Berisha: Saranda, miliona tonelata beton në të 4-ta anët! Shqipëria Madhështore është një program për shqiptarët

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË QYTETIN E SARANDËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve PD-ASHM në qytetin e Sarandës, akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Edi Rama për gjendjen e vështirë të pensionistëve shqiptarë.

Nga Saranda, Berisha tha se, ndryshe nga vendet fqinje ku pensionet janë rritur ndjeshëm që nga viti 2013, në Shqipëri ato kanë mbetur thuajse të pandryshuara, ndërkohë që çmimet janë dyfishuar. Pensioni mesatar prej 172 mijë lekësh nuk mjafton as për ushqime bazë apo ilaçe, dhe mbi gjysma e pensionistëve marrin më pak se kaq. Berisha tha se, për të përballuar rritjen e çmimeve, pensioni sot duhej të ishte 390 mijë lekë.

Lideri demokrat akuzoi Ramën për vjedhje dhe braktisje të qytetarëve, duke e quajtur përgjegjës për varfërinë ekstreme. Berisha vlerësoi Sarandën si një vend me trashëgimi të pasur kulturore dhe bashkëjetesë shembullore, por që sot po përjeton skamje për shkak të keqqeverisjes.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në vijim të fjalimit të tij në Sarandë, akuzoi qeverinë Rama për dështime të thella në shërbimet publike dhe për korrupsion të përhapur. Ai u shpreh se Saranda nuk mund të quhet madhështore kur qytetarët jetojnë në varfëri, nuk marrin dot ilaçet, fëmijët e tyre mësojnë në klasa kolektive dhe në dy turne, ndërsa arsimi ka rënë ndjeshëm në cilësi. Berisha theksoi mungesën e një teatri funksional dhe gjendjen e rëndë të spitalit lokal, duke përmendur edhe spitalin Onkologjik në Tiranë, ku sipas tij janë kryer krime kundër njerëzimit për shkak të mungesës së ilaçeve jetike. Kryetari i PD akuzoi Ramën se, megjithëse është në dijeni të këtyre krimeve, nuk ka marrë asnjë masë, sepse vetë është autor i tyre. Berisha ironizoi edhe me shprehjen “hanë dardha”, duke thënë se gjithë qeveria, bashkë me Ramën, “hanë dardha gjithë ditën dhe vjedhin qytetarin”.

Lideri Opozitar, Sali Berisha kritikoi qeverinë aktuale për shkatërrimin e Sarandës nga betonizimi dhe për trajtimin e keq të pensionistëve, duke e krahasuar me rritjen e pensioneve në vende të tjera si Mali i Zi dhe Rumania. Ai premtoi se, pas 100 ditëve të qeverisjes së tij, paga minimale do të arrijë 500 euro dhe do të jepet kartë konsumatori për shtresat në nevojë, me 20% ulje të çmimeve për jetesën. Po ashtu, do të rivendoset lista e barnave falas, duke ndjekur modelin italian, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se projekti “Shqipëria Madhështore” është për çdo shqiptar dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës, duke rikthyer dinjitetin dhe mirëqenien.

Sali Berisha theksoi se një vend pa rini është i pa ardhme dhe se Shqipëria ka humbur rininë gjatë 12 viteve të fundit, për shkak të largimit të të rinjve. Ai u shpreh se vendi është duke humbur shpresën dhe ëndrrat e rinisë, dhe kërkoi rikthimin e të rinjve në Sarandë dhe në Shqipëri. Berisha propozoi një sërë masash për të mbështetur të rinjtë, duke përfshirë eliminimin e tarifave dhe mesatares, bursa 200 euro për studentët, dhe stimulime për punësimin dhe strehimin e të rinjve. Ai gjithashtu premtoi financimin e biznesve të rinj dhe 5 vjet pa taksa për to. Në përmbyllje, ai u angazhua për një komb të rinor dhe me të ardhme, duke theksuar se një komb pa rini është një komb pa shpresë.

Gjatë fjalimit të mbajtur para qytetarëve në Sarandë, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se një vend pa rini është i pa ardhme dhe se Shqipëria ka humbur rininë gjatë 12 viteve të fundit, për shkak të largimit të të rinjve. Berisha u shpreh se vendi është duke humbur shpresën dhe ëndrrat e rinisë, dhe kërkoi rikthimin e të rinjve në Sarandë dhe në Shqipëri.

Lideri demokrat propozoi një sërë masash për të mbështetur të rinjtë, duke përfshirë eliminimin e tarifave dhe mesatares, bursa 200 euro për studentët, dhe stimulime për punësimin dhe strehimin e të rinjve. Ai gjithashtu premtoi financimin e biznesve të rinj dhe 5 vjet pa taksa për to.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se, nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria është përballur me një grabitje të pasurive dhe fondeve, duke devijuar nga rikthimi i mirëqenies për qytetarët. Ai premtoi një reformë fiskale, ku bizneset do kenë taksa më të ulëta dhe energjia do të bëhet më e lirë për qytetarët dhe bizneset. Berisha gjithashtu premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve, duke i vendosur ato në nivele më të larta se të gjitha vendet e rajonit.

Për fermerët e Sarandës, Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se do të subvencionohen pesë herë më shumë se tani. Ai kritikoi heqjen e subvencioneve, duke thënë se kjo ka sjellë rritje të çmimeve të produkteve, si qumështi dhe mishi. Berisha gjithashtu premtoi kredi të buta për fermerët dhe investime në infrastrukturën bujqësore, duke theksuar se prodhimet e huaja që nuk janë të certifikuara në BE do të ndalohen.

Kryetari i PD, Sali Berisha në Sarandë theksoi se 11 maji është dita e ndryshimit për Shqipërinë. Ai akuzoi qeverisjen Rama për shpërdorim të fondeve, përfshirë humbjen e 130 milionë eurove nga djegësit i Tiranës dhe rritjen e çmimeve. Berisha premtoi mbështetje të madhe për fermerët, subvencione 5 herë më të larta dhe investime në bujqësi. Ai ftoi shqiptarët të votojnë për ndryshim dhe të rikthejnë ëndrrën për një Shqipëri më të mirë.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Sarandës, Konispolit, dhe të gjithë këtij rrethi. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, përshëndetjet më të përzemërta për ju.

I dashur, z.Bujar Leskaj, udhëheqës politik i qarkut Vlorë. E dashur znj. Ina Zhupa, udhëheqëse politike e rrethit Sarandë.

Të dashur kryetare edhe krytetarë të degëve të PD dhe të ASHM . i nderuari z.Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ dhe aleat i çmuar në aleancën tonë.

Një përshëndetje të përzemërt kandidatëve tanë që janë krenaria e vërtetë e ASHM-së, krenari e qytetarëve të rrethit Sarandës, qarkut të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

Të flasësh në Sarandë, për Sarandën madhështore, për Shqipërinë madhështore, është më e bazuar se kudo tjetër, pasi në çdo pamje që të shohësh këtë rreth ka madhështi të përjetshme. Saranda, ka një trashëgimi kulturore, natyrore, të jashtëzakonshme. Saranda është treva e bizhuve më të bukura të kulturës së njerëzimit. Ka parkun kulturor natyror më mahnitës, të cilin ndofta, nuk e ka asnjë vend tjetër në botë.

Saranda, ka madhështinë e njerëzve të vet. Këtu në këtë trevë, shqiptarë, grekë, rumunë, njerëz me prejardhje të ndryshme jetojnë në paqe, harmoni në shekuj. Në këtë kontekst, Saranda dhe jugu është një universitet madhor i lirive dhe të të drejtave njerëzore, respektit reciprok.

Pra, kjo është Saranda që trashëgojnë sarandiotët, që trashëgon Shqipëria.

Po, cila është Saranda jonë sot?

Saranda, sot është qyteti i burrave dhe grave të moshuar, të cilët pasi kanë shkri jetën e tyre, energjitë e tyre, në këtë qytet dhe në këtë rreth, përjetojnë tiraninë e mjerimit. Përjetojnë një mbijetesë me një pension, më qesharakun, më të pamerituarin.

Miq, nuk do të harrojmë një gjë. Ne që jetuam ditkaturën staliniste të Enver Hoxhës, ne e përmblidhnim atë me një term të përgjithshëm, diktaturë. Por në fakt, ajo ishte diktaturë e luftës së klasave, por ishte po kaq diktaturë me tiraninë e mjerimit dhe të varfërisë që iu impononte shqiptarëve me hiperkolektivizimin e vet.

Sot, nuk ka hiperkolektivizim. Por, sot, pensionisti, punëtori në ndërtim, punëori i fermës, sot, mjeku, mësuesi, inxhinieri, profesionisti, jeton me një pension i cili çdo ditë e më shumë vështirëson ushqimin e përditshëm. I cili, e detyron atë, t’u thotë nipërve, mbesave: shkoni, se kaq kam. Këtu nuk ka më për ju! Merrni rrugët e botës!

I cili, e le këtë zonjë, këtë zotëri, e le pa ilaçe. Këtë javë nuk po i marr ilaçet, se nuk arrij.

Cili është ai që arrin të marrë ilaçet me një pension mesatar 172 mijë lekë?

Cili është ai që mund të kënaqë veten, apo njerëzit e tij me një pension qesharak si ky? Mos të harrojmë se, 57% e këtyre burrave dhe grave nuk marrin 172 mijë lekë, jo.

57% e pensionistëve i kanë pensionet shumë më të vogla, të pjesshme dhe të pjesshme.

Pra, çfarë ndodhi këtu me këtë vend?

Si ka mundësi që, përsëri u rikthye pa mëshirë skamja, varfëria ekstreme? Po, po! Sepse, çmimet nga viti 2013 gjer sot, janë mbidyfishuar ushqimet dhe gjërave bazë. Litri i qumështit është dy herë më shumë, kilogrami i mishit po kështu, buka po kështu dhe ushqimet me radhë.

Ekonomistët kanë faktuar se në qoftë se, pensioni duhet të ndiqte rritjen e çmimeve, të ishte pak më shumë, ai sot duhet të ishte 390 mijë lekë.

Pra, një pensionist që merrte në vitin 2013 nëj pension 143 mijë lekë, për të jetuar sot siç jetonte atë vit, duhet të kishte një pension 390 mijë lekë.

Pse nuk ndodhi kjo?

Çfarë pati Shqipëria që nuk ndodhi? Pati ndonjë luftë? Jo, nuk pati. Çfarë pati ky vend?

Ky vend pati vetëm një gjë. Këta qytetarë u vodhën, u vodhën, sa asnjë qytetar tjetër në Europë.

Po, pse qytetari i Malit të Zi, që merrte një pension 138 mijë lekë në 2013, merr sot, 450 mijë?

Pse qytetari i Maqedonisë së Veriut, që merrte një pension 130 mijë lekë në vitin 2013, merr sot 380 mijë lekë?

Po pse, qyetetari serb, që merrte në vitin 2013, një pension 135 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë?

Pse këta? Këta nuk patën kryeministra, si puna e këtij që t’u thotë: shqiptarët janë dembela. Çfarë dembelash janë pensionistët? Të vret Zoti të nxjerrësh një fjalë të tillë për ta.

Por, je hajdut ti, i vjedh ti dhe nuk u jep paratë që meritojnë.

A mund të jetë Saranda madhështore, atëherë, Saranda e burrave dhe grave që numërojnë kafshatën, që nuk marrin ilaçet?

A mund të jetë Saranda madhështore? Ka gjithë këtë teatër, qindra e mijëra vjet më parë. Sot nuk ka asnjë teatër.

A mund të jetë Saranda madhështore, kur fëmijët e saj nga viti në vit, nga 2013 gjer sot, ranë në cilësinë e shkollimit dhe dolëm dy vite më parë me rënien më të madhe në botë në testin e cilësisë së arsimit, sepse bëjnë me klasa kolektive, sepse bëjnë me dy turne, sepse mësuesit, një pjesë bëhen militantë, etj., etj.

A mund të jetë Saranda madhështore, kur ka një spital, por nuk ka shërbime mjekësore? A mund të jetë Shqipëria madhështore, kur i le të sëmurët të vdesin për mungesë ilaçesh në kthetrat e sëmundjeve? Dhe ku kryeministri i vendit thotë: po thotë, aty në spitalin Onkologjik kryhen krime kundër njerëzimit.

Po në qoftë se thua janë kryer krime kundër njerëzimit, dhe janë kryer, ua them unë ju me definicon, është krim kundër njerëzimit, në qfotë se ti e le të sëmurin pa ilaçe, të cilat janë jetike për t’i zgjatur jetën apo për të shpëtuar jetën.

Por në qoftë se ti, e ditke pra, e di që janë kryer krime, çfarë masash more? Asnjë! Po, pse? Sepse je autori i krimeve.

Kërkove vetëm si njeriu primitiv që nuk njeh asnjë përgjigjësi, t;ja shkarkosh mjekut. Por, në qoftë se mjeku ka vënë dorën mbi fondet e ilaçeve të të sëmurit, ai duhet të marrë ndëshkimet më të rënda si kriminel për krimet e rënda kundër njerëzimit. Po nuk i ka vënë mjeku dorën aty ku ka vënë dorën ministri i tij. Ata, që thotë, po ha dardha prapa shpinës sime, po hanë gjithë ditën dardha me të, dhe vjedhin qytetarin gjithë ditën me të.

Miq, kjo është Saranda sot. Po ta shohësh Sarandën, ka qindra e mijëra, në mos miliona tonelata beton në të katërta anët që e rrënojnë këtë vend, këtë bukuri natyrore të pashembullt.

Atëherë, pse ne guxojmë të flasim për Sarandën madhështore? Se ne dalim para jush me një projekt të këtillë me bindjen më të thellë se, ne mund ta transformojmë, jo vetëm ta transformojmë me shpejtësi të madhe këtë gjendje.

I gjithë programi ynë, ku bazohet? Në dy parime. Paratë shqiptarëve, paratë qyettarëve.

E dyta, një mundësi e re për çdo shqiptar.

Ndaj dhe, ftoj qytetarët e mençur të Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë, të mos e gjykojnë si një projekt partiak. Të mos e gjykojnë si një projekt politik, por ta shohin konkretisht si një projekt për çdo shqiptar.

Po, ne kemi premtuar. Ne  nuk mund të pranojmë këtë poshtërim që iu bëhet pensionistëve tanë, jo. Këtë çnjerëzi ndaj  tyre. Pati 8 miliardë euro në janar të këtij viti Edi Rama, në tavolinë. 8 miliardë euro. Dhe pati pashpirtësinë për 760 mijë pensionistë, gjithësej 16 milionë euro. A kishte gjë më të turpshme?

Kishim çuar ligjin në parlament të vendosim minimumin jetik 200 euro. Kjo tha, të çon në humnerë. Po në çfarë humnere të çon kjo? Në çfraë humnere ra Mali i Zi, që gjatë kohës që ti rrite pensionet nga 143 mijë ne 173 mijë, i rriti nga 138 mijë në 450 mijë, cila është humnera? Ku ka humnerë këtu?

Çfarë humnere pësuam ne, nga viti 2005 gjer në vitin 2013, që dyfishuam rrogat e mësueve? Që dyfishuam pensionet e ulëta? Që dyfishuam rrogat e mjekëve dhe të infermierëve? Cila ishte humnera?

Çfarë humnere pësoi Kosova që i rriti 3 muaj më parë pensionet 20%?

Mori 100 milionë euro nga buxheti, ky 16, ai 100. Ai ka gjysmën e pensionistëve, gjysmën e buxhetit. 100 milionë euro i vendosi për pensionistët.

Pra, është koha që çdo shqiptar ta mbështesë këtë projekt. Dhe absolutisht, ky projekt do t’u çlirojë ju nga tirania e mjerimit. Tirania e mjerimit është tirania më e egër, pas asaj të luftës së klasave. Saranda, Shqipëria, një vend me pasuri përrallore nuk ka asnjë shkak, asnjë arsye, përveç vjedhjeve që i bëhen qytetarëve të perjetojnë një mjerim të tillë.

Miqtë e mi, rrogat minimale këtu janë dy herë më të ulëta se në Rumani. Në një kohë që, Rumania në vitin 2013 e kishte rrogën 830 lei, 165 euro. Ne e kishim 220. Sot, e ka 3300 lei. E ka dy-tre fishin e rrogës sonë. Po, pse? Mendo që, ai rrugëulët, vërtet bën një punë jo shumë të lartë, po ka fëmijë për të ushqyer dhe ai nuk mund të marrë një rrogë.

Ndaj dhe unë garantoj të gjithë shqiptarët se, në Republikën e Shqipërisë pas 100 ditëve të para nuk do ketë rrogë nën 500 euro.

Nuk ka madhështi, duke përçmuar, duke injoruar njerëzit tuaj në nevojë. Aty fillon madhështia, nga qendrimi që mban ndaj tyre.

Ndaj dhe ne, përveç këtye që thashë, këtyre shtresave, pensionistëve, rrogëultëve, do t’u japim kartën e konsumatorit.

E kemi patur ne shqiptarët. Pavarësisht ne që numërojmë virtytet vetes, por virttin më të mirë kemi patur bamirësinë, një bamirësi fisnike që nuk e ka patur kush.

Ndaj dhe ne, në respekt të këtij virtyti do bëjmë që këto shtresa t’i marrin 20% më lirë të gjitha mallrat për jetesën të tyre. Do t’u kthehet TVSH-ja në vit 450 euro. Është sa një rrogë minimale, është sa dy pensione. Dhe këtu, përveç kësaj, pensionistët kanë disa herë më shumë nevojë për ilaçe se sa të tjerët. Dhe këta, i kanë hequr një e nga një ilaçet nga lista e rimbursimeve. Çfarë kemi vendosur ne?

Ne, do të kopjojmë një për një listën e republikës italiane. Dhe ju garantoj ju që, ajo listë do të jetë falas për ju, njëlloj si në Itali.

Ne nuk mund të arrijmë shpejt as Italinë, as Greqinë, por ne në shëndet dhe në sëmundje, do bëjmë gjithçka, nuk do kursejmë.

Saranda, a mund të jetë madhështore pa rininë e vet? Një vend pa rini, është një vend pa ëndërr. Një vend pa rini, të ardhme nuk ka. Është një shkretëtirë njerëzore, nëse mund ta quajmë kështu.

Po në qoftë se ka një vend që humbi rininë në mënyrën më të pamëshirë, sa asnjë vend tjetër është Shqipëria e këtyre 12 viteve. A e dini ju që, OKB-ja njoftoi 3 ditë më parë se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë. Pse?

Për shkak të largimit të të rinjve.

A nuk janë këto klithma që dalin nga shpirti i kombit, nga thellësitë e dheut të këtij vendi, që ne duhet të bëjmë të pamundurën që fëmijët tanë, nipërit e mbesat tona, të rinjtë tanë, të ndërtojnë në Sarandë dhe në Shqipëri ëndrrën e tyre

Zonja që foli: Jam nënë e dy fëmijëve, papunë, studiova jashtë, patriote, jam kthyer këtu për të ndërtuar ëndrrën. Le të ikin thotë, dembela, dembela.

Askush në Shqipëri nuk është i varfër se është dembel. Varfërinë e sjell politika e mbrapshtë, e sjell vjedhja e qytetarëve. Ndaj dhe ne, do bëjmë gjithçka që çdo i ri të shkollohet. Hiqet mesatarja komplet, nuk ka mesatare më. Hiqen tarifat, simbolike do jenë, ose do hiqen fare.

Bursa 200 euro për studentë.

Punësimi i një të riu, çdo sipërmarrësi do i paguhen sigurimet shoqërore për 1 vit për të riun. Do i paguhet çdo shpenzim që i duhet për trajnimin e tij profesional. Çdo i ri që martohet dhe do të ndërtojë folenë e tij në Shqipëri, familjare, do të ketë një grant prej 30 mijë eurosh.

Do bëjmë gjithçka që të sjellim kombin në moshën e rinisë. Fëmija i 3-të do paguhet nga shteti nga lindja, gjer në 23 vjeç. Fëmija i parë do ketë një bonus prej 70 euro, fëmija e dytë do ketë një bonus 60 euro.

Miq, do bëjmë gjithçka që ata qindra e mijëra të rinj, vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar mbi 700 mijë, të kthehen prap në Shqipëri, të kthehen prap në Sarandë.

Do bëjmë gjithçka për strehimin e tyre. Do financojmë bizneset e tyre. 5 vite do jenë pa taksa. Edhe njëherë, kombi duhet të rikthehet në rininë e vet. Një komb pa rini, është një komb pa të ardhme dhe ne, nuk mund të jemi një komb i tillë.

Miqtë e mi, Shqipëria madhështore ka si parim kryesor tjetër: çdo shqiptar, një mundësi.

Çdo biznes i vogël do ketë një barër fiskale shumë më të ulët se sa sot. Bashkitë, të cilat me lakmi të papërmbajtur, me babëzi të papërmbajtur ju vendosin këtyre lloj e lloj taksa dhe tarifash. Nuk do mund të vendosin kurrë më shumë se 1% të xhiros.

Kaq do jetë që do mund t’u kërkojë për shërbimet.

Qeveria, tavanet, prej 140 mijë eurosh për TVSH-në dhe 100 mijë euro për tatim fitimin, do t’i spostoj në 180 mijë euro. Po.

Energjia, nga 18 lekë, do zbresë në 6 lekë.

Tarifa e ujit, do përgjysmohet. Nuk mund të paguani ju abuzimet, paaftësinë e shtetit. Shqipëria është vend që mund ta japë energjinë për disa rrethana edhe me çmim më të lirë. Këta xjerrin tani, koston e prodhimit të energjisë në kaskadë, e nxjerrin 28 lekë.

Këta kanë punësuar me qindra e mijëra militantë, dhe pastaj ju faturojnë ju energjinë. Jo, kjo merr fund.

Energjia do zbresë për bizneset në 6 lekë, për qytetarët në 7 lekë.

Bizneset e mesme dhe të mëdha do kenë taksën e sheshtë më të ulët në Europë. Tatim fitimi i të ardhurave zbret nga 23% në 10%.

Të gjithë rrogëtarët me rroga mbi minimalen, përfitojnë automatikisht rritje rroge 13%.

Dhe unë zotohem këtu para jush se, rritja e rrogave dhe pensioneve ka një start 100 ditët e para dhe ky vrap do ndalet atëherë kur ne të dalim, qytetarët më të paguar në rajon se të gjitha kombet e tjera. Thjesht se jemi më të pasur.

Dhe në qoftë se, unë them këtu, në vitin 2013, ne dolëm më të paguarit. Ai ishte qëllim që, paratë t’u kthehen qytetarëve. Që shqiptarët që kanë këto pasuri, të paguhen më shumë se të tjerët. Dhe ishte një krim i shëmtuar që Edi Rama e devijoi këtë garë. Në vend se të vazhdonte mëkëmbjen e qytetarëve, vazhdoi grabitjen përqendrimin në dias duar të të gjitha pasurive dhe fondeve.

Kjo merr fund!

Kjo mundësi, për një grusht njerëzish, për një grusht qeveritarësh, kjo merr fund. Do ketë mundësi për çdo qytetar. Pavarësisht nga bindjet e tij, pavarësisht nga çdo qytetar që kërkon të jetojë me djersën e tij.

Saranda do mbrohet. Saranda ka pasuritë më mahnitëse. Thashë edhe njëherë. Tjerët mund të kenë shumë gjëra, po park si Butrinti në njohuritë e mia, në dijet e mia, nuk ka askush tjetër.

Edhe aty, kthetrat e zeza të mafies shqiptare. Po vij nga Himara. A e patë se çfarë ndodhi në Himarë? Ia mori mandatin Fredi Belerit, dhe shkoi e u struk, aty ku thote Frederik Niçe, strofa e fundit e horrave. I çoi marërdhënie në thikën pikë, duke shkelur në Kushtetutë, duke shkelur ligje, duke shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe gjeti justifikimin se, ky një grek do na bëhet.

Po çfarë do të thuash ti se, ky një grek do na bëhet?

Po ky shtetas shqiptar, nëse e votojnë shqiptarët, do të marrë çdo psot, çdo detyrë në Republikën e Shqipërisë.

Çfarë do të thuash ti me këtë? Ku e ke gjetur ti, këtë parim që, shkon dhe i grabit mandatin atij të zgjedhur? Vetëm e vetëm se e dijë që ai, ato toka që ke plaçkitur në Gjipe dhe të Manastirit të Skutarasë, nuk do t’i merrje kurrë. Se nuk janë të tuat, Edi Rama. Se vetë ata tutë, kanë lënë me dokumenta që kanë pëtur 4 dhi e 5 dele, se nuk kanë patur asgjë tjetër. Kanë qenë më të varfërit e kësaj zone.

Miqtë e mi, ‘Made in Albania’ është zotimi ynë. Atë që prodhon Saranda, që prodhon Shqipëria, do të jetë e famshme në gjithë botë, do bëhet krenari për ne. Fermerëve të Sarandës u jap fjalë se, do të subvencionohen 5 herë më shumë se sa sot. Po, pse? Sepse përsëri paratë do iu kthehen qytetetarëve.

Po pse 5 herë?

Sepse, fermeri i Maqedonisë së Veriut, fermeri i Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, nuk po krahasohem me Greqinë se është vend anëtar i BE-së, se atje është dhe më shumë, por këto subvencionojnë fermerët 5-fishin e asaj që subvencionojmë ne.

Në qoftë se, ne lëmë 32 milionë euro për 400 mijë fermerë, Maqedonia e Veriut jep 230 milionë euro, Kosova 210 milionë euro, Serbia 380 milionë euro, dhe me radhë.

Po ata, si i japin? Ata kanë një parim. Paratë do ua kthesh atyre që ua merr, se ata të gjithë paguajnë taksa, të gjithë paguajnë TVSH.

Dhe, është e faktuar, nuk humbet kush nga subvencionet në bujqësi. Nuk humbet kush, aspak, përkundrazi.

Çfarë ndodhi? Hoqi subvencionet, tani blejmë litrin e qumështit 2 herë më shtrenjtë, blejmë kilogramin e mishit 2 herë më shtrenjtë. Rinia ikën? Jo. Ne do të subvencionojmë dhe do mbrojmë prodhimet tona çdo sezon. Ja, jam këtu, ju jap fjalën. Çdo fermer që do kredi, do të marër kredi të buta. Shteti do paguajë 80% të interesave, përveç subvencionit.

Qeveria do investojë 70 milionë euro në vit kanalizime, kullime, në mbrojtje të tokës. Inpute bujqësore që nuk shiten në vendet anëtare të BE, nuk do mund të shiten kurrë në Shqipëri dhe dhe ai që guxon t’i importojë do dënohet për krime të rënda për këtë shkelje.

Natyrisht, Shqipëria madhështore, të jemi realistë, është Shqipëria e ëndrrës e këtyre djemve dhe vajzave.

Ëndrra e tyre është ëndrra digjitale, duhet ta pranojmë, me të drejtë. Do bëjmë gjithçka me kompani të mëdha, që të shndërrohet në një epiqendër të fuqishme rajonale të inteligjencës artificiale, internetit 3, data qendrave, blockchain dhe kriptomonedhave, digjitalizimin më të thellë. Në këtë mënyrë ne, ecim me projektin tonë.

Keni tani dy alternativa. Dëgjojeni tjetrin, i cili pas 12 vitesh qeverisje, kalon nga një shesh në një tjetër si hokatar, me një fjalor të denjë për të, që normal nuk është, por është i denjë për të.

Përpiqet me çdo kusht që, me batuta të mbulojë dramën e madhe shqiptare të largimit të rinisë, për shkak të mungesës së punësimit. Përpiqet që me batuta të mbulojë pensionet e turpshme që u jep 760 mijë shqiptarëve. Përpiqet që me batuta të mbulojë gjendjen e paimagjinueshme në spitalet tona për mungesë ilaçesh.

Përpiqet që me batuta të mbulojë zhdukjen e 130 milionë eurove të djegësit të Tiranës, sepse i ka marrë vetë me Erion Veliajn dhe kanë burgosur aty dy drejtorë, se kanë firmosur letrat ata.

Miq, paratë 130 milionë euro, dalin të gjitha nga buxheti i shtetit me firmën e kryeministrit. Nuk dalin milionat në atë mënyrë. Dhe ministria e Ekonomisë ka patur drejtorinë e mbikëqyrjes së projektit. Ka patur detyrimin që çdo muaj të raportojnë çdo situacion, kurse aty paratë jepeshin, dhe situacionet ishin zero.

Lubi Balluku e dinte, por nuk bëzante, se e dinte që dardhat po ha Edi Rama, paratë po i merrte Edi Rama.

Këto para duhet të kthehen tek ju. Këto para do kthehen në pensione. E di sa janë këto para? 130 milionë euro janë 812 mijë pensione, miq. 120 milionë euro i merr Beketi, paratë tuaja. Sepse ky, me një bullizëm, me një arrogancë, rreh gjoksin: jam unë këtu, vendos unë këtu, ik ti!

Ai kishte një televizon  të vogël dhe e kritikonte, kaq.

Po ai, nuk ishte si Bolino, që edhe tani do të përzerë një kompani digjitalizimi nga televizioni shtetëror, për t’ia dhënë Bolinos. Ai ishte me dinjitet, me integritet. Ai vërtet kishte televizone në Shqipëri, por televizionin nuk mund ta bënte altoparlant të qeverisë. Dhe tani, ne paguajmë 120 milionë euro.

100 milionë euro paguajmë për Sterilizimin. 83 herë, të dashur qytetarë dhe qytetare të Sarandës, 83 herë u rrit çmimi i Sterilizimit me koncensionin që mori Rama me Beqen.

Ligji thotë: Koncensioni jepet, një nga kushtet, atëherë kur ulet çmimi. Pra, kur ti e bën si shtet, por kushton 5 lekë, dhe vjen privati thotë: jo, thotë, unë ta bëj për 4 lekë këtë dhe të njëjtën cilësi. Koncensioni i Sterilizimit u dha me rritje çmimi 83 herë, dhe paratë i ndan Rama me Beqen.

Miq, të gjitha këto,e dhe njëherë e përmbyll. Ky program është mundësi për çdo qytetar. Programi i tyre është nëj plaçkitje ëpr një grup të vogël qeveritarësh, drejtorësh, krushqinjsh, narkotrafikantësh, trafikantësh, ndaj dhe shqiptarëve u mbetet të marrin rrugët e dheut.

11 maji, është dita e vendimit më epik të jetës sonë.

Është dita që ne ndahemi me një të keqe, e cila po e shkreton Shqipërinë, e cila, po i vret ëndrrën këtij kombi.

Po Shqipëria pa ëndërr, nuk ka të ardhme. Ëndrra e Shqipërisë është tek të rinjtë.

Ndaj dhe më 11 maj, të votojmë të gjithë për ëndrrën e shqiptarëve, për ëndrrën e Sarandës, për Sarandën madhështore, për Shqipërinë madhështore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale