Denisa Kele prezanton planin për AI: Ky nuk është projekt teknologjik, por betejë për besimin e humbur të qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve

FJALA E PEDAGOGES DHE DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË AI NË PD, DENISA KELE

Të nderuar përfaqësues të medias,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar qytetarë,

Dëshiroj që sot ta filloj me fakte, jo me retorikë ose premtime, por disa fakte të thjeshta.

A e dinit se sipas Indeksit të Demokracisë Dixhitale 2025, Shqipëria renditet në pozicionin 87 nga 193 shtete në treguesit e transparencës institucionale dhe qeverisjes dixhitale?

A e dinit se sipas Eurobarometrit 2024, vetëm 23% e shqiptarëve deklarojnë se u besojnë institucioneve shtetërore?

Dhe se sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, mungesa e sistemeve moderne i kushton ekonomisë shqiptare afërsisht 2.3% të GDP-së vjetore, para të taksapaguesve që humbasin jo nga korrupsioni aktiv, por nga paaftësia pasive.

Këto nuk janë shifra të opozitës, janë shifra të institucioneve ndërkombëtare, janë pasojë e 12 viteve çbërjeje dhe dobësimi të institucioneve, sepse institucionet e brishta kontrollohen, ndërsa ato të forta japin llogari.

Kjo qeveri ka pasur 12 vite për të modernizuar administratën publike. 12 vite për të luftuar korrupsionin. 12 vite për të ndërtuar sisteme transparente. Rezultati është i dokumentuar, i matshëm dhe i pamohueshëm.

Kjo qeveri e ka vjedhur edhe inovacionin. E ka vjedhur si koncept. E ka vjedhur si slogan. Dhe, mbi të gjitha, e ka vjedhur si burim financimi.

Në emër të “dixhitalizimit” dhe “inovacionit”, janë shpenzuar miliona euro para publike për sisteme që nuk funksionojnë, për platforma që nuk përdoren, për kontrata që shkojnë gjithmonë tek të njëjtët njerëz. Tendera teknologjikë ku kushtet shkruhen pikërisht për fituesin e paracaktuar. Projekte “smart” që mbeten vetëm në prezantime PowerPoint.

Kjo është e vërteta e “dixhitalizimit” shqiptar: fasadë moderne për shtetin, dhe burokraci mesjetare për qytetarin.

Por dua të shtoj edhe diçka tjetër, diçka që edhe ne si opozitë duhet ta themi me ndershmëri.

Një sistem AI në duart e njerëzve të pandershëm është thjesht një mjet më i sofistikuar për të vjedhur, jo për ta ndalur. Në duart e tyre, edhe algoritmet manipulohen dhe ngrihen plot paragjykime, të dhënat filtrohen dhe sistemet kanë “dyer të pasme” për të privilegjuarit ose ata në pushtet. Inteligjenca artificiale, në vetvete, nuk garanton asgjë. Nuk garanton transparencë. Nuk garanton drejtësi. Nuk garanton se paratë publike do të shkojnë ku duhet.

Qytetarët e Shqipërisë janë mashtruar shumë herë me premtime teknologjike. Janë mashtruar me shërbime digjitale që nuk hapen dhe bien pikërisht kur qytetari ose biznesi ka nevojë. Me reforma “digjitale” që në fund të fundit kërkonin sërish zarfin e njohur.

Departamenti i Inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale i Partisë Demokratike nuk është produkt i një tendence teknologjike. Nuk është fasadë, nuk është faqe interneti e bukur pa asgjë brenda.

Është përgjigje ndaj një diagnoze të qartë dhe të dokumentuar: institucionet shqiptare vuajnë nga dy deficite të rënda, deficit besimi dhe deficit kapaciteti.

Misioni im si drejtuese e parë e këtij departamenti është i thjeshtë: ta bëjmë teknologjinë instrument të demokracisë, jo dekor të saj.

Kur them infrastrukturë, nënkuptoj sisteme që funksionojnë pavarësisht se kush është në pushtet. Kjo është thelbi i demokracisë — jo besimi te individi, por besimi te sistemi.

Dhe kur them sistem, nënkuptoj diçka shumë konkrete.

Lejomëni t’ju prezantoj vizionin për këtë departament, pa fjalë të bukura, por me thelb.

Departamenti do të jetë një mjet për qytetarët, me qytetarët, për një rrugëtim të përbashkët drejt demokracisë së vërtetë, zhvillimit dhe konkurrueshmërisë në këtë sektor.

POR ÇFARË DO TË BËJMË NE?

Do të luftojmë propagandën dhe fasadën e këtij pushteti me fakte. Për këtë do të ngremë njësinë Fact-Check, e cila do të operojë sipas metodologjisë së organizatave ndërkombëtare si IFCN, International Fact-Checking Network, me protokolle transparente, burime të hapura dhe raporte periodike publike për të luftuar dezinformimin. Kjo betejë bëhet me sisteme verifikimi që funksionojnë pavarësisht nga cikli elektoral. Çdo pretendim i qeverisë, çdo shifër buxhetore, çdo premtim elektoral do të kalojë nëpërmjet një procesi rigoroz verifikimi, me burime të cituara dhe metodologji të hapur ndaj kritikës publike.

Bashkëpunimi me organizata të pavarura ndërkombëtare dhe ekspertë të ndryshëm shqiptarë, në vend dhe jashtë, do të garantojë që kjo njësi të mos jetë zë i një partie, por instrument i qytetarëve.

Po ju bëj një pyetje të gjithëve: kush nga ju është në gjendje të më thotë sot si ky pushtet po i shpenzon lekët e taksapaguesve? Jam shumë e bindur që secili prej jush mund të dijë pak ose aspak. Pse të mos përdorim teknologjinë për të analizuar buxhetet, kontratat, shpenzimet e pushtetit dhe të sinjalizojmë në mënyrë automatike parregullsitë, vjedhjet dhe shpërdorimet? Çdo shpenzim publik, çdo vendim buxhetor do të jetë i lexueshëm, i krahasueshëm dhe i arritshëm për çdo qytetar.

Për të mundësuar transparencën e buxhetit, ne do të ndërtojmë bazën e parë të të dhënave publike të hapura, duke agreguar dhe standardizuar të dhëna si buxhete, kontrata, vendime administrative dhe do ta bëjmë atë të aksesueshme, të analizueshme dhe të krahasueshme në kohë reale.

Mbi këtë bazë, do të aplikojmë modele inteligjence artificiale për identifikimin e anomalive në shpenzimin publik. Kur një kontratë publike devijon, sistemi sinjalizon në mënyrë automatike dhe jep mundësinë që të gjitha palët e interesuara të mbrojnë interesin publik. Në të njëjtën kohë, do të ndërtojmë platforma publike me të dhëna qeveritare të agreguara dhe të vizualizuara, e cila mund të përdoret nga kushdo: gazetar, analist, student, qytetar i thjeshtë, pse jo edhe prokuror, në funksion të transparencës, llogaridhënies ndaj taksapaguesve dhe përgjegjësisë morale dhe ligjore. Transparenca do të jetë themeli i qeverisjes sonë të ardhshme dhe ky departament do të jetë krahu mbështetës.

Shumë prej jush, me të drejtë, do të pyesin: si do ta sigurojmë besimin e qytetarëve? Pse ata do të besojnë që të dhënat tona nuk janë të “manipuluara” si ato të pushtetit? Si do t’i bëjmë kaq shumë gjëra në kaq pak kohë dhe me pak burime?

Në thelb të çdo platforme tonë do të kemi teknologjitë e reja: inteligjencën artificiale, teknologjinë blockchain si element kryesor të besimit dhe automatizimit.

Shpesh shumë prej nesh e lidhin blockchain-in vetëm me kriptomonedhat, por ai është shumë më tepër se aq. Ai është teknologjia në themel jo vetëm e kriptomonedhave, por edhe e kontratave inteligjente, sigurisë së të dhënave dhe shumë inovacioneve të këtij shekulli. Është teknologjia e pandryshueshmërisë dhe transparencës. Çdo transaksion, vendim apo dokument i ruajtur në infrastrukturën blockchain është i pamanipulueshëm, i verifikueshëm publikisht dhe nuk kontrollohet nga asnjë autoritet qendror. Dhe ne do të shfrytëzojmë sa më shumë këto teknologji, qoftë për të fituar besimin e qytetarëve, qoftë për të ngritur në të ardhmen e afërt infrastrukturën moderne të qeverisjes së Shqipërisë. Mundësitë janë të mëdha, dhe projekte si digjitalizimi i diplomave akademike ose implementimi i kontratave inteligjente (smart contract) të qeverisë do të jenë disa nga hapat që do të ndërmarrim kur të jemi në qeverisje.

Ne besojmë fuqimisht në fuqinë dhe mundësinë që inteligjenca artificiale ofron, dhe besojmë se mund të pilotohet në tre sektorë primarë: arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë e SME-ve, me qëllim përmirësimin e eficencës dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

NË ARSIM:
Po studiojmë adaptimin e modelit koreano-jugor të mësimdhënies individuale me inteligjencë artificiale, personalizim i trajektores mësimore për çdo nxënës, duke reduktuar pabarazinë arsimore të lidhur me gjeografinë dhe statusin socio-ekonomik. Një fëmijë në Kukës dhe një fëmijë në Tiranë duhet të kenë akses në të njëjtin nivel cilësor mësimi. AI e mundëson këtë, nëse ka vullnet politik.

NË SHËNDETËSI:
Po analizojmë përdorimin e inteligjencës artificiale në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të ndryshme. Studimet kanë treguar reduktim deri në 40% të kostove spitalore në vende pilot. Digjitalizimin e të dhënave të pacientëve në nivel kombëtar duke përdorur teknologjinë blockchain për të ofruar siguri të të dhënave, akses të menjëhershëm në emergjenca dhe eliminim të abuzimeve në sistemin e shëndetit publik.

NË EKONOMI:
Përdorimin e modeleve ekonomike inteligjente për SME-të shqiptare, bizneset e vogla dhe të mesme që përbëjnë 80% të ekonomisë vendase, por kanë akses minimal në instrumentet moderne të planifikimit dhe analizës. Këto nuk janë utopi, janë pilotë të dokumentuar shkencërisht.

DEMOKRACIA PËRFAQËSUESE po kalon krizën e saj më të thellë strukturore në dekada. Zgjedhjet çdo katër vite nuk mjaftojnë më si mekanizëm llogaridhënieje në një botë ku informacioni qarkullon në sekonda dhe ku qytetari pret reagim, jo vetëm përfaqësim.

Në funksion të këtyre ndryshimeve tektonike, ne mendojmë zhvillimin e platformave për përfaqësim të drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje, duke kërkuar mendimin e tyre në lidhje me problematika dhe çështje që i prekin drejtpërdrejt. Kjo qasje mbështetet edhe në teorinë e “zgjuarsisë së masës”, e cila thotë se mesatarja e vendimit të masës është gjithmonë më e mirë se çdo vendimmarrje individuale. Këto platforma do të shërbejnë si instrumente të demokracisë deliberative, një koncept i teoricienëve Habermas dhe Fishkin, i zbatuar tashmë me sukses nga Tajvani përmes platformës vTaiwan, ku ministrja Audrey Tang ka transformuar mënyrën sesi qytetarët dialogojnë me pushtetin.

Ne e sjellim këtë model në kontekstin shqiptar: votim digjital mbi vendime partiake, raportim i problemeve lokale, dialog i hapur midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij. Por të gjitha këto nuk do të jenë të mundura pa njerëz, individë që i kuptojnë, ekspertë që i operojnë dhe i sfidojnë. Prandaj, një nga shtyllat tona do të jetë edhe rritja e kapaciteteve, brenda partisë por edhe te qytetarët. Do të zhvillojmë trajnime për të rinjtë në teknologjitë moderne, duke i përgatitur ata që së bashku të ngremë qeverisjen digjitale që Shqipëria meriton.

Gjithashtu, në bashkëpunim me institucione edukimi, qendra inovacioni, think tanks dhe jo vetëm, brenda dhe jashtë vendit, synojmë të ndërtojmë një ekosistem të hapur dhe gjithëpërfshirës, i cili përthith talentet vendase, diasporën si dhe ekspertë të huaj me qëllim ndërtimin e modeleve vendase për qeverisjen e së ardhmes.

Koreja e Jugut nuk u bë fuqi teknologjike botërore duke importuar ekspertë, u bë duke formuar breza të tërë inxhinierësh, shkencëtarësh dhe inovatorësh vendas. Ne po fillojmë atë proces sot.

Dëshiroj ta mbyll fjalën time sot me urimin që i bëjmë çdo fëmije të sapolindur: “pastë këmbën e mbarë”, pasi ky departament është një bebe që do të ketë nevojë për mbështetje për të hedhur hapat e parë, por do të jetë ai që do të na bëjë krenarë ne dhe Shqipërinë, duke mos lejuar pushtetin e abuzimeve, dezinformimit, fasadës, kaosit dhe shkatërrimit, që të na lërë përsëri të fundit në Evropë dhe në Ballkan.

Ne kemi çfarë nevojitet: kemi mendje të shkëlqyera, kemi të rinj që konkurrojnë me sukses në çdo cep të botës, kemi diasporë me ekspertizë ndërkombëtare dhe kemi qytetarë të lodhur nga retorika boshe dhe të etur për substancë.

Shqipëria meriton qeverisje moderne, të ndershme dhe të zgjuar.

Faleminderit të gjithëve për këtë mundësi dhe gjithë mbështetjen që më keni shprehur këto ditë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale