Të dashur miq,
Të dashur demokrate e demokratë stoikë të PD Mirditë!
Të dashur mirditorë!
Paraqes kandidaturën time në Primaret e PD-së për Bashkinë Mirditë, së pari duke dëgjuar zërin tuaj dhe duke marrë përgjegjësi në këto kohë ekzistenciale për demokracinë në Mirditë e gjithë Shqipërinë.
I lindur dhe rritur në Mirditën tonë të vlerave historike kombëtare në familjen fole të martirëve të demokracisë dhe Lidhjes së Prizrenit, 42 vjeçar, babai i 2 fëmijëve, sot pedagog në shkenca politike e më parë mësues në zonat e Mirditës, me një eksperiencë 17-vjeçare në mësimdhënie e menaxhim publik e privat, ndjehem plotësisht gati për këtë sfidë komunitare të jashtëzakonshme vlere e besimi.
Në traditën familjare, me bashkëshorten si doktoresha juaj, mbetemi të përkushtuar në shërbim komunitar, pavarësisht hapësirave profesionale jashtë Shqipërisë.
I farkëtuar bashkë me ju, nëpër betejat politike që i kemi fituar apo humbur, kemi qëndruar të bashkuar dhe ia kemi dalë ta mbajmë kokën lart me vlerë e krenari mirdite.
Eksperienca ime politike, ka nisur herët nëpër vite hap pas hapi, duke filluar nga anëtar e deri Kryetar i FRPD Mirditë, nga anëtar e deri i zgjedhur në kryesi e organe tjera të PD-së në Mirditë e më tej në departamentet e PDSH.
Garancia personale kontribuese dhe drejtuese me fitore historike mbetet beteja elektorale parlamentare e vitit 2021, ku si drejtues i fushatës elektorale me mirditorët e bashkuar treguam qëndresë dhe fitore përballë presionit, shantazhit dhe blerjes së votave nga pushteti.
Të dashur demokratë mirditorë!
Pikërisht në zanafillën e fitores historike të 2021, le të marrim forcën e bashkimit të sinqertë të anëtarëve, simpatizantëve, vlerave humane të djathta, të grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave, intelektualëve, studentëve, punëtorëve dhe ti përqendrojmë ato në fitoren e madhe për Bashkinë Mirditë me 14 maj 2023.
Sfidat na presin tek dera e shtëpisë, bashkë do i zgjidhim.
Së pari, Bashkimi i PD. Do e fillojmë bashkimin nga shtëpia jonë demokrate dhe pastaj do e zgjerojmë deri sa të krijojmë aleancën e vlerave kundër të keqes që na ka zaptuar çdo hapësirë në Shqipëri.
Së dyti, Shpopullimi. Mirdita po vuan gangrenën e madhe të largimit të njerëzve dhe familjeve, kryesisht të rinjve. Vetëm 110 nxënës u ulën në klasën e parë në të gjithë Mirditën.
Bashkë, do bëjmë gjithçka mundemi të ofrojmë kushte optimale për njerëzit që ata të mos largohen. Do nxisim mirditorët e diasporës që ata të investojnë në Mirditën e tyre. Do bashkëpunojmë e konkurojmë për projekte zhvillimi me institucionet përkatëse në Shqipëri e BE.
Së treti, Qeverisja e mirë.
Punësimi tej normave për frymë popullsie me mbi 600 punonjës ku një pjesë e tyre nuk e dinë as ku e kanë vendin e punës, si dhe korrupsioni galopant në Bashkinë Mirditë, ka sjellë qeverisje të keqe dhe inekzistente, shërbime preferenciale apo të munguara.
Së katërti, Zhvillimi dhe vizioni. Mirdita ka nevojë vetëm për dinjitet
‘’Paqja e fjala në Mirditë nuk blihen me para’’, ka thënë Shteinmetz.
Të dashur demokratë!
Ju kërkoj votën dhe mbështetjen tuaj!
Le ti kthejmë bashkë Mirditës veladonin e munguar të historisë, paqes dhe zhvillimit.
Mirdita e para!
Zoti na e priftë të mbarën!
I juaji, Artur Lazri.