Fjala e mbajtur ne tryezën ‘Si të shpëtojmë Portin e Durrësit’
Nga Nikola Kedhi
Përshëndetje të gjithëve,
I nderuar zoti Berisha, të nderuar të pranishëm,
Unë dua ta nis fjalën time me një të vërtetë të thjeshtë, që nuk thuhet nga ne aq sa duhet, dhe në media madje thuhet e kundërta. Partia Demokratike ka një vizion të qartë, të mirëmenduar, të bazuar te parime konservatore, për të ardhmen e këtij vendi. Dhe nuk po flas për katër vite, apo tetë vite, por për të ndërtuar shekullin shqiptar. Një Shqipëri të fortë, që shërben si spirancë për faktorin shqiptar në rajon, për forcimin e tij, dhe të shqiptarëve kudo ku janë.
Ne nuk duam thjesht të heqim Edi Ramën si kryeministër, apo të zëvendësojmë një qeveri me një tjetër. Ne duam të çrrënjosim një model, një agjendë që ka shpopulluar vendin dhe po e çon drejt shpërbërjes. Vizioni ynë është Shqipëria prodhuese, Shqipëria e Made in Albania, Shqipëria e punës, dinjitetit, sipërmarrjes, meritokracisë dhe fermerëve shqiptarë. Sepse kjo është Shqipëria e vetme që mund të lindë nga parimet që ne besojmë.
Shqipëria e taksave të ulëta, e shtetit të vogël që nuk ndërhyn në treg për të favorizuar klientët e vet; shteti që nuk është barrë për qytetarët, por kthehet në partner të individëve, familjeve dhe sipërmarrjeve shqiptare. Shqipëria që vë në qendër prodhimin, inovacionin dhe çlirimin e potencialit ekonomik të çdo shqiptari është Shqipëria e qytetarëve të fortë, të mëkëmbur, e familjeve që kanë çdo mundësi të rriten, të ndërtojnë të ardhmen dhe ëndrrën shqiptare në vendin e tyre.
Përballë nesh është një model tjetër: modeli i shpopullimit, i zëvendësimit të shqiptarëve me të huaj, i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, i taksave të larta dhe i shtetit që ndërhyn në çdo aspekt të jetës së shqiptarëve. Është modeli i pasigurisë: për jetën, për arsimin, për shëndetësinë, për drejtësinë, për pronën dhe për të ardhmen.
Por një Shqipëri ndryshe është e mundur. Dhe jo vetëm e mundur. Është plotësisht e realizueshme.
Pse e them këtë? Sepse propozimi ynë i sotëm i Interportit është një nga elementet që përbëjnë vizionin e kësaj Shqipërie prodhuese. Pa porte, pa hekurudha, pa logjistikë dhe pa korridore ekonomike, “Made in Albania” mbetet slogan. Me Interportin, bëhet strategji kombëtare.
Përballë nesh është modeli i Shqipërisë pa porte, i Shqipërisë që braktis rolin e saj strategjik, i Shqipërisë që depërtohet nga interesa dhe fuqi të huaja kundërshtare me interesin tonë kombëtar dhe me interesin e partnerëve tanë të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Përballë nesh është modeli i përdorimit të aseteve strategjike si aset privat i kryeministrit, i cili ua jep kujt të dojë, për t’i shndërruar në resorte, beton, ndërtime dhe kulla. Këto jo vetëm që nuk përkthehen në mirëqenie për qytetarët, por mbi të gjitha cenojnë rëndë interesat tona kombëtare.
Ndërkohë sot ne rrezikojmë të mbetemi pa port, por dhe të paguajmë në arbitrazh Al Abarin, sepse punimet në Porto Romano nuk kanë nisur, ndërkohë sipas kontratës shteti shqiptar duhet të lirojë portin e Durrësit. Pra, shikoni se në çfarë ngërçi e ka futur Shqipërinë ky kryeministër. Ne do duhet të kërkojmë dhe insistojmë për publikimin e plotë dhe të menjëhershëm të kontratës me grupin Alabar/EMAAR, duke përfshirë klauzolat e arbitrazhit, afateve dhe kushteve të ekzekutimit. Si dhe një studim mbi ekspozimin aktual të Shqipërisë ndaj arbitrazhit ndërkombëtar në lidhje me portin e Durrësit dhe Porto Romanon. Gjithashtu, nevojitet një sqarim publik dhe ligjor mbi statusin e garancisë 8 milionë euro të Archirodon, kompania e lidhur me rusët që u tërhoq nga tenderi, edhe pas ndërhyrjes amerikane duhet thënë, a ka ndodhur apo planifikohet falja e saj, si dëm buxhetor. Nëse nuk e kërkojnë garancinë, a do të thotë se ka një plan për ta futur prapë në garë këtë kompaninë.
Gjithashtu, ne propozojmë dhe auditimin e plotë nga KLSH mbi të gjitha kontratat konçesionare portuale, me verifikimin e pronarëve të vërtetë (beneficial owners) të kompanive konçesionare, duke përfshirë FDI Screening sipas standardeve të BE
Ne e shohim portin e Durrësit, dhe po ashtu portin e Vlorës, si asete strategjike që duhen ruajtur dhe shfrytëzuar në të mirë të interesit kombëtar të Shqipërisë.
Në këtë aspekt, koncepti i Interportit është ai i një nyjeje moderne logjistike ku porti detar nuk funksionon vetëm si vend shkarkimi anijesh, por si qendër e integruar transporti, magazinimi, doganimi, përpunimi dhe shpërndarjeje mallrash drejt vendit, rajonit dhe më gjerë. Praktikisht, kontejnerët zbarkohen në port, lidhen menjëherë me hekurudhë, rrugë dhe terminale të brendshme, ku mund të bëhen doganimi, kontrolli, ruajtja, paketimi, përpunimi i lehtë dhe shpërndarja drejt tregjeve të tjera.
Pra porti nuk është më fundi i rrugës. Porti bëhet porta hyrëse e një korridori ekonomik.
Dhe kjo lidhet natyrshëm me Korridorin VIII, me Kosovën, me Maqedoninë e Veriut, me tregjet europiane, me rolin që Shqipëria duhet të ketë në rajon. Porti i Durrësit mund të bëhet i tillë vetëm nëse nuk trajtohet si tokë për ndërtime dhe real estate, por si infrastrukturë strategjike kombëtare: me terminal modern kontejnerësh, lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me Tiranën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Korridorin VIII, zona logjistike dhe industriale pranë portit, dogana të digjitalizuara, kapacitete magazinimi dhe përpunimi, si dhe terminale të brendshme, apo dry ports, në pika si Prishtina apo Struga.
Modele të tilla kanë funksionuar në Europë: mjafton të shohim boshtin Rotterdam–Duisburg, ku porti detar lidhet me portin e brendshëm më të madh në botë përmes hekurudhës, lumit dhe rrugës, duke e kthyer logjistikën në motor industrie, eksporti dhe konkurrence për gjithë rajonin Rhine-Ruhr. Natyrisht në shkallë më të gjerë, po përtej kësaj logjika qëndron. Një shembull edhe më i afërt për ne është porti i Koperit në Slloveni: një vend i vogël, por që e ka kthyer portin e tij në portë hyrëse për tregjet e Europës Qendrore, me lidhje të përditshme hekurudhore me qendra industriale dhe logjistike të rajonit; kjo tregon se edhe Shqipëria, me Durrësin dhe Vlorën, mund të mos mbetet periferi e Adriatikut, por të kthehet në nyje strategjike për Ballkanin Perëndimor, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Korridorin VIII.
Çfarë do të thotë kjo për qytetarin? Do të thotë më shumë punë në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Do të thotë vende pune në logjistikë, transport, magazinim, përpunim, teknologji, dogana, shërbime dhe industri. Do të thotë që fermeri shqiptar të ketë më shumë mundësi ta çojë prodhimin e tij më shpejt dhe me kosto më të ulët në tregjet rajonale dhe europiane. Do të thotë që sipërmarrësi shqiptar të mos mbytet nga burokracia, korrupsioni dhe kostoja e lartë e transportit, por të ketë akses real në tregje më të mëdha.
Do të thotë që prodhimi shqiptar nuk ngec në magazina, në rrugë të shkatërruara dhe në dogana të ngadalta, por lidhet me tregjet europiane. Do të thotë që porti nuk i shërben kullave, por ekonomisë kombëtare. Do të thotë që Shqipëria nuk është më periferi, por nyje. Jo një vend që shitet pjesë-pjesë, por një vend që prodhon, eksporton, lidh rajonin dhe ndërton fuqi ekonomike.
Ky është ndryshimi mes modelit tonë dhe modelit të sotëm. Ata e shohin portin si truall ndërtimi. Ne e shohim si motor të ekonomisë kombëtare. Ata shohin beton. Ne shohim punë, prodhim, eksport dhe sovranitet. Ata shohin klientë. Ne shohim qytetarë, familje, fermerë dhe sipërmarrës shqiptarë.
Kjo është Shqipëria prodhuese. Shqipëria ku portet, hekurudhat, rrugët, energjia, bujqësia, industria dhe teknologjia nuk janë kapituj të ndarë, por pjesë e së njëjtës strategji kombëtare. Një strategji për ta kthyer Shqipërinë nga ekonomi konsumi, importi dhe ndërtimi spekulativ, në ekonomi prodhimi, eksporti dhe vlere të shtuar.
Ne nuk duam një Shqipëri që shet portet dhe largon fëmijët e saj. Ne duam një Shqipëri që prodhon, eksporton, lidh rajonin dhe i kthen shqiptarët në zotër të fatit të tyre. Ky është kuptimi i Interportit. Ky është kuptimi i Shqipërisë prodhuese. Ky është fillimi i shekullit shqiptar.


