Berisha: Sot u faktua se kemi të bëjmë 100% me një trafik kriminal të autoriteteve shqiptare me lëndë toksike dhe helme. Të gjithë qytetarët të ngrihen në protesta kundër këtij krimi

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, u shpreh se mediat ndërkombëtare, por edhe ato vendase prej 10 ditësh konfirmuan se kemi të bëjmë me një trafik kriminal të autoriteteve shqiptare me lëndë toksike dhe helme. Denoncimi për mbetjet toksike është bërë më herët edhe nga qytetari digjital, që sipas tij kishte raportuar se në vendin tonë depozitoheshin lëndë kimike supertoksike në tunelet e vendit’, tha Berisha.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, lideri i opozitës, Sali Berisha, u ndal dhe tek pasojat e ligjit për importin e plehrave, ku akuzoi drejpërdrejt Edi Ramën, se falsifikon dokumentet, sikur mbetjet e rrezikshme janë të një ndërmarrjeje private.

Kryedemokrati Sali Berisha e lidh mashtrimin e Ministrisë Mjedisit për mbetjet toksike me Edi Ramën, që sipas tij detyroi jo vetëm këtë institucion, por edhe institucione të tjera të vendit që të heshtin përballë këtij skandali. Sipas Berishës, SHISH, Policia e Shtetit dhe SPAK, të cilën e cilësoi dhe organizatën kriminale të Dumanit, që e kanë me ligj të hetojnë për çështje madhore të vendit, kanë heshtur përballë presionit të biznesit ndërkombëtar të mbetjeve toksike të Ramës.

Në fjalimin e tij në tubimin qytetar, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër autoritetet shqiptare dhe qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Ai ka kërkuar që EuroJust dhe Europol të ndërhyjnë për të hetuar akuzat për krime dhe abuzime të supozuara nga qeveria ndaj qytetarëve shqiptarë. Berisha ka theksuar nevojën për mbështetje ndërkombëtare dhe për protesta të fuqishme nga qytetarët, duke e cilësuar situatën si një kërcënim të madh për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi shqiptarët se qeveria po bën gjithçka që të fsheshë krimin e saj me mbetjet toksike, për të shpëtuar madje edhe Ramën nga ky skandal. ‘Eksporti i mbetjeve të rrezikshme toksike, tejkalon rrezikun e madh të armëve kimike të 10 viteve më parë, pasi ajo është kryer në fshehtësi të plotë nga autoritetet në vend’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, mirënjohje të pakufishme ndaj jush qëndrestarë dhe qëndrestare të pamposhtur të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, shpresës, të ardhmes së shqiptarëve.

Përshëndetje të përzemërtë të gjithë oratorëve të zjarrtë, që me fjalët e tyre përcjellin të vërteta në mendje dhe zemrat e shqiptarëve.

Të dashur miq!

Prej dy javësh lajmet ndërkombëtare për Shqipërinë, lajmet e vendit janë dominuar nga Shqipëria eksportuese e lëndëve toksike e mbetjeve të rrezikshme me anije të kthyera nga një vend në një vend tjetër, të mbetura në det dhe të nisura për në Shqipëri.

Në krye të radhës ju informova se qytetarët digjital, kohë më parë kishin informuar se në Shqipëri depozitohen lëndë kimike supetoksike në tunelet e vendit. E vërteta është se sot u faktua në mënyrë përfundimtare, se rasti i fundit i Durrësit me destinacion Triesten dhe më pas Tajlandën, kemi të bëjmë 100% me një trafik kriminal të autoriteteve shqiptare me lëndë toksike dhe helme, që rrezikojnë shëndetin e qytetarëvë shqiptarë, por dhe vendeve të tjera.

Pasi heshtën pothuajse 10 ditë, pasi ndërsyen mjerot e tyre për të mashtruar shqiptarët se ato ishin mbetje të Kurumit dhe se Berisha e di se janë të Kurum, më në fund nxorrën kokën.

Ministria e Mjedisit mashtroi shqiptarët se ato mbetje vijnë nga furnaltat e Kurum. Shqipëria ka furrnalta hekuri, çeliku, kromi, por dhe furra alumini dhe metalesh të tjera. Por këto janë veprimtari legale, këto janë veprimtari të kontrolluara nga të gjitha anët.

Në këto furra shkrihet hekur, shkrihet krom, shkrihet çelik, alumin dhe të tjerë. Dhe këto furra në mënyrë transparente kanë procedurat ku i depozitojnë mbetjet e tyre, të rrezikshme, të parrezikshme, ku i eksportojnë, cili është destinacioni i tyre.

Kjo është një veprimtari dhjetëra vjeçare.

Por ministria e Mjedisit deklaroi dje, se mbetjet i ka eksportuar Kurumi. Sot kjo sipërmarrje e madhe me një aktivitet pothuajse 30 vjeçare në Elbasan, deklaroi se ato mbetje nuk kanë asnjë lidhje me uzinën e Kurumit.

Pra, ato mbetje thotë Kurumi, nuk kanë lidhje me uzinën, por dokumentacioni është plotësuar sikur janë të Kurumit. Shikoni pra çfarë qeverie, trafikante, falsifikatore e turpshme.

Shikoni se ç’bëjnë. Shikoni se ç’bën Edi Rama për bizneset e tij.

Të dashur miq!

Shikoni se çfarë bën Edi Rama me trafikun që bën me helme dhe toksina.

Merr emrin, falsifikon dokumente dhe i eksporton ato, sikur të jenë të një ndërmarrje private.

Por fare mirë mund të më thoni ju, pse thua Edi Rama. Po pse kush tjetër mund të bëjë një akt të tillë dhe të nxjerrë ministrinë e të mashtrojnë publikun se mbetjet i përkasin Kurumit.

Kush mund të urdhëroj ministrinë të mashtrojë.

Kush mund të urdhëroj organizatën kriminale të kryesuar nga Dumani të heshtë si fija e barit, para një veprimtarie e cila në ligj dhe në kode, përban krim të rëndë.

Në ligj dhe kode, përbën organizatë kriminale, sepse këtë nuk mund ta bëjë një njeri.

Për të transportuar nga Shqipëria, helme, mbetje toksike dhe të rrezikshme, kjo do një grup të tërë.

Kush mund të detyrojë të heshtë Shërbimin Informativ Kombëtar, i cili në ligjin e tij, ndër të tjera ka objekt krimet e rënda të mjedisit.

Kush mund të detyrojë të heshtë doganën për mbi 100 kontenier që u nisën me lëndë helmuese.

Kush mund të detyrojë të heshtë Policinë e Shtetit, të heshtë Piro Vengun, autoritetin portual.

Asnjë autoritet tjetër nuk mund ta bëjë këtë përveç Edi Ramës, hajdutit të Gjipesë.

Të dashur miq!

Le të falenderojmë ne përfaqësuesit e rrjetit ndërkombëtar të Bazelit.

Le të falenderojmë për mbrojtjen që ata po i bëjnë interesave, shëndetit dhe jetës së qytetarëve shqiptarë, duke gjurmuar hap pas hapi këtë veprimtari të tmerrshme kriminale të autoriteteve shqiptare.

Mirënjohje të pakufishme.

Por ftesa ime është të dërgojnë misione, të hetojnë në tunele të Shqipërisë, aty ku fshihet e vërteta e biznesit kriminal të Edi Ramës.

Aty do të mësojnë se cili është Edi Rama dhe banda e tij që qeveris Shqipërinë.

I bëj thirrje EuroJust, Europolit, të vijnë dhe të hetojnë këtë krim monstruoz që autoritetet e vendit bëjnë ndaj qytetarëve shqiptarë.

U bëj thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta të fuqishme kundër këtyre kriminelëve që janë të aftë të trafikojnë, të kërcënojnë, të rrezikojnë çdo jetë të qytetarëve shqiptarë për tu pasuruar vetë me veprimtari të tillë.

Qytetarë dhe qytetare!

Për armët kimike ju e thatë fjalën tuaj.

Ju garantoj se ky eksport e tejkalon rrezikun më të madh që kishin armët kimike, sepse kjo është veprimtari  e fshehtë.

Kjo veprimtari kryhet nga mafia shtetërore për llogari të Edi Ramës.

Kurse armët kimike do të vinin me një mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare dhe do të shkatërroheshin nga ekspertët më të mirë botërore dhe megjithatë është në meritën e qytetarëve shqiptarë që detyruan Edi Ramën të tërhiqet, të humbasë fytyrën para botës si mashtrues dhe bllokuan shndërrimin e Shqipërisë në poligon të shkatërrimit të armëve kimike.

Qytetarë dhe qytetare, kjo që ka ndodhur është gjëmë pas shpinës tuaj.

Vetëm protesta, vetëm revolta, vetëm zemërimi juaj, do të zbardhë gjer në fund këtë veprimtari kriminale.

Këtë veprimtari kriminale e cila mos u çudisni të zhvillohet në periferi të Tiranës, ose afër Durrësit.

Të zhvillohet diku në rrethina të Shkodrës, Elbasanit, Fierit, ne nuk e dimë.

Por dimë një gjë, që qeveria heshti kur u kap me krim në duar.

Qeveria mashtroi dhe na tha se janë të Kurumit.

Qeveria po bën gjithçka që të fshehë krimin e saj, krimin e Edi Ramës.

Nesër të gjithë qytetarët te bashkia.

Nesër dita e kapjes për zverku të Erion Veliajt.

Nesër dita e ngadhënjimit të qytetarëve mbi hajninë, krimin vjedhjen.

Të gjithë në protestë.

Fitore, fitore, fitore.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira është beteja jonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale