PD publikon me video skandalin që SPAK dhe Prokuroria duan të ‘groposin’/ Balliu: Krimi elektoral i PS i dokumentuar, drejtësi e kapur dhe funksionim i një sistemi të dyfishtë

KONFERENCË PËR SHTYP SHEFI I ORGANIZIMIT NË PD, KLEVIS BALLIU

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe institucioneve shtetërore,

Sot ndodhem përpara jush për të ndarë një rast flagrant të shkeljes së ligjit zgjedhor dhe të mosveprimit të institucioneve të drejtësisë, që dëshmon qartë kapjen e shtetit dhe funksionimin e një sistemi të dyfishtë ligji në Shqipëri.

Më datë 11 maj, rreth orës 17:00, bashkë me disa kolegë nga Partia Demokratike, konstatuam praninë e një zyre elektorale të paligjshme në zonën e Yzberishtit. Pas sinjalizimeve të ardhura nga qytetarët, vendosëm të verifikonim nga afër situatën.

Në një ambient në katin e parë të një ndërtese, i maskuar me letra të bardha dhe i mbyllur nga sytë e publikut, ndodheshin persona të lidhur me strukturat e Partisë Socialiste. Fillimisht, dy të rinj tentuan të paraqisnin ambientin si një “lokal”, por sapo kuptuan praninë e kamerave, u larguan me nxitim. Dy zonja të tjera, të pranishme brenda, tentuan të pengonin hyrjen tonë dhe më pas u larguan duke fshehur identitetin.

Kjo është video.

Ky ambient nuk ishte as i deklaruar, as i regjistruar si zyrë elektorale, në kundërshtim me çdo kërkesë të ligjit për fushatën zgjedhore. Pas njoftimit të policisë, e cila deklaroi se nuk mund të ndërhynte, kontaktuam administratorin e pallatit, i cili në prani të efektivëve të policisë dhe të pranishmëve, dëshmoi qartësisht se ky ambient nuk ishte lokal, por një zyrë elektorale e Partisë Socialiste. Këtë e kemi të dokumentuar me pamje filmike, që i janë dorëzuar organeve të rendit.

Kjo është video.

Pas kësaj ngjarjeje, kallëzimi u depozitua pranë Komisariatit nr. 6, i cili deklaroi nisjen e hetimeve. Por ngjarjet që pasuan e zbuluan farsën.

Dy ditë më vonë, në një qendër votimi në zonën e Kasharit, një përfaqësues i Partisë Demokratike u godit fizikisht nga persona të paidentifikuar që u futën dhe dolën lirshëm nga qendra e votimit. Në këtë qendër, identifikova një prej individëve të përfshirë në ambientin e paligjshëm të Yzberishtit, për të cilin lajmërova menjëherë policinë. U informova se ai u shoqërua, por çfarë ndodhi më pas, askush nuk e di.

Skandali thellohet kur Prokuroria e Tiranës më njofton me një vendim absurd: mosfillimin e hetimeve për këtë shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor. Akoma më i rëndë është fakti që SPAK, i cili ka për detyrë të hetojë krimet zgjedhore, nuk është përfshirë fare, sikur kjo çështje të mos ekzistonte.

Dëshmia e administratorit të pallatit, e qartë dhe e dokumentuar me video, është censuruar në dosjen e Prokurorisë. Është hequr pjesa ku ai konfirmon se bëhet fjalë për një zyrë elektorale të Partisë Socialiste, duke u përpjekur kështu të justifikohet mosveprimi.

Tregojmë dëshminë e administratorit sipas Prokurorisë dhe pastaj tregojmë të vërtetën me video.

Kjo është video e një pjese të dëshmisë së administratorit.

Të nderuar qytetarë,

Ky është thelbi i krizës ku ndodhet Shqipëria: Edi Rama nuk manipulon zgjedhjet sepse opozita nuk funksionon, ai i manipulon sepse kontrollon drejtësinë.

Drejtësia nuk vepron ndaj krimeve zgjedhore. Nuk vepron ndaj vjedhjes së votës. Nuk vepron ndaj bandave që blejnë vota dhe mbajnë në pushtet një regjim të kriminalizuar.

Ndërkohë, e njëjta drejtësi ka gjetur “arsye të plota” për të ndjekur penalisht mbi 1,000 qytetarë të Unazës së Re, për të ndjekur protestues që kërkojnë të drejtat e tyre, për të hetuar qytetarë të zakonshëm. Por kur bëhet fjalë për bandat zgjedhore, drejtësia hesht. SPAK hesht. Prokuroria mbyll sytë.

Sot, përmes kësaj deklarate, i bëj thirrje çdo institucioni të ndershëm, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo qytetari që beson ende te e drejta: mos heshtni përballë këtij degradimi. Zgjedhjet e lira janë themeli i një shteti demokratik. Pa to, nuk ka as drejtësi, as ekonomi, as liri.

Unë jam i gatshëm të përgjigjem për çdo detaj të kësaj ngjarjeje, të paraqes çdo provë dhe të bashkëpunoj me çdo institucion që ka vullnetin për të mbrojtur ligjin dhe demokracinë.

Faleminderit. Nëse ka pyetje, jam i gatshëm të përgjigjem për gjithçka.

PYETJE-PËRGJIGJE

Mariglen Kume, MCN TV: A do ta çoni dosjen në SPAK, duke qenë se tashmë e keni gati dhe Prokuroria e Tiranës nuk e ka kaluar për kompencë, gjë që duhet ta bënte, pasi krimet zgjedhore janë kompetencë e SPAK.

Klevis Balliu: Unë u informova nga policia e shtetit në komisariatin numër 6 se, pasi bëra kallëzimin ata do të ja referonin SPAK. Nëse SPAK do shpallte mos kompetencë atëherë ajo do shkonte tek prokuroria e Tiranës. Këto janë lojëra ping-pong që bën SPAK me prokurorinë e Tiranës dhe policinë për të fshehur një të vërtetë absolute.

SPAK mund të niste hetimin vetëm me videon të cilën e ka publikuar kryetari dhe lideri i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha dhe duhet të kishte nisur hetimet. Këtu nuk kanë në plan të nisin hetimet. Këta kanë në plan të fshehin krimin zgjedhor. SPAK nuk do të merret me krimin zgjedhor, por merret me ata që denoncojnë krimin. SPAK merret me liderin e opozitës, me qytetarët dhe ata të cilët denoncojnë.

Kurse kriminelët elektoralë të kapur në flagrancë këta i amnistojnë njësoj siç po bën prokuroria e Tiranës, e cila fsheh dëshminë. Fshehja, ndryshimi i dëshmisë dhe një dëshmi e dhënë në sy të kandidatit për deputet, unë kam dhe dëshmitarë të tjerë atë ditë, të cilët patjetër do bëhen pjesë e ankimimit të kësaj dosje që ne do të bëjmë. Por gjithashtu në sy të Policisë së Shtetit.

Çfarë do të thotë? Policia e Shtetit, prokuroria e Tiranës dhe SPAK të angazhuar për të mbrojtur kriminelët elektoralë që vjedhin e shqiptarëve që të mbizotërojë regjimi mafioz i Tiranës.

Lusi Përgjegji, RTSH: A e keni referuar këtë video në prokurori në momentin që keni bërë kallëzimin dhe a jeni marrë në pyetje në lidhje me këtë rast?

Klevis Balliu: Unë kam qenë kallëzuesi i këtij rasti dhe i jam përgjigjur çdo pyetje, i kam dorëzuar Policisë së Shtetit, 5 video dhe 3 fotografi për të cilat edhe prokuroria është në dijeni dhe e ka të shkruar në përgjigjen që më ka kthyer mua. Pjesë e atyre videove është edhe kjo dëshmi e administratorit.

Në një shtet normal, prokurori i Tiranës duhej të jepte dorëheqjen, prokurorja që ka vendosur mosfillimin e hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, këtë krim ndaj pluralizmit duhej të jepte dorëheqjen.

Por në një narkoshtet, është fare normale që prokuroria e Tiranës, Skapi i partisë dhe policia të bëhen bashkë kundër zgjedhjeve, demokracisë, votës së lirë që të mbizotërojë regjimi i Troplinëve, Hajrave, Avdylajve, Bajrave. Këta janë atje për ti shërbyer atyre. Çdo qytetar që ka pasur edhe pikën më të vogël të dyshimit se SPAK është institucion ligjzbatues ja ku e ka provën, se nga SPAK te prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit nuk kanë asnjë lidhje me ligjin.

Janë thjeshtë në ndihmë të atyre që shkelin ligjin dhe që vjedhin votën e qytetarëve. 

Lusi Përgjegji, RTSH: Sa është numri i kallëzimeve që PD ka dërguar në SPAK dhe a jeni interesuar për ecurinë e këtyre hetimeve nëse janë pranuar dhe ka nisur një hetim?

Klevis Balliu: Altin Dumani para disa ditësh na tregonte se sa kallëzime ka marrë nga opozita, ndërkohë këtë kallëzim që ka bërë opozita, nuk e ka marrë përsipër dhe parasysh. Ata marrin kallëzime, Altin Dumani merr kallëzimet që i lejon Edi Rama të marrë. Pra ata bien dakord, prandaj Dumani u largua dhe nuk përballet me opozitën.

Më shpejt iku Dumani nga ajo sallë se kanë ikur Troplinët kur dolën fletë-arrestet. Kjo është e vërteta e zgjedhjeve në Shqipëri.

Farsë elektorale dhe Edi Rama ka vetëm një arsye pse vjedh. Arsyeja pse vjen Edi Rama është se ka në dorë drejtësinë. Nëse në Shqipëri do të kishte drejtësi, Edi Rama do të ishte në burg dhe jo kryeministër.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale