Deklarata e deputetit të PD, Gent Strazimiri:
Partia Socialiste votoi sot në Komisionin e Ligjeve për të rrëmbyer procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit duke e kthyer në një farsë, duke mashtruar brutalisht, në falsifikim të fakteve dhe vullneteve publike, të deputetëve të Kuvendit, të paraqitura edhe zyrtarisht,
1. Propozimi i kandidaturave, ligjërisht fillon me 17 nëntor.
Asnjë deputet i PD nuk ka firmosur propozim për kandidaturë.
2. Firmat për të mbështetur kandidatin që të dëgjohet para Komisionit të Ligjeve, nuk mund të shfrytëzohen si ‘propozim për kandidim’
3. Për të shmangur lojërat e pazaret e ndyra, Partia Demokratike ka njoftuar me datë 2 dhjetor, Kuvendin e Shqipërisë, me firmën e secilit prej deputetëve të saj, që çdo firmë e paraqitur si ‘propozim kandidati’ nuk është e nuk duhet konsideruar as e tillë e as e vlefshme.
Pretendimi se komunikimi në fjalë është bërë ‘jashtë afatit’ përveçse është i pavërtetë, është edhe kryekëput antiligjor.
4. Çdo afat i parashikuar në ligj, është afat që bie mbi kandidatin e në asnjë mënyrë mbi deputetin, i cili si përfaqësues i sovranitetit të popullit, mund të tërheqë mbështetjen (edhe nëse e ka dhënë) në çdo moment, deri në momentin e votimit.
Në këto kushte, asnjë prej kandidatëve që paraqet firma të deputetëve të PD si pjesë të 28 firmave propozuese të kërkuara nga ligji, nuk e plotëson kriterin themelor për të kaluar në seancë.
NUK KA NUMRIN E NEVOJSHËM TË FIRMAVE TË DEPUTETËVE
Grupi parlamentar i PD, në dokumentin dërguar Kryetarit të Kuvendit në datën 2 dhjetor 2025, ka propozuar në detaje edhe se si do të duhej të vazhdonte ecuria e procesit në përputhje edhe me praktikën e mirë parlamentare në vite, duke përcaktuar se cilët do të konsiderohen kandidatë që kanë mbështetjen opozitës.
Deri më tani, nuk ka asnjë përgjigje nga Kryetari i Kuvendit.
Ajo ç’ka ndodhi sot në komisionin e ligjeve, përveçse është kryekëput kundër praktikës parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, është e paligjshme, në kundërshtim me kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin për Avokatin e Popullit.
PS mund të vendosë të zgjedhë me votat dhe firmat e deputetëve të saj, cilindo prej shërbëtorëve të saj haptazi ose fshehurazi, por nuk mund ta bëjë këtë duke mashtruar se është vullnet edhe i opozitës së vendit.
Ju faleminderit


