Berisha thirrje të rinjve: Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën e shqiptarëve. Kombi nuk ka pasur ndonjëherë armik më të egër se sa Edi Rama

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË ‘FOLTOREN’ ME FRPD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ me të rinjtë e të reja te FRPD-së, ka theksuar se, dita e djeshme ishte më e turpshmja në historinë e vendeve.

Sipas tij, ‘ditë më të turpshme në historinë e ligjit dhe të Kushtetutës në botë nuk ka. Kur një prokuror, në emër të ligjit, ka vendosur të thërrasë para ligjit, në hetuesi, ta pezullojë zëvendëskryeministren mbi bazën e një mijë fakteve, mbi bazën e vjedhjeve të pafundme, për t’u përgjigjur para ligjit.

Por meqenëse aty ku është emri Belinda, siç e keni marrë vesh ju, është emri Edi Rama, tani çdo gjë duhet të përfundojë tek këmbët e saj, tek këpucët e saj. Nuk kishte skenë më të pashembullt kur dilnin njëri pas tjetrit përfaqësuesi i kryeministrit, i presidentit, i parlamentit dhe çfarë thoshin? Përballë ligjit, përballë Kushtetutës, përballë kodit, zero, përvecse moralin e hajdutit’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së, kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën, si armiku më i madh që shqiptarët kanë pasur ndonjë herë. Për Berishën, Shqipëria sot është në rrezik zhdukje si komb, për shkak të politikave shkatërruese të qeverisë ndaj popullit.

‘Nuk ka pasur kombi ndonjëherë në histori një armik më të egër të ekzistencës së tij se sa Edi Rama. Shumë më tepër se Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte gjakësor. Ishte mizor në të drejtat e njeriut. Por nuk mund të themi se ai dhe klika që e rrethonte vodhi shqiptarët siç vjedhin këta sot’, theksoi Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur me të rinjtë e PD-së, ka akuzuar Edi Ramën se, ka rikthyer në Shqipëri, standardet e diktaturës komuniste për universitetet. ‘Të rinjtë sot duhet të marrin rrugët e dheut dhe në shpinë, në një qese, duhet të marrin edhe ëndrrën e tyre në rrugët e Europës, në rrugët e botës, sepse në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot ëndrrën. Nuk e ndërtojnë sepse ky riktheu standardet e ish-diktaturës komuniste në pranimet në universitete.

Riktheu si satër mesataren, të cilën nuk e kanë vendet e lira. Ky riktheu tarifat. A e dini ju se paguani 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin? A e dini se po të shkoni në Austri, ju paguheni në vit 3 ose 400 euro, kurse austriaku paguan 100 euro. Kjo sepse ka shteti detyrim që t’u shkollojë ju’, nënvizoi Berisha në fjalën e tij.

Gjatë takimit me të rinjtë, lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje atyre që të rikthejnë dhe njëherë shpresën ndaj shqiptarëve. Diktaturat autoritare, kohërat provuan se antidoti absolut i tyre është gjenerata juaj, gjenerata Z. Janë këto gjenerata që e përmbysën në Bangladesh regjimin. Është gjenerata Z që e përmbysi në Nepal regjimin. E përmbysi në Sri Lanka.

Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet autokratit të Beogradit, Aleksandër Vuçiç, sivëllaut të Edi Ramës. Nuk ndalen.  Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë ‘Foltores’ me të rinjtë demokratë, deklaroi  se qeveria aktuale ka humbur çdo legjitimitet politik dhe moral, pasi ka ardhur në pushtet përmes një farse elektorale dhe ka plaçkitur qytetarët shqiptarë.

Sipas tij, opozita ka faktuar dhe denoncuar në mënyrë të pakundërshtueshme vjedhjen e zgjedhjeve, duke e ekspozuar Edi Ramën si autor të një procesi që nuk përmbush asnjë standard demokratik. Raportet ndërkombëtare, përfshirë atë të Këshillit të Europës, konfirmojnë kapjen e shtetit dhe shkrirjen e partisë me pushtetin, një praktikë që i përket monizmit dhe jo demokracisë.

Kreu i PD-së Sali Berisha theksoi se një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira nuk mund të rrëzohet përveçse me votë, por nënvizon se kjo qeveri nuk gëzon më këtë mbrojtje kushtetuese, pasi ka dhunuar zgjedhjet dhe është kapur në flagrancë duke vjedhur qytetarët. Këta dy faktorë, sipas tij, e bëjnë qeverinë të paligjshme dhe justifikojnë betejën për përmbysjen e saj.

FJALA E PLOTE:

Së pari, një përshëndetje shumë të përzemërt ju, të rinjve, të rejave, bashkëmoshatarëve tuaj të Forumit Rinor, miqve, shokëve, shoqeve që keni, në shkollë, jashtë shkolle, kudo që jeni.

Takimi me të rinjtë është natyrisht takimi më cilësor, takimi më i rëndësishëm.

Edhe ky takim sot është për mua takimi më i rëndësishëm sepse takohemi bashkë vërtet në një moment jashtëzakonisht kritik për vendin.

Takohemi në një moment kur diktatura autokratike, e cila është një diktaturë që pranon pluralizmin, por e shtyp pluralizmin me të gjitha mjetet.

Por sot ne ndodhemi në qeverisjen e një personi, i cili për hir të së vërtetës, ndan me etërit e tij biologjikë psikologjinë më mjerane, psikologjinë më të keqe të njeriut.

Ndan me etërit e tij biologjikë armiqësinë e egër me kundërshtarin dhe përdorimin e çdo mjeti kundër tij, faktikisht kundër pluralizmit.

Sot, në qoftë se i ati i atij, në atë diktaturën totalitare, në të cilën Kushtetuta e ndalonte mendimin ndryshe dhe disentin, firmoste varjen në litar të kundërshtarëve politikë sepse thurnin vargje për lirinë, për Kosovën apo për të drejtat e njeriut, sot bastardi i tyre, pasardhësi i tyre me emër Edi Rama, burgos në vit elektoral kryetarët e partive politike në mënyrë që të marrë me çdo kusht mandatin.

Sot, në këtë diktaturë, njëlloj si në të parën, të gjitha pushtetet përqendrohen në një dorë.

Dhe ju e patë, ju ftoj të mos e harroni kurrë ditën e djeshme, një ditë, u garantoj unë, e pashembullt në historinë e një shteti, ditë në të cilën kreu i shtetit, kryeministri, kryetari i parlamentit përballeshin me një prokuror që bënte ligjin, që donte ligjin, që donte të zbatonte ligjin.

Nuk kisha parë skena më tronditëse.

Ditë më të turpshme në historinë e ligjit dhe të Kushtetutës në botë nuk ka.

Kur një prokuror, në emër të ligjit, ka vendosur të thërrasë para ligjit, në hetuesi, ta pezullojë zëvendëskryeministren mbi bazën e një mijë fakteve, mbi bazën e vjedhjeve të pafundme, për t’u përgjigjur para ligjit.

Por meqenëse aty ku është emri Belinda, siç e keni marrë vesh ju, është emri Edi Rama, tani çdo gjë duhet të përfundojë tek këmbët e saj, tek këpucët e saj.

Nuk kishte skenë më të pashembullt kur dilnin njëri pas tjetrit përfaqësuesi i kryeministrit, i presidentit, i parlamentit dhe çfarë thoshin?

Përballë ligjit, përballë Kushtetutës, përballë kodit, zero, përvecse moralin e hajdutit.

Por çfarë hajduti?

Hajduti që ka vjedhur miliarda.

Edi Rama. Se aty është Edi Rama.

Pse u ndala në këtë shembull?

Jo, është shumë e rëndësishme që ju ta kuptoni se pa ndarje të pushteteve, nuk ka kurrë asnjë sistem tjetër veçse diktaturë.

Miq, prokurorë, gjykatës, bëjnë gabime, kanë tendenca politike, janë politikë, kur sulmojnë si politikë, duhet t’ua kthesh.

Kjo ndodh këtu, kjo ndodh edhe në SHBA.

Edhe aty ka ndodhur, edhe aty prokurori trillonte për kandidatin për president në mënyrën më monstruoze. Por asnjëherë ai nuk bëri mëdysh fjalën e tij, u paraqit sa herë e kërkuan.

Se ky është rregulli.

Rregulli është që duhet t’i qëndrosh ligjit, duhet të zbatosh ligjin.

Se ti je për shtetin ligjor, je për Kushtetutën.

Sepse Kushtetuta është shtyllë ligjore e garancisë së demokracisë.

Kurse këta rreshtoheshin në një mënyrë të paimagjinueshme për të mbrojtur një hajdute, e cila u them ju, në mënyrë absolute në çdo tender ka firmën dhe dorën e saj të zezë, që shkon jo në qindra milionë, por në miliarda euro për vete dhe Edi Ramën.

Pra, ju mblidheni sot këtu në një kohë kur vetëm në hapësirën Shengen janë larguar mbi 700 mijë të rinj shqiptarë.

Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur ne si komb jemi në kërcënim absolut ekzistencial.

Po, ju jeni tani njerëz të dijes.

Kombi ka disa tregues demografikë. Ato janë themelorë për të ardhmen e tij.

Ato tregues, po të ecin me këtë trend, pas 50 vitesh, shqiptarët i konsiderojnë komb të fshirë.

Sepse ne sot e kemi lindshmërinë që kemi pasur 100 vite më parë kur ishim 700 mijë banorë.

Sot ne kemi treguesin e lindshmërisë më të ulëtin në botë.

Sot, nga viti 2018 gjer sot, ne kemi mijëra vdekje në vit më shumë se sa lindje.

A e shihni ju se ku e katandisi ky?

Në një kohë që gjer në vitin 2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri vetëm rritej.

Pse?

Një faktor themelor. Vetëm një. Sepse ju, bashkëmoshatarët tuaj vendosnit, besonit se ëndrrën tuaj mund ta ndërtoni në vendin tuaj. Kaq. Asgjë tjetër nuk kishte.

Por kishte një mjedis, kishte një alternativë, kishte një seri rrethanash të cilëve bashkëmoshatarëve tuaj u jepnin shpresë, u jepnin besim, se ata mund të shkolloheshin, se ata mund të punësoheshin, se ata mund të ndërtonin folenë e tyre, mund të kishin shtëpinë.

Kurse sot imagjinoni çfarë largimi të tmerrshëm masiv.

Nuk ka pasur kombi ndonjëherë në histori një armik më të egër të ekzistencës së tij se sa Edi Rama.

Shumë më tepër se Enver Hoxha.

Enver Hoxha ishte gjakësor.

Ishte mizor në të drejtat e njeriut.

Por nuk mund të themi se ai dhe klika që e rrethonte vodhi shqiptarët siç vjedhin këta sot.

Jo, jo, jo harrojeni këtë.

Ata kishin paranojat e tyre, por këta vjedhin në mënyrë të paimagjinueshme.

Shkoni, gjeni djegësin e Tiranës. 130 milionë euro ka vjedhur Edi Rama me Erion Veliajn.

Dëgjoni për AKSHI-n.

Çfarë ndodh në AKSHI?

Në AKSHI është baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu, e kemi denoncuar me dhjetëra herë.

Aty, çdo tender duhet ta fitonte ky, në një kohë kur kishte një kapacitet sipërmarrës shumë modest.

Tani ky nuk mjaftohej me tenderat që fitonte vetë, por merrte edhe prestanome dhe futej vetë i treti në tender, por ishte vetëm një, ishte Frangu.

Dhe në qoftë se dilte ndonjë i vërtetë, ai merrej peng.

A mund të imagjinoni ju një sipërmarrje shtetërore, se ajo është agjenci shtetërore, të marrë peng biznesmenë pse guxojnë të paraqiten në tendera siç është ligji, sic është rregulli, siç është gara?

Dhe kjo ndodh në kopshtin privat të Edi Ramës.

Dhe pasi ndodh kjo, pasi dokumentohet gjithçka para të huajve, sepse një nga këto pengje kërkoi mbrojtje në një shtet të huaj dhe ata i dhanë, i jemi mirënjohës.

Edi Rama thotë se ka respektin maksimal për Mirlindën, po pse e ka këtë respekt? Se është Linda, është e shoqja.

Nuk ndodh kund kjo.

Atëherë, ku janë të rinjtë sot?

Të rinjtë sot duhet të marrin rrugët e dheut dhe në shpinë, në një qese, duhet të marrin edhe ëndrrën e tyre në rrugët e Europës, në rrugët e botës, sepse në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot ëndrrën.

Nuk e ndërtojnë sepse ky riktheu standardet e ish-diktaturës komuniste në pranimet në universitete.

Riktheu si satër mesataren, të cilën nuk e kanë vendet e lira.

Ky riktheu tarifat. A e dini ju se paguani 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin?

A e dini se po të shkoni në Austri, ju paguheni në vit 3 ose 400 euro, kurse austriaku paguan 100 euro.

Kjo sepse ka shteti detyrim që t’u shkollojë ju.

Kurse ky vendos këtu, me rrogat më të ulëta, tarifa të cilat nuk i lejojnë 49 përqind të familjeve që të shkollojnë më shumë se një fëmijë. Edhe atë me shumë sakrifica.

Po pse?

Pse u përmbys, pse ishte krejt e kundërta para vitit 2013?

Kishte para më shumë?

Jo, ne nuk kishim para më shumë. Ne jemi para e taksave të ulëta, ne kishim gjysmën e këtyre taksave. Por kishim një politikë ne, që të rinjtë duhet të shkollohen. E gjetëm vendin me 12 studentë për 1 mijë banorë, arritëm në 52 studentë për 1 mijë banorë.

Sepse ishim shumë mbrapa.

Dhe ky u kthye përsëri. Politikë armiqësore.

Unë fola për ato që paguani, por po të marrësh strehimin tuaj në Tiranë, Tirana në strehim është një nga tre qytetet më të shtrenjta në Europë.

Ju, familjet tuaja, u shkatërron droga. Nuk e kam fjalën këtu për përdorimin, ajo është tjetër gjë, është keq, sigurisht.

Por rrit çmimet.

Shikoni ju se çfarë bëhet me kullat e drogës.

Nuk preken ato as nga baballarët tuaj, as nga ju, se vijnë tonelatat e drogës dhe eurove dhe i bllokojnë, çmimet i mbajnë në stratosferë.

Edhe një kamp, që ishte i gatshëm për ju, me projekt e me plan, me truall, me fonde e gjithçka, e bllokuan me Erion Veliajn, e shndërroi ca kohë në parking dhe pastaj ua dha të tjerëve.

Dhe tani thotë studentët të shkojnë në Durrës.

Me një fjalë, një politikë të qartë, armiqësore, ndaj jush.

Miq, siç keni ndjekur zhvillimet, për kombet me diktatura autokratike, të cilat zgjedhjet i bëjnë farsa, të cilat pushtetin e përqendrojnë në një dorë, të cilat plaçkisin nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët e tyre, por në dallim nga të gjitha këto, Edi Rama është kryebaroni i drogës në Europë, apo padrino i klaneve të drogës.

Diktaturat autoritare, kohërat provuan se antidoti absolut i tyre është gjenerata juaj, gjenerata Z.

Janë këto gjenerata që e përmbysën në Bangladesh regjimin.

Është gjenerata Z që e përmbysi në Nepal regjimin.

E përmbysi në Sri Lanka.

Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet autokratit të Beogradit, Aleksandër Vuçiç, sivëllaut të Edi Ramës.

Nuk ndalen. Aty ra një çati në stacionin e trenit të Novisadit, humbën jetë 13 qytetarë, por studentët e Beogradit për muaj të tërë nuk i ndahen, dhe do fitojnë.

Lufta kundër diktaturave nuk është një ndeshje futbolli, është një betejë e vështirë, e komplikuar.

Por do fitojnë.

Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni.

Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.

Sot, Shqipëria ka një opozitë e cila qëndron e vendosur në idealet e saj.

Qëndron e vendosur të vazhdojë betejën gjer në përmbysjen e kësaj diktature.

Por edhe dy gjëra.

Kjo betejë zhvillohet sot në dy rrethana apo në dy kushte jashtëzakonisht të favorshme dhe këto janë, së pari demaskimi, denoncimi që i bëmë Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve.

Opozita faktoi se ky njeri nuk zhvillon zgjedhje, ky plaçkit zgjedhje.

Ky u përpoq me të gjitha mjetet të përmbysë raportin dhe dështoi totalisht.

Dhe ky për shqiptarët dhe mbarë botën është autori i një farse elektorale.

Çfarë tha raporti i Këshillit të Europës? Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.

Kaq miq.

Të thuash parti shtet, je në monizëm.

Nuk ka zgjedhje në parti shtet, sepse në garë dalin disa parti dhe shteti gjigant me të gjitha mjetet e tij.

Nuk është garë më, është farsë.

Dhe kjo ishte një arritje që na jep ne të drejtën që çdo sekondë, çdo minutë çdo orë, të punojmë kundër këtij armiku të votës së lirë.

Ky është armik i lirisë.

Ky nuk ka asgjë të përbashkët as me shqiptarët, as me qytetarët.

Ky duhet të ikë një minutë e më parë, të ketë fundin që meriton si diktator.

Së dyti, një qeveri që del nga zgjedhje të lira, ju jeni të rinj, por duhet ta dini që nuk mund të rrëzohet. Nuk ke të drejtë, në qoftë se u qëndron parimeve që u beson, të kërkosh rrëzimin e një qeverie që del nga zgjedhje të lira përveçse me votën e lirë.

Protesta mund të bësh, por sovrani e ka autorizuar atë të qëndrojë aq sa e thotë Kushtetuta.

Por kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse ka dhunuar zgjedhjet.

Përveç kësaj, edhe për qeveri që dalin nga zgjedhje të lira, në qoftë se ato kapen duke vjedhur qytetarët, ato humbasin legjitimitetin.

Pra, ka dy faktorë që bëjnë të paligjshme këtë qeveri, farsa elektorale dhe plaçkitja e qytetarëve.

Kurrë ndonjëherë një qeveri e tillë nuk është kapur në flagrancë, një kryeministër i tillë nuk është kapur në flagrancë duke vjedhur miliarda të qytetarëve dhe përpiqet të përdorë pushtetin për t’u mbrojtur.

Është shkak, është arsye më madhore për të bërë gjithçka për përmbysjen e saj.

Shpresa më madhore e shqiptarëve sot jeni ju, gjenerata juaj dhe unë kam besimin më të madh se do ta përmbysni me sukses.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale