Berisha: Regjimi në panik! 10 shkurti, paralajmërimi final për largimin e qeverisë Rama

KRYETARI I PD, SALI BERISHA, NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, bëri një analizë të situatës politike në vend, protestave të fundit të opozitës dhe hapave të ardhshëm kundër qeverisë Rama. Berisha e cilësoi protestën e 24 janarit si një sukses të rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar, duke deklaruar se ajo tronditi themelet e regjimit kriminal të Rilindjes. Sipas liderit demokrat, pas protestës është vërejtur një panik i madh nga qeveria dhe mediat pranë saj, të cilat, tha ai, kanë sulmuar vazhdimisht protestuesit dhe opozitën për të mbajtur në këmbë kryeministrin Rama.

Në fjalën e tij, Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e drogës, për korrupsion masiv dhe për kapje totale të pushteteve. Ai u ndal veçanërisht te refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë veprim si mbrojtje direkte të Ramës nga drejtësia. Berisha deklaroi se dosjet Balluku dhe AKSHI janë në thelb dosje që rëndojnë drejtpërdrejt mbi kryeministrin, duke shtuar se Rama ndodhet në panik politik dhe personal, gjë që, sipas tij, u reflektua edhe në sjelljen arrogante ndaj fermerëve gjatë vizitës në Divjakë.

Lideri i opozitës njoftoi se protesta e radhës do të mbahet më 10 shkurt, në orën 17:00, në Tiranë, dhe se ajo nuk do të jetë thjesht një marshim simbolik, por një përqendrim i qëndrueshëm me synim paralajmërimin final për largimin e qeverisë Rama.

Berisha theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë që opozita të mos largohet nga sheshi pa realizimin e qëllimit politik dhe se kjo është rruga e vetme efektive për përmbysjen e regjimit. Ai garantoi se Partia Demokratike ka në plan të gjitha format e mosbindjes civile, përfshirë protesta të vazhdueshme dhe veprime më të forta politike, por gjithmonë paqësore.

Gjatë bashkëbisedimit në sesionin e pyetje-përgjigje, Berisha foli edhe për tryezën e dialogut politik me përfaqësues të shoqërisë civile dhe aleatët opozitarë, duke e cilësuar këtë nismë si një përpjekje për krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër qeverisë Rama.

Ai theksoi se ky front nuk ka për qëllim bashkëqeverisjen, por largimin e asaj që e quajti “e keqja më e madhe për vendin”, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Berisha u shpreh se çdo forcë apo individ që e konsideron veten opozitar duhet t’i bashkohet kësaj nisme.

Berisha hodhi poshtë trillimet se fjala e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg ishte ndërprerë, duke sqaruar se koha e diskutimit është e kufizuar për të gjithë folësit dhe se ai kishte përdorur qëllimisht minutat e para për denoncime politike dhe kërkesën për qeveri teknike. Kryedemokrati deklaroi se denoncimet e tij në arenën ndërkombëtare nuk e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, por përkundrazi ndajnë qartë qytetarët shqiptarë nga një regjim i korruptuar dhe autokratik. Berisha shtoi se perceptimi ndërkombëtar për kryeministrin Rama është gjithnjë e më negativ në Europë dhe SHBA.

Në përgjigje të kritikave për mungesë rinovimi në Partinë Demokratike, Berisha deklaroi se mbi 40% e listës së deputetëve është e rinovuar dhe se PD ka ekspertizë të pakrahasueshme me qeverinë aktuale. Ai garantoi se në PD do të zhvillohen zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet dhe se primaret do të përmirësohen, por nuk do të hiqen, pasi përfaqësojnë vullnetin e anëtarësisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal edhe te shpopullimi masiv i vendit, duke deklaruar se gjatë 12 viteve të fundit Shqipëria ka humbur rreth 45% të popullsisë. Ai premtoi politika lehtësuese për rikthimin e emigrantëve, përfshirë përjashtim nga taksat për 5 vite dhe kredi për investime dhe strehim. Berisha kritikoi politikat bujqësore të qeverisë, duke theksuar se fermerët ndodhen në falimentim, prodhimi bujqësor është në rënie dhe çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë se në disa vende të BE-së.

Në fjalën përmbyllëse, Kryetari i PD, Sali Berisha falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe angazhimin, duke theksuar se prova e radhës për opozitën është protesta e 10 shkurtit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohen në shesh, duke deklaruar se vetëm përmes qëndresës dhe protestës së pandërprerë paqësore mund të realizohet ndryshimi politik në vend.

FJALA PËRSHËNDETËSE

Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë timen të përjavshme me ju në rrjetet sociale, kam kënaqësinë t’u adresohem ju pas suksesit të rëndësishëm që arritëm më 24 janar në protestën 3-orëshe, në të cilën në realitet brenda dhe jashtë vendit u dridhen themelet e kalbësirës Rilindje apo organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama.

Siç konstatoni, ka një panik të madh nga narko-nomenklatura, nga organizata kriminale dhe tellallët e saj në mediat e blera.

Kanë një javë që nuk pushojnë me tërbim kundër qytetarëve protestues, protestës dhe përpiqen me shiringa të mbajnë, t’i japin zemër Edi Ramës, i cili ç’është e vërteta është në kohërat e fundit të regjimit të tij të urryer për shqiptarët.

Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij.

Dje u paraqit në Divjakë para fermerëve me Ballukun në krah, por i tronditur gjer në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas i shprehnin pakënaqësitë e mëdha, denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë.

Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare.

Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës.

Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti.

Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë.

Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti.

Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë.

U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë.

Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale.

Ndaj dhe duke u falenderuar shumë për atë angazhim të jashtëzakonshëm që treguat më 24 janar, u ftoj të shumëfishojmë forcat dhe të bashkohemi në protestën e ardhshme.

Të tregojmë fuqinë tonë, të tregojmë vendosmërinë tonë, të tregojmë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend.

PYETJE-PËRGJIGJE

Pirro Bano: Kam një mendim, pse mos të bëhen protesta në të njëjtën kohë në 4-5 qytetare të ndryshme sepse mendoj se do mblidhen më shumë njerëz dhe do kenë efekt.

Sali Berisha: Të falënderoj shumë për mendimin dhe sugjerimin tuaj. Ju rikujtoj këtu se, pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve.

Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë.

Arben Tafani: Çfarë mendon se fiton, kur nxin kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare?

Sali Berisha: Je gabim shumë, shumë. Ta them me sinqeritetin më të madh. Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët nuk bëjnë zgjedhje, po farsë elektorale.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët presin në zyrën më të lartë të shtetit, përfaqësuesit e Sinaloas dhe i japin licenca për kaziono dhe hotel 5 yje.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët arrestojnë në vitin elektoral liderët e opozitës dhe janë sot të damkosur nga 115 parti politike në mbarë botën për dhunën politike ndaj opozitës.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët bllokojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren në një kohë kur ajo është e kapur në flagrancë.

Kombin shqiptar e nxin Edi Rama, i cili bashkë me familjen e tij, përvetëson miliarda nga pasuritë publike të shqiptarëve.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët vjedhin 90% të fondeve të investimit dhe shiko rrugët që ka ndërtuar me çmim të 10-fishtë krahasuar me Europën, rrugë që shpartallohen dhe shkatërrohen në shirat e para.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët zhysin shqiptarët nga qytetarët më të paguar në Ballkan në qytetarët me rroga dhe pensione më të ulëta.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët kanë përzënë nga Shqipëria në 10 vite, 1 milionë e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengen.

Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët bëjnë puç dhe marrin të gjitha pushtet në një dorë.

I dashur zotëri këto nuk i ka fshehur dot Edi Rama.

Unë po kthehem tani nga Asambleja Parlamentare e Strasburgut. Unë mund të ju them ju, dhe po ua përsëris se në historinë 75 vjeçare të Këshillit të Europës, Edi Rama është kryeministri i vetëm të cilit pas takimit që ka mbajtur i është anuluar dreka dhe takimet zyrtare sepse ka folur sikur të ishte i biri i Enver Hoxhës, ose Gadafi.

Unë me zërin tim që denoncoj, mbroj ju, mbroj ata shqiptarë të ndershëm të cilët nuk pajtohen me këto akte antikombëtare, antikushtetuese, çnjerëzore. Me këto akte të cilat Shqipërinë e nxjerrin nga harta e demokracive dhe e vendosin në hartën e autokracive.

Duke denoncuar këto publikisht ne i themi botës se, ky është Edi Rama që përfaqëson veten e tij dhe klanet e krimit, por jo qytetarët shqiptarë.

Ndaj dhe unë kërkoj mirëkuptimin tuaj në interpretimin e gabuar që ju bëni.

Fjodor Prifti: Pse Rama është kaq i trembur sa ka lëshuar patronazhistët edhe tek profili juaj?

Sali Berisha: Rama është i tmerruar. Rama po bën gjithçka në botë, po shpenzon dhjetëra e qindra milionë që të dalë nga rrethi i kuq, por Rama nuk del nga rrethi i kuq.

Rama nuk shpëton dot nga lidhjet e tij me kartelet e drogës, të cilat tashmë janë evidentuar.

Por duhet t’u them se dosja Balluku dhe dosja e AKSHI-t janë dy doje që rëndojnë si gur të rëndë, si plumb mbi shpatullat dhe trupin e tij sepse ato faktikisht janë dosja Rama.

Pra nuk është dosja e Mirlindës, as e Belindës, dosja është e Ramës dhe Lindës së Surrelit dhe këtu janë problemet themelore.

Prandaj ai është kaq i tronditur, kaq në panik sa edhe fjalës normale të një fermeri i përgjigjet me arrogancën e një harbuti duke mos kontrolluar veten.

Timo Samarxhi: Portalet e qeverisë thonë se ua prenë fjalën në Strasburg. A mund ta sqaroni?

Sali Berisha: Plotësisht, të falenderoj. Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kursë në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike.

Por këta lakej që hapin lajmin, ata janë shushunjat e zeza që kanë marrë miliona nga lotet e rrugëve, që thotë Belinda që ky kaq, ai aq.

Ja këta janë ata të portaleve të qeverisë, mjeranë që si papagaj të depersonalizuar, që pa dalë në mëngjes pështyjnë fytyrën e tyre njëherë dhe pastaj vazhdojnë ditën pa asnjë lloj dinjiteti.

Edhe lajmi tjetër që nuk isha i ftuar, këta tallen me njerëzit, unë jam anëtar i asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe kurrë anëtarët nuk ftohen përveçse në trillimet e Ballës apo Peleshit, kush i përhap ato.

Luma Veriore: Nëse nuk bën një kornizë ligjore paraprake për konfirmim të pasurive të paluajtshme që janë vënë në mënyrë të paligjshme nga korrupsioni, nga paraja e pistë rruga për përmbysje është e gjatë. Është momenti që të bëni në këtë mënyrë dhe të ndëshkoni dhe ata që kanë ngrënë nga të dy anët. Mos harroni të dërgoni pamfletë në çdo prag dere.

Sali Berisha: Të falënderoj për sygjerimin. Dhe ne do bëjmë gjithçka për një transparencë sa më të madhe dhe sygjerimi juaj është shumë i drejtë.

Besnik Ala: Një pyetje me interes publik. A ka PD në plan një grevë urie për një qasje më agresive, meqenëse mazhoranca nuk po diktohet nga protestat, edhe pse kanë qenë mbi pritshmëritë pjesëmarrja?

Sali Berisha: PD ka në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile dhe është në zbatimin e tyre.

Natyrisht PD kërkon nga qytetarët, fton qytetarët të bëjmë gjithçka për fitoren e kësaj beteje.

Por kjo kërkon para së gjithash qartësi. Kërkon që çdo qytetar të kuptojë se kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë, në të cilën institucionet përdoren për të shtypur pluralizmin, e cila paguan qindra milionë euro për të mashtruar shqiptarët dhe botën, e cila ushtron formën më të rëndë të censurës dhe manipulimit mediatik të opinionit publik vjedh dhe plaçkit çdo ditë miliona e miliona, kërkon që çdo shqiptar ta dijë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe të gjithë ata që besojnë se mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën bëjnë sharlatanin për të bërë retushin e figurës së Edi Ramës, për ta paraqitur atë si një njeri që bën zgjedhje, por ai nuk bën zgjedhje.

Zërat po u shuhen gjithnjë e më shumë, megjithatë ka përsëri papagaj në media që guxojnë dhe flasin për zgjedhje, në një kohë kur këtu kemi të bëjmë vetëm me farsë.

Kur ne si demokratë, si opozitarë t’i kemi të qarta këtu, atëherë kemi të qartë se kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është protesta gjer në përmbysjen e tyre.

Është qëndresa, rezistenca në format e mosbindjes civile.

Toni Latifi: Përshëndetje Doktor. Ju dje mblodhët tryezën me aleatë dhe shoqërinë civile. Çfarë u arrit nga kjo dhe a do jeni në gjendje të mblidhni të gjithë faktorin opozitar kundër Ramës se gjendja është e padurueshme. Cili do jetë hapi tjetër?

Sali Berisha: Iniciativa e djeshme është iniciativë e një grupi personalitetesh nga shoqëria civile të cilët duan të lehtësojnë, duan të ndërmjetësojnë krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër kësaj të keqe të madhe që është organizata kriminale e Edi Ramës me në krye Edi Ramën.

Ne e kemi përshëndetur këtë nismë dhe bashkë me partitë e koalicionit parlamentar i pritëm, diskutuam, u dhamë mbështetjen, ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre me forcat e tjera politike opozitare.

Unë mendoj se në kuadrin e kësaj nisme, çdo njeri që ndjehet opozitar dhe që e nuk lejon veten të tradhtojë elektoratin që ka votuar kundër Edi Ramës, të tradhtojë elektoratin që gjen forca të shkëputet nga lidhje e të tjera, rreshtohet në këtë front.

Ky nuk është front për të qeverisur së bashku, ta marrim në këtë formë, ky është një front për të larguar së bashku një të keqe të madhe, për t’u hapur rrugën shqiptarëve për të votuar të lirë si qytetarë të lirë europianë.

Dhe është jashtë çdo lloj logjike që kjo të mos jetë interes parësor i çdo force opozitare.

Por duhet të jesh opozitar që të përqafosh një ide të tillë.

Dhe unë kam shpresë se ata që janë ose ndjehen opozitarë të vërtetë, do ta përqafojnë.

Qoftë këto forca politike, qofshin këto organizata të shoqërisë civile, individë me peshë apo përfaqësues të grupit të interesit apo kauzave të drejta.

Pra kjo është përpjekja e këtij grupi.

Studentët Denoncojnë: A nuk mendoni se duhet të largoni fytyrat që kanë vite deputetë dhe po të jenë në listë të hapur nuk e nxjerrin veten deputet, mbase dhe 1 mijë vota nuk marrin. Nëse nuk futen në parlament njerëz të rinj që kanë vite të angazhuar në kauza madhore PD vështirë se vjen në pushtet. Protesta për të bërë xhiro në bulevard nuk ia vlen doktor, keni bërë kaq shumë protesta dhe asgjë deri më tani. Edi Rama me votë nuk largohet.

Sali Berisha: Së pari njëherë, kërkoj nga ju një analizë më realiste. Pse e them këtë. Këta opozitarë që sheh ti, mos harro se këta shkatërruan projektin Shqipëria pa opozitës. Dhe ti je dëshmitar të përpjekjeve më të paimagjinueshme që u bënë që opozitën ta kontrollonte Edi Rama. Që u bënë që Shqipëria të mos kishte një opozitë të vërtetë.

Ti je dëshmitar i kalvarit që kaloi PD vetëm e vetëm për të qenë opozitë e vërtetë e shqiptarëve, dhe ata e realizuan këtë.

Së dyti, ju mund të thoni se, kanë qenë në PD dhe duhet rinovuar. Rinovimi jam plotësisht dakord, dhe ju garantoj se mbi 40% të listës së deputetëve janë të rinovuar. Prandaj propaganda është njëra anë dhe realiteti është ana tjetër.

Së treti, nëse e sheh ti qeverinë, narkoqeverinë aktuale, ju siguroj se në PD vetëm një personalitet i saj ka të gjithë ekspertizën që ka organizata kriminale e Edi Ramës marrë së bashku.

PD ka personalitet të formuara, të shquara në të gjitha fushat, të pakrahasueshme me këtë qeveri injorantësh që vjedhin nga mëngjesi në darkë.

Ju e keni parë vetë si janë. Ministra që nuk dalin dot në një studio televizive, që nuk përballojnë dot një debat. Ministra të cilët nuk marrin dot një pyetje nga gazetarët, por marrin përsipër të marrin rolin kronistit apo gazetarit duke cituar ato që ju thotë Edi Rama.

Së fundmi, ju thoni protesta; jo. Protesta që kemi bërë kanë pasur efektin madhor në botë. Janë këto protesta që kanë rezonuar në të gjitha kancelaritë e botës se, shqiptarët janë ngritur kundër korrupsionit të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës.

Imagjino pak po të mos ishin këto protesta, si do të dukeshim ne shqiptarët. Si një komb i shtypur nga korrupsioni. A nuk do ishte kjo një turp për çdo shqiptar.

Pra në një farë aspekti, këto protesta mbrojnë dhe mbrojtën dinjitetin e kombit shqiptar dhe qytetarëve të ndershëm shqiptarë.

Por kjo kërkon i dashur student një gjë, që rinia të dalë në krye të këtyre protestave. Siç doli në Bangladesh, në Nepal, në Sri Lanka. Është koha, ose fatin që meritojnë diktaturat autokratike, duhet ta firmosë gjenerata Z, duhet ta firmosin studentët dhe rinia.

Lida: Z.Berisha, tubimi i 10 shkurtit çfarë do jetë konkretisht? Një marshim simbolik si protestat e 13 viteve më parë apo një përqendrim i vazhdueshëm me plan të qartë veprimi deri në largimin e Edi Ramës. Qytetarët kanë nevojë për qartësi dhe jo më për protesta pa rezultat.

Sali Berisha: Unë mendoj se protesta e 24 janarit dha një mësim dhe protestat e fundit nuk kanë qenë pa rezultat.

Kanë qenë më shume rezultat në kuptimin që edhe njëherë më lejoni të rikthehem. Imagjinoni një Shqipëri që nuk do protestonte përpara këtyre superskandaleve se si do turpërohej para botës, se çfarë meszhi i trishtë, çfarë ofendimi do të ishte për shqiptarët.

Kurse zëri i fuqishëm që u ngrit në bulevard dhe nuk ishte vetëm shëtitje, por dha mesazhin e duhur për shqiptarët dhe botën.

Por edhe njëherë, beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli.

Kërkohet që secili opozitar të përgatitet për protestë të qëndrueshme.

Të përgatitet për një kryengritje të pandërprerë paqësore për të realizuar qëllimin e vet.

Agron Molla: A do të jenë të pranishëm të gjithë deputetët në protestën e 10 shkurtit. Duhet të jenë në rresht të parë deputetët, kanë imunitet. Derën duhet ta thyejnë deputetët, Ramën e rrëzon populli. A do të jetë protestë e qëndrueshme?

Sali Berisha: Agron, të garantoj se deputetët pa përjashtim kanë qenë që të gjithë në protestë. Kanë qenë disa me qytetarët e zonave të tyre, të tjerë kanë qenë të shpërndarë.

Por kanë qenë dhe kanë luajtur një rol, siç mund ta kesh ndjekur ndoshta, një rol jashtëzakonisht aktiv gjatë protestës dhe pas protestës në përmballje me policinë dhe në mbrojtje të qytetarëve opozitarë të arrestuar, të ndaluar, të keqtrajtuar nga policia.

Ju besoj e keni parë se, ata çanë rrethimin dhe u futën, se në mënyrë antikushtetuese një ushtar me mbiemër Shahini i Ergys Agasit nuk lejonte deputetët të hynin në komisariat dhe të takonin njerëzit.

Deputetët kanë qenë jashtëzakonisht aktiv dhe do të jenë shumë aktiv, ju siguroj unë ju.

Gentian Duraj: Z.Berisha, po bëj 10 ditë që kam ardhur për vizitë tek vajza në Itali. Kam biseduar këto ditë me shumë shqiptarë, të gjithë thonë se duan të investojnë në vendin tonë, por nuk ka garanci. Çfarë zgjidhje do u jepet për t’u kthyer të gjithë ata që duan të kthehen dhe të investojnë?

Sali Berisha: Ju siguroj se një nga qëllimet më kryesore të programit tonë është rikthimi i shqiptarëve dhe ne e realizuam atë në vitet 2009-2013, 180 mijë familje shqiptare u kthyen.

Ndërkohë që, këto kohë kanë ikur nga Shqipëri rreth 45 përqind e popullatës.

Pra, krijimi i një gare të ndershme në Shqipëri, përjashtimi nga taksat për 5 vite i të gjithë atyre që kthehen dhe investojnë kursimet në këtë vend, kredi për biznese, për strehim për familjet e tyre, janë nga pikat e rëndësishme të programit tonë për rikthimin e shqiptarëve në Shqipëri.

Fredi: Agron Shehaj nuk po pranon t’i bashkohet tryezës së dialogut politik. Pse mendoni se po e bën këtë?

Sali Berisha: Përgjigjen më të saktë për këtë mund t’ua japë vetë Agron Shehaj, i cili ka moralin të krahasojë PD-në me PS-në. Thotë se është i persekutuar.

Pra, krahason PD-në që çliroi nga burgjet dhe persekutimi, paraardhësit e tij, me PS-në që persekutoi paraardhësit e tij.

Pra, njeriu është i lirë të thotë atë që do. Unë një bindje kam, se ata që kanë votuar Agron Shehajn, nuk e kanë votuar që ai të mos bashkohet në një front të gjerë opozitar, për të larguar të keqen më të madhe Edi Ramën, sepse jam i bindur se, ata qytetarë sot po ti pyesësh konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe.

Opozita është e hapur. Unë e kam theksuar, por ju kam njoftuar se, ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, ata janë faktikisht në shërbim të tjetërkujt.

Klinsman Mëhilli: Pse nuk i bëni ftesë ambasadorëve të BE të flasin për çështjen e mandatit. Doktor duhet grevë duke filluar nga ti si lider që me 10 e pa ndalim.

Sali Berisha: Të falënderoj shumë për sugjerimin. E vërteta është se heshtja e tyre është, për mendimin tim, është një heshtje e cila flet vetë.

Këtu tregon se lobimi i Edi Ramës ka akoma efektet e tij korruptive të neveritshme, por nuk pengoi shqiptarët të mbushin sheshin dhe të thonë fjalën e tyre.

Sidoqoftë, unë jam i bindur se nga ambasadorët që janë në Shqipëri, shumë prej tyre nuk pajtohen kurrë me bllokimin e drejtësisë, nuk pajtohen kurrë me zhvillimet e AKSHI-t, të cilat janë unike në historinë e Europës.

Por natyrisht heshtja nuk flet për mirë në këtë rast.

Eduard Hasa: Kuvendi refuzoi heqjen e mandatit të Ballukut të kërkuar nga SPAK. Mos është ky një veprim mbrojtës i Ramës sepse ka frikën e tij?

Sali Berisha: Është vetëm ky dhe asgjë tjetër.

I nderuar, më fal se do të përsëris një frazë vulgare. Po të mos ishte ky fakt, për të shpëtuar nga Lubia, Edi Rama do ishte i gatshëm t’i shkrinte dhe plumb në vesh, në gjumë. Por është ky fakt që nuk i prek dot një qime floku, dhe që ajo i thotë; unë të marr me vete, çdo 2-3 ditë. Dhe faktikisht e patë ju si i merrej goja para saj dje në Divjakë, si e humbi komplet.

Neritan Dragoti: A mund të kthehen disa komuna në të gjithë Shqipërinë se me reformën e parë me shkrirjen e komunave filloi shpopullimi?

Sali Berisha: Jam plotësisht dakord me propozimin tuaj, por Çubrilloviçi i shqiptarëve, por ai që e ka quajtur një publicist i shquar gjerman, Pashiqi serb i shqiptarëve, ka pikërisht atë qëllim.

Dhe u garantoj se ato vota krimi, ato mandate krimi, do i përdorë vetëm kundër shqiptarëve.

Thoma Jani: Doktor, qytetarët të janë përgjigjur, por protestat mbeten të vakta. Pse nuk i shkoni në Surrel, Ramës dhe të mos shkuleni nga aty?

Sali Berisha: Thoma, e rëndësishme është të mos shkulemi nga Tirana, se sa për Surrelin, ai e ka me borxh të shkojë e të rrijë dhe jashtë shtetit dhe të mos kthehet, nuk e lëshon karrigen ai në atë mënyrë.

Por dhe në Surrel kemi çuar një detashment të parë, shkuan dhe përsëri protesta në Surrel nuk janë hequr nga axhenda.

Suela Pasha: Doktor, çfarë mendimi kanë ndërkombëtarët për Ramën. Dakord e shohin si të korruptuar, por dhe opozitën nuk e shohin si atraktive për të ardhur në pushtet. Mos duhet t’i mendoni mirë lëvizjet brenda partisë, pavarësisht se mendimi juaj është se i keni më të mirë. Por perceptimi i opinionit publik tek ndërkombëtarët ndoshta nuk është i tillë.

Sali Berisha: E vërteta është se, kjo është një situatë komplekse. Secili është mendimi i ndërkombëtarëve unë nuk mund të flas për ta, sepse është mendimi i tyre. Por nga ajo që unë konstatoj nga ato informacione që unë kam, në ato kontakte dhe ato perceptime, mendimi për Ramën është jashtëzakonisht negativ, për këtë nga qendrat nga më të rëndësishmet.

Rama tashmë është bërë famëzi në mbarë Europën, në SHBA dhe kudo. Tezat e opozitës për narkoshtetin, për kartelet e drogës janë bërë sot çështje shumë e rëndësishme e qëndrimeve politike të SHBA-së dhe vendeve të tjera. Këto janë.

Por kërkohet veprimi i opozitës. E kemi thënë dhe e them 100 herë, në qoftë se ‘Deltat’ e arrestuan Maduron, Ramaduron nuk do të vijnë ta arrestojnë ato, duhet shqiptarët ti japin vendin e vet. Kështu që, largimi i Ramës nuk e pengon asgjë tjetër përveç se, veprimi i fuqishëm i opozitës që duhet të jetë gjithnjë e më i madh.

Klinsman Mëhilli: Doktor, SPAK-un, a duhet ta mbështesni me deklarata zyrtare? Dhe në zgjedhjet e prillit në PD, a do ketë ndryshime që nga kupola?

Sali Berisha: Do të ishte gabim shumë i rëndë po të mos mbështesje çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues që zbaton ligjin.

Dhe në kontekst ju duhet ta dini mirë se interesi më absolut për funksionimin e shtetit ligjor është i opozitës dhe i qytetarëve.

Por, do të ishte fatