FJALA E ISH-KRYETARES SË BASHKISË PRRENJAS, MIRANDA RIRA NË TRYEZËN NË KUADËR TË REFORMËS TERRITORIALE
I nderuar Prof. Berisha, të dashur kolegë, miq, të ftuar. Dëgjova me shumë vëmendje shumë nga ish-parafolësit dhe në fakt nga ato çfarë u diskutua këtu qendrojnë. Bashkitë, apo njesitë e qeverisjes vendore, si fillim u krijuan si entitete të veçanta për t’i shërbyer sa më mirë dhe sa më shpejt qytetarëve duke u mbështetur në dy parime bazë, ai për të cilin ne folëm gjatë këtu, parimi i Autonomisë Vendore dhe Parimi i Subsidaritetit. Pra, ushtrimi i kompetencave vendore sa më paranë qytetarit, gjë që sa kuptova unë përpiqet të bëjë edhe platforma, ose le të themi projekti i ri i reformës administrativo-territoriale, të cilët ne po mundohemi ta bëjmë tani, e cila ka qenë e zhbërë në reformën e vjetër. Koncepti i autonomisë vendore, pra koncepti i bashkive lokale për të drejtuar, për të vendosur për çështjet publike që prekin popullsinë brenda një bashkie, përbën gjithashtu dhe një nga parimet kryesore të Kartës Europiane për vetqeverisjen vendore.
Edhe pse reforma territoriale, unë jam zgjedhur kryetare bashkie në vitin 2015, në vitin kur është miratuar reforma territoriale, edhe pse kjo reformë ka kushtuar miliona euro, sërish ajo ka shumë probleme.
Unë gjykoj që, një nga problemet kryesore, që prek edhe një nga çështjet që u folën këtu, është se ligji 139 i vitit 2015 i vetqeverisjes vendore, sidomos për kryetarin e bashkive, bën që ky i fundit të ketë vetëm çelësat e kashtës. E them këtë me plotë gojë, sepse kryetari i bashkisë, sidomos nëse ai vjen nga një bashki opozitare, pra në rastin konkret ne ishim parti opozitare, duhet të mbanim sytë nga kryeministri apo qeveria për investime dhe përthithur projekte.
Në vitet 2015-2019 u krijua FZHR-ja e famshme, e drejtuar në atë kohë nga z.Peleshi dhe ne bashkive na thuhej gjithmonë se duhet të aplikonim për projekte, se vetëm kështu do të merrnim para, përndryshe do të ishim trokë, vetëm me financat lokale që ne siguronim.
Kishte bashki, si përshembull Bashkia e Fierit që merrte 17 projekte, fitonte 17 shkolla të reja, rrugë, etj. Dhe kishte bashki të tjera, si ne bashkitë opozitare, që nuk fitonim asnjë projekt. Jo se projektet tona nuk ishin të mira, por sepse ne diskriminoheshim. Dhe në fakt, nuk ishim ne, por ishin qytetarët tanë, të bashkive tona ata që diskriminoheshin. Unë mund t’ju sjell dhe një rast konkret, isha në vitin 2019 që ka qenë dhe vit elektoral. Isha e vetmja në rang republike që akoma nuk kishte miratuar buxhetin dhe akoma nuk më kishte ardhur transferta e pakushtëzuar nga ministria e Financave. Dhe kjo jo për fajin tim. Por në rastin kur ke dhe një Këshill Bashkiak Kundër, ke dhe anëtarë të parlamentit që i ke aty vetëm për të prishur punë, si në rastin konkret ishte z.Balla në bashkinë Prrenjas, u kaluan të gjitha afatet dhe bashkia nuk mori trasnfertën e pakushtëzuar, aq sa u bllokua çdo gjë, kopshtet mbetën pa ushqim dhe gjithçka tjetër. Jemi drejtuar me dhjetëra letra prefektit të asaj kohe që ishte vetëm një vegël e Këshillit Bashkiak, që nuk bëri asgjë, kryeministri asgjë, dhe asgjë nuk ndodhi. Në mars të vitit 2019, ne i dërgojmë një letër Kongresit të Autoriteteve Lokale, presidentes së asaj kohe, sekretarit të përgjithshëm, ku i shprehëm të gjithë shqetësimin tonë dhe përgjigja erdhi shumë shpejt duke thënë se në fakt ata ishin të shqetësuar që akoma shërbimet nuk kishin shkuar te qytetarët, por nuk mund të ndërhynin në probleme të brendshme të bashkive.
Buxheti u miratua në qershor, por në fakt në qershor u bënë edhe zgjedhjet lokale. Dhe kjo ishte një mënyrë për të telendisur të gjithë banorët dhe qytetarët për shkak se kishin inat kryetaren e bashkisë së asaj kohe. Autonomia vendore nuk ekziston. Ajo mund të ekzistojë e shkruar shumë bukur në ligjin aktual të Reformës Administrative Territoriale. Kaq shumë është foluar, kaq shumë tryeza, trajnime kemi bërë ne nga USAID, nga OSBE, e kështu me radhë, por në fakt në realitet është krejt ndryshe. Ajo është e cunguar. Të mos flasim më pas për decentralizimin, mos të flasim për shumë funskione që i kanë pasur bashkitë dhe pak e nga pak janë vjedhur në këto vite. Sepse sa më shumë të fuqizohet pushteti qendror, aq më shumë dobësohet ai lokal. Një kryetar bashkie është vetëm nga lart për të parë aty qeverinë, sepse gjithçka varet nga financat publike të cilat i teket apo jo kryeministrit, i jep, nuk i teket nuk i jep.


