FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në Foltoren para kryeministrisë, përshëndeti protestuesit e partisë ‘Shqipëria Bëhet’, duke deklaruar se opozita ka nisur ‘betejën përfundimtare’ kundër Edi Ramës. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën për korrupsion, frikë dhe represion ndaj protestave qytetare, ndërsa u shpreh se largimi i tij nga pushteti do të vijë përmes një mobilizimi masiv të qytetarëve: ‘Kur ne ta zëmë këtë shesh me betimin se nuk do ta lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë’.
Duke folur në Foltoren para kryeministrisë, krydemokrati Sali Berisha ka ashpërsuar tonet ndaj Edi Ramës, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe përballje të drejtpërdrejtë politike. Berisha deklaroi se forumet drejtuese të PD-së dhe grupi parlamentar kanë marrë një vendim ‘solemn’ për të vijuar protestën deri në fitore, duke e akuzuar Ramën për grabitje të votës, korrupsion masiv dhe shndërrim të shtetit në instrument të krimit. Sipas tij, opozita nuk ka më rrugë tjetër përveç përballjes, ndërsa u shpreh se kryeministri do të përballet sërish me largimin nga pushteti, ashtu si në vitin 1991.
Lideri i opozitës Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim maksimal të opozitës dhe qytetarëve, duke e cilësuar zënien e sheshit për tre javë si objektivin kryesor të betejës kundër qeverisë Rama. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se data 22 shënon protestën e përgjithshme kombëtare dhe se opozita është e vendosur të përdorë ‘të gjitha format e rezistencës’ deri në largimin e kryeministrit. Ai e cilësoi situatën aktuale si një moment sakrifice dhe guximi, duke theksuar se zgjedhjet janë shndërruar në farsë dhe se tani opozita përfaqëson ‘votën, forcën dhe fitoren’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka intensifikuar thirrjet për mobilizim kombëtar në prag të protestës së 22 dhjetorit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion familjar, grabitje të pasurisë publike dhe përpjekje për të gjetur strehim politik jashtë vendit. Në fjalën e tij para mbështetësve tek kryeministria, Berisha u shpreh se Rama po vepron nga frika dhe paralajmëroi se, pavarësisht se ku do të përpiqet të fshihet, do të përballet me përgjegjësi politike dhe ligjore. Ai i bëri thirrje opozitës dhe qytetarëve të angazhojnë çdo forcë dhe guxim në ditët në vijim, duke theksuar se protesta e 22 dhjetorit do të jetë një moment vendimtar në përballjen me qeverinë.

FJALA E PLOTE
Të dashur qytetarë dhe qytetare, të pranishëm sot në këtë shesh, një përshëndetje të përzemërt, vëllazërore.
Të nderuar deputetë të opozitës, drejtues të PD.
Të nderuar protestues të partisë Shqipëria Bëhet.
Sonte, ne mblidhemi për të shpallur para jush këtu, për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve.
Miqtë e mi, parafolësit këtu theksuan se Edi Rama është një hajdut i papërmbajtur, por në të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shterron guximin më shumë është vjedhja.
Ndaj dhe Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë.
Vetëm një moment, shikoni se ç’bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile. Vë një karrige aty, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari.
Çdo ditë, me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, u heqin tavolinat, u heqin ujin me akte banditeske.
Pse kjo?
Sepse ai është kryefrikacaku i kombit.
Kryehajduti është edhe kryefrikacaku i kombit.
Dhe u garantoj unë se ai është aty, se ai vjedh shqiptarët ditë e natë, nuk ngopet kurrë, e tha bukur Gëzim Sadiku, ai nuk ngopet kurrë.
Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë, se e lejojmë ne.
U jap ju fjalën e nderit, se kur ta zëmë në këtë shesh, me betimin se nuk e lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë.
Po, po miq.
Por duhet të them këtu, koha ka kaluar, sigurisht, megjithatë vijmë më të vendosur se kurrë.
Dy mbledhje janë bërë dy ditët e fundit nga forumet e PD, kryesia e saj dhe grupi parlamentar.
Kanë dalë me një vendim solemn. T’i përvishemi gjer në fitore.
Kanë dalë me një vendim solemn, se rrugë tjetër përveç protestës, përveç përballjes, përveç kacafytjes me të, nuk ka dhe nuk do ketë.
Miq, dhe për të gjithë shqiptarët, i ftoj të arsyetojnë, votën ua shkelmon.
Duke u shkelmuar votën, i poshtëron.
Shkelmon lirinë e tyre.
Për t’u blerë votën në zgjedhjet e fundit u fali 2 miliardë euro 83 mijë bizneseve, në një kohë kur 760 mijë pensionistë nuk blejnë dot ilaçet, nuk sigurojnë dot kafshatën e muajit.
Votën e rrëmbeu me banditë të administratës, amoralë që shndërrojnë misionin e tyre, detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve, në plaçkitës dhe grabitës së votës së tyre.
Votën e grabiti me banda, me banditë, me kriminelë, me kartelet e drogës.
Por, në dallim me çdo herë tjetër nga viti 2001 gjer sot, e kapëm për fyti, u faktuam shqiptarëve dhe botës se ky është armik i votës së lirë të shqiptarëve, armik i demokracisë së shqiptarëve.
Në të drejtën tonë, në të drejtën e Zotit, në guximin tonë, ne nuk duhet t’i ndahemi asnjë minutë gjersa të largojmë nga skena këtë kriminel të votës së lirë.
Miq, të harrojmë çdo gjë që ka ndodhur në 12 vite. Le t’i harrojmë të gjitha.
Të marrim vetëm 10 ditët e fundit.
Çfarë ndodh?
Së bashku me zëvendëskryeministren, të kapur në flagrancë, me dokumente, me mesazhe të tyre, se vetëm në një tender në tunelin e Llogarasë kanë vjedhur 50 milionë euro.
Në çdo vend të botës, dorëheqja është akti i parë i njerëzve të përgjegjshëm.
Dhe ky, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen vetë, jo vetëm që nuk shkarkon bashkëvjedhësen e vet, por çfarë bëri?
Me urdhër, mori nga Gjykata Kushtetuese licencën për të vjedhur publikisht pa asnjë përgjegjësi para ligjit, para drejtësisë, para shqiptarëve.
A mund të pranojmë ne një kryeministër të tillë?
Jo, kurrë. Cilido të jetë çmimi, ne do e paguajmë.
Ne një kryeministër të tillë nuk e pranojmë kurrë.
Pra, ky hajdut, që çdo tullë të sarajeve të tij, i ka djersën, mundin e taksapaguesve shqiptarë, para të vjedhura nga paratë e tyre.
Ku hajdut që vetëm në 2 vite ka bërë 140 fluturime, duke transportuar privatisht para të vjedhura dhe drogë, në gropa të zeza, që nuk i di kush se ku janë.
Ky hajdut që lë të sëmurët pa ilaçe të vdesin në mëshirën e fatit dhe thotë që janë shumë dhe s’kam ç’u bëj.
Ky hajdut, që vetëm aty në oborr, ka Kopshtin e Edenit, me vlerë 4.2 milionë euro me peshq ekzotikë, ndërkohë që fëmijët tanë mbushin rrugët e Europës dhe botës.
Ky hajdut rri këtu për shkakun tonë. Por kjo merr fund.
Ky hajdut rri këtu sepse nuk i kemi treguar ne forcën tonë.
Ne do ia tregojmë atij.
Dhe unë u jap ju fjalën se atë që ka përjetuar në vitin 1991, tek ikte me autoblinda nga Blloku në tunelet e Enver Hoxhës, do t’ia provojmë së shpejti.
Po, po.
Koha është e guximtarëve.
Koha është e sakrificës.
Por ne jemi të vendosur për sakrificë.
Ne jemi të vendosur sepse jemi në të drejtën tonë.
Ne do i japim atij përgjigjen që meriton.
Bllokon me gjykatë pezullimin e bashkëhajdutes.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e botës.
Dhe vazhdojnë tani të vjedhin, të vjedhin, të vjedhin çdo ditë.

Pra, data 22 është data e protestës së përgjithshme kombëtare.
Data në të cilën rrugët e Tiranës do të ushtojnë, largohu hajdut se koha jote ka marrë fund.
U garantoj se PD do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë.
U garantoj se PD do të përdorë të gjitha format e qendresës, të gjitha format e rezistencës gjer në largimin e tij.
Por miq, në qoftë se më pyesni cila është më e mira, më kryesorja, zënia për tre javë e këtij sheshi.
Kjo është.
Këtu duhet të arrijmë ne.
Këtu duhet të betohemi ne.
Për këtë duhet të betohemi ne.
Këtu duhet të vijnë njerëz të betuar për të shpëtuar vendin e tyre, për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar familjen e tyre, për të shpëtuar të ardhmen e tyre.
Si opozitë, ne paraqitëm para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë.
Por natyrisht, miliardat, dhuna, terrori, policia politike e votës, të gjitha këto shkatërruan zgjedhjet dhe i shndërruan në farsë.
Tani ne jemi vota, jemi guximi, jemi forca, jemi fitorja.
Kështu që, i them frikacakut, që merr zvarrë Adriatik Lapajn, protestues paqësor, civil, nuk ke parë gjë akoma.
Absolutisht nuk ke parë gjë akoma.
Sepse në qoftë se ti i ke marrë shqiptarët për frikacakë, ke gabuar rëndë.
Boll vodhe, mor ç’të të thuash ty.
Miqtë e mi, këto kohë keni dëgjuar vetëm për Lubinë, po a e dini ç’është kopshti privat i tij, ajo Mirlinda e famshme?
Mirlinda e famshme është një lubi në vetvete, me një dallim nga Lubia, se Lubia jo të gjitha i ka vjedhur me Ramën, kurse ajo të gjithë agjencinë e saj e ka kopshtin privat të Edi Ramës.
Aty janë dosjet.
Baxhanaku i tij ka vjedhur qindra milionë me tendera.
Aty janë dosjet që Linda, jo Mirlinda, por ajo tjetra, Linda e tij, diktonte tenderat.
Linda Rama diktonte tenderat se kush fiton.
Aty janë dosjet në të cilat biznesmenët janë grabitur në mes të Tiranës dhe kanë marrë dherat.
Aty janë dosjet, ku ish-zëvendësdrejtori i saj u rrëmbye dhe u mbajt në bodrumet e Suel Çelës dhe mezi doli gjallë.
Të gjitha për të fshehur krimet e familjes Rama, krimet dhe vjedhjet e Edi Ramës.
Nuk shpëton dot.
Kam vënë re se këto kohët e fundit ke bërë udhëtime në Gjirin Persik, në botën arabe.
Disa thonë se ke lobuar për pozicionin tënd të tmerrshëm që ke kohët e fundit në vendet e tjera.
Të tjerë thonë se je përpjekur për të gjetur ndonjë strehim politik.
Po të them se edhe mbrapa diellit po shkove, llogari do japësh për këto që ke bërë.
Ndaj miqtë e mi, këto ditë, nga e hëna gjer të hënën tjetër, të bëjmë çdo gjë.
Të mbledhim dhe takojmë çdo guximtar.
Edhe njëherë, koha është e guximtarëve, e burrave dhe grave që guxojnë, që vendosin të sakrifikojnë.
Dhe u garantoj ju se fitorja jonë është e pashmangshme.
Fitore, fitore, fitore.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.


