpallur sekret shtetëror shpenzimet personale dhe ato të qeverisë, të kryera me paratë e taksapaguesve shqiptarë. ‘Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh’, tha Berisha, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të paprecedent, të ngjashëm me praktikat e diktaturës së Enver Hoxhës, si dhe me regjimet autoritare të Kim Jong-unit dhe Maduros në Venezuelë. Berisha theksoi se vendimi për të fshehur shpenzimet përbën një përpjekje për të ligjëruar vjedhjen dhe abuzimin me fondet publike, duke goditur transparencën dhe të drejtën e qytetarëve për të ditur se si përdoren taksat e tyre.
Lideri i opozitës deklaroi se Kryeministri Rama ka transferuar ‘qindra milionë euro të drogës dhe trafiqeve’ përmes valixheve diplomatike, duke përdorur fluturimet me çarter privat. Në deklaratën për mediat, Berisha tha se Rama po ndjek modele të ngjashme me regjimet autoritare, duke shpallur sekret shtetëror shpenzimet dhe udhëtimet e tij, të kryera me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas kreut të PD-së, ky është një ‘akt turpi dhe arrogance qeveritare’ që rikthen praktikat e diktaturës. Ai theksoi se Partia Demokratike nuk do të pajtohet kurrë me këtë vendim që synon të fshehë abuzimet e pushtetit.
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi gjithashtu se marrëveshja e fazës së parë për paqen në Gazë përbën një zhvillim historik me ndikim të thellë në stabilitetin ndërkombëtar. Në deklaratën për mediat, ai theksoi se kjo arritje përbën një hap të madh drejt normalizimit në Lindjen e Mesme, duke shpresuar që fazat e tjera të procesit do të sjellin fundin e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin e presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si ‘një meritë të jashtëzakonshme’ për përpjekjet e tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje me impakt të madh në paqen botërore.
Duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve, kreu i Partisë Demokratike reagoi gjithashtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin për zgjedhjet në Tiranë. Berisha tha se Edi Rama, pasi mori një ‘goditje fatale’ nga vendimi i Kushtetueses, po përpiqet të ndjekë ‘rrugën e Xhaçkës’, por asnjë veprim i qeverisë nuk mund të shkojë përtej kuadrit kushtetues. Lideri i opozitës theksoi se opozita do të respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa dënoi ashpër ‘aktin e shëmtuar dhe të papërgjegjshëm’ të presidentit të zgjedhur nga mazhoranca.
Gjatë konferencës, lideri i demokratëve Sali Berisha akuzoi Ramën se ka përdorur drejtësinë për të eliminuar politikisht ish-aleatin e tij, Erion Veliajn. Ai tha se arrestimi dhe trajtimi i Veliajt janë shenjë e ‘tmerrit dhe panikut’ që ka përfshirë kryeministrin pas shpërthimit të aferave korruptive në Tiranë. Megjithatë, Berisha theksoi se qëndrimi i PD-së mbetet i pandryshuar: Veliaj është ‘hajduti më i madh pas Ramës dhe Ballukut’, por çdo qytetari i takojnë të drejtat që i garanton Kushtetuta.
Lideri i demokratëve Sali Berisha reagoi edhe ndaj deklaratës së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale. Ai e cilësoi qëndrimin e kreut të shtetit si ‘histori kukulle’, duke e akuzuar se po vepron nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama dhe se ‘njeh vetëm matematikën e tij politike’. Sipas Berishës, qëndrimi i Begajt është një përpjekje për të relativizuar shkeljet kushtetuese të qeverisë, ndërsa shtoi se deklarata e Presidentit tregon mungesë integriteti dhe përfaqëson ‘moralin e një figure që nuk njeh as Kushtetutë, as përgjegjësi ndaj qytetarëve’.
Gjatë përgjigjes për gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha tha se, Partia Demokratike është tashmë në sulm, dhe se mbështetja e kandidatëve të pavarur për zgjedhjet e bashkive përbën një hap të rëndësishëm drejt hapjes së partisë dhe rritjes së transparencës në politikë. Ai theksoi se mbështetja e kandidatëve të pavarur nuk nënkupton dominim nga partitë politike, por synon të përfaqësojë më mirë interesat e qytetarëve dhe të përfshijë spektrin më të gjerë të elektoratit. Berisha shtoi se ky model i ri demonstron përkushtimin e PD-së për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të garantuar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin politik.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me takimin qeveri-mafia në Aruba, kreu i PD-së Sali Berisha theksoi se, në këtë drekë e Arubës ka qenë i pranishëm Don Agaçio dhe po përpiqet të identifikojë edhe emrin e ministrit të përfshirë. Ai theksoi se fakti që përfaqësues të qeverisë së Edi Ramës ishin dërguar në këtë takim, tregon për bashkëpunimin e dyshuar të kryeministrit me kartelet e drogës. Berisha shtoi se informacioni është i mbështetur nga dosja belge e antimafias italiane dhe libri i publikuar mbi ngjarjet, duke bërë të qartë se po verifikon çdo detaj para se të japë emra të tjerë. Ai paralajmëroi se sapo të ketë konfirmuar të dhënat, do t’i bëjë publike.
Berisha deklaroi se emri i Artur Shehut ka dalë në dokumente dhe informacionet e tij lidheshin me gjeneral Lisin dhe Don Agaçion, në një operacion që ai e përshkroi si ‘perfekt mafioz’. Ai theksoi se nuk ka hipur kurrë në makinë me Shehun në vitin 1998, por dallimi midis Shehut të atëhershëm dhe Shehut të mëvonshëm është i madh, duke e krahasuar me diferencën midis ditës dhe natës.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sqaroi se di të dhëna për familjen e Artur Shehut, të cilën e përshkroi si të persekutuar dhe që vjen nga një familje e mirë, por emri i tij u shfaq në lidhje me një operacion mafioz ku ishte i përfshirë edhe gjeneral Lisi. Ai tregoi se Lisi kishte marrë 30 hektarë toka nga Shehu përmes një fondacioni dhe kishte përfunduar në burg, ndërsa Artur Shehu ishte sjellë në këtë operacion nga Don Agaçio.

FJALA E PLOTE:
Ramaduro vendos të sekretojë shpenzimet e tij.
Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha.
Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës.
Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite.
Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit.
Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet.
Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës.
Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh.
Por ky shtet, në vitin 2009, në emër të transparencës, të mbrojtjes të parave të taksapaguesve shqiptarë, ka vendosur shpenzimet e thesarit online.
Dhe kjo ka qenë në kuadrin e një nisme botërore të luftës kundër korrupsionit.
Ky sistem i bën të mundur çdo qytetari të kontrollojë çdo qindarkë që shpenzohet nga taksat e tij të nesërmen e shpenzimit.
Edi Rama vendos të sekretojë shpenzimet e tij vetëm e vetëm për të mbuluar vjedhjet e veta dhe familjare të taksave të qytetarëve shqiptarë.
Ky është një apel dhe një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihen kundër flamurtarit të vjedhjes në të gjithë historinë e shtetit shqiptar.
Po, gjatë diktaturës, diktatori Enver Hoxha i kishte sekret shpenzimet dhe i kishte të pakufishme.
Por diktatori Hoxha, duhet të pranojmë, se shtëpinë katërkatëshe të re që ndërtoi, nuk e regjistroi as në emër të vetin, as të familjes së tij. Jo. E regjistroi pronë shtetërore dhe ajo sot është pronë shtetërore.
Njeriu që ka bërë 140 e sa udhëtime me avion taksi për veten e tij, dhe që akuzohet se me këtë avion ka transferuar me valixhe diplomatike qindra milionë euro të drogës dhe të trafiqeve, të bitcoin-eve dhe të tjera.
Akuzohet se ka transferuar ngarkesa droge.
Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për hetimin e këtyre transfertave.
Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për të verifikuar të dhënat që thonë se valixhet diplomatike të çarterit të Edi Ramës janë më numerike se të të gjithë kryeministrave evropianë të marrë së bashku në një vit. Apo të presidentëve.
Tani kaloi në një akt, thashë edhe njëherë, që ka ekzistuar në Shqipëri vetëm në kohën e diktatorit Enver Hoxha.
PD nuk do pajtohet kurrë me një vendim të tillë të turpshëm të Edi Ramës dhe kukullave të tij, që siç duket janë në një verbëri të plotë, nuk kanë asnjë interes publik, asnjë interes qytetar, nuk njohin asnjë ligj, asnjë Kushtetutë, asnjë normë, asnjë standard përveç Edi Ramës dhe interesave të tyre.
Unë sot gjithashtu para jush dua të përshëndes edhe njëherë marrëveshjen historike të fazës së parë të planit të paqes për Gazën.
Është një arritje, në vlerësimin tim, e jashtëzakonshme dhe uroj dhe shpresoj që fazat e tjera të ndjekin fazën e parë dhe Lindja e Mesme të dalë nga spiralja e konfliktit.
Izraelitët, palestinezët dhe kombet e tjera të jetojnë në paqe dhe prosperitet në këtë vend.
Kjo është një meritë e jashtëzakonshme e presidentit Donald Trump.
Natyrisht edhe e aktorëve të tjerë, të cilët ai i citoi në arritjen e kësaj marrëveshje.
Një arritje me një impakt të madh në paqen botërore.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARE:
Anisa Kadesha, RTSH: Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese dje, për pezullimin e dekretit të presidentit për zgjedhjet e Tiranës, socialistët kanë marrë vendim që të vijojnë fushatën, pasi sipas tyre zgjedhjet do të mbahen në 9 nëntor në Tiranë, sipas një vendimi të pritshëm në 31 tetor. Si e komentoni qëndrimin e tyre dhe a është PD e përgatitur për të hyrë në zgjedhje në 9 nëntor, në një rast të mundshëm.
Sali Berisha: Pasi mori një goditje fatale nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama njoftoi se do vazhdojë në rrugën Xhaçka, do bëjë atë që bëri me Xhaçkën.
Por, i garantoj qytetarët e Tiranës se duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke dënuar me forcën më të madhe edhe njëherë aktin e shëmtuar dhe të papërgjegjshëm të presidentit kukull të Edi Ramës, asgjë nuk do mund të nxirret jashtë kuadrit kushtetues.
Kjo është përgjigja ime.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Vendimi i djeshëm që ju dje e përshëndetët, duket se i lë gjërat në vend. Kryebashkiaku i Tiranës vijon të jetë Erion Veliaj. A e lë kjo në vendnumëro aksionin opozitar. Dhe për të vijuar pyetjen e kolegëve, a mendoni se Edi Rama do ta respektojë vendimin e Kushtetueses dhe nëse nuk e respekton çfarë do të bëjë opozita?
Sali Berisha: I gjithë qëndrimi ynë për Lali Vjedhësin ka qenë dhe është shumë i qartë.
Ne protestuam ndaj një njeriu që ka firmën e tij në projektin prej 130 milionë euro dhe drejtësia shqiptare heshti, siç e dini.
Dënoi dy anëtarë të KVO-së.
Sepse ky akt i pashembullt është në bashkëautorësi me Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Janë të tre.
Ne protestuam 46 javë për sipërmarrjen 5D. Mirëpo hoteli prej 20 katesh i qelqtë thuhet se ai Tivari është një prestanome, por familja Rama, sipas qytetarëve dixhitalë, është share-holder kryesor me familjen Veliaj. Në hotel. Për dijeni, hoteli nuk është sekuestruar, nuk është prekur.
Për dijeni, Erion Veliaj nuk ka një akuzë të vetme për 5D, ndonëse është në disa akte kryetar i autoritetit kontraktues.
Ndonëse i ka dalë emri se hoteli është i tij.
Hoteli nuk është vetëm i tij.
Asokohe u tha se aksioner është Olsi Rama. Tani ç’është e vërteta, hoteli shtrihet në familje.
Ajo që ka rëndësi është që Skapi i partisë nuk e heton dot.
Hoteli mund të shkojë në total 100 milionë euro kur të përfundojë. Gjer tani është 60-70 milionë.
Mund të jetë hoteli i dytë më i shtrenjtë pas atij të Artan Dulakut, Melia.
Ky hotel pra mbetet pa hetim.
Kështu që Erion Veliaj u akuzua me dokumente për devijime të parave të taksapaguesve të Tiranës në familjen e tij, Velicën, vëllain etj, çka përbëjnë vepra penale.
Por, duke thënë këto, del e qartë si drita e diellit se Erion Veliajn e arrestoi Edi Rama për ta hequr qafe.
E arrestoi me një letër të Anesti Angonit, që ishte një pamflet që mund ta shkruante çdo njeri.
E arrestoi dhe e trajtoi në mënyrën më çnjerëzore.
Imagjinoni ju, të çojë policin pranë tavolinës ku operohej. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë në botë këtë.
Në diktaturën më të zezë, ndodhte që armiqtë më të egër të partisë edhe operoheshin, por policë në sallë të operacionit nuk mund të kishte. Rrinin diku jashtë, po në sallë të operacionit nuk kishte, siç futi ky policë në sallën e operacionit të Veliajt.
Tani, i tmerruar prej tij, pasi i ka mohuar, e shkarkoi se sa vlente Erion Veliaj, Erion Veliaj, domethënë krahasoni Rexhë Byberajn me Erion Veliajn.
Rexhë Byberaj qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie dhe doli e shkoi në punë. As nuk e shkarkoi Edi Rama.
Kurse Erion Veliajn në një afat kohor minimal e shkarkoi, sipas ekspertëve, në kundërshtim absolutisht me ligjet si e si t’i japë duart sa më parë.
Ku qëndron PD?
PD qëndron se pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj është hajduti më i madh i shqiptarëve në histori.
Por, nga ana tjetër, asnjë njeriu, cilido qoftë ai, kurrë nuk mund t’i mohohen ato të drejta që i garanton ligji dhe Kushtetuta.
Ky është qëndrimi ynë.
Tani, kanë qarkulluar shumë, të themi gosipe. Njëri prej tyre është se burgu ka lajme dhe gosipe. Njëri prej tyre është se para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur.
Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë.
Por e vërteta është se gosipi i asaj ndërtesë këtë thotë.
E thashë këtë se Edi Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj dhe do ta shohë me çdo kusht të asgjësuar. Politikisht të paktën, mos edhe për atë tjetrën, por atë nuk e di.
Por ta nxjerrësh atë tjetrin në orën 12 të natës të kalamendur dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkt për Ramën.
Ku shkoi ai? Ku e çoi atë?
Mori autorizim apo nuk mori autorizim? Apo përdori vetëm këtë papagallin e Ulsiut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 12 të natës, këtë nuk e dimë.
Megjithatë, ajo që ne qëndrojmë është respektimi i të drejtave të çdo njeriu kudo që ndodhet.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ka reaguar sot presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe thotë se, nuk pendohet për dekretin e Tiranës dhe se antikushtetues është shpallur vetëm 1/6 e dekretit të tij, pra veç Tirana sepse për bashkitë e tjera ka vepruar konform ligjit. Keni reagim për këtë deklaratë.
Sali Berisha: Duhet të kesh ndërgjegje. Duhet të kesh ndërgjegje njerëzore, ky është reagimin im, duhet të kesh integritet njerëzor, që të pendohesh. Nëqoftëse do thoshte u pendova, kjo do më habiste.
Kurse kjo tjetra, asnjë çudi. Ky është kukulla e Edi Ramës. Histori kukulle. Jo po 1/6 a 1/5, bëjka matematikën. Se problem sipas tij, sipas kukullës, ishte Cerriku, apo ishte Vlora, Berati, Tepelena. Por kush e shtroi atë. Shikoni çfarë ngushëllimi gjen, shikoni për krimin kushtetues që ka kryer. Shikoni si ngushëllohet.
Kush është ankuar për Cerrikun, Beratin, Vloren, Tepelenën apo Matin? Asnjeri.
Shiko. Njerëz të eventruar nga morali njerëzor.
A i patë ju dy ministrat dje në parlament. Secili me gjuhë rrugaçi më të theksuar se tjetri. Si Koçiu, si Llamallari. Kur bëhet fjalë për vrasjen në sallën e gjyqit të një gjykatësi.
A e patë agresivitetin e tyre. Imagjinoni ju, sikur këta e kishin mbrojtur gjykatësin dhe ai ishte gjallë sot. Këta kanë humbur, këta janë qenie njerëzore trushplarë që nuk kanë as standarde morale, as njerëzie.
Në parlament diskutohej se u vra një gjyqtari Apeli, i lënë pa asnjë mbrojtje dhe që të dy kishin bërë deklarata se, fajin e kanë armët pa leje. I keni parasysh deklaratat e tyre. Dhe dje në parlament përsëritën të njëjtën skenë që përsëritën në rastin e vrasjes së Martin Canit.
Ju kujtohet Lubia me këtë korbën e Covidit që qeshnin, kur ne mbanim zi. Këta janë transformuar, janë qenie të transformuara. Personazhe që i gjen vetëm në veprën e Franz Kafkës, Xhorxh Oruellit, dhe askërkund tjetër.
Çfarë ti thuash këtyre. Po si mund të thotë ai, është vetëm 1/6 e dekretit. Po të gjitha bashkitë e tjera nuk bëjnë sa gjysma e Tiranës, meqenëse i pëlqeka matematika dhe statistika. Po kush të ja mësojë, ai njeh matematikën e Edi Ramës.
Isa Myzyraj, OraNews: Kandidati i pavarur Florian Binaj ka deklaruar se, gjatë fushatës elektorale, kurdo që të mbahen zgjedhjet nuk do të dalë në fushatë përkrah Sali Berishës, por as përkrah lidervë të tjerë të opozitës. Keni ju një qëndrim mbi këtë deklaratë.
Sali Berisha: E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një linjë, ka një grup, ka një rrymë të cilët vërtetë nuk realizojnë dot dallimin midis kandidatit të pavarur të mbështetur nga parti politike dhe kandidatit jo partiak, të propozuar nga parti politike.
Kandidati jo partiak i propozuar nga parti politike, është kandidat i partisë politike.
Kandidati i pavarur, i cili kandidon në mënyrë të pavarur të cilin partitë politike e gjejnë të përshtatshëm për ta mbështetur në interesin më të mirë të qytetarëve, absolutisht. Nëqoftëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive. Po kryetarët e partive do angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë.
Pra e kundërta mendoj unë, do ishte jo reale. Nuk është kandidat i propozuar nga ne. Nuk është kandidat i partive opozitare, jopartiak. Jo është kandidat i pavarur të cilin partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin.
Gjatë një jave rresht unë jam marrë me çështjen e modelit, pikërisht për transparencë dhe jo të gjithë njerëzit e realizojnë modelin.
Pastaj rryma keqdashëse, ndjellakeqëse e cila e tërbuar nga fakti se, ky kandidat i pavarur ka premisa të ketë mbështetje të gjerë në elektoratin shqiptar të pavendosur, gri, por qoftë dhe të spektrit më të gjerë të mundshëm, kjo i tmerron.
Çfarë tha ai, një gjë të bukur. Ogerta përfaqëson 100% Edi Ramën, kjo është e vërteta.
Dhe me këtë unë mendoj se, intervista e tij ishte intervista e një njeriut të ndershëm dhe të sinqertë para qytetarëve të Tiranës.
Ai aty, për herë të parë qytetarët nuk dëgjuan një politikan, apo qoftë dhe një përfaqësues jo partiak të partive politike, të flasë për partitë, të flasë për liderët, lavdinë e tyre, por foli vetëm për qytetarët.
Kam filluar punën 8 vjeç tha, dhe unë tha, njoh çdo lloj dhimbje, vuajtje, preokupimi të qytetarëve. Pra unë mendoj se, ai paraqiti veten ashtu siç është, një përfaqësues i qytetarëve të Tiranës. Dhe ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët, se pikërisht për këtë shkak ne e kemi mbështetur plotësisht.
Tani, ka një kërkesë ndaj PD-së, shumë e ligjshme që kjo parti të ndryshojë dhe të hapet. Unë kam premtuar këtë. Unë ju garantoj se jam shumë serioz në ato që premtoj. E kam premtuar këtë dhe e konsideroj jashtëzakonisht të drejtë atë kërkesë të qindra e mijërave demokratëve, por edhe mbështetësve tanë.
Dhe ne në këto zgjedhje, duke adaptuar këtë model me kandidatura të pavarura, në mbështetje të kandidatëve të pavarur në 6 bashkitë që garojnë, besoj se bëmë një hap në drejtimin e duhur. Dhe kjo do të vazhdojë.
PD do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e një spektri më të gjerë të mundshëm të shqiptarëve. Ajo është parti e interesit kombëtar dhe ka qenë e mbetet. Por kjo pastaj duhet të ketë edhe atribute të tjera që po përpiqet.
Ky ishte thashë një hap shumë i rëndësishëm, hapa të tjerë do bëhen. Demokratët duhet ta dinë. Iku koha kur PD-ja mbrohej nga një agresion mafioz kombëtar dhe ndërkombëtar. Tani është në sulm.
Tani para shqiptarëve dhe Zotit, dhe miqve të saj, ka faktuar se është e përkushtuar dhe e vendosur të mbrojë vlerat e vërteta. Kjo është.
Ajo do të marra hapa të tjerë shumë të rëndësishëm në të ardhmen.
Isa Myzyraj, OraNews: Ju njiheni si politikan i cili nuk e kurseni kundërshtarin politik, sidomos kur vjen puna te Edi Rama. Por gjatë javëve të fundit, ju keni kursyer në fakt dy ministra të Edi Ramës që dyshohet se kanë qenë në Aruba, dosje që ju e preferoni shumë. Pse i ka kursyer emrat e dy ministrave që dyshohet se kanë qenë në vendin ekzotik, Aruba.
Sali Berisha: Tani, të them të vërtetën, nuk i kurseja. Di, me një përqindje shumë të lartë sigurie, por jo 100 përqind, se Don Agaçio ka qenë aty. Cili nga ministrat, nuk e di.
Jam duke u përpjekur ta gjej.
Se nuk i shërben çështjes nëse unë flas jo të vërtetën.
Aruba është e vërtetë.
Aruba është fakti më flagrant i bashkëpunimit të Edi Ramës me kartelet e drogës.
Ka qenë apo s’ka qenë Edi Rama, është një element.
Por fakti që ka vendosur të nisë përfaqësues të tij në Aruba, është shumë e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
Dhe kjo është e faktuar nga dosja belge, nga antimafia italiane dhe libri është publikuar.
Është faktuar nga dosja që fsheh Altin Troplini në SPAK.
Pra, të mos ketë dyshime kush se po fsheh unë ndonjë ministër. Jo, nuk kursej.
Sapo unë, po përpiqem, sapo unë ta identifikoj, do ta them.
Isa Myzraj, OraNews: Më drekën e famshme që supozohet të jetë mbajtur në Aruba, flitet se ka qenë Artur Shehu. A është Sali Berisha në dijeni të marrëdhënieve që ka ky personazh me një deputet të PD-së të qarkut të Vlorës.
Sali Berisha: Tani, dje më pyete a ke hipur në makinë të Artur Shehut kur ke shkuar në Vlorë në vitin 1998? Absolutisht jo. Dhe është e dokumentuar.
Por, edhe mund të kisha hipur sepse Artur Shehu i vitit 1998 me Artur Shehun e mëvonshëm, dallimi është si midis ditës dhe natës apo Edi Ramës dhe Ismail Qemalit. Të themi.
E thashë, di për këtë këto. Di që është i një familje të persekutuar, më kanë thënë, familje të mirë.
Por emri i tij na u shfaq me gjeneral Lisin dhe Don Agaçion në një operacion perfekt mafioz.
Gjeneral Lisi mori 30 hektarë nga Artur Shehu, se si e kishte rregulluar me një fondacion, dhe bëri burg ai.
Dhe çfarë tha ai? Artur Shehun ma solli Agaçio.
A tha kështu?
Tani, a mund të ketë lidhje? Unë nuk e di, por nuk e përjashtoj sepse ai është vlonjat.
Siç e patë ju, ai vazhdonte ndërtimet në Vlorë. Një perandori e tërë.
Unë nuk kam dijeni për lidhjet me një deputet.