‘Rama nuk lejon pyetje për Ballukun’/ Berisha: Do të nisim protestat të cilat do të ndalen kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë. Raporti i KE nuk përmend askund fjalën shkëlqim! Deklaratat për të i ngjajnë atyre që thoshte Donald Lu në kulmin e kanabizimit të vendit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në fjalën e tij para deputetëve dhe qytetarëve, deklaroi se vendi po përjeton ‘një krizë politike të paprecedentë’. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për ‘kontroll të plotë dhe stalinist mbi mediat’, pas skandalit të tunelit të Llogarasë dhe procedimit penal ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha se ‘asnjë gazetar nuk u lejua të bëjë pyetje për aferën e tunelit’, duke e cilësuar këtë si ‘formën më ekstreme të censurës shtetërore mbi median që ka njohur Shqipëria në 32 vite demokraci’. ‘Në asnjë konferencë shtypi në historinë e vendit nuk ka ndodhur që një kryeministër të ndalojë çdo pyetje për një skandal të tillë madhor. Ky është kontroll stalinist, nazist, ekstremist mbi median,’ -deklaroi Berisha.

Duke folur për aferën e korrupsionit të tunelit të Llogarasë, sipas kryedemokratit Sali Berisha vjedhjet arrijnë në 90 milionë euro, dhe ‘përgjegjësi kryesor nuk është Belinda Balluku, por vetë Edi Rama’. ‘Ne kemi të gjitha dokumentet që provojnë se kryehajdut në aferën e tunelit të Llogarasë është Edi Rama. Balluku është vetëm masha, instrumenti i tij.’ Ai shtoi se procedurat e tenderimit ishin manipuluar qëllimisht.

‘Tenderi u anulua dhe u rihap me 50 milionë euro më shumë, në kundërshtim me ligjin, dhe u përzgjodh përsëri i njëjti nënkontraktor, Gjoka. Kjo është vjedhje e hapur.’ Berisha akuzoi gjithashtu se prokurori i çështjes ‘është kërcënuar direkt nga Edi Rama përmes telefonit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja’, por ‘ka pasur guximin të veprojë sipas ligjit’.

Kreu i opozitës bëri të ditur se, do të nisin protesta kombëtare që ‘do të ndalen vetëm kur Edi Rama të largohet nga zyra e kryeministrit’. ‘Kësaj here nuk kemi të bëjmë me një aferë të zakonshme, por me djallin për brirësh. Protestat do të ndalen vetëm kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë,’ deklaroi Berisha. Ai përmendi protestat e mëparshme të PD-së kundër Erion Veliajt, duke theksuar se ‘vetëm përmes qëndresës së guximshme të opozitës, Tirana u shpëtua nga një prej figurave më të rrezikshme të këtij regjimi’.

Berisha tha se pas publikimit të aktakuzës ndaj Ballukut, ‘ajo i ka deklaruar vetë Ramës në zyrë se nuk jep dorëheqje sepse ka zbatuar porositë e tij’. ‘Balluku i ka thënë Ramës: Mos më shih si grua, se vesh rrobat e burrit. Nuk jap dorëheqje, se kam zbatuar urdhrat e tu.’ Berisha përmendi gjithashtu lidhje nepotike dhe trashëgimore, duke e quajtur ‘50-vjetorin e ekzekutimit të gjyshit të saj, Beqir Ballukut, një figurë që ai e cilësoi si përgjegjës për krime ndaj intelektualëve’.

Gjatë fjalës së tij, në grupin parlamentar, kryetari i PD-së Sali Berisha iu referua publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë ‘një aktakuzë të rëndë ndaj qeverisë Rama’. ‘Raporti i KE-së konstaton se zgjedhjet janë të deformuara, korrupsioni është endemik, krimi i organizuar i fuqishëm, gjyqësori në kolaps, media e kontrolluar, administrata e politizuar dhe fondet publike keqpërdorën.’

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, në raport ‘nuk përmendet askund fjala shkëlqim, siç deklaruan disa ambasadorë apo përfaqësues ndërkombëtarë’. ‘Në asnjë rresht të raportit nuk përdoret fjala ‘shkëlqim’. Janë gënjeshtra që kujtojnë deklaratat e Donald Lu në kulmin e kanabizimit të vendit.’ Sipas tij, raporti dëshmon se ‘Shqipëria plotëson vetëm një kriter për integrimin në BE, atë gjeostrategjik’. ‘Në çdo fushë tjetër kemi kolaps institucional. Kontrolli parlamentar është i shuar, gjyqësori është i kapur, dhe SPAK është i politizuar. Kjo është e vërteta e raportit.’

Berisha theksoi se raporti evropian evidenton edhe keqpërdorimin e fondeve të BE-së: ‘Këta vjedhin edhe fondet e BE-së! Jo vetëm Krifca, por edhe Balluku është e implikuar. Korrupsioni është endemik dhe i pandëshkuar, hetimet financiare janë të pamjaftueshme, dhe krimi i organizuar mbetet ekonomikisht i fuqishëm.’ Ai shtoi se 70% e fëmijëve në Shqipëri ‘jetojnë në rrezik varfërie’, duke e cilësuar këtë si tregues të qeverisjes ‘më mizogjene dhe më të pandjeshme në Europë’.

Në mbyllje të fjalës së tij kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve ‘të dalin në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtës’, duke paralajmëruar një përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë. ‘O do u dalim zot qytetarëve tani, ose historia do na dënojë. Opozita duhet të përballet me Ramën, ndryshe nuk ka më kredibilitet. Kjo është çështje që ndan të drejtën nga padrejtësia, lirinë nga tirania.’

FJALA E PLOTE:

Të nderuar deputete dhe deputetë, të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë mbledhje!

Shqipëria përjeton një krizë politike të paprecedentë.

Por para se të ndalem në këtë analizë, do të informoj shqiptarët për shkallën e tmerrshme dhe kontrollin e tmerrshëm mbi mediat që Noriega apo Ramaduro i Tiranës ka vendosur në Shqipëri.

Pas skandalit të tunelit të Llogarasë, lëshimit, firmosje së aktakuzës dhe marrjes të pandehur të numrit një e gjysmë pas Edi Ramës, Lubi Ballukut, pas përplasjeve në pallatet e krimit, pallatet e pushtetit, sot Ramaduro del para medieve dhe nuk guxon asnjë gazetar, asnjë gazetare t’i bëjë pyetjen më të vogël për Lubinë, për tunelin e Llogarasë, për vjedhjen e tmerrshme që u kanë bërë shqiptarëve.

Për ta diferencuar, Ambrozias i ka hequr akreditimin apo vizën dhe nuk e lejojnë të hyjë si përfaqësuese e televizionit armik në konferencat e shtypit të tij.

Në të gjithë historinë e konferencave të shtypit në 32 vite, kjo është konferenca më e turpshme që tejkalon çdo lloj konference tjetër.

Shikoni se çfarë kontrolli të tmerrshëm.

Se si ka arritur ai të detyrojë pronarët e medieve, gazetarët, drejtorët, që të paraqiten në konferencë shtypi pas një superskandali të tillë dhe të mos guxojnë t’i bëjnë një pyetje të vetme.

Nuk ka aktakuzë më të rëndë se kjo.

Nuk ka formë më staliniste, më naziste, më ekstremiste kontrolli mbi median se sa kjo.

Si mundet?

Kur mediat e botës, kur shqiptarët në çdo votër diskutojnë ditë e natë për çdo problem, gazetarët në konferencë shtypi nuk guxojnë t’i bëjnë kryenarkosit të Shqipërisë një pyetje për një superskandal që përbën vjedhjen jo të 50, 50 janë në letër, në fakt janë 90 milionë euro në tunelin e Llogarasë.

Në të cilin, e qartë si drita e diellit, se përgjegjësi numër një është Edi Rama, Edid Rama, Edi Rama.

Sepse në atë aferë, të vendosur në Ankara, nuk mundet kurrë të vendoste Lubi Balluku.

