KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e mbajtur me gazetarët ka akuzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij se me ‘paqen fiskale’ është duke mbështetur fuqimisht kartelet e drogës dhe pastrimin e parave.
Këtë nismë, Edi Rama pavarësisht kundërshtimit të prerë të BE-së, Bankës Botërore dhe opozitës, e ka dërguar përpara për ta miratuar në Kuvend. Në konferencë, Berisha e cilësoi këtë paketë fiskale si ‘amnistinë më të madhe të parave të drogës dhe krimit të organizuar në historinë e Shqipërisë’, duke e lidhur drejtpërdrejt me interesat e karteleve kriminale shqiptare dhe të bashkëpunëtorëve të tyre në Amerikën Latine.
‘Edi Rama, zëdhënësi kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës dhe të krimit’, deklaroi Berisha, duke argumentuar se projektligjet e reja fiskale shërbejnë si mekanizëm i drejtpërdrejtë për legalizimin e kapitalit kriminal.
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se amnistia fiskale përbën ‘mbështetjen publike më të fuqishme që Ramaduro u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine’, ndërkohë që amendamentet e opozitës, të cilat, sipas tij, synonin garantimin e transparencës, shmangien e abuzimeve dhe përjashtimin e sektorëve me risk të lartë, u rrëzuan pa asnjë argumentim ligjor. ‘Asnjë nga amendamentet tona nuk u mor parasysh, sepse paratë duhet të lahen lirshëm’, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së Sali Berisha paralajmëroi për pasoja të rënda financiare dhe politike, duke theksuar se falja e detyrimeve arrin deri në ‘2 miliardë euro’ dhe se ‘janë 200 mijë biznese që përfitojnë, nga të cilat 80 mijë janë aktive’, çka, sipas tij, tregon se procesi synon të shndërrojë kapitalin kriminal në fuqi elektorale. ‘Fleta e votimit ishte një letër e vdekur. Vota e qytetarëve ishte e ekzekutuar’, deklaroi Berisha, duke nënvizuar se ndërhyrja e qeverisë në ekonominë fiskale ka për qëllim transformimin e resurseve ilegale në instrument politik.
Një tjetër element thelbësor i akuzave të tij lidhej me refuzimin e transparencës për përfituesit e amnistisë. ‘Ne kërkuam të bëhen publike 3 mijë bizneset që përfitojnë, si dhe çdo biznes që përfiton më shumë se 50 mijë euro. Edhe kjo u refuzua kategorikisht’, theksoi ai, duke e konsideruar gjithë procesin një operacion të strukturuar për ‘të shkatërruar dhe intoksikuar përfundimisht ekonominë shqiptare’.
Berisha iu referua gjithashtu reagimeve ndërkombëtare, duke theksuar se ‘Komisioni Europian ka bërë një deklaratë me shqetësime shumë serioze dhe kërkon rishqyrtimin e menjëhershëm të këtyre ligjeve’, ndërsa institucione si FMN dhe Banka Botërore kanë paralajmëruar më parë për rreziqet e një amnistie të tillë.

FJALA E PLOTE:
Edi Rama, zëdhënës kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës, krimit, jo vetëm të karteleve të fuqishme shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
Një ligj, të cilin qeveria e SHBA, BE, por edhe vendet e tjera partnere, e kundërshtuan në mënyrën më të prerë para dy vitesh, Edi Rama e ka votuar në parim në parlament.
Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
PD, deputetët e saj, në komisionet përkatëse, kanë mbajtur qëndrime të prera kundër kësaj përpjekje.
Kanë bërë amendamente shumë të qarta, por nuk janë marrë parasysh asnjëra prej tyre nga mazhoranca.
Për PD-në, grupin e saj parlamentar, ligji është një mundësi ligjore për pastrimin e parave nga klanet e drogës dhe krimit.
Për evazionin e mëtejshëm fiskal.
Për shmangien e bizneseve nga detyrimet fiskale të ardhshme kundrejt shtetit.
Për favore ndaj sektorëve ku risku i pastrimit të parave është shumë i madh dhe që po ndodh aktualisht. Ndërtimi në Shqipëri është lavatriçja e parave të drogës, më e madhja në Europë.
Kjo mos t’u duket çudi sepse treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i madh se në BE.
Në këtë ligj ka mungesë të plotë të transparencës për opinioni publik dhe komunitetin e ndershëm të biznesit.
FMN ka paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e mëdha të kësaj amnistie.
Banka Botërore gjithashtu.
Cilat janë mekanizmat që projektligjet e paraqitura për këtë qëllim hapin rrugë për fenomenet e mësipërme?
1.Rishikimi pa asnjë pasojë i bilanceve në tre vitet e fundit, duke u dhënë mundësitë bizneseve të rishikojnë të gjithë zërat, paratë cash, kapitalet e veta, etj, thjesht duke paguar 5 përqind tatim më shumë.
Kërkesa e opozitës ishte që për çdo rast që verifikohej të viheshin në dijeni organet ligjzbatuese dhe të merrej drita jeshile prej tyre, por kjo kërkesë u refuzua sepse paratë duhet të lahen lirshëm.
Rrëzohet, me një fjalë, sistemi i vendosur në kuadrin e Moneyval për të parandaluar pastrimin e parave.
2. Deklarimi i tatim fitimit të ardhshëm për vitin 2026 duke eliminuar kontrollet fiskale. Në qoftë se një biznes deklaron 18 përqind tatim fitim më shumë se këtë vit, ai tatohet për normën e fitimit vetëm me 5 përqind. Në këtë mënyrë, sektorë si ndërtimi, lavatriçe e pastrimit të parave, pra sektor me rrezik të lartë, nxiten të kryejnë një veprimtari të tillë.
Kërkesa e opozitës për të përjashtuar sektorin e ndërtimit nga kjo skemë u refuzua nga Ramaduro me qëllimin e pastrimit të parave në këtë fushë.
2. Është refuzuar kërkesa e opozitës për transparencë për bizneset që përfitojnë nga falja. Në asnjë mënyrë, se janë ‘çunat’ mbrapa.
Falen detyrime në shumën 2 miliardë euro. Mund të jenë më shumë, po kaq është përllogaritja.
Janë 200 mijë biznese që përfitojnë, nga të cilat 80 mijë janë aktive.
E kuptoni ju se çfarë ishin zgjedhjet?
E kuptoni se zgjedhjet para dy miliardë eurosh, ishin një leckë. Fleta e votimit ishte një letër e vdekur.
Vota e qytetarëve ishte e ekzekutuar.
2 miliardë euro.
200 mijë biznese.
80 mijë aktive.
Imagjinojeni pak.
Ne kërkuam të bëhen publike 3 mijë bizneset që përfitojnë si dhe çdo emër biznesi që përfiton më shumë se 50 mijë euro, por edhe kjo u refuzua në mënyrë kategorike sepse duhet që të lahen lirshëm miliardat e drogës për të shkatërruar, për të intoksuar përfundimisht ekonominë shqiptare.
4. Është refuzuar kërkesa e opozitës që nga falja të mos përfitojnë bizneset, pronarët e të cilave kanë biznese të tjera fitimprurëse.
Edhe kjo kërkesë nuk u lejua.
Rrëzimi i amendamenteve të opozitës tregon qartë synimin e këtyre ligjeve për të hapur rrugën për larjen e miliardave të klaneve shqiptare të drogës, karteleve shqiptare të drogës.
Komisioni Europian, nënkomiteti për tregtinë, industrinë, doganat dhe taksat midis BE dhe Shqipërisë, ka bërë një deklaratë në të cilën shpreh shqetësimet më serioze për këto ligje dhe mund ta gjeni në faqen e Komisionit Europian.
Kërkon rishqyrtimin e menjëhershëm të tyre.
Pra, siç e shihni, Edi Rama, atë që nisi dy vjet më parë e bitisi në mandatin e katërt, në të cilin 2 miliardë euro shndërrohen në vota dhe vota shndërrohet në 2 miliardë euro droge.
Jam këtu gjithashtu për të dënuar përsëri me forcën më të madhe presionin e jashtëzakonshëm, të padëgjuar kurrë më parë mbi Gjykatën Kushtetuese, metodat antiligjore dhe antikushtetuese që po përdoren për t’i diktuar kësaj gjykate vendimin e Edi Ramës, me të cilin po bllokon luftën kundër korrupsionin, për të mbrojtur veten e tij dhe Lubi Ballukun nga vjedhja e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje janë të papara ndonjëherë në historinë e këtij vendi.
Kërcënimet, paritja dhe metoda të tjera kriminale po përdoren nga mëngjesi gjer në darkë.
Pikërisht për shkak të tyre, Gjykata, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedent, pranoi të shqyrtojë kërkesën dhe u dha edhe kohën e mjaftueshme për të ushtruar të gjitha format e presionit.
Qytetarë dhe qytetare, mbetet vetëm fjala dhe guximin juaj për të folur për veten, për çdo shqiptar, kudo që është dhe për mbarë Europën dhe botën.
Me këtë rast, paralajmëroj Edi Ramën se këto qëndrimet e tij dhe kjo përpjekje për të mbrojtur veten e tij përmes Gjykatës Kushtetuese, do kenë pasoja direkt mbi të.
Se populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë një turpërim të tillë.
Mashtrimi i tij duke cituar ditë më parë në disa paragrafë Komisionin e Venecias, mori përgjigjen më të merituar nga ekspertë të shquar se ky Komision nuk ka asnjë paragraf në të cilin të shprehet se nuk mund të pezullohet ministri.
Absolutisht.
Përkundrazi ka paragrafë në të cilat pezullimin e vlerëson si akt kushtetues.
Tani, nuk e përmend më, duket se ka pasur reagime, nga Komisioni apo nga të tjerë.
Tani ka hequr dorë.
Tani ka vetëm hallin e tij.
Por hallin e tij e ka krijuar vetë duke urdhëruar Lubi Ballukun, duke e bërë atë bashkëpunëtorë në krim.
Edi Rama është pa kurrfarë mbrojtje tani.
Ajo e ka marrë vendimin, do të të marr me vete.
Unë vlerësoj reagimin e shoqatës së gjyqtarëve.
E vlerësoj atë si një reagim në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ditën e djeshme paralajmëruat se shumë shpejt do të vijnë dhe protestat kombëtare. Kur do të fillojë organizimi për to dhe a do të përshpejtohet një protestë kombëtare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse pranon kërkesën e Edi Ramës.
Sali Berisha: Protestat jemi duke i përgatitur dhe do fillojnë. Vendimet e gjykatës, fakti që gjykata pranoi, nuk hodhi poshtë, nuk e refuzoi si të paligjshme kërkesën, është tepër shqetësuar.
Mos harroni se kjo gjykatë, ka shpallur të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën, 30 deputetë të opozitës që paraqitën kërkesë për çështjen time.
30 deputetë të opozitës, të drejtën e ankimit në gjykatë, e kanë në kushtetutë. Gjykata tha jo. Në mënyrën më primitive, në një akt banal, primitiv, të turpshmë. Në shkelmim të kushtetutës.
Dhe kjo gjykatë në një nënshtrim, pranoi për të vlerësuar kërkesën e kryeministrit, në emër të Lubisë. Avokat kryeministri për Lubinë. E kuptoni ju. E kuptoni se ku është katandisur Shqipëria.
Prandaj protestat, e kam theksuar dhe e theksoj, janë dhe do jenë rruga jonë e vetme për ti rikthyer shqiptarëve votën e lirë.
Ja ku janë 2 miliardë euro. Ja ku janë, dy ditë para zgjedhjeve, amnisti për 2 miliardë euro, për 200 mijë biznese në tërësi, për 80 mijë biznese aktive.
A mund të imagjinoni ju zgjedhje. Ndaj dhe shqiptarët kanë një armik të egër të lirive dhe dinjitetit të tyre, me të cilin duhet të përballen.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Për dy ditë bëhen 4 vite nga rithemelimi i PD-së nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Sot 4 vite më pas si e shikoni atë rithemelim. A u rithemelua vërtetë PD dhe a qëndrojnë të gjitha parimet e vendosura në statut, në 11 dhjetor.
Sali Berisha: Mendoj se, ky 4-vjeçar pa ekzagjeruar është një 4-vjeçar midis legjendës dhe realitetit. Një forcë politike e bazuar në parimet demokratike, idealet demokratike të lirisë, të sovranitetit, për të qenë forcë sovrane politike, u agresua nga mafia shqiptare e ndërkombëtare në mënyrën më paskrupullt. Kjo është e vërtetë.
E vërteta është se gjithë ajo që ndodhi, kishte vetëm një qëllim.
Së pari një PD të kontrolluar totalisht nga Edi Rama.
Së dyti, zhdukjen e PD me mekanizmat, me mekanizmat e gjykatësve dhe të tjerë.
Është kështu apo jo.
Pra në kushtet e një narkoshteti, ata që kontribuan në ndërtimin e narkoshtetit, tani donin që Shqipëria të mos kishte një zë opozitar të vërtetë.
Të kishte një pseudo opozitë, aleate të Edi Ramës.
E zhytën PD-në, partinë e transformimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi në izolimin më të thellë.
Është kjo e vërteta. Por kjo parti u ngrit si feniksi nga hiri, dhe u ngrit vetëm e vetëm për të vërtetat që mbronte. Në një hark kohor 14 mujor, në mbështetje të kësaj partie të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në botë, kanë firmosur 7 rezoluta, në të cilat sanksionojnë mbështetje të plotë për PD dhe denoncojnë farsën elektorale të regjimit.
Denoncojnë persekutimin e opozitës dhe përdorimin e drejtësisë si armë politike.
Denoncojnë narkoshtetin shqiptar me gërma kapitale dhe Edi Ramën.
Pra nga një forcë me e izoluara është sot forca më e mbështetur në tërë historinë e vet.
Ky është 4-vjeçari i PD-së.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: A qëndrojnë ende ato parime të 11 dhjetorit, fryma e 11 dhjetorit.
Sali Berisha: Ato parime, janë të mishëruara dhe të palëkundura. Anëtarët e saj votuan në këto 4 vite më shumë se në gjithë ekzistencën e PD.
Përpjeket e armiqve të saj për ti përçarë, dështuan. Sot ata janë të bashkuar rreth atyre parimeve si asnjëherë më parë.
Pra thashë, nga forca më e izoluar e Europës me 7 rezoluta është forca e aktakuzave më të rënda të regjimit të Tiranës, më e përkrahur.
Ndaj dhe të garantoj se nëqoftëse PD nuk do të kishte mbrojtur parimet e drejta që mbrojti, do të ishte atje në thellësitë e izolimit, ku e vendosën në mënyrën më të padrejtë.
Të garantoj se, nëse nuk do verifikoheshin drejtuesit e të gjithë partive nuk do pranonin kurrë që të damkosnin Shqipërinë si narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Nuk e bënin këtë ata. Nuk e kanë bërë ata për hir të Sali Berishës, kurrë këtë.
Por së fundmi, siç e patë ju, e shpall rrezik për Europën rezoluta e IDU, për sigurinë e Europës.
Fatmirësisht qeveria e SHBA, administrata Trump po tregon ndjeshmëri ndaj këtij faktori të tmerrshëm që është droga, që po e shkatërron qenien e shqiptarëve.
Pra, parimet janë respektuar, do respektohen dhe besoj, pavarësisht nga propaganda e neveritshme, e turpshme kundër saj, që bëhet nga mediat e kontrolluara nga qeveria, por në këto kushte të paktën vendi ka një opozitë të vërtetë, një opozitë që e kontrollojnë anëtarët e saj, e votojnë anëtarët e saj dhe jo tjetër kush.
Andon Kello, AbcNews: Ish presidenti Bamir Topi është thirrur për të dëshmuar për 21 janarin. Është bërë i treti i thirrur në SPAK. A keni një koment.
Sali Berisha: Tani, a mund të shkosh të pyesësh atje atë, zotin Topin, se këtu jam në një konferencë për çështje krejt të tjera.
Andon Kello, AbcNews: Ditën e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar me 11 vota pro për të zgjedhur Joni Ketën në krye të BKH-së.
Sali Berisha: Procedurë normale, për personin unë nuk kam asnjë njohuri për të.
Dhe kam një ligj dhe një rregull, për personat që nuk i njoh, nuk flas kurrë.
Nuk kam asnjë lloj njohje, po as edhe ndonjë… po të bëj një kontroll në arkivën time dixhitale, ai nuk del kund.
Nuk kam.
Osman Stafa, News24: Sot në Komisionin e Ligjeve është diskutuar sa i takon Avokatit të Popullit ku PS deklaron se kanë dalë 6 kandidura edhe me votat e demokratëve, ndërkohë që sot deputetët e PD thonë se janë tërhequr nga firmat. Një nga kandidatët që ju keni ngulur këmbë për ta votuar në Kuvendin e Shqipërisë, është Besim Ndregjoni. Do i qëndroni këtij propozimi deri në fund?
Sali Berisha: Narko-mazhoranca ka bërë një lojë të turpshme me këtë, por ne e kemi ndjekur.
Ne kemi qenë të bindur në intrigat dhe banalitetin e tyre.
Në qoftë se u kujtohet, në një nga ditët, po këtu, Taulant Toyota Yaris, me shumë mbiemra, informoi se atë ia kemi lënë opozitës dhe unë u thashë ju se ata do pendohen.
Dhe tani tregojnë se u penduan.
Mund të imagjinoni këtë?
Opozita ka tërhequr të gjitha firmat për të gjithë kandidaturat e tjera, përveç kandidaturave të përzgjedhura vetë, të cilat janë Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Jola Hysaj, Aranita Brahaj, Haluci, Dardan Mustafa.
Këta janë kandidaturat tona.
Tani çfarë bënë sot?
Sot futën kandidaturën e tyre, i cili në kuadrin e 27 kandidaturave, kishte marrë firmat.
Por ne i tërhoqëm firmat.
Dhe Ulsi Manja me Taon thonë se nuk njohim tërheqjen e firmave, arrijnë gjer në këtë deklaratë të turpshme për të nxjerrë atë që thotë Edi Rama.
Kështu që ne tërhiqemi totalisht nga procesi.
Ne nuk jemi më palë në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Kjo është një histori e turpshme e Edi Ramës, që u përpoq, por ne absolutisht në një farsë nuk marrim pjesë.
Në qoftë se ia lënë PD-në, ne u treguam të arsyeshëm, ne nuk thamë ose ky, ose asnjë tjetër.
Ne paraqitëm disa kandidatura, ata shtuan kandidaturën e tyre.
Është Endri Shabani.
PD tërhiqet nga procesi.
PD nuk merr pjesë në proces.
Ky është një turp i tyre.
Para katër ditësh siç e dini ju deklaruan se ia lamë opozitës, ia lamë PD-së, dhe tani thonë nuk njohim tërheqjen e firmave.
Firmat janë të tërhequra dhe ne nuk marrim pjesë në proces.
Osman Stafa, News24: Nga këto 6 emra që keni propozuar për PD-në, cili mendoni se duhet të jetë Avokati i Popullit.
Sali Berisha: Gjersa ne kemi zgjedhur këta, natyrisht secili prej tyre ka besimin tonë.
Por në renditje është Besim Ndregjoni, i cili është paraqitur për votim në parlamentin e shkuar, siç e dini ju.
Është Adriana Kalaja, që plotëson çdo kriter për të qenë.
Është Jola Hysaj, një e re me energji të madhe në këtë fushë, e vendosur për të drejtat te njeriut.
Është Aranita Brahaj, janë edhe zoti Haluci dhe Dardan Mustafa.
Pra, ne kemi kandidatura shumë të mira.
Osman Stafa, News24: Do e bojkotoni votimin e të enjtes për Avokatin e Popullit?
Sali Berisha: Sigurisht, ne nuk marrim pjesë në votim farsë.
Kjo që bën është një akt i ulët primitiv i Edi Ramës,
Tregon tolerancën e tij zero dhe do vërë një person që nuk ka asnjë lidhje me opozitën.
Jo, të jemi i sinqertë.
Ju falënderoj!


