Blendi Himçi: Këshilltarët bashkiakë socialistë të Elbasanit rrisin tarifat e të paktën 8 shërbimeve për qytetarët e kësaj bashkie, kryebashkiaku justifikohet se janë rritur kostot

Deklarata e deputetit të PD, Blendi Himçi:

Të nderuar qytetarë,

Në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe pa asnjë analizë ekonomike, mazhoranca në Këshillin Bashkiak të Elbasanit votoi pro rritjes së tarifave për vitin 2026, duke prekur të paktën 8 shërbime bazë. Kjo vendimmarrje u mor pa transparencë, pa konsultim me qytetarët dhe duke injoruar realitetin e vështirë ekonomik që po përjeton qyteti i Elbasanit.

Ky vendim është absurd nga fillimi në fund. Si mund të rritet tarifa e pastrimit, kur koshat e mbeturinave janë çdo ditë plot? Si mund të rritet tarifa e ndriçimit, kur lagje të tëra të Elbasanit jetojnë në terr? Si mund të kërkohet taksë për mirëmbajtjen e infrastrukturës, kur rrugët e qytetit ngjasojnë me realitetin e mesjetës?

Përballë këtyre realiteteve, Kryetari i Bashkisë, z. Llatja, justifikohet se ‘kostoja e shërbimeve është rritur’. Por cilat shërbime? Elbasani sot është një nga qytetet më të harruara të vendit, me shërbime minimale dhe infrastrukturë të degraduar. Me këtë situatë, qytetarëve po u kërkohet të paguajnë më shumë, ndërsa u ofrohet gjithnjë e më pak.

Kjo s’është hera e parë që ndodh. Sa herë ka zgjedhje, Partia Socialiste premton ulje taksash, rritje rrogash dhe mbështetje për biznesin. Por vetëm 6 muaj pas zgjedhjeve, Bashkia e Elbasanit vendos të rrisë me 30 deri në 100% tarifat për qytetarët elbasanas. Kjo nuk është qeverisje, kjo është mashtrim i hapur elektoral.

Edhe më shqetësues është fakti që kjo paketë fiskale nuk është shoqëruar me asnjë analizë financiare. Nuk ka asnjë studim kosto–përfitim dhe asnjë shpjegim pse rritja bëhet në këto përmasa. Në vend që të ulin administratën e fryrë dhe të mbushur me patronazhistë të përdorur në fushata, zgjedhja e tyre është t’u marrin qytetarëve edhe qindarkën e fundit.

Absurditeti rritet edhe më shumë kur shohim që tarifat rriten edhe në zonat rurale për ndriçim, gjelbërim apo pastrim, ndërkohë që Bashkia nuk ofron asnjë shërbim real. Në fshatra nuk ka ndriçim publik, nuk ka mirëmbajtje rrugësh dhe shërbimi i pastrimit pothuajse nuk ekziston. Përse duhet të paguajnë banorët për shërbime që nuk ekzistojnë?

E gjithë kjo ndodh në një kohë kur situata ekonomike e Elbasanit është alarmante:

* gjysma e bizneseve kanë falimentuar,

* pensionistët mezi mbyllin muajin,

* të rinjtë largohen çdo ditë,

* ndërsa Bashkia vepron sikur qyteti të jetonte në mirëqenie dhe rrit tarifat pa asnjë ndjeshmëri sociale.

Pa asnjë diskutim, Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, po ndjek të njëjtën qasje si Kryeministri, duke aplikuar politika fiskale të rënda për qytetarët, pa transparencë dhe pa përkujdesje për mirëqenien e tyre. Ky vendim është dëshmi e një qeverisjeje që shikon interesat e saj politike, e jo nevojat e qytetarëve.

Partia Demokratike gjykon se rritja e tarifave për vitin 2026 është një vendim i padrejtë, i paargumentuar dhe i dëmshëm për qytetarët e Elbasanit. Ne kërkojmë transparencë të plotë, analizë të qartë të kostove, shkurtim të administratës së fryrë dhe ndalimin e shpërdorimit të fondeve publike. Qytetarët nuk mund të mbajnë mbi shpatulla barrën e korrupsionit dhe keqmenaxhimit.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale