FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA GJATË TAKIMIT NË VAQARR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë 15 në Tiranë, ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Në fjalën e tij nga Vaqarri, Berisha theksoi se ‘fshati meriton të njëjtën infrastrukturë si një lagje qyteti’.
‘Ne kishim dhe kemi një filozofi, fshati, fshatari duhet të gëzojë të njëjtën infrastrukturë, pra të njëjtën rrugë, të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën shkollë si lagjja e qytetit. Të shpallje një vendim të tillë, të dukej një gjë e vështirë, por absolutisht ishte plotësisht e mundshme. Dhe me këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam në zonat rurale 8300 kilometra rrugë’, theksoi Berisha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar nga Njësia 15 në Tiranë, se brenda vitit të parë të qeverisjes së demokratëve, do rriten subvencionet për fshatin dhe fermerët. ‘Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot. Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni. Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi. Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha me banorët e Vaqarrit.
Gjatë fjalës së tij, Kryedemokrati Sali Berisha nuk la pa përmendur edhe skandalin e qeverisë së Edi Ramës me shpërdorimin dhe vjedhjen e fondeve të BE-së. ‘Ua dha edhe këtyre hajdutëve me të cilët vodhi 130 mln euro, djegësit të Tiranës. Brukseli kanë ata një njësi, si prokurori të luftës kundër korrupsionit, i kapi në flagrancë duke vjedhur. I kapi dhe i ndërpreu fondin menjëherë dhe vazhdoi hetimi për të lëshuar mandat arrestin. Edi Rama njeriu direkt përgjegjës për këtë, Krifcën ish ministre, e mori direkt këshilltare çka do të thotë se paratë i kishte vjedhur bashkë me të. Po mirë nëqoftëse ti kryeministër dhe të tjerët e gjejnë se kjo paratë nuk ua ka dhënë fermerëve, por i ka përdorur për qëllime krejt të tjera, si mund ta marrësh atë këshilltare për bujqësinë.Ajo e ka vendin pas hekurave,’ theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e Njësisë Nr. 15 në Tiranë.
Në fund të fjalës së tij, Kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi edhe një thirrje diasporës që të refuzojë fotografimin e votës për zgjedhjet e 11 majit. ‘Ju bëj thirrje në emër tuaj, të gjithë vëllezërve në diasporë, të cilët po nisin votimin, të votojnë për ndryshimin, të votojnë këtë vit, që është viti i tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe, që po e zbraz dhe po e shkreton Shqipërinë. Ju bëj thirrje, refuzoni dhe mos bëni asnjë fotografi të votës tuaja, sepse ju duhet të jeni qytetarë të mirë të vendeve ku jetoni. Dhe në vendet ku jetoni dënohet me ligj fotografimi i votës. Prandaj mos zbatoni kodin dhe kërkesën e këtyre mafiozëve të cilët duan të ju kontrollojnë vullnetin tuaj, qëndroni njerëz të lirë, shqiptarë dinjitozë dhe votoni për ndryshimin’, theksoi krydemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
FJALA E PLOTE:
Së pari ju përshëndes ju përzemërsisht, dhe përshëndes gjithashtu me nderimin më të madh, të gjithë banorët e Vaqarritit, Prezës dhe Ndroqit.
Është kënaqësi e madhe që ju takoj sot.
Përshëndes Belindin, udhëheqësin politik të qarkut Tiranës, kryetarin tuaj të degës, Florin dhe
dy kandidatët tuaj, zonjën Kalaja dhe zotin Aga, përfaqësues dinjitoz tuaj, të Tiranës dhe Shqipërisë.
Kam kënaqësi që ju takoj ju sot për të paraqitur programin tonë. Çfarë kemi ne ndërmend dhe çfarë zotohemi ne në mënyrë solemne para jush që do të bëjmë gjatë 4 viteve që vijnë.
Në rast se vështrojmë këto 12 vite të Edi Ramës, fshati shqiptar është ai që përjetoi dhe provoi pasojat më të rënda të këtij regjimi.
Këto pasoja jashtëzakonisht të rënda filluan me të ashtëquajturën reformë e qeverisë vendore, ku ju humbët shërbimet që kryheshin në komunë dhe e tëra kjo ju la ju, pa shërbimet që meritoni.
Krijoi pas saj grupe të papërgjegjshme të emëruar dhe të pazgjedhur nga ju, të cilët nuk i jepnin kujt llogari përveç xhepit të tyre. Me reformën e quajtur territoriale, ju dha një goditje shumë e rëndë qeverisjes vendore, qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonave.
Unë mund të ju them një aspekt. Gjatë viteve 2005-2013, ne kishim një raport me komunat e vendit dhe ky raport ishte i tillë. Bëni ju projektet ne të ua financojmë. Dhe kjo funksionoi në mënyrën më të mirë.
Qeveritë vendore projektonin rindërtimin e rrugës, rindërtimin e objekteve, ndërtimin e tyre, qeveria qendrore financonte.
Mund të ju them ju këtu se 2005-2013, se 2/3 e të gjitha investimeve të bëra në Shqipëri janë bërë në fshat.
Pse? Fshati për infrastrukturë ishte mesjetë, në kuptimin që rrugët ishin të paasfaltuara kudo. Po rrugë të paasfaltuara fshati ka pasur edhe në mesjetë, sepse kalonin qerret, etj. Ishin pa sisteme kanalizime, pa ujësjellësa, ishin me shkolla të rrënuara dhe ne investuam.
Mund të ju them se, shumë më tepër u investua në ato vite në rrugët rurale të marra së bashku, se sa në rrugët kombëtare të ndërtuara nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër.
Pse kjo? Ne kishim dhe kemi një filozofi, fshati, fshatari duhet të gëzojë të njëjtën infrastrukturë, pra të njëjtën rrugë, të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën shkollë si lagjja e qytetit.
Të shpallje një vendim të tillë, të dukej një gjë e vështirë, por absolutisht ishte plotësisht e mundshme. Dhe me këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam në zonat rurale 8300 kilometra rrugë.
Në këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam, 800 e ca shkolla, ne ndërtuam rreth 500 qendra shëndetësore.
Pra ne po punonim fort në këtë parim, që fshatarët aty ku jetojnë të kenë infrastrukturën që ka lagjja e qytetit.
Natyrisht atyre u mbetet barra e madhe e punës në bujqësi, femrave, menaxhimit të tyre, por shteti do të bëjë gjithçka për ta lehtësuar.
Vendosëm një sistem subvencionesh dhe ju jeni dëshmitarë që u subvencionuan ullinjtë, prodhimi, bagëtitë, lopët e me radhë. Të gjitha këto në tërësi u hoqën. Është e paimagjinueshme se kudo që shkoj, fshatarët më thonë se, në zonën tonë nuk është shtruar një kilometër rrugë.
Është një injorim, një përjashtim total, ndërkohë që ju, që të gjithë pa përjashtim, në çdo gotë ujë që pini, në çdo kafshatë që hani, paguani taksën TVSH 20%, e keni paguar në dyqan kur e keni blerë.
Pra taksat tuaja nuk u kthyen asnjë qindarkë tek ju.
Cili është programi ynë? Programi ynë është paratë tek qytetari. E thjeshtë fare.
Thjeshtë fare. Paratë ne do të ja kthejmë qytetarit dhe ju garantoj se projekti ynë për fshatin do të vazhdojë me intensitet të madh.
Por siç e keni dëgjuar ndoshta, ne e fillojmë nga ajo që e quajmë, zemra e dhimbsur. Ne e fillojmë tek ata që janë në mjerim, në varfëri ekstreme.
Ne e fillojmë tek ata të cilët marrin siç e thatë këtu, 70-80-100 mijë lek, paçka se kanë shkrirë gjithë jetën e tyre në punë.
Dhe kemi se çdo shqiptar, në fshat apo në qytet, kudo që të jetë do marrë minimumin jetik 200 euro për frymë. Cilido që të jetë pensioni në fshat ndën 200 euro, do jetë 200 euro dhe kjo do të ndodhë 3 muaj e parë të qeverisjes tonë.
Jo vetëm kaq, por do ketë kartën e konsumatorit e cila i jep mundësi atij të marrë mbrapsh TVSH 20% të atyre shpenzimeve që bën për ushqimet bazë dhe mallrat që blen.
Ju siguroj se, do të ndalohet dhe ndëshkohet rëndë, shitja në tregjet e Shqipërisë, të çdo ilaçi qoftë për njerëzit, qoftë për tokën, qoftë për bagëtinë që nuk tregtohet në dy vende të BE-së.
Ne do ta nisim nga disa gjëra bazë të cilat na japin sigurinë, dinjitetin. Se nëqoftëse ti e trajton tjetrin, ka shkrirë jetën e tij në punë dhe i thua, merr kaq 16 mln euro për 760 mijë pensionistë, ti tallesh me ta me cinizëm.
Po pse të tjerët paskan ku ti marrin e ti nuk paske ku ti marrësh. Pse kryeministri i Kosovës, jep 100 mln euro për pensionistët dhe ka gjysmën e pensionistëve të Shqipërisë dhe gjysmën e buxhetit të Shqipërisë.
Çfarë ndodhi? Në vitin 2013, pensioni mesatar në Shqipëri ishte 143 mijë lek.
Pensioni mesatar në Mal të zi ishte 138 mijë lek. Sot pensioni mesatar në Mal të Zi është 450 mijë lek.
Po si u rritën, si erdhi kjo. Po sigurisht kryeministri i Malit të Zi, mori para nga buxheti dhe i vuri për pensionistët. Nuk u tha atyre se kaq është fondi dhe rrini me këtë.
Nuk e bën njeri këtë, nuk e bëmë ne.
Ju jeni dëshmitar. Erdhëm, e gjetëm pensionin minimal në fshat 36 mijë lek. E rritëm 82 mijë lek, i morëm nga buxheti dhe i vumë tek fondi i pensioneve. Dhe prap ne do i marrim dhe do i vemë në fond të pensioneve.
Çfarë ndodh tjetër me ju?
Subvencionet. Çdo shtet, absolutisht çdo shtet subvencionon fermerin, i jep para në dorë për atë që mbjell, që korr, për bagëtinë që mbarështron, për fidanët që mbjell.
Dhe asnjë shtet nuk humbet nga kjo. Jo. Ato kthehen në prodhim, mirëqenie, kthehen për familjet, për shoqërinë.
Ky subvencionin vetëm që bëri, hapi kufijtë për Serbinë me ‘Ballkanin e Hapur’ se tha pret kamioni aq e kaq, marrëzira dmth. Dhe mallrat e Shumadisë, prodhimet e Banatës, që kanë të paktën 8 herë më shumë subvencione se Shqipëria, vërshojnë në Shqipëri.
Natyrisht fermeri shqiptar me një fermer që subvencionohet 8 herë më shumë, cilido qoftë ai, nuk ja del ta përballojë. I del me çmim shumë më të lartë.
Bëri dhe tjetrën. Grumbulluesve ju vuri TVSH asimetrike në mënyrë që ata të blinin prodhimet e importuara dhe jo të vendit.
Dhe tani, këto bënin që mijëra kuintal e tonelata mallra vendi të kalben dhe fermeri të mos mbjellë më, të iki, të largohen, të falimentojë.
Me mijëra ferma, më mijëra sera. Prodhimi bujqësor ka rënë.
Çfarë do bëjmë ne?
Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot.
Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni.
Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi.
Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj.
Taksa për grumbulluesit merr fund, do jetë simetrike si në shitje dhe blerje, çka do thotë ju do merrni mbrapsh TVSH e shitjes dhe nuk do e marrin grosistët.
Do e merrni ju se është e juaja. Është pra një sistem krejt tjetër ky.
Për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshat të zhvilluar.
Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me fshat të braktisur.
Nuk ka tokë më pjellore se sa toka e Shqipërisë, është nga më të mirat që ekziston.
Të tjerët e kthejnë shkretëtirën në tokë pjellore.
Këta tokën pjellore e kthejnë në shkretëtirë. Kjo është e vërteta.
Ju keni probleme, unë e dëgjova këtu, kryetari i numëroi me shumë të drejtë, probleme infrastrukture e theksova, absolutisht nuk ndahemi kurrë pa shndërruar, pa i dhënë fshatit infrastrukturën e qytetit.
Dhe ne punuam intensivisht në këtë drejtim dhe do vazhdojmë punën, me të gjitha shërbimet që ka nevojë një zonë banimi.
Do përparësojmë profilizime të ndryshme.
Ne mbetemi përsëri të bindur se ulliri është një potencial i madh për ne. Dhe jemi shumë të
kënaqur që në vitin 2005 kishim 4 milionë e 300 mijë rrënjë ullinj në të gjitha kohërat.
Në vitin 2011, Shqipëria kishte rreth 12 milionë rrënjë ullinj.
Ne do të shkojmë në 20 milionë si hap i parë.
Do të nxisim të gjitha drutë frutore. Natyrisht do subvencionojmë dhe bimët e arave.
Sot administrata është një shushunjë, një pjesë e saj, se ka dhe njerëz të ndershëm.
Çfarë bënë? Bashkimi Europian dhe për fermerët 130 mln euro. Shumë e mirë, çfarë bëri Edi Rama? Edi Rama ua dha Xhaçkave të tij, ua dha njerëzve për të ndërtuar vila, për të ndërtuar resorte turistike, për të ndërtuar biznese.
Ua dha edhe këtyre hajdutëve me të cilët vodhi 130 mln euro, djegësit të Tiranës.
Brukseli kanë ata një njësi, si prokurori të luftës kundër korrupsionit, i kapi në flagrancë duke vjedhur. I kapi dhe i ndërpreu fondin menjëherë dhe vazhdoi hetimi për të lëshuar mandat arrestin.
Edi Rama njeriu direkt përgjegjës për këtë, Krifcën ish ministre, e mori direkt këshilltare çka do të thotë se paratë i kishte vjedhur bashkë me të.
Po mirë nëqoftëse ti kryeministër dhe të tjerët e gjejnë se kjo paratë nuk ua ka dhënë fermerëve, por i ka përdorur për qëllime krejt të tjera, si mund ta marrësh atë këshilltare për bujqësinë.
Ajo e ka vendin pas hekurave.
Çfarë do të thuash ti me këtë. U thua mos ma prekni se është e imja, dhe e mbron, ama shqiptarëve u tregon se ke vjedhur bashkë me të. Se ajo ka zbatuar urdhrat tua kur ka vjedhur.
E njëjta gjë me djegësin e Tiranës.
Belindi, Adriana dhe shumë nga ju, protestuan 44 javë kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili ishte një hajdut i papërmbajtur.
Ne e denonconim. Thoshte kam mbjellë 1 mln pemë, po të ja numëroje në mënyrë absolute nuk dilnin as 10 mijë pemë.
Fidanet i vidhte, dmth ky gjoja sikur paguante fidanët dhe vidhte paratë.
Siç bëjnë sot tjetrën, mbajnë në bordero me qindra emra që janë jashtë shtetit dhe nuk janë këtu. I vjedhin paratë, nuk ua çojnë atyre, i vjedhin vetë.
Çështja kryesore djegësi i Tiranës. Kryetari i bashkisë Tiranës, kërkoi të ndërtohej djegësi. Djegësi pas 6 vitesh nuk ka një tullë. Paratë janë dhënë, paratë tuaja janë dhënë të gjitha, i kanë vjedhur, i kanë grabitur.
Kishte një ministri me detyra për të mbikëqyrur punimet e përditshme, të përjavshme, përmuajshme të djegësit. E kjo ministri ishte ministria që drejtohej nga Lubi Balluku.
Lubia nuk bëri dot 6 vite një raport, se e dinte që paratë i vidhte paratë Edi Rama.
E ky pastaj thotë hanë dardha pas shpinës time. Ti nuk ngopesh me dardha gjithë ditën mor zotëri. Si qenka kjo punë.
Pas 6 vitesh aty nuk ka. Po a e di sa janë 130 mln euro. 130 mln euro janë 812 mijë pensione.
Po tjetër. Me avion 21 mln euro avion. Kancelari i Austrisë vend i cili është nja 10 herë më i pasur se ne, udhëton me linja tregtare, nuk mban avion në dispozicion, udhëton si gjithë ne të tjerët, me linja tregtare.
Kurse ky kryeministri i Shqipërisë nuk mund të udhëtojë me linja tregtare, udhëton me avion të posaçëm, paçka se në disa fshatra, janë kthyer tek parmenda. Nuk ka mundësi.
Naftën? Naftën u fal dhjetëra milionë litra jahteve për darkat luksoze që i shtrojnë, kurse fshatarëve ua vjedh me administratën e tij. Dhe ka çmimin nga më të shtrenjtit.
Klani i tij, rrethi i tij familjar, është një rreth hajdutësh. Baxhanaku i tij ka fituar 80-100 tendera që ai që quhet AKSH-i. Është një agjenci që merret me digjitalizimin dhe ka zhdukur qindra milionë euro.
Del tjetri duke folur, jo Linda po ndërhyn tek AKSH, për kunatin ajo. Prokurori e ka, guxon ai të thërrasë Lindën? Në asnjë mënyrë se janë paratë e familjes.
Pra, nëse vidhet në këtë mënyrë nuk ngelet gjë për fshatin, për pensionistët, për të sëmurët.
A e dini se në ç’gjendje e rëndë është problemi i ilaçeve sot. Sot farmacitë tona janë të mbushura me ilaçe të skaduara dhe të vjen keq se, shumica e atyre që kanë një mundësi, gjënë e parë që u kërkojnë njerëzve të tyre jashtë, janë ilaçet.
Kjo do marrë fund.
Tom Doshit dhe Vilma Nushit, dy vampirëve të vërtetë të shëndetit të shqiptarëve do u vihet dylli dhe do bëhen përgjegjës për të gjithë atë që kanë krijuar në shëndetin e njerëzve.
Ne e kuptojmë se ‘Shqipëria Madhështore’ nuk është vetëm dëshmia e dhembshurisë.
Është Shqipëria që prodhon dhe ky prodhim, ju jeni njerëzit që prodhoni. Do bëjmë gjithçka që ju të prodhoni sa më shumë dhe sa më mirë.
Do bëjmë të gjitha kushtet, ekstensionin do e keni falas. Do zgjidhim çdo problem që e keni me
pronësinë. Të gjitha lejet e legalizimeve do shndërrohen në tapi legalizimi njëherë e përgjithmonë.
Ju bëj thirrje në emër tuaj, të gjithë vëllezërve në diasporë, të cilët po nisin votimin, të votojnë për ndryshimin, të votojnë këtë vit, që është viti i tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe, që po e zbraz dhe po e shkreton Shqipërinë.
Ju bëj thirrje, refuzoni dhe mos bëni asnjë fotografi të votës tuaja, sepse ju duhet të jeni qytetarë të mirë të vendeve ku jetoni. Dhe në vendet ku jetoni dënohet me ligj fotografimi i votës.
Prandaj mos zbatoni kodin dhe kërkesën e këtyre mafiozëve të cilët duan të ju kontrollojnë vullnetin tuaj, qëndroni njerëz të lirë, shqiptarë dinjitozë dhe votoni për ndryshimin.
Votoni me 11 maj për të përmbushur atë mision historik që u ka rënë gjeneratës tuaj, përmbysjen e një diktature të dytë.
Miqtë e mi!
Që të gjithë ne në këtë fushatë, mbi të gjitha jemi misionarë.
Secili prej jush me votën tuaj, jeni misionarë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky rrënim, nga ky pakësim i frikshëm, nga ky shpopullim dhe varfërim
Sali Berisha është një misionar, është njëri prej jush.
Kam marrë këtë mision me vendosmërinë më të madhe, jo për pushtet, absolutisht, as për para. Por kam marrë këtë mision së bashku me ju, për të patur një të ardhme tjetër të re, për ata djem e vajza që janë këtu, që ata të qëndrojnë këtu. Që këta të qëndrojnë këtu.
Ëndrrën e tyre shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri dhe të mos e eksportojnë në dhena të tjera.
Shqipëria është vendi më i bekuar, ka pasuritë më të mëdha, ka potencialet më të mëdha, ndaj le të firmosim me 11 maj ndryshimin në mënyrë që të hapim një kohë tjetër, kohë shprese, besimi, mirëqënie punësimi.
Ju garantoj ju, se rritja e rrogave dhe pensioneve, dalja jonë në krye për rroga e pensione mes vendeve të rajonit, është qëllimi i parë dhe kryesor që do realizohet.
Faleminderit shumë.