Jo. Ai është vendim ekskluziv, kur edhe miqtë e tij më të ngushtë e shkruajnë se gjeopolitikën e ka kryeministri, dhe e vërtetë është ajo, nuk e ka ministri gjeopolitikën. Gjeopolitikën e ka kryeministri. Gjeokorrupsionin dua të them.

Pra, nuk ka diskutim që Lubia është masha e tij.

Është instrumenti i tij.

Por do të mashtronim shqiptarët në qoftë se do njihnim si përgjegjëse të parë Lubinë dhe jo Edi Ramën.

Prokurori i çështjes ka treguar kurajo, e them këtu, për zbatimin e ligjit.

Ka marrë kërcënime direkte nga Edi Rama me telefonin e Ulsi Manjës. Kërcënime direkte!

Dhe prokurori i çështjes, është e vërtetë që duhej të formulonte të njëjtën akuzë që ka formuluar ndaj Lubisë, por do ishim të pandershëm po të mendonim se ata janë prej guri.

Nuk janë prej guri.

Por ai punën e bëri.

Ai punën e bëri!

Ai tha se tuneli i Llogarasë është një vjedhje e tmerrshme, siç e dini.

Dhe ne kemi të gjithë dokumentet se kryehajdut në atë aferë është Edi Rama.

Lubi Balluku ka 18-20 dosje në SKAP.

Merrni vetëm një, se asaj nuk i mbahen mend hajnitë. E mori unazën e Tiranës 13 kilometra, e ndau në 14 tendera. Çmenduri korruptive.

Po njeri në botë që të mund ta bëjë këtë, përveç një njeriu të papërmbajtur në vjedhje, nuk mund ta bëjë këtë.

Por, përsëri tuneli i Llogarasë është veçmas.

Se në tunelin e Llogarasë, Sulltanesha Rahmetlie ishte me Sulltanin atje.

Dhe thanë, takuam kompanitë dhe bënë skemën më të turpshme.

Anuluan tenderin 130-140 milionë, e hapën përsëri dhe ua thanë atyre me 50 milionë më shumë dhe në kundërshtim me ligjin morën po Gjokën nënkontraktor.

Po ka vjedhje më të hapur se kjo? Kurrë.

Po shikoni miq, duhet të dini një gjë, që kjo skemë është përdorur absolutisht pothuaj në çdo tender të punëve publike në Shqipëri.

Si është përdorur?

Kanë shkuar ofertuesit me ofertën kaq. Jo, kjo ofertë nuk vlen. Do sjellësh ofertën me kaq, dyfishin.

Dhe ti ke 30 përqind, unë kam 70 përqind të saj.

Por në këtë rast u demaskua se kryesori ishte i huaj.

Por kjo skemë është përdorur në çdo punë publike dhe e kemi denoncuar kaq shumë herë.

Dhe, ai pragu që themi ne 99 përqind, 100 përqind, ai në fakt është 180 përqind, është 250 përqind, se e bënin në këtë mënyrë, i thërrisnin përpara, shko, paraqit këtë ofertë, ndarja do jetë kjo.

Mirëpo kësaj here u kapën.

Nuk janë 50, por janë 90 milionë.

Por nuk ka rëndësi.

Tani, e them këtu, prokurori, për mendimin tim, e ka bërë punën e tij.

Nuk janë prej guri.

Nuk mund të them.

Sepse ky i kërcënon. Ky i zhduk.

Ky u thotë e ke personale me mua, i zhduk. E zhduku Ervis Martinin. Ta di targën, i tha, iku. Nuk i di kush nam e nishan atij.

Edhe një tjetri se kujt i tha para disa muajsh. E ke personale, i tha. Dhe po tha personal, ai të nxjerr bandat dhe të vret.

Nuk e di a i ka thënë këtij, se këta nuk i thonë gjërat.

Ai duhet ta denoncojë publikisht.

Por e vërteta është se dera që çeli prokurori është derë që nxori lakuriq të zi siç është në rrafshin korruptiv Edi Ramën.

Ndaj dhe njerëzit e politikës, që duan të mbajnë të vërtetat, nuk mund të pranojnë kurrë Lubinë për të parën në këtë aferë.

Jo, nuk është Lubia e para.

Nuk është kokë turku, jo, jo, është gjer tek veshët përgjegjëse për aferën.

Se këndej i thotë është Palloshi i Gjatë, këndej firmos 50 milionëshet. Këta janë një llum.

Por ne nuk jemi ata që mund ta pranojmë këtë.

Ne jemi ata që do përballemi dhëmb për dhëmb me Edi Ramën.

Do përballemi dhëmb për dhëmb me Edi Ramën.

Koha është e guximtarëve.

U garantoj unë ju se po të mos jenë ato protesta udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në çdo lloj moti, Erion Veliaj do ishte në zyrë sot.

Dhe ne, të jemi realistë, të gjithë e dinim se Erion Veliaj nuk ishte Edi Rama, ama në ligësira, në qoftë se kishte vëlla siamez me Edi Ramën dhe të papërsëritshëm, ishte Erion Veliaj.

Kështu që ai mund dhe ajo djersë, ai guxim dhe ajo sakrificë, ka qenë, në vlerësimin tim, ndër më eficentet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD.

Ai përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në çdo aspekt.

Me të ne shpëtuam vendin nga njëra gjysmë e zezë e Edi Ramës. Gjysma tjetër është edhe më e zezë.

Por kësaj here ne nuk bëjmë atë analizë si përpara.

Jo. Kësaj here kemi djallin për brirësh.

Kësaj here do kapim Edi Ramën.

Jo, nuk e pranojmë ne se Lubia qenka fajtori kryesor për tunelin.

Jo, nuk është fajtori kryesor.

Fajtori kryesor është Edi Rama, pastaj vjen Lubia.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që në mënyrë absolute do të nisim protestat të cilat do të ndalen kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë.

Në qoftë se demokratët nuk shkojnë tek Sulltani të përballen me të, nuk kanë asnjë kredibilitet, asnjë të drejtë morale të shkojnë tek zgjedhësit.

Jo.

Pra, kjo është afera ku mbreti ka dalë lakuriq.

Ai e ka bërë atë. Sikundër ai ka bërë aeroportin e Vlorës.

Njëlloj.

Kurse kjo, duke zbatuar porositë e tij, sepse në aeroportin e Vlorës vidhet në mënyrë të majme.

Ku mund ta bënte ministrja aeroportin në atë mënyrë që të vidheshin shqiptarët 140 milionë euro për bileta të munguara?

Po kishte gjetur Edi Ramën skemën për të vjedhur dhe e nxori që aeroporti i Vlorës është më i madhi i Ballkanit. Vjedhja më e Ballkanit është kjo.

Edhe aty do kthehemi.

Se këto që janë, këtu nuk mund të thotë Edi Rama se më hanë dardha, më hanë kumbulla.

I ha vetë dardhat, i ha vetë kumbullat dhe bishtat i hedh mbrapa se çfarë mbetet për të tjerët.

Imagjinoni miq, Arben Ahmetaj me mandat arresti, sepse ish-bashkëshortja shtronte pllaka të paguara nga Mirel Mërtiri apo Zoto, dhe për atë, mandati i arrestit.

Në një kohë kur ai për hir të vërtetës kishte kundërshtuar 4 herë ndërtimin e atij inceneratori.

Tani, duhet të jemi të ndershëm dhe të drejtë.

Në qoftë se ne presim që prokurorët të shkojnë dhe t’i vënë hekurat Edi Ramës, ne jemi personazhe, nuk jemi njerëz reale.

Është populli ai që thotë fjalën e vet.

Ata folën. Tuneli i Llogarasë është vepër kriminale. Është kryer krim dhe është kryer nga Edi Rama.

Ndaj dhe tani ne, demokratët, në frymëzimin e atyre protestave që hoqën nga froni njërin nga ligësitë më të mëdha karakteriale të këtij vendi siç ishte Erion Veliaj, se ishte, sepse gjëmat dhe bëmat e tij janë të pabesueshme.

Tani e ka radhën kreu i Meduzës!

Leonidha me 300 përballoi 100 mijë.

Asgjë nuk mund t’i thyejë njerëzit e guximshëm që mbrojnë një çështje të drejtë.

Dhe nuk ka çështje më të drejtë se kjo.

Të pranojmë ne Ervis Berberi, ky e ai, ata janë të korruptuar deri në palcë, por janë ushtarë të Edi Ramës.

O do u dalim ne zot tani qytetarëve, ose historia do na dënojë.

Nuk ka pasur në historinë 32-vjeçare të shtetit, akt flagrant si ky.

Është djegësi, por është proces vullkan. Në zierje. Kurse këtu nuk ka, janë dy persona, Edi Rama dhe Lubi Balluku.

A e dini që kanë ndenjur 4 orë në zyrë ata në gjendje shoku, kolapsi.

Dhe ajo i thotë, nuk jap fare dorëheqjen se kam zbatuar vetëm porositë e tua.

Edhe atij i ka thënë, mos më shih për grua, se vesh rrobat e burrit.

Se ajo sot ka 50-vjetorin e ekzekutimit të gjyshit të vet, i cili ishte një serial killer. Po të lexoni për Beqir Ballukut, ai ka qenë një serial killer. Ka vrarë intelektualë të Tiranës si serial killer.

Por ato janë çështje të tyret.

Afera e tunelit të Llogarasë është aferë e Edi Ramës para se gjithash.

Ndaj dhe demokratët, atë që i bënë Erion Veliajt, atë fat do i rezervojnë Edi Ramës.

Nuk ka asnjë kod moral, asnjë gjë tjetër. Ose ai largohet, ose është fundi i opozitës.

Unë kam shumë besim tek guximi, tek trimëria, tek vendosmëria e demokratëve, e opozitarëve, e qytetarëve.

Tani e kanë lakuriq narkosin, tani nuk ka më iluzione.

PËR RAPORTIN E KOMISIONIT EUROPIAN PËR INTEGRIMIN

Të dashur deputete dhe deputetë, dje u publikua raporti i Komisionit Europian.

Unë dua të përshëndes të gjithë ata zyrtarë për përgjegjësinë që kanë treguar në shkrimin e atij raporti.

Në fakt, raporti ka të gjitha tezat tona, përveç njërës, për të cilën do punojmë shumë që ta realizojmë, mbi gjendjen në Shqipëri.

Raporti i Komisionit Europian thotë se problemi madhor i Shqipërisë është mënyra se si qeveria i përdor institucionet për përfitime politike dhe ekonomike.

Ky raport është një aktakuzë ndaj qeverisjes aktuale ku theksohet se zgjedhjet janë të deformuara.

Ndonëse KE nuk është një komision i specializuar për zgjedhjet, por ai merr të mirëfilltë ato që institucionet e besimit të mirë shkruajnë, dhe thotë se zgjedhjet ishin të deformuara.

Thotë se korrupsioni lulëzon.

Thotë se kontrolli parlamentar mbi qeverisjen ka degraduar.

Thotë se sistemi gjyqësor është në kolaps.

Thotë se krimi i organizuar është tejet i fuqishëm.

Thotë se media është tërësisht e kontrolluar dhe e sulmuar.

Thotë se administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen.

I kanë bërë një radiografi të pamëshirë narkoregjimit të Edi Ramës.

Unë e di se ndonjëri mund të thotë, ja ambasadori foli për shkëlqim, të tjerë në komision thanë të njëjtën gjë, unë u garantoj ju se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian.

Që të gjitha janë shpikje pasiononte të individëve të caktuar që kërkojnë t’u dezinformojnë ju, t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti.

Ky është raporti.

Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht.

Prandaj mos dëgjoni se këto deklarata i shëmbëllejnë deklaratave të Donald Lu që thoshte në kulmin e kanabizimit të vendit se përgëzoj policinë për suksesin në luftën e jashtëzakonshme kundër drogës.

Të dalësh dhe t’u thuash shqiptarëve atë që nuk thotë raporti, nuk është kjo ajo që presin shqiptarët.

Raporti thotë se demokracia nis me zgjedhjet, siç është e vërteta.

Zgjedhjet janë të manipuluara dhe jo të lira. Komisioni thekson: mungesë të fushës së lojës të barabartë.

Pra, si Shën Thomai, e ka vënë gishtin aty ku prova është absolute. Tek barazia e lojës.

Thotë se u keqpërdorën burimet publike.

Pra, thotë se shteti dhe partia u sollën një.

Dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Pra, nuk ka shkëlqim.

Ju ftoj të lexoni raportin.

Ky raport ka denoncuar degradimin e kontrollit parlamentar mbi qeverisjen.

Raporti nënvizon: parlamenti ka mbikëqyrje të kufizuar ndaj ekzekutivit.

Kjo është e vërteta.

Polarizimi politik dhe mungesa e dialogut dëmtojnë procesin parlamentar.

Kjo është e vërtetë.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen.

E ka gjuajtur me top. Nuk ka shtet ligjor pa zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ja ku janë.

Edi Rama dje mburrej, pasi nxori djallin nga dera, iu kthye nga dritarja. Kërkoi të na bindte se përshëndeste vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Po por hiret e Olta Xhaçkës e ke bërë të paqenë gjykatën. Apo ke aksione bashkë me Olsin tek pronat që ka grabitur i shoqi i saj?

Gjykata e ka treguar pavarësinë edhe në rastin e Olta Xhaçkës, prandaj është e shkruar këtu në raport.

Çfarë ka këtu për shkëlqim? Ky nuk është shkëlqim, është ndryshk.

Prandaj të dashur qytetarë shqiptarë, lexoni raportin, mos u besoni deklaratave me origjinë obtuze.

Administrata është e politizuar dhe e paqëndrueshme.

Komisioni thekson: shkarkime dhe dorëheqje masive në pushtetin vendor. Denoncon pra ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në pushtetin vendor.

Çfarë shkëlqimi ka këtu? Zero.

Mungesë transparencë në vendimmarrje. Kjo do të thotë vjedhje. Shkon auditi për të kontrolluar kryeministrin, nuk e lë Edi Rama. Po si mundet kryeministri të bllokojë auditin? Po nuk e lejon dot se i dalin makinat 700 mijëshe, 500 mijëshe, se i dalin verat 34 mijë euro. Se i del luksi i shfrenuar sikur të ishte ndonjë sheik, miliarder privat dhe jo një zyrtar shtetëror.

Ja pra, ku është shkëlqimi këtu?

A është kjo e denjë për një shtet që ecën drejt BE?

Ja sa të vërteta janë përkufizimet tona se Shqipëria plotëson vetëm një kriter në rrugën drejt BE dhe ky kriter është kriteri gjeostrategjik dhe kjo është e vërteta.

Koordinim i dobët i ministrive. Çfarë do të thotë kjo? Që i kontrollon krimi. Kjo do të thotë revansh i krimit.

Sistemi gjyqësor në kolaps. Ajo që ne kemi denoncuar me dhjetëra herë.

Si e shpreh? Stok të madh dosjesh, mungesë burimesh dhe procedura të komplikuara.

Çfarë do të thotë? Faktikisht thelbi i atyre që kemi thënë, por që do të thotë se qytetarët shqiptarë nuk kanë një proces të drejtë ligjore. Iu është mohuar nga kjo drejtësi.

Përqindja e çështjeve të përfunduara mbetet e ulët. Ne duhet të marrim çështjet e përfunduara dhe t’i çojmë në komision, se janë të gjitha çështje të qeveritarëve. Asnjë nuk është e qytetarëve.

Model është ajo Llagami, që merr jo me kthim, me njohje, por prona është e saj, duhet të jemi i drejtë me të, merr 3 milionë euro me gjyqe brenda 2-3 vitesh.

Shkoni e shihni njërin që proteston aty para SPAK-ut, ka 15 vite.

Nuk kanë shanse qytetarët të përfundojnë një çështje.

Por i falënderoj që e kanë ngritur si çështje shumë të rëndësishme.

Rritje e retorikës së pafavorshme ndaj gjyqësorit. Po, kanë shumë të drejtë. U vra gjykatësi dhe kur gjykatësi u vra, në vend të dënimit nga disa, ishte shpërthimi i gëzimit nga disa të tjerë për shkak të situatës së krijuar.

Sidoqoftë, një nga ata që sulmon gjyqësorin në mënyrë të vazhdueshme është Edi Rama, dhe e bën për interesa të veta, jo për interesat e qytetarëve.

Nuk lejohen komisionet parlamentare.

Pra nuk është çështje që nuk është stamposur në komision për një qeveri që nuk ka asgjë të përbashkët me standardet evropiane.

Korrupsioni është endemik dhe i pandëshkuar. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet sfidë.

Korrupsioni i përditshëm vazhdon të prekë qytetarët. Të vuajnë. Shumë e vërtetë.

Institucionet e tjera jashtë SPAK-ut nuk japin rezultate të mjaftueshme.

Në fakt edhe SPAK nuk jep rezultate, është i polizituar, por ne jemi në dialog të vazhdueshëm me institucionet evropiane për të faktuar këtë qëndrim tonin.

Krimi i organizuar nuk është goditur. Me gjithë ekzistencën e SPAK, raporti konstaton se grupet kriminale mbeten ekonomisht të fuqishme sepse Dumani ka asgjësuar ligjin antimafia. Sepse Edi Rama nuk lejo zbatimin e tij. Sepse Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në arenën kryesore të investimeve kriminale të miliardave të karteleve.

Hetimet financiare janë të pamjaftueshme.

Të drejtat e njeriut janë në krizë.

Komisioni raporton se 70 përqind e fëmijëve janë në rrezik varfërie.

Dhunë e lartë ndaj grave sepse kryeministri është mizogeni më i madh në pushtet në të gjithë Europën. I njohur për aktet e tij mizogenike. I njohur botërisht. Ndaj dhe nuk mbahet qëndrim.

Kemi dalë edhe jashtë çdo lloj tradite. Vrasje grash. Në vend se kjo të barazohet me dënim përjetë, shkojnë në gjykata dhe gjejnë lehtësime.

Shërbime të pamjaftueshme për fëmijët dhe viktimat. Një qeverisje e pandjeshme.

Diskriminim i vazhdueshëm i minoriteteve. Qëndrime histerike, sa herë nuk i përshtatet për politikë Edi Ramës, ka për borxh t’i fryjë demonëve të vjetër. Kujtoni ju se çfarë bëri me Belerin. Kujtoni se si e vrau në shpatet e malit atë minoritarin. I tregoi snajperin, kur ai nuk ishte kurrë për t’u vrarë.

Media është në presion politik dhe ekonomik.

Ndërhyrje ekonomike, presione dhe padi ndaj gazetarëve.

Mungesë transparence në pronësi në media.

Mjedisi dhe klima janë të degraduara. Zbatim shumë i ulët i standardeve të BE. Nuk ka standarde këtu. Shqipëria është shndërruar në koshin më të madh të plehrave në Europë.

Menaxhim i dobët i mbetjeve dhe ujërave të zeza. Nuk ka menaxhim, derdhen të gjitha në det, asnjë plazh nuk ka blu në Shqipëri.

Vendimmarrje që dëmton zonat. Vendimmarrjet i marrin bosët e drogës. I vënë syrin dhe e marrin vetë, le të jetë e mbrojtur ose jo. Shkoni pak te pika e vogël e ministres në Gjirin e Manastirit si është bërë atje beton krejt.

Prokurimet publike dhe PPP-të janë burim kryesor i abuzimeve.

Raporti nënvizon si më poshtë: rreziqe të larta për mungesë transparence. Marrëveshje me shtete të treta jashtë standardeve të BE-së.

Hajdeni të gjejmë marrëveshjet ne dhe t’i marrim me radhë. Ky ka firmosur marrëveshje të fshehta. Porti i Durrësit dhe të tjera.

Progres i kufizuar në përputhje me rregullat e BE.

Kontrolli i financave publike është i cenueshëm. Zbatim i pamjaftueshëm i rekomandimeve të auditimit.

Po këta vjedhin fondet e BE-së. Dhe jo vetëm kjo Krifca, edhe Lubia është e përlyer me fondet e kursimit të energjisë.

Të tëra janë abuzim dhe vjedhje.

Dobësi në sistemin antimashtrim.

Imagjinoni ju. Amant Josifi, nga territori i Shqipërisë mashtron qindra mijëra investitorë perëndimorë, dhe kreu i Skapit thotë nuk e hetojmë ne se është i lidhur me Edi Ramën dhe për asnjë arsye tjetër.

Mospërputhje me direktivat e BE për mbrojtjen e fondeve.

PËR PROJEKTLIGJIN PËR BARAZINË GJINORE

Këto janë disa çështje, raporti ka, sa herë ta lexosh, aq më shumë nxjerr njeriu.

Bën një radiografi në të cilën jo që nuk shkëlqen asgjë, por nxin shumë, shumë gjë.

Kjo është e vërteta.

Unë dua ta përshëndes këtë raport dhe ta garantoj KE se adresimi i këtyre çështjeve do jetë objektiv i betejës së opozitës pa kompromis dhe i pandërprerë.

Tani kemi çështjen e fundit.

Çështja e fundit është në mënyrën më demoniake, marrin dhe sjellin ligjin për barazinë gjinore, që ne absolutisht jemi për barazinë gjinore në mënyrën më të palëkundur. Nuk kemi asnjë hezitim.

Kurrë nuk mund të mendojë kjo parti që të mos jetë për barazinë midis burrit dhe gruas, midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait.

Dhe nuk ka betejë më fisnike se beteja për këtë barazi.

Por këta shpërbënë gjininë.

Këta kanë marrë doktrinën post-marksiste të Xhorxh Sorosit dhe luftojnë kundër gjinive.

Kultura Ëoke kërkon të imponohet me ligj ndaj shqiptarëve.

Ju e patë, në komision arriti puna, Shalsi që është një skllav mjeran i vjedhjeve të tij, e njohur kjo, shumë e njohur, ka qenë në bashki ai, por nuk po ia numëroj historitë personale, agresoi zëvendësministren e cila bie dakord me shumicën që nuk është dakord me atë përkufizim që kanë sjellë.

Ndaj dhe, së dyti, do t’u informoj për një qëndrim të palëkundur të partisë tonë.

Ne, ligje që kundërshtohen nga komunitetet fetare të Shqipërisë, në mënyrë absolute nuk votojmë.

Jo! Nuk votojmë.

Dhe në rast se ne mund të kemi një mendim pak më ndryshe, ne i respektojmë ato.

Unë besoj shumë se morali njerëzor më shumë se çdo gjë tjetër, është i bazuar në parimet e librave të shenjtë.

Dhe ne atyre u qëndrojmë, i respektojmë.

Ata e kanë thënë fjalën e tyre, e kanë kundërshtuar në mënyrën më të vendosur.

Ne nuk merremi në mënyrë absolute me orientimin seksual të personave. Jo, ne e respektojmë atë, por ne nuk shkonfigurojmë gjininë.

Ligj që ta kundërshtojnë tre komunitetet fare, ne nuk votojmë.

Nuk mund të bëjmë ne eksperimente.

Ndaj dhe do jemi të përgatitur të mbrojmë barazinë gjinore të vërtetën, se ne nuk jemi kurrë për diskriminim.

Por disa vlera janë hyjnore dhe tokësore dhe njerëzore, atyre u përmbahemi ne.

Ne do bëjmë gjithçka për të bërë një diskutim të strukturuar për këtë çështje, e cila nuk mund të bëhej kurrë pa referendum,

Kjo, minimumi donte një referendum.

Dhe i garantoj shqiptarët se ta votojnë sa të duan, PD nesër në pushtet atë ligj do e abrogojë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale