FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar duke folur për sulmin ndaj avokatit të tij, u shpreh se, ‘Sokol Mëngjesi është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën’.
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi në fjalën e tij se, sulmi brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi është bërë me inkurajimin e Edi Ramës. ‘Sokol Mëngjesi u godit me inkurajimin madhor të Edi Ramës! Qëllimi ishte eliminimi i tij’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar Taulant Ballën se qëndron pas sulmit brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. ‘Taulant Balla, i cili porositi vrasjen e avokatit Ravik Gurra, faktoi se qëndron pas këtij krimi të shëmtuar’, theksoi Berisha në deklaratën e tij.
Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën dhe Taulant Ballën, në lidhje me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. ‘I deklaroj Ramës dhe Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës! Sokol Mëngjesi demaskoi dosjen farse kundër meje’, tha kryedemokrati, Sali Berisha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën në lidhje me rezolutën antikurrpsion të votuar nga mazhoranca socialiste dhe komisionin e posaçëm që pritet të ngrihet në seancën e radhës. ‘Nuk ka komision që të shpëton lëkurën nga sulmi i fitores të qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresë’.
FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju demokrateve dhe demokratëve të pamposhtur, qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të kauzës tonë të madhe.
Të dashur miq!
Sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht.
Goditi një akademik, profesor.
Goditi një qytetar me integritet.
Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit.
Goditi profesor Sokol Mëngjesin.
Të dashur miq!
Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij.
T’u shërbejë atyre me dinjitet.
Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare.
Një specialist i shquar në fushën e tij.
Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën.
Miqtë e mi!
Sokol Mëngjesin, një grup i strukturuar kriminal e sulmoi për ta eliminuar fizikisht.
Në fakt ai është në gjendje serioze sonte.
Dhe ai sulm me objekte të hekurta, i organizuar nga një bandë me mbështetje, nuk kishte qëllim tjetër veçse eliminimin e tij.
Menjëherë pas atentatit ndaj tij në mediat e qeverisë u përhapën lajmet, mashtrimet më të mëdha.
Fillimisht se ishte një zënkë e çastit, më pas se ishte çështje prone dhe së fundmi një çështje gjyqi.
Unë u them ju një gjë, që është një goditje e mirëfillte politike.
Sepse Sokol Mëngjesi po të kishte qenë avokat i Edi Ramës apo Belinda Ballukut, nuk do e kishte prekur njeri me dorë.
Por Sokol Mëngjesi, pavarësisht nga preteksti, u godit me inkurajimin madhor të Edi Ramës, Taulant Ballës, mbështetësve kryesorë të krimit në Shqipëri.
Miqtë e mi, dalja e Taulant Ballës faktoi katërcipërisht se ai me Edi Ramën qëndrojnë mbrapa si mbështetje, në mos edhe më shumë, e këtij krimi të shëmtuar.
A mund të besohet Taulant Balla, që pasi i ndjeri Ravik Gurra gjeti në dosje se Taulant Balla kishte porositur vrasje, u ekzekutua nga një dorë mafioze në mënyrë që avokati Gurra të mos hapte proces gjyqësor ndaj Taulant Ballës.
Për ata të cilët mund të tregojnë skepticizëm, u them a nuk u zhdukën me vendim gjykatësi dhe prokurori regjistrimet që faktonin se Taulant Balla kishte porositur vrasje?
Atëherë çfarë njoftoi Taulanti sot?
Bëri betimin që ka bërë për Ravik Gurrën.
A ishte dorëjashtë në vrasjen e Ravik Gurrës, Taulanti?
Jo, ishte porositës sipas të gjitha rrethanave të asaj vrasje.
Po këtu çfarë deshi? Pse i dogji akuza që unë i bëra Edi Ramës?
Pse Edi Rama nuk gjeti dëshmitar tjetër përveç të akuzuarit për vrasjen e Ravik Gurrës?
Miqtë e mi, këta janë paraardhës të xhelatëve.
Këta nuk e kanë bërë gjë përdorimin e metodave të vjetra.
Ata që kanë jetuar në diktaturë e dinë se si një qytetar i ndershëm, që nuk pajtohej me regjimin, arrestohej me akuzën e hajdutit, pa vjedhur kurrë në jetën e tij.
Arrestohej me akuzën e zënkave, të provokuara të gjitha.
Çfarë do të thotë kjo?
Sokol Mëngjesin donin ta vriste. Kush? Personi që kishte fituar gjyqin në të gjitha shkallët me avokat Sokol Mëngjesin.
Pra, ky monstër donte të eliminonte njeriun që e mbrojti në përputhje me ligjin.
Të gjitha mund të ndodhin, por këto janë ndodhi që ndodhin vetëm me mbështetje dhe vetëm me mbështetje kryesore politike.
A mund të besohet se po heton Taulant Balla? Përkundrazi. Nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po shpalosin skenarin e përgatitur.
E stisur për një çështje. Çdo avokat ka çështje. Janë njerëzit e çështjeve.
Por të eliminosh një avokat në mes të qytetit të Tiranës se gjoja nuk donte t’i paguante detyrimin, kjo tejkalon çdo gjë, përveç mendjen e Edi Ramës, mendjen e Taulant Ballës dhe shërbëtorëve të tyre.
Duke i uruar shërim të plotë profesorit të nderuar, Sokol Mëngjesi, i deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës.
Se do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar.
Për këtë skenar të stisur!
Se sot ke goditur një avokat të të vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha.
Që të hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe botës të një kryeministri bandit që nuk ke ligj, Kushtetutë dhe moral, por që je një kriminel në krye të protektoratit të krimit në Shqipëri.
Miqtë e mi!
Sot ishte ditë e vështirë sepse një intelektual i shquar u godit në mes të Tiranës.
Ftoj intelektualët të bashkohen me ne në protestë sepse secili prej tyre nesër mund të pësojë fate të ngjashme.
A nuk ishte Edi Rama mbrapa Emiljano Shullazit, që kërcënoi kandidatin për rektor me rrëmbim të djalit?
Sepse donte t’i jepte tenderin e kampusit të universitetit, Emiljanës së Edi Ramës.
Po pse të mos themi ne se është Edi Rama mbrapa grupit të strukturuar kriminal që goditi sot për t’i marrë jetën avokatit Sokol Mëngjesi, si hakmarrje e verbër, primitive ndaj përmbysjes së plotë të dosjes Dumani-Kraja-Melonai, këtyre mercenarëve të shpifur të drejtësisë shqiptare.
Miq, koha fton për guxim.
Koha fton për revoltë.
Koha fton për sulme gjer në fitore.
Ndaj dhe beteja për bashkinë është betejë për Shqipërinë.
Beteja për bashkinë është betejë për të ardhmen.
Beteja për bashkinë është betejë për qeverinë teknike.
Beteja për bashkinë është beteja për zgjedhje të lira.
Edi Rama, iku koha kur mashtroje shqiptarët dhe botën me dëshmitare të rremë opozitën.
Opozita do të qëndrojë dhëmb për dhëmb, do të të marrë fytyrën, do u tregojë shqiptarëve dhe botës se sa i pafytyrë je ti, se cili je ti, shef i narkotrafikut, i shtetit të trafiqeve.
Ndaj dhe nuk ka akt, nuk ka atentat, nuk ka kurth, nuk ka vendim që të të shpëtojë ty nga sulmi i fitores të qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë.
Tani, nuk kanë sosur ditët. Nuk ka komision që të shpëton lëkurën. Krijo jo një, po dhjetëra komisione, je i destinuar të përfundosh në koshin e plehrave të historisë.
Edhe njëherë, përgëzime dhe mirënjohjen time më të madhe për qëndresën tuaj.
Fitore, fitore, fitore!