Berisha: Tuneli i Llogarasë është aferë korruptive direkt e Edi Ramës, Lubia ishte thjesht masha e tij

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion të drejtpërdrejtë në projektin e Tunelit të Llogarasë. Berisha tha se tuneli është një aferë korruptive madhore e qeverisë, që u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë rreth 90 milionë euro më shumë se parashikimi fillestar.

Kryetari i PD deklaroi se, Belinda Balluku ka qenë “vetëm masha” e Ramës në këtë proces, ndërsa vendimet kryesore për anulimin e tenderit të parë dhe përzgjedhjen e kompanisë turke fituese janë marrë personalisht nga kryeministri.

Berisha theksoi se kompania turke, e cila fitoi tenderin me një ofertë më të lartë me rreth 50 milionë euro, ishte më parë e skualifikuar dhe nuk mund të merrte pjesë si nënkontraktore. Ai shtoi se Rama dhe Balluku kanë fshirë postimet e vjetra në rrjete sociale që tregonin takimet me kompaninë turke gjatë vizitës në Ankara në vitin 2021.

Lideri opozitar, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët tha se, kompania “Gjoka” është përfshirë në mënyrë të paligjshme si nënkontraktor, pasi është sponsor i Olsi Ramës, dhe se paratë e marra nga tenderi janë ndarë mes kryeministrit dhe ministrave të tij. Ai gjithashtu tha se afera e Aeroportit të Vlorës është edhe më e rëndë për qytetarët shqiptarë, pasi qeveria ka firmosur një kontratë që, sipas tij, parashikon pagesa prej 140 milionë eurosh për “bileta të munguara” gjatë dhjetë viteve të para të funksionimit të aeroportit.

Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe t’i japin fund asaj që e cilësoi si “regjim hajdutësh”, duke theksuar se ky është një shtet që nuk ka Kushtetutë, nuk ka moral dhe nuk ka asnjë kod etik, por që çdo ditë vjedh paratë e taksapaguesve.

Gjatë konferencës me gazetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se rreth tre javë më parë, në orën 11 të natës, Erion Veliaj ka lënë qelinë, por nuk ka shkuar në spital. Berisha pohoi se ky fakt është “100% i sigurt”, ndërsa vendndodhja e mëvonshme e Veliajt mbetet e paqartë, me zëra që flasin për Surrelin, por pa konfirmim. Berisha shtoi se vetë Veliaj është ankuar se është trajtuar me regjimin e një vrasësi serial gjatë qëndrimit në paraburgim. Ai theksoi se disa gjyqtarë që kanë votuar kundër dekretit të presidentit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave kanë respektuar parimet e Komisionit të Venecias, ndërsa akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të ndikojë në drejtësi dhe të mbrojë bashkëpunëtorët e tij.

Lideri historik i PD, Sali Berisha ka komentuar sërish mbi zgjedhjet e 11 majit dhe bashkëpunimin me ekipin e konsulentit amerikan LaCivita, duke theksuar se ky ekip nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. Berisha tha se pagesa për ekipin amerikan ka qenë shumë më e ulët se shifrat e publikuara nga qeveria, duke e cilësuar “mashtrim” propagandën e Ramës. Berisha tha se, shumica e shkeljeve që ndodhën gjatë zgjedhjeve të 11 majit ishin nën përgjegjësinë direkte të Edi Ramës, duke përfshirë arrestime politike, përdorimin e burimeve shtetërore për fushatë elektorale, shpërndarjen e pensioneve, dhënien e lejeve ndërtimore dhe legalizimeve, si dhe ndikimin e krimit të organizuar dhe medieve në rezultatin e zgjedhjeve.

Berisha gjithashtu njoftoi pranimin e dorëheqjes së Bujar Leskaj nga pozicioni i drejtuesit politik të qarkut të Vlorës, duke theksuar se Leskaj do të vazhdojë të kontribuojë në PD, por jo në këtë rol drejtues.

Berisha gjithashtu kritkoi shpenzimet e kandidatëve dhe koalicioneve të tjera gjatë fushatës në Fier, duke përmendur se vetëm Lubia kishte shpenzuar të paktën 5 milionë euro, ndërsa shumat e tjera të pretenduara nga qeveria ishin blofe dhe propaganda. Ai vlerësoi kontributin e Partisë Demokratike si aksionin kryesor në koalicion, ndërsa partitë aleate kontribuan sipas kapaciteteve të tyre.

Duke folur për veprimet kundër qeverisë, Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme kundër Edi Ramës, të cilin e quajti “hajdutin kryesor” dhe “numër një të kombit”. Ai theksoi se këto protesta do të jenë të drejtuara për të nxjerrë në pah përgjegjësinë e Ramës në aferat korruptive, përfshirë inceneratorët, dhe se çdo energji do të fokusohet në goditjen e qeverisë së tij.

Në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, Berisha theksoi se vendi nuk plotëson kriteret e integrimit përveç atij gjeostrategjik. Ai tha se opozita ka bërë të pamundurën për të informuar institucionet e BE-së dhe ambasadat për zhvillimet në vend dhe ka arritur të miratojë disa rezoluta ndërkombëtare që konfirmojnë raportin e OSBE-ODIHR. Sipas tij, qeveria aktuale po shkatërron ekonominë dhe po mban një “narkoregjim” që dëmton punësimin, eksportet dhe prodhimin industrial e bujqësor, duke detyruar shqiptarët të largohen nga vendi.

Në përmblyllje të konferencës me gazetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha organizoi një minutë heshtje për ish-zëvendëspresidentin e SHBA, Dick Cheney, duke e përshkruar atë si mik të shqiptarëve dhe një mbështetës të pavarësisë së Kosovës. Ai shtoi se nuk ka bërë dhurata të çmuara të paligjshme, duke përmendur rastin e dhurimit të një shpatë artizanale Mbretëreshës Elizabeth në vitin 1992, dhe e konsideroi Cheney një zëvendëspresident të nderuar dhe të respektuar.

FJALA E PLOTË

Kumbullat dhe dardhat i ha Edi Rama, të tjerëve u hedh bishtat nga mbrapa.

Tuneli i Llogarasë është kryekëput një nga aktet madhore korruptive direkt të Edi Ramës.

Lubi Balluku është thjesht masha e tij për realizimin e kësaj afere, qëu ka kushtuar qytetarëve shqiptarë jo 50, por 90 milionë euro më shumë se sa ç’ishte parashikuar.

Është Rama dhe vetëm Edi Rama ai që ka përcaktuar anulimin e tenderit të parë, shpalljen e tenderit të dytë dhe shpalljen fitues të kompanisë turke me një shumë 50 milionë më shtrenjtë se sa kompania që do të ndërtonte tunelin e Llogarasë.

Kompani, e cila me përcaktim ligjor, nuk mund të ishte nënkontraktor sepse e kishin skontuar. E kishin skontuar nga tenderi.

Edhe njëherë aty ku ishim.

Facebook-u i fshirë i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk kanë më as në Instagramet e tyre, fotot krenare me kompaninë turke me 3 qershor 2021.

Por ju lutem lexojeni: Ditë plot produktivitet gjatë vizitës në Turqi shkruan Sulltanesha. Takime me kompanitë e ekselencës në fushën e teknologjisë dhe infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor.

Ja pra ku janë në Ankara, në pazare, por që kurrë nuk mund t’i bënte vetë Lubia, ato i bënte vetëm Sulltani, ky hajdut i shpifur, më i keqi, më i madhi në historinë e kombit shqiptar, që përpiqet tani nëpërmjet altoparlantëve të tij të justifikohet se 50 milionë euro të qytetarëve shqiptarë i bëri kurban si detyrim ndaj presidentit Erdogan për apartamentet që ndërtoi në Laç dhe që duhej shprehur mirënjohja.

E kuptoni ju se ky është hajdut ndërkombëtar?

E vërteta është se duke ngritur akuzën në minimumet e ligjit, prokurori nxori lakuriq para shqiptarëve Edi Ramën.

Ja pra ku janë. Ja ku është bërë marrëveshja.

Ja ku po studion kontratën. Ja Sulltani me Sulltaneshën.

Dhe kanë paturpësinë që të shkruajnë se bëra si detyrim ndaj apartamenteve.

Asnjë lidhje. Asnjë lidhje.

Ato ishin dhuratë e taksapaguesve turq, për të cilët shqiptarët janë mirënjohës.

1 miliard e 400 milionë euro janë ndihmë gjermane nga viti 1987 gjer sot.

Mbi 1 miliard janë ndihmë italiane.

Por nuk ka ndodhur kurrë.

Po, mikut, partnerit i bën një favor, por jo në kurriz të taksapaguesve të tu.

Dhe jam i sigurt se nuk ka asnjë lidhje.

Janë të gjitha të vjedhura nga Edi Rama dhe bishtat e dardhave nga Lubi Balluku.

Ajo, duke e parë se ky është një disgraciato, e quan atë Palloshi i Gjatë.

Një denigrim total.

Imagjinoni, zëvendëskryeministrja për kryeministrin.

Kjo është gjuha që përdoret në qeveri, të dashur qytetarë.

Sepse ajo ka parë se ai nuk ka as kod, as moral, por vetëm të vjedhë dhe i ka zhytur ata në krime.

Në qoftë se nuk do ndërhynte ai, Lubia nuk do mund të imagjinonte, jo të ndërmerrte, por nuk do mund të imagjinonte të firmoste për 50 milionë euro, që në fakt kanë shkuar 80-90 deri tani, se është dyfishuar kjo shumë më vonë.

Pra tuneli nuk ka kushtuar 180, por ka kushtuar të paktën 220 deri në 230.

Ja pra, e kanë hequr të dy nga Facebook. Me vrap.

Të kesh këtu këtë dyshe dhe të thuash se i ka vjedhur Lubia, mashtron veten.

Po merrni pak Gjokën ju.

Gjoka është sponsori kryesor dhe krenar i Olsi Ramës, ju e dini këtë.

Ata nuk e fshehin këtë, e ekspozojnë kudo.

Prandaj dhe Gjoka u lejua, në kundërshtim me ligjin e prokurimeve, pasi nuk u shpall fitues në tender, të jetë nënkontraktor.

Ta ndërtojë tunelin, po natyrisht 50 milionë euro t’i marrë Rama dhe ca thërrime, disa milionë, t’i ndajë edhe me Lubinë.

E njëjta kompani turke është kompania e aeroportit të Vlorës.

Përpiqet ta mbyllë, por aeroporti i Vlorës, për qytetarët shqiptarë, është akoma më i rëndë për taksapaguesit shqiptarë se tuneli i Llogarasë.

Sepse në aeroportin e Vlorës, Edi Rama ka firmosur kontratën që do i paguajë vetes së tij, gjoja Pacollit, 140 milionë euro 10 vitet e para për biletat e munguara.

A ka krim më të shëmtuar se ky?

Në një kohë kur aeroporti për 10 vitet e para mund të ndërtohej me një të tretën e kapacitetit, e njëjta praktikë që është ndjekur me aeroportin e Tiranës.

Pra, të dshur qytetarë dhe qytetare, unë mendoj se duke ngritur akuzën ndaj Belinda Ballukut, prokurori i çështjes ka ngritur akuzë, ose u ka autorizuar ju të ngrini akuzën më të fuqishme ndaj Edi Ramës.

Ai, të jem i sinqertë, nuk u mjaftua me Ervis Berberin, as me Gjylin, as me Myzyrin.

Pra, me asnjërin prej tyre nuk u mjaftua, shkoi tek Sulltanesha, tek Lubia për t’i thënë çdo shqiptari se ky është Edi Rama.

Se Lubia me fustan është Edi Rama, burreci që fshihet pas fustaneve të grave.

Se nuk do ta lëshoj gojën, turp.

E ka urdhëruar, nuk mund të bënte kurrë zëvendësi marrëveshjen 50 milionë.

Marrëveshja është kryekëput e Edi Ramës.

Ndaj qytetarë, gjithçka është e qartë para jush, është fjala juaj, është vullneti juaj për t’i dhënë verdiktin përfundimtar këtij hajduti që kombi nuk e ka pasur në gjithë historinë e tij.

Pra, aktakuza lexon Belinda Balluku, por në fakt në moral, në germë dhe çdo gjë është kundër Ramaduros, kundër Edi Ramës.

PD do ngrihet e tëra.

Ky narkoshtet që në pamje të parë po shkërmoqet çdo ditë, jo të dashur qytetarë të dashur, ky po u vjedh ju çdo ditë.

Në qoftë se nuk ngrihemi, ikën njëri, vjen tjetri dhe ju do vidheni gjithnjë e më shumë.

Rruga e vetme është të ngrihemi, t’i japim duart këtij regjimi që nuk ka Kushtetutë, nuk ka kod, nuk ka moral, por që vjedh në mënyrë të tmerrshme paratë e taksave tuaja.

Edi Rama, jo vetëm ka firmosur, por ka shtuar fondin me 150 milionë lekë për studimin e fizibilitetit të tunelit të Llogarasë.

Shtesë që e ka marrë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Pas kthimit nga Turqia dhe pasi anulimit të tenderit, shpallën tenderin përsëri me datën 24 qershor 2021.

Me 3 qershor ishin në Ankara.

Fundi i dorëzimit të dokumenteve ishte data 28.7.2021.

Leja e zhvillimit është firmosur pa u firmosur fituesi i tenderit, 14 ditë përpara.

Gjithçka e paracaktuar.

Gjithçka e rakorduar.

Leja e zhvillimit është firmosur që me datën 13.7.2021.

Leja e ndërtimit, kjoështë famozja Adelajda Roka, është firmosur me 28.5.2025.

Shikoni një kryeministër që shkon në Theth dhe i prish shtëpinë e ndërtuar në tokën e tij tjetrit, pse e ke ndërtuar pa leje, ndërkohë ndërton objektin 220 milionë euro pa leje dhe firmos lejen e ndërtimit me 28.5.2025.

A mund ta imagjinoni ju?

Ky është narkoshtet ku ligjet dhe Kushtetuta nuk kanë asnjë vlerë.

Tani më thoni ju mua, lejen e ndërtimit e ka Lubia apo e ka Edi Rama?

Kush i ka lejet e ndërtimit.

Nuk jam këtu për t’i bërë asnjë lloj avokatie, se ju e dini qëndrimin tim ndaj saj, por ajo është një Rahmetlie tani.

Hajduti i vërtetë i kësaj afere, i aeroportit të Vlorës dhe të tjera që do shohim, është Edi Rama, Edi Rama, Edi Rama.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, a mendoni se do të flasë Belinda Balluku edhe për inkrimin e Ramës, ashtu siç e akuzoni ju, në këtë aferë dhe në afera të tjera. Ka patur lajme në media për një shkarkim të mundshëm të Ballukut, ndërkohë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Berisha: Tani, gossipi thotë shumë. Gossipi thotë se Gjushi i tha Ramës, për tre ditë të marr me vete po më arrestove.

Lefter Koka ju drejtua duke i thënë se, vrimën e miut do të gjesh.

Lali vjedhësi, të dola borxhit, tani është radha ime.

Këto janë të vërteta.

Lubia i ka thënë që, mos mendon se jam ai qurraveci i bashkisë, unë të marr me vete.

Madje të njëjtën gjë i ka thënë prokurorit dhe këtij, se ‘më sheh me rroba grash, por unë vishem si burrat’.

Rikthehet tek gjyshi i saj serial killer. Kështu ka qenë Beqiri në fakt, vishem si burra, tek instikti.

Praktika e ka treguar këta kanë shkuar të gjithë aty ku e meritojnë, dhe këtij nuk ja kanë arritur, por do të jenë qytetarët që do i bëjnë gjyqin këtij.

Në këtë rast, të jem i sinqertë, prokurori ja shqeu derën Edi Ramës. Është ky. Unë po them Lubi këtu, por në të vërtetë u takon qytetarëve tani, se këto janë gjëra që kurrë nuk mund të ndodhnin veçse me diktimin e Ramës. Ndryshe asnjeri nuk mund ti bënte.

Nuk ka më të thotë se, unë nuk kontrolloj këtë e atë. Por ky është vetë këtu, ja ku është. Është ulur mbi 50 mln euro hajduti.

130 milionë euro djegësi i Tiranës.

A e morët vesh ju, se dje shpallën falimentimin e strategjisë së djegësave. Pasi i shpenzuar qytetarëve shqiptarë 400 mln euro me llamarinat e Fierit dhe Elbasanit dhe për to nuk ka njeri të dënuar për korrupsion, sepse është Edi Rama. Është Edi Rama.

Por nëqoftëse Erion Veliaj nuk mund të themi se, ishte këmisha e Edi Ramës, për Lubinë pak është me thënë këmisha. Këmisha dhe më shumë se këmisha e tij.

Tek Lubia nuk ka ku shkon, është vetë Edi Rama.

Pavarësisht nga komentet e ndryshme që bëjnë dhe që i kam dëgjuar, qëndrimi im është ky: Ata gjykatës që votuan kundër dekretit të presidentit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, ata respektuan, zbatuan, parimin ndërkombëtar të shprehur shumë qartë nga Komisioni i Venecias.

Të tjerët thonë se i nxiti ky apo ai. Ata kanë votuar me atë direktivë.

Edi Rama thotë ta nxjerrim nga burgu. Por e dëgjuat ju, ai i kishte caktuar atij regjimin e serial killerit.

Në qeli thotë Erion Veliaj, u trajtova me regjimin e vrasësit serial.

Tani unë nuk dua të hyj në enigma, por këtu tek ju kam deklaruar, kam informuar publikun dhe ju se rreth 2-3 javë më parë, në orën 11 të natës, Erion Veliaj e la qelinë dhe kjo është 100% e sigurtë.

Variantet se ku shkoi janë të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk mund të them se cili është, ndaj dhe citimi i tyre ishte i pavlerë.

Ishte në Surrel, ishte këtu apo … nuk e di se ku ishte, të them haptas, se po ta dija e them. Por atë që di 100% di që e la qelinë dhe nuk shkoi në spital. Këto të dyja i di, për të tjerat nuk mund të them.

Ndaj dhe në këto kushte se, çfarë zhvillohet brenda tyre është vështirë ta gjesh. Veliaj i tha se më grabite si FARC, si ushtria e drogës së Kolumbisë.

Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, ditën e djeshme u zbulua se PD ka paguar 1.4 mln euro ose dollarë për Chris LaCivita dhe ekipin e tij të fushatës. Një parti opozitare, e cila ka 12 vite në opozitë, si i justifikon këto para të derdhura vetëm për një kontratë? A ia vlejti kjo pagesë për Chris LaCivita?

Berisha: Së pari, ju dhe çdo shqiptar, mësuat dje se shifra e paguar ishte 14 herë më e vogël nga ajo që shpalli Edi Rama dhe makineria e tij e mashtrimit.

Në rast se shkoni në mars të këtij viti, do gjeni shifra 22 milionë e me radhë.

Dhe ju e patë, dhe shqiptarët e panë, se kjo shifër ishte jo 10, por 15 herë më e ulët.

Pra, tullumbacja e skandalit të tyre u shfry dhe atyre u ngeli mashtrimi në dorë.

Ekipi i LaCivita, pa diskutim ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme.

Por, dhe bëri më të mirën e mundshme. Dhanë një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar.

Organizuan një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë.

Por ekipi i tyre nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare të vendosur në Shqipëri nga Edi Rama.

Meqë jam këtu dhe më bën këtë pyetje, unë shtroj disa pyetje.

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, në rast se në kundërshtim flagrant me parimet ndërkombëtare të demokracisë dhe pluralizmit, Edi Rama nuk do arrestonte në vitin elektoral dhe do ndiqte penalisht liderët e tre partive kryesore opozitare?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, në qoftë se Edi Rama, duke shkeluar 4350 herë ligjin e vendit, nuk do organizonte 4350 evente, siç thonë raportet ndërkombëtare, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se Edi Rama nuk do përdorte të gjitha burimet e qeverisë në fushatë elektorale, duke shkelmuar parimin më themelor të zgjedhjeve, atë të barazisë, duke krijuar një fushë krejt të pabarabartë?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se Edi Rama nuk do shpërndante për çdo pensionist 100 euro?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do faleshin 200 milionë gjoba dhe kamata?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do jepeshin mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi, etj?

Cili do të ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do bëheshin mbi 10 mijë punësime të përkohshme për qëllime elektorale?

Çdo qytetar të pyesë veten, cili do ishte rezultati në qoftë se nuk do jepeshin licenca për të mbjellë kanabis në 28 mijë hektarë në mbarë vendin kundrejt 200 hektarëve që lejon ligji?

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve në qoftë se kartelet e drogës së Suel Çelës, Troplinit, Bajrëve, nuk do nxirrnin hanxharët e krimit dhe milionat e eurove të krimit për të rrëmbyer vota?

Aq sa Michael Gaghler deklaroi në Parlamentin Europian se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin në Shqipëri.

Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në qoftë se 90 përqind të medieve nuk do këndonin melodinë e qeverisë?

Ja pra, janë të gjitha këto që LaCivita i konstatoi, i pa me sy.

Por të gjitha këto janë të raporteve ndërkombëtare të vëzhguesve të zgjedhjeve, që konkluduan se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shtet.

Pra, në Shqipëri nuk ka zgjedhje, ka farsë.

Prandaj beteja vazhdon, kjo është betejë në vazhdim.

Ka pasur një betim solemn tonin, do mbrojmë votën dhe ne kemi mbrojtur votën në mënyrën tonë.

Ne nuk jemi guerile, nuk e mbrojmë me armë, ne jemi parti demokratike, metodat tona janë paqësore.

Por avoketërit e kyçën gojën, nuk flasin dot më as për standarde, as për kështu, as ashtu.

Kjo është e gjitha.

Ndaj dhe me këtë rast, shpreh falënderimin tim qeverisë së SHBA që nuk e uroi Edi Ramën, pasi fitorja e tij është kallp.

Zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme.

U përket qytetarëve tani të flasin.

Absolutisht kam besim më të pakufishëm se shqiptarët do flasin.

Andon Kello, Abc News: Ditën e djeshme drejtuesi i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj ka njoftuar se ka dorëzuar pranë jush dorëheqjen nga ky post de njoftimin e bën vetëm pak ditë para zgjedhjeve të pjësshme lokale në Vlorë. Keni pranuar ju dorëheqjen e Leskajt?

Berisha: Tani, e vërtetë është ajo. Bujar Leskaj ka ardhur dhe më ka dhënë dorëheqjen si drejtues qarku. Nuk kam ndonjë koment tjetër gjersa ai e ka bërë publike dhe unë e vlerësoj dorëheqjen e tij dhe kaq mund të them.

Sugjerimi i tij është sugjerim i tij. Por si hap unë këtë deklaroj.

Ai do të japë kontributin në PD, natyrisht jo si drejtues qarku.

Elda Menga, Top Channel: Z.Berisha, për t’u kthyer tek raporti që keni dorëzuar në KQZ, ne ende nuk morëm një përgjigje nëse ju e vlerësoni si investim të gabuar pagesën që i keni bërë strategut Chris LaCivita, i cili në fakt kishte premtuar që do të bënte mrekullinë për PD, por mesa duket mrekullinë e ka bërë për xhepat e tij, pasi ka marrë 1.6 mld dollarë. Pasi po i hidhja një sy raportit të shpenzimeve, PD rezulton që ka shpenzuar në fushatë dyfishin e parave të PS.

Berisha: A ka shaka më të madhe se kjo. Mirë ata që mund të kenë raportuar kështu, por ju duhet të qeshni nga kjo.

Do të ngarkoj një njeri, bashkë me ju të shkoni. Unë të garantoj që, të paktën 5 mln Lubia në Fier nuk është ndarë. Vetëm Lubia.

Por ka një gjë. Ne raportojmë shifra të vërteta, ata mashtrojnë se i kanë të tyre. Ka gjë më të turpshme se kjo.

Të gjithë drejtorët me radhë, me makina, sekretare të gjithë kanë qenë në fushatë. Por e di sa kushton dita. Kanë qenë 3 muaj në fushatë.

Vetëm Lubia ka minimumi 5 milionë në qarkun, minimumi. Pa llogaritur sa ka shpenzuar për llogarisë të Lubisë, Arben Qimja, Renato Salihi dhe ‘Hakmarrja për drejtësi’, pa llogaritur këto, që i kishte si ushtarë me vete Lubia.

Dmth kur sheh shifra të pakrahasueshme mos i krahaso.

Ne kemi treguar të vërtetën, aq kemi shpenzuar, aq sa është thënë në KQZ. Të tjerat blofe. U tha 22 mln, lexoni çfarë tha në fillim Edi Rama me propagandën e tij. Kjo është.

Prandaj nuk kanë gjë të vërteta ato.

Ja vlejti, 100 herë ja vlejti. Ja vlejti sepse, ata njerëz me eksperiencë të jashtëzakonshme u angazhuan dhe në trajnime, instruksione të parimeve dhe vlerave konservatore tek të rinjtë, kandidatët dhe me radhë.

Pra ishte një shkollë e vërtetë konservatorizmit prania e tyre këtu. Ja vlejti shumë sepse një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Ata arritën të formësojnë, të paraqesin shqiptarëve fushatën më të bukur që ata kanë parë ndonjëherë.

Ja vlejti shumë sepse ata panë, se një kukull e Soros, i ngjashëm me Maduron, ndaj quhet Ramaduro në mediat amerikane apo me Noriegën nuk respekton asnjë parim, asnjë princip, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira.

Ja pra ja vlejti.

Elda Menga, Top Channel: Mesa po kuptoj, ju po hamendësoni se PS ka bërë deklarim të rremë në KQZ dhe këtë do e zbulojë auditi…Referuar raporteve të KQZ rezulton se PL ka deklaruar se i ka dhënë PD për fushatë rreth 70 mijë euro. Ndërkohë, PD ka deklaruar se i ka marrë 150 mijë euro. Rezulton në mospërputhje shifrash.

Berisha: Tani këto unë nuk jam marrë më asnjë euro. Mund të ketë deklarata të gabuara, mund të ketë gabime dhe korrigjohen, por kjo nuk ndryshon asgjë prej gjëje.

Kjo nuk ndryshon. Kemi qenë një koalicion dhe në këtë koalicion, Partia Demokratike ka qenë ‘share holder’ kryesor dhe sigurisht përballues kryesor i shpenzimeve, por partitë e tjera aleate kanë kontribuar në mënyrat e tyre.

Osman Stafa, News 24: Përreth 1 vit opozita ka zhvilluar protesta përpara Bashkisë së Tiranës ku kërkonte dorëheqjen e Erion Veliajt dhe përballjen e tij hetimin për aferën e inceneratorëve, 5D, etj. Ndërkohë për atë që ju e konsideroni si hajdutja më e madhe e Shqipërisë në 100 vite, Belinda Ballukun, opozita nuk ka një protestë të organizuar kundër saj. Pse PD nuk organizon apo nuk ka menduar për të mbajtur protesta për të kërkuar hetim, për të kundërshtuar, ku vet opozita e PS e 2011, për blloqet e Ilir Metës ka organizuar protesta mjaft të forta.

Berisha: Ju garantoj se protesta shumë të fuqishme do organizohen, por protestat do të organizohen për hajdutin kryesor, numër një të kombit të të gjitha kohërave.

Se tani qesharakë nuk bëhemi ne.

Të themi se tunelin 50 milionë e kemi prej kësaj.

Ja ku është autori.

Kështu që ne do organizojmë protesta dhe shumë të fuqishme dhe hajdutit më të madh të shqiptarve, qytetarët nuk do i ndahen kurrë gjersa t’i japin vendin që meriton.

Nuk ka njeri të drejtë dhe të ndershëm që të mohojë se kjo aferë është e përbashkët, ku aksionet kryesore i ka kreu.

Inceneratorin e ka bërë Edi Rama, por siç e di ti, për inceneratorin ka vetëm dy drejtorë bashkie të burgosur dhe asnjë zyrtar tjetër.

Dhe të akuzuar ka Arben Ahmetajn për pllakat e banjos të ish-bashkëshortes së tij.

Skapi nuk guxon të merret me inceneratorin e Tiranës si akt madhor koruptiv sepse ishte direkt Edi Rama.

Kurse këtu e hapi sepse këtu faktet ishin përvëluese.

Palloshi i Gjatë, aty ishin gjithçka në SMS, në konto, ishte çdo gjë.

Dhe prokurori mori kurajën të godasë Lubinë.

Mirë, për çdo shqiptar është ai përgjegjësikryesor dhe shqiptarët do godasin atë.

Nuk e lehtësojmë ne atë.

Le ta thotë kushdo.

Dhe kur të bëjmë protesta për inceneratorin, do bëjmë për Edi Ramën.

Pra, fillon historia e dimrit me Edi Ramën.

Do ketë një dimër të fortë dhe ne do ia bëjmë edhe më të fortë.

Osman Stafa, News 24: Akuzat që ju keni drejtuar drejt Belinda Ballukut nuk lidhen vetëm me Tunelin e Vlorës, por akuzat që ju deklaroni se ka një dëm shumë të madh ekonomik për shitjen e energjisë elektrike, për rrugët për Shqipëri. Ju e keni etiketuar si hajdutja më e madhe 100 e ca vite shtet shqiptar të gjinisë femërore. Si mundet që opozita e një vendi nuk bën një portestë qoftë dhe simbolike kundër saj?

Berisha: Sepse do bëjmë kundër atij që është më i madh se kjo.

Mirë, dakord, ajo qëndron që ka pasur një shtyrje të tyre, por do fillojnë.

Të garantoj që do fillojnë shumë shpejt.

Duhet ta vlerësoni siç ua them.

U bënë protestat kundër Erion Veliajt, kjo çonte njerëzit nga zyrat e veta për të na i përlyer protestat.

Në qoftë se shkonim ne në protestë aty, Elisa nxjerr gjysmën e Ministrisë së Jashtme.

Jo, nuk na duhet ne kjo.

Nuk do nxjerrë kush gështenjat me duart tona.

Ne do e kapim djallin për brirësh dhe ai është i pari, Edi Rama.

Çdo nanogram energji që do shpenzojmë, do godasim atë.

Tani jemi të qartë. Ja, ai që do të thotë se është kjo përgjegjësja kryesore, mashtron veten.

Tani rruga është e shtruar. Dera është e hapur.

Do i kërkohet dorëheqja këtij, por ky dorëheqje nuk jep kurrë se ky i di krimet që ka kryer.

Dy njerëz nuk japin dorëheqje, ky dhe Altin Dumani.

Po atij i përfundon afati.

Se ai u shndërrua në vepër të vebër të këtij kundër pluralizmit dhe votës së shqiptarëve.

Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, sot pritet të publikohet raporti progresi i Shqipërisë për BE. Sipas jush, ai plotëson Shqipëria standardet në rrugëtimin e saj europian dhe a e cënon këtë proces mungesa e standardeve zgjedhore, të cilat ju dhe sapo i parashtruat?

Berisha: Së pari raportin duhet ta lexojmë, ta shohim që të bëjmë vlerësime për të.

Por qëndrimi im është ky.

Përveç kriterit gjeostrategjik, Shqipëria në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë kriter tjetër. Ne kemi bërë të pamundurën të informojmë institucione të BE-së, në mënyrë veçantë parlamentin. Por edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve partnere për zhvillimet në Shqipëri.

Ky është një proces jo i lehtë për një opozitë, por kemi arritur 4 rezoluta ndërkombëtare të cilat janë pothuajse identike me raportin e OSBE-ODIHR. Cilido që lexon rezolutat dhe lexon raportin e OSBE-ODIHR, sheh një ngjashmëri shumë të madhe midis tyre.

Mirëpo ka përsëri mbrojtës të narkoregjimit, ka të tjerë që janë kritikë ndaj meje sepse unë denoncoj narkoshtetin, por unë denoncoj një të vërtetë të madhe që po shkatërron kombin tim dhe vendin tim.

Kurse ata që e mbrojnë, – e tregova dhe dje historinë e Donald  Lu-së. E tregova. – Nuk bëjnë gjë tjetër vetëm vazhdojnë atë linjë. Linjë xhepi komplet që ta dinë shqiptarët, linjë korruptive. Se të injorosh narkoshtetin në një kohë kur dokumente zyrtare faktojnë se vetëm Franc Çopja ka qarkulluar miliarda euro.

Në një kohë kur Euro dhe Dollari janë zhvlerësuar me 30-35%.

Në një kohë kur eksportet bien nga viti në vit me rënie dyshifrore, prodhimi industrial bie nga viti në vit, prodhimi bujqësor bie nga viti në vit, dhe shqiptarët ikin, ikin dhe vetëm ikin se u shkatërrohen vendet e punës.

Në një kohë kur këta zotërinj kërkojnë të mbulojnë diellin me shoshë, të mbulojnë kullat e drogës dhe korrupsionit me fraza boshe.

Ne kemi durim, e vazhdojmë betejën tonë informative, informojmë dhe kemi bindje të plotë se këto gradualisht do të realizohen.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, para pak minutash ka ndërruar jetë ish-zëvendës presidenti amerikan Dick Cheney që ju keni patur mundësi ta takoni gjatë kohës që keni shërbyer si kryeministër, madje jeni përfolur edhe për disa dhurata të shtrenjta që i keni bërë atij. Keni një koment për vdekjen e tij dhe për marrëdhënien e tij me të?

Berisha: Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!

I përjetshëm kujtimi i tij.

Zëvendëspresidenti Dick Cheney ishte një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe mbështeti presidentin Bush në vendimin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me dhuratat e çmuara, të garantoj se nuk kam bërë kurrë dhuratë të çmuar kujt.

Vetëm ka çmime.

U tregoj një episod.

Në vitin 1992, unë jam pritur në Buckingham Palace.

Unë mora si dhuratë për mbretëreshën Elizabeth një shpatë me punime artizanale nga pazari i Krujës.

Ajo kushtonte gjithsej në atë kohë 90 dollarë.

E mora shpatën vetë dhe ia dërgova mbretëreshës.

Një deputet laburist, komunist ekstremist, ngriti një komision hetimor parlamentar duke mashtruar se unë mora një shpatë me gurë të çmuar në muzeun kombëtar, kur ato ishin qelqe jeshile.

Jo, unë nuk kam bërë dhurata të çmuara, kam pasur ato kufizimet ligjore. Aq sa lejojnë, aq kam bërë.

Ai ishte një zëvendëspresident i nderuar që mbështeti pavarësinë e Kosovës.