Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen e tij gjatë ceremonisë së dekorimit nga Bashkia Kavajë, duke theksuar lidhjet e forta dhe të veçanta mes qytetit të Kavajës dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Durmishi e cilësoi çdo vizitë në Kavajë si një mundësi për të përjetuar emocione të thella dhe për të vlerësuar mbështetjen e madhe që ky qytet ka dhënë për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë periudhës së luftës.
“Gjithmonë kur vij në Kavajë, ndiej emocione të veçanta. Ky qytet ka qenë një strehë për shumë kosovarë në kohë të vështira. Faleminderit për heroin e madh që na keni dhënë, Indrit Cara, dhe për mikpritjen dhe ndihmën që keni ofruar për një numër të madh kosovarësh që kërkuan strehë në këto kohë të vështira,” u shpreh Ambasadori Durmishi.
Durmishi gjithashtu theksoi se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të thella dhe se është e rëndësishme që këto lidhje të vazhdojnë të forcohen. Ambasadori Durmishi u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të thellohet në fusha të ndryshme.
Gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Durmishi nderoi Ambasadorin Ëilliam G. Walker për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës. Ai e vlerësoi Ambasadorin Walker si një figurë kyçe në momentet më të rëndësishme për Kosovën, duke theksuar se ai ka shkruar histori në një periudhë shumë të vështirë për vendin.
“Ambasadori William G. Walker ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së luftës për Kosovën, duke qenë një mbështetës i paepur i Kosovës. Ai ka shkruar histori për vendin tonë në një moment të veçantë”, u shpreh Ambasadori Durmishi.
Durmishi përfundoi fjalën e tij përshëndetëse duke shprehur besimin se bashkëpunimi dhe miqësia mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të thellohen dhe të rriten, duke u shprehur i sigurt se të ardhmen e dy vendeve do të jetë më e ndritshme dhe më e fuqishme, si rezultat i angazhimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.