Pezullimi i Ballukut/ Berisha: Çështja kaloi për gjykim pas presioneve të Ramës, Kushtetuesja të zhvillojë seancë publike. Në Unazën e Madhe janë vjedhur lirshëm 250 milionë euro

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën me gazetarët është e përshkroi situatën e krijuar rreth pezullimit të ish-ministres Belinda Balluku si ‘beteja më e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria’.

Duke folur para gazetarëve, Berisha denoncoi presionet që Edi Rama po ushtron mbi drejtësinë, duke deklaruar se ‘gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama’.

Kryedemokrati Sali Berisha idrejtoi një thirrje të drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese që të zhvillojë një seancë publike, duke e cilësuar këtë proces si ‘çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore’. Ai theksoi se, sipas asaj që ai quan standard ndërkombëtar, ‘kurrë ndonjëherë një kryeministër nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze’.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, Edi Rama është i implikuar drejtpërdrejt në aferat që po hetohen: ‘Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas’. Më tej, ai deklaroi se Rama ‘kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet… si Ramaduro apo Noriega e Europës’, ndërsa përpjekjet e tij për të ndikuar drejtësinë i quajti ‘presione nga më absurdet’.

Sipas liderit të opozitës, Edi Rama po manipulon dokumente ndërkombëtare për të justifikuar qëndrimet e tij ligjore: ‘Rishkruan edhe dokumentet e Komisionit të Venecias… rishkruan edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut… rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij’.

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, Balluku është kryesorja në vjedhjen sistemike qeveritare dhe bashkëfajtore’, por theksoi Brisha, ‘Edi Rama është më kryesori në vjedhjet e saj’.

FJALA E PLOTE:

Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese të vendit zhvillohet një betejë e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria, mësohet se gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama.

Duke mos komentuar më tej, në këtë çështje, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.

Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara në të gjitha aspektet.

Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas.

Edi Rrma kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet dhe kundërmon si Ramaduro apo Noriega e Europës.

Përpiqet i mbyturi të kapet në fije bari, të bëjë presione nga më absurdet ndaj sistemit gjyqësor në një kohë kur është absolutisht i pashpresë.

Është një bashkëpunëtor i organizatave kriminale dhe karteleve të drogës dhe ky është kualifikimi botëror sot për Edvin Kristaq Ramën.

Pa dyshim hyn në Gines.

Është regjistruar në Gines si kryeministri i parë në histori që në vend të dorëheqjes ndaj ministres së tij, bëhet avokat në gjykata dhe kërkon ta mbrojë duke i dëshmuar popullit të vet se çfarë fatkeqësie dhe mjerimi u ka sjellë ai gjatë qeverisjes së tij.

I kërkoj parlamentit të bëjë të gjitha demarshet që Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë plenare të hapur për publikun, në të cilën shqiptarët të shohin me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre se si Edi Rama ka zëvendësuar institucionin e dorëheqjes dhe shkarkimit me institucionin e vjedhjes qeveritare.

U bëj thirrje gjykatësve të denoncojnë në format që i gjykojnë të përshtatshme çdo lloj ndërhyrje në punën dhe veprimtarinë e tyre dhe të hedhin në kosh mashtrimet dyditore të Edi Ramës, duke cituar Komisionin e Venecias për gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, nuk i ka shkruar kurrë.

Pra, Edi Rama rishkruan edhe dokumentet për të mbrojtur e vet.

Rishkruan edhe dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij, se sa për Lubinë, e kishte hedhur 10 herë në Lanë deri tani.

Vazhdojmë me serialin superskandaloz të vjedhjeve të tyre.

Sot unë kam sjellë para jush, kam sjellë në vëmendjen tuaj, vjedhjen e madhe në Unazën e Madhe.

Unaza e Madhe prej 27 kilometrash u kushtoi taksapaguesve shqiptarë në total 450 milionë euro.

Vjedhje 100 përqind ose 140 përqind të fondeve publike.

Më lejoni t’u paraqes faktet.

Me datën 12.1.2011 janë tenderuar nga qeveria e asaj kohe segmenti prej 2.85 kilometër i Unazës së Madhe, Tiranë-Mullet.

Ky tenderim është bërë për 2.85 kilometër me 4.01 milionë euro kilometri.

Dhe keni parasysh sa vepra arti që ka, është një nga segmentet me më shumë vepra arti, me nënkalime, mbikalime, etj.

Me datën 2.3.2011, pra dy muaj më vonë, është tenderuar segmenti i dytë Komuna e Parisit- rruga e re Tiranë-Elbasan, 3.2 kilometra. Është tenderuar me 4.52 milionë euro kilometri.

Një vit më vonë, me datën 22.10.2012, është tenderuar segmenti i tretë i Unazës së Madhe, Komuna e Parisit- Rruga e Kavajës, loti i parë. Është tenderuar 1.5 kilometër, por këtu çmimi është rritur në 8 milionë euro. Është krejt vepër arti.

Dhe është tenderuar në qershor të vitit 2013 segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike, pjesa e mbetur. 620 metër është tenderuar me 6.59 milionë euro.

Tani, dy segmentet që kanë përfunduar gjatë qeverisjes së PD, të cilat kanë qenë siç e shihni 5 kilometra, kanë përfunduar me një çmim prej i pari prej me 4.73 milionë euro, i dyti me 4.5 milionë euro. Me një rritje të lehtë çmimi gjatë rrugës.

Dy segmentet të cilat kanë përfunduar në vitin 2017 dhe 2018, që janë marrë në duart e ustallarëve, kanë përfunduar, janë tenderuar me 14.6 milionë euro së bashku dhe kanë përfunduar me 26 milionë euro.

Pra, është rritur çmimi me 80 përqind.

Tani vazhdojmë, të katër këto segmente, që bëjnë 8.2 kilometra, u kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë gjithsej 5.7 milionë euro për kilometër.

Në rast se shohim shpenzimin total për Unazën, ky shpenzim është 450 milionë euro.

Por, në qoftë se 8 kilometra u ndërtuan- me nyjet më të mëdha, Shkolla Teknologjike dhe më tutje, keni parasysh- u ndërtuan me 5.7 milionë euro për kilometër, do të thotë se Unaza duhej të kushtonte 157 milionë euro kilometër.

Por, unë do të them jo 157, por me rritjen e çmimeve nga viti 2013 deri në vitin 2023, rritje që sipas manualeve të ndërtimeve arrin në 34 përqind, Unaza duhej të kushtonte e tëra rreth 200 ose 205 milionë euro.

Sa kushtoi gjithsej?

Unaza kushtoi 450 milionë euro.

Në Unazë u vodhën lirshëm 250 milionë euro.

Për të realizuar këtë vjedhje klamoroze, Lubi Balluku në 13 kilometrat e fundit të Unazës, dhe keni parasysh një gjë, që Unaza nga TEG-u dhe në drejtimin drejt Linzës, drejt Surrelit, drejt asaj zone, gjer tek Kodra e Priftit dhe këtej, e ka pasur të hapur pothuajse, e ka trase, shkoni dhe shiheni, kontrollojeni.

Unaza në zbritje ka pasur terren të hapur.

Megjithatë këto pjesë, pikërisht këto 17 kilometra, kanë kushtuar në vend të totalit prej 200 milionë, ka kushtuar 450 milionë euro.

Lubi Balluku ka shpenzuar për restin e mbetur të Unazës, për 17 kilometra, 18 milionë euro për kilometër.

18 milionë mesatarja.

Nuk ka rrugë në botë që të ketë këto çmime.

Ndaj dhe Unaza e Madhe është vjedhja e madhe Rama-Balluku.

Nuk ka gjë më të turpshme që të shkosh në Gjykatë Kushtetuese dhe të bësh presione nga më primitivet.

Sot i vetmi vendim që Gjykata mund të merrte, mos-shqyrtimin e kësaj kërkese të paraqitur nga kryeministri më hajdut i Shqipërisë në kohëra, por edhe më hajdut në Europë, që merr guximin për të mbrojtur një vjedhje kaq të madhe të Tunelit të Llogarasë, të shfrytëzojë presionin ndaj gjykatave për t’u mbrojtur.

Edi Rama duhet të japë me urgjencë dorëheqjen.

Belinda Balluku është bashkëfajtore, por Edi Rama është më kryesori në vjedhjet e saj.

Kjo m’i zgjidh problemet, shkoni dhe pyesni ju gazetarë Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknurin, kur u thoshte se kjo Belinda m’i zgjidh mua problemet, ndaj nuk jeni ju ministra.

I hoqi të dy sepse ata nuk firmosnin siç firmos kjo që nuk ngopet kurrë duke vjedhë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Andon Kello, AbcNews: Në bazë të një tradite shumë vjeçare parlamentare, PS është tërhequr nga kandidaturat për Avokatin e Popullit. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla deklaroi se, do të votohet vetëm një kandidat që vjen nga opozita për Avokatin e Popullit. Ju cilin propozoni për Avokat të Popullit?

Sali Berisha: Ne kemi disa kandidatë që do të paraqesim. Nuk e dija këtë deklaratë të Ballës, por mos harroni një gjë, që ai ndërron nga mëngjesi në darkë deklaratat dhe nuk e ka problem  dhe është i zhveshur nga karakteri dhe thotë çdo gjë.

Ne kemi kandidaturat tona, i kemi të listuara, janë të njohura. Njëri prej tyre, Besim Ndregjoni ka qenë në seancë dhe ai, në çdo lloj kodi të veprimtarisë parlamentare duhej të ishte votuar, dhe duhej votohej.

Pastaj janë kandidaturat e tjera të cilat PD i mbështet. Ne kemi disa kandidatura.

Klajdi Bodlli, SYRI TV: Ju i bëtë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të denoncojnë presionet dhe kërcënimet që kanë ardhur nga Edi Rama. Pas këtij vendim për të kaluar në seancë ku 8 gjyqtarë do ta shqyrtojnë këtë çështje, a keni ju një pritshmëri nga ky vendim i Kushtetueses për të rrëzuar kërkesën e kryeministrit dhe për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Sali Berisha:  Çfarë di unë. Unë di që mbi gjykatësit e asaj gjykate dhe jo vetëm të asaj, pushteti përdor format më të egra të presionit. Këtë e di.

Konkretisht, sepse nuk di asnjë arsye ligjore pse kjo çështje duhet të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, në një kohë kur në ligjin Europian dhe ligjin shqiptar kjo, pezullimi është një kompetencë e qartë si kristali e prokurorisë dhe gjykatës që merren me zyrtarët e lartë.

Në disa vende, gjykatës supreme, siç e kemi patur edhe ne përpara vitit 2017. Në vende të tjera si ne dhe Rumania, që kemi krijuar gjykata dhe prokurori speciale, nga këto prokurori.

Asnjë gjykatë tjetër jashtë këtij, imagjinoni ju, pa kaluar në Apel, pa kaluar në Gjykatë të Lartë, e merr tani në shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Në një kohë kur kjo është e drejtë e gjykatësit që vendosi masën. Dhe ai nuk marrë këtë masë.

Pra, çfarë kemi të bëjmë këtu? Kemi të bëjmë me një presion të jashtëzakonshëm mbi gjykatën, por kjo është Shqipëria, këto janë grahmat e fundit të pushtetit që bazohen mbi drogën dhe krimin, të Edi Ramës.

Se kjo është bërë e qartë tani, shqiptarët e kanë të qartë, cilido që lexon organizata kriminale, kartele droge dhe bashkëpunëtor të tyre, automatikisht i lidh me Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Ergys Agasin, Taulant Ballën dhe të tjerë. Këto janë të njohura, nuk po them ndonjë gjë të re.

Faleminderit!  

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale