Berisha: Sot do denoncoj një skandal ndërkombëtar të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut!

PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, pas paraqitjes në SPAK, akuzoi ashpër kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani si dhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke i cilësuar si binomi më i diskredituar i drejtësisë.

Berisha deklaroi se në zyrat e SPAK ndodhej një person i kërkuar nga drejtësia, Elvis Doçi, ndërsa akuzoi drejtues lokalë të institucioneve të drejtësisë se mbyllin dosje të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke përmendur dërgesat e fundit të kapura në Itali.

Lideri demokrat, Sali Berisha riktheu akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke sjellë si prova dokumente me vulë apostile nga Greqia që vërtetojnë dy dëbime dhe një dënim penal të formës së prerë ndaj saj. Sipas Berishës, Gjoka ka falsifikuar deklarimet në formularët e vetingut, dekriminalizimit dhe ILDKPKI.

Kreu i PD akuzoi gjithashtu SPAK-un se po mban prej 18 muajsh në sirtar hetimet për rastin e Gjokës dhe se prokurori Altin Dumani ka hapur një “hetim paraprak fiktiv” për ta mbrojtur atë nga shkarkimi.

Berisha u shpreh se KLGJ ka shkelur afatet ligjore për shqyrtimin e mandatit të gjyqtares dhe e cilësoi situatën si “turp institucional”. Ai kërkoi edhe njëherë largimin e menjëhershëm të gjyqtares Gjoka nga sistemi i drejtësisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë të zgjeruar para mediave, përsëri akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, dhe gjyqtaren Irena Gjoka për “veprimtari kriminale” dhe “mbrojtje të krimit”, duke theksuar se nuk po bën akuza politike, por po paraqet “fakte dhe dokumente me vulë apostile”.

Berisha u shpreh se gjyqtarja Gjoka ka qenë e dëbuar dhe e dënuar në Greqi, duke akuzuar SPAK se po e mban çështjen pezull që të çojë drejt parashkrimit të veprave penale. Ai akuzoi Dumanin se ka hapur “hetim paraprak fiktiv” për të penguar shkarkimin e Gjokës, duke krahasuar këtë me raste të mëparshme që sipas tij janë mbajtur qëllimisht në sirtar.

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë prononcimit për media para SPAK tha se në drejtësi ka shumë njerëz të ndershëm, por se disa figura të larta poshtërojnë sistemin duke mbrojtur krimin. Berisha solli në vëmendje edhe çështje të tjera të bujshme si Toyota Yaris dhe përfshirjen e Taulant Ballës, të cilat, janë lënë në heshtje nga SPAK.

I pyetur për kreun e ri të SPAK, Berisha deklaroi se nuk ka njohuri për kandidatët dhe se qëndrimi i tij do varet nga lidhjet e tyre me krimin, duke thënë se kundërshtimet që ka bërë ndaj Arben Krajës dhe Altin Dumanit nuk janë sulme politike, por publikim faktesh.

Sa i përket çështjeve të rëndësishme që priten në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë atë për Belinda Ballukun dhe vetë atë më 17 dhjetor, lideri opozitar, Sali Berisha deklaroi se më parë ka marrë vendime politike kundër dhe paralajmëroi se sot do të bëjë një denoncim të ri për një skandal ndërkombëtar që ka kryer qeveria.

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi edhe deklaratat e Ilir Metës lidhur me 21 janarin, duke thënë se Meta mund të ketë informacion shtesë për manipulimin e videove të asaj kohe.

Berisha theksoi se mbështet çdo prokuror e gjyqtar që zbaton ligjin, por se do të denoncojë çdo zyrtar që ka lidhje me krimin.

PRONONCIMI I PLOTË

Siç është zakon, ky është shënimi që lashë në zyrën e Skapit të partisë: “Për Pojën e Spakut, Altin Troplini, armikut të egër të pluralizmit politik, gjobëvënësit ordiner të Skapit të partisë, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral, avokatit mjeran të Irena Gjokës me 5 mbiemra. Ligji do të thotë fjalën e tij. Sali Berisha”.

Aty nuk ishte pushim.

Aty ishte Poja, kishte Elvis Doçin në zyrë.

Ai është në kërkim, por ata aty po jepnin fitimin e ngarkesave të fundit.

Por kishte aty edhe Kreshnik Farrukun, dy të fundit, të cilët i detyrohen Troplinit lirinë ku janë dhe fshehjen e mandat-arresteve.

Ju e morët vesh që operacioni i fundit kishte në epiqendër përsëri Troplinin, Elvis Doçin.

Pra, ka 4 vite që në portin kryesor të vendit, që administrohet nga Troplinët, nuk kapet asnjë kg kokainë, ndërkohë që nga ky port nisin drejt Italisë dhe vendeve të tjera tonelata dhe tonelata.

Javën e kaluar, operacioni në Breshia, që kishte në epiqendër Elvis Doçin, rezultoi se kishin nisur nga Durrësi 1.3 ton kokainë.

Tani, përsëri do kthehemi tek ikona e drejtësisë të Troplinëve dhe Altin Troplinit, Irena Gjoka.

Në mars të vitit 2024, gazeta Ta Nea boton shkrimin se Irena Gjoka është dëbuar nga Greqia.

Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr deklaratë në mbrojtje të Irena Gjokës, fytyra e vërtetë e qeverisë së drejtësisë.

Kush ishte kjo?

Në atë kohë ka qenë Llagami mos gabohem.

Llagami, e cila për qytetarët deklaron se nuk ka drejtësi,kurse për vete merr me procese të shpejtuara 3 milionë euro shpërblimin për pronat e veta.

Natyrisht pronat kanë qenë të familjes, nuk mojohet, por që t’i marrësh ato me një shpejtësi të rrufeshme, vetëm ajo e ka bërë këtë.

Ndaj dhe bënte deklaratë në mbrojtje të Irenës.

Me 4.5.2024, gazeta Protothema nxjerr vendimin e gjykatës për dëbimin e Irena Gjokës.

Me 7 maj 2024, pra para 20 muajsh, prokuroria deklaron se po nis hetim të thelluar.

Pra, prej 18 muajsh e mban në sirtar hetimin pa asnjë rezultat. E ka futur në turshi.

Ky është ligji për këta.

Këta janë njerëzit e ligjit, që i paguani ju o qytetarë me rrogat më të lartat në Europë.

Ne nuk i kemi votuar kurrë këta.

Këta nuk i kemi votuar.

Unë po bëj fjalë për persona, sepse këtu meqenëse doni, absolutisht ka njerëz të ndershëm, njerëz punëtorë, njerëz që kanë dëshirë të bëjnë ligjin.

Do ishte gabim të mendohej se janë të gjithë Troplinë apo Irena Gjokë, por ky është një binom. Troplini mendon Gjokën, vetëm një si Altin Troplini mund të bëjë një gjë të tillë, të pranojë një delinkuente si Irena Gjoka, duke e ditur se diskrediton cdo ditë gjyqtarin, prokurorin, por duke qenë peng që të dy, nuk kanë interesa të tjera, përveç interesave të tyre personale.

Me një fjalë, janë dy faqezinj, që kërkojnë t’u nxijnë faqen të tjerëve.

Por të tjerët nuk janë si ata. Të jemi realistë sepse do ishte gabim të mendonim se të gjithë ata punonjës aty kanë moralin e Pojës së Skapit apo të Irena Gjokës.

Me datën 2 maj 2025, gjykata e Janinës lëshon vendimin me vulë apostile jo vetëm për dy dëbimet për Irenës, por edhe për dënimin e saj penal të formës së prerë.

Me datën 5 maj, paraqita këtu para jush vendimin me vulë apostile. Para dyerve të Skapit.

Me datën 5 maj 2025, Irena Gjoka mohon që të jetë dënuar. Pra, a ka më faqezezë se kjo?

Gjykatësja është një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme për një shtet. Një grua, një nënë, që heq çdo lloj cipe dhe u thotë medieve që nuk ka qenë kurrë e dënuar.

Unë besoj se nuk ka njeri të ndershëm që mund të pajtohet me një person si kjo, që nuk ka normë, nuk ka standard moral, por mbrohet nga Altin Troplini.

Ajo mohohet që të jetë dënuar apo dëbuar nga Greqia në një intervistë për portalin BIRN.

Mos harroni se ky mohim do të thotë dyfishim i krimit të kryer.

Sepse fshehja në formularin e vetingut dhe të dekriminalizimit, fshehja tek ILDKPKI, të gjitha këto përbëjnë krime në vetvete secili prej tyre.

Pardje, siç e dëgjuat, një ministër i qeverisë rumune, vend anëtar i BE, dha dorëheqjen vetëm e vetëm se nuk kishte pasqyruar një ndodhi të tij në formularin e deklarimeve në ILDKPKI.

Por natyrisht ai është një ministër, një njeri i qytetëruar që merr përgjegjësi për gabime apo fajin që ka kryer, kurse këtu kemi të bëjmë me kriminelë që fshihen prapa krimeve të tyre dhe mbrohen nga njeriu që paguhet për të mbrojtur qytetarët e tjerë nga krimi.

Pra, nga prokuror, Altin Troplini është shndërruar në avokatin e shpërfytyruar të Irenës me 5 mbiemra.

Me 6 maj 2025 del prokura e vitit 2003, pra një ditë pasi kishte mohuar, pasi kishte thënë që nuk kam qenë kurrë e dënuar, doli prokura të cilën Irena me shumë mbiemra e kishte lëshuar për të marrë avokat në Fier që të kundërshtonte vendimin e dëbimit nga Greqia.

Pra, bie absolutisht alibia që nuk kishte dijeni.

Për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, por jo për Altin Troplinin, i cili skllav i veprave të tij, është i detyruar të sillet në këtë mënyrë, të poshtërojë veten dhe të shndërrohet nga prokuror në avokat.

Me 7 maj 2025, Altin Troplini, Poja e Skapit, deklaron fillimin e hetimeve paraprake, hetimit mburojë për të mos lejuar shkarkimin e saj. Për të mos lejuar veprimet administrative ndaj saj, pasi thotë se unë po e hetoj këtë.

A ka akt më të turpshëm?

A ka akt më kriminal se sa ky?

Duke qenë para të gjithë këtyre dokumenteve, shpall hetim paraprak siç shpalli për McGonigal, Olsi Ramën, për Kreshnik Farrukun, pasi sipas qytetarit dixhital, u pagua me 5 milionë euro që të falsifikojë identitetin e tij për vëllain e tij.

Tani, a ka paguar Irena qindra mijëra euro Altin Farrukut, apo e bën se e ka urdhëruar Edi Rama, këtë unë nuk mund ta them.

Por pozicioni i tij është pozicioni më i shëmtuar i një njeriu pa dinjitet, pa personalitet dhe zbaton ose urdhrin e parave ose urdhrin e Edi Ramës.

Me 8 maj i kërkova KLGJ-së shpalljen e mbarimit të mandatit të Irenës me 5 mbiemra.

Maj-qershor 2025, ndonëse ligji e detyron KLGJ-në të vendosë për 15 ditë për mbarimin e mandatit, vijon loja e kungulleshkave.

KLGJ i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të shprehet, ajo fshihet pas Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk ka asnjë konkluzion. Turp i dheut.

Qersho 2025, del se Irena Gjoka jo vetëm pra është dëbuar dy herë nga Greqia dhe ka lëshuar prokurë për të kundërshtuar, ka dënim penal të formës së prerë, ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, ka gënjyer dhe ka falsifikuar vetingun, megjithatë ajo vazhdon detyrën e mbrojtur gjoja në hetim paraprak nga Poja i Skapit.

Nuk ka figura më të diskredituara sot se këto dy figura.

PYETJE-PËRGJIGJE

Gazetarët: Z.Berisha, ju i keni përsëritur disa herë këto akuza ndaj z.Dumani dhe znj.Gjoka, por në raport me drejtësinë politikisht ku ju çon kjo?

Berisha: Së pari, nuk kam përsëritur akuza, kam përsëritur fakte që ju dhe askush në botë nuk mund t’i hedhë poshtë.

Është tjetër të formulosh akuza, tjetër të paraqesësh dokumente me vulë apostile.

Vula apostile është dokument zyrtar i pakundërshtueshëm.

Në këtë kuadër, unë po i bëj një shërbim shqiptarëve, po u tregoj se çfarë llumi ka në organet e drejtësisë.

Çfarë kriminelësh ka në këto organe.

Se si përdorin ligjin dhe hetime për qëllime private dhe personale.

Unë besoj se ky është një dokument shum i çmuar dhe kjo do ndjehet.

Janë sot 5 ose 6 rezoluta ndërkombëtare, të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë që damkosin politizimin dhe përdorimin e kësaj drejtësie si armë.

Dakord, nuk janë të gjithë të kësaj mendje, por gradualisht kjo do zërë vendin e vet sepse e vërteta vonon, por nuk harron.

Ata të cilët do njihen dora dorës me këto dokumente, do kenë të njëjtin mendim që ka Sali Berisha.

Atëherë, në qoftë se ju mendoni se një jurist, një gjykatës, një prokuror mbron kriminelin, përdor ligjin për të mbrojtur kriminelin, ndryshon nga një qytetar një kriminel, e keni gabim.

Më i lig është ky se është njeri i ligjit sepse paguhet për të dënuar kriminelin.

Ndaj ky është një kontribut dhe mbështetje për drejtësinë.

Jam i bindur se çdo gjyqtar i ndershëm që jeton me djersën e tij, turpërohet 100 herë nga Irena Gjoka.

Jam i bindur se çdo prokuror i ndershëm, që investohet për zbatimin e ligjit në betejën kundër krimit, turpërohet nga Altin Troplini.

Pra, këtë punë duhet ta bëni ju gazetarët, por unë e bëj edhe për ju se ju u mungon kurajo në shumë raste, por unë u mirëkuptoj.

Sa herë i keni cituar ju këto dokumente që unë kam paraqitur?

Sa herë janë bërë objekt debati në studiot televizive Altin Troplini me këto që bën?

A ka diskreditim më të madh për figurën e një prokurori se kjo që bën ky?

A ka diskreditim më të madh për figurën e një gjykatëse se ajo që bën ajo?

Pra, nuk është ai që paraqet dokumentet që cenon sistemin, janë ata të cilët poshtërojnë sistemin, që kanë kryer krime dhe mbeten me çdo kusht në sistem.

Troplini e mori vetë përsipër. U vetëofrua për të hapur hetimin paraprak, e bëri vetëm me qëllimin që ta nxjerrë jashtë afateve.

E keni lexuar dosjen e Toyota Yaris?

Çfarë bënte Taulant Balla me atë Daupin, i thoshte t’ia çojmë Taos dosjen e makinave të Suel Çelës që ta nxjerrë Tao jashtë afatit. Të njëjtën gjë bën edhe ky.

E merr hetimin paraprak për ta nxjerrë drejt afateve të parashkrimit…

Gazetarët: Po pretendoni se z.Dumani po e shpëton znj.Gjoka me procedurë? Mund të na e shpjegoni si?

Berisha: Sepse duke e shtyrë, vepra parashkruhet. Ky është problemi. Ky e merr në mënyrë që vepra e saj të parashkruhet.

Ka paguar gjysmë milionë euro kjo Gjoka me shumë mbiemra apo e ka urdhëruar Edi Rama, këtë nuk mund ta them, por një njeri që ka minimumin e dinjitetit njerëzor, nuk e bën kurrë këtë.

Sepse aty nuk ka asgjë për hetim, aty janë dokumentet me vulë apostile, asaj i ndërpritet mandati dhe dërgohet për ndjekje penale se ka mashtruar, ka falsifikuar.

Kjo është shumë e thjeshtë.

Unë e përdor këtë se është rasti më tipik. Se ç’bëhet pastaj nën rrogoz të tjera, bëhet ajo që merret mandati i Troplinit, vjen mandati i arrestit ndërkombëtar dhe mbahet në xhep nga Altin Troplini nga data 26 prill deri me datën 22 maj.

Dhe me datën 22 maj, Poja i tonelatave kokainë, që ka 4 vjet që kontrollon portin e Durrësit, çan ferrën dhe ikën.

Besoj se këto janë akte shumë të rrezikshme për shoqërinë shqiptare.

Ju keni lexuar në dosjen e Toyota Yaris, se si Taulant Balla merr përsipër të shpëtojë jo vetëm paratë, por edhe automjetet e krimit.

Dhe Taulant Balla vazhdon të kryesojë grupin e PS.

Sepse dosja e Toyota Yaris është me numër 26. Dosja për Taulant Ballës është 26/1 në sirtarin e Altin Troplinit.

A është ky në shërbim në krimit?

A nuk është kjo në shërbim të krimit.

Ose marr rastin tjetër të tij. Taulant Balla merr urdhër nga Suel Çela që të shkojë në Shkodër bashkë me prokurorin Vath Staka dhe të lirojë dy terroristët që i vendosën tritolin nën shalën e Lulzim Kullës, të cilët mund të vrisnin disa qytetarët nga shpërthimi, dhe Taulant Balla vazhdon të kryesojë grupin e PS sepse Altin Faqeziu e përdor ligjin sipas urdhrit apo interesave të tij private.

Unë nuk po sulmoj drejtësinë, por po sulmoj krimin brenda këtij sistemi.

Unë kam respektin më të madh, më ta pakufishëm për çdo prokuror, gjykatës, hetues, polic që zbaton ligjin.

Gazetarët: Z.Berisha, keni anatemuar Arben Krajën, Altin Dumanin, në datë 20 dhjetor do ta njihni kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme?

Berisha: Së pari, nuk qëndron kjo.

Nuk kam anatemuar asnjë njeri, kam paraqitur dokumente publikut për veprimtarinë kriminale, qoftë të Arben Krajës, qoftë të Altin Troplinit.

Nuk është anatemim.

Më thuaj cila nga këto që kam deklaruar për Altin Troplinin nuk është e vërtetë?

Unë kam paraqitur para publikut të vërtetat për këtë.

Kraja nuk duhet të jetë në detyrë se është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Është e faktuar kjo.

Ai e mohon këtë.

Por po ta lexosh atë që ka shrkuar, nuk ka qenë ndonjëherë në parti, ka qenë deputet, ka qenë kandidat për deputet i Partisë së Punës.

Por unë nuk e marr këtë akt. Por ai nuk ka pse mashtron.

Por ai i përket serisë së Sigurimit të Shtetit.

Plus, që ka probleme të tjera të mëdha, por është një kapitull më i veçantë…

Zotëri, siç e sheh, unë jam këtu dhe njoh çdo institucion të këtij vendi.

Më the se janë katër kandidatë.

Nuk kam asnjë lidhje, nuk kam asnjë dijeni për asnjërin prej atyre që do zgjidhet.

Uroj të jetë i pahapur nga krimi, siç ishte Altin Troplini.

Absolutisht unë mbështes çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues, çdo polic dhe cilindo që zbaton ligjin.

Unë jam njeri i ligjit.

Besimi im politik është Kushtetuta dhe ligji.

Gazetarët: Z.Berisha, Gjykata Kushtetuese ka dy çështje shumë të rëndësishme për të shqyrtuar, nesër është çështja për znj.Balluku dhe në datën 17 është çështja juaj. A mund të jepni një koment lidhur me këtë?

Berisha: Në të gjitha hetimet e mia, absolutisht në të gjitha gjykimet për mua, gjykata ka dhënë vendime politike kundër meje siç ka marrë urdhër.

Por cili-viu- viu, kush ia bën, ia bën vetiu.

I ranë kokës.

Unë kisha dërguar në vitin 2012 nenin për heqjen e çdo lloj mbrojtje për deputetin. Dhe prapë e votoj atë nen.

Por këta e forcuan.

Por tani po përballen me atë që bënë.

Për sa i përket këtij, kemi të bëjmë me një skandal madhor ndërkombëtar, të cilin unë do e denoncoj, po e përgatis dhe do paraqes dokumente dhe fakte para shqiptarëve për aktin e paprecedent, të pashembullt, të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut që ka bërë dje.

Dje ka kryer një skandal të madh ndërkombëtar.

Dje Edi Rama bëri mashtrim të madh shqiptarëve dhe Europës, për të cilat unë do e dënoj sot me forcën më të madhe.

Për këtë çështje do të flas në orën 12:30 para medieve.

Gazetarët: Si ishte takimi me Diellën dje doktor?

Berisha: Diella e shpartalloi Ramën.

Çdo gjë që thotë të vërtetën, pranohet nga unë.

Si prokurore e Edi Ramës, ia fishkëlloi Edi Ramës, ia nxori të gjitha mashtrimet publikisht.

Komunikimet e mia janë të pakufishme.

Gazetarët: Z.Berisha, Ilir Meta kërkoi të pyetet nga SPAK për 21 janarin , çfarë di Ilir Meta, sipas jush, për 21 janarin. Altin Duamni për pak ditë përfundon mandatin si kryeprokuror i SPAK. I riu që do të vijë dhe emërohet, a mund ta presë i njëjti fat, të gjendet sërish nën akuza prej jush?

Berisha: E para nuk kam dijeni se cilat di Ilir Meta më shumë se unë.

Mund të dijë se është normale sepse ju e dini se ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, falsifikimin, manipulimin e një regjistrimi të një ish-ministri, të ndjerit Dritan Prifti, i cili për hir të të vërtetës mendoi se mund të më bëjë presion, por unë i thashë sa të dalësh nga dera ime, bëje publike.

Ky jam, nuk mund të më marrë kush peng mua.

Kështu që Ilir Meta mund të ketë gjëra për të sqaruar më shumë se unë në këtë drejtim.

Ai e çoi regjistrimin në një institut italian shumë serioz dhe ata deklaruan se është 28 herë copy-paste, i manipuluar.

E ka bërë Edi Rama me Filip Çakullin.

Shpresoj të merren me seriozitetin më të madh për këtë çështje…

Kryeprokurori i ri, nuk kam asnjë të dhënë. Nuk kam asnjë lloj preference.

Qëndrimi im varet ka apo nuk ka lidhje me krimin.

Kaq.

Në qoftë se unë sulmoj sot Altin Troplinin, e sulmoj sepse kam identifikuar, kam vërtetuar lidhjet e tij me krimin.

Pikë. Asgjë tjetër.

Në qoftë se unë konstatoj një gjë të tillë, unë kurrë nuk mund të flas kundër një njeriu që mund të zbatojë ligjin.

Kanë kohë në sistem. Po pse kanë qenë edhe në kohën time, unë nuk mund të them.

Këtë Krajën unë e kam nxjerrë nga sistemi, por e ka futur në sistem Fatos Nano, i ndjeri.   

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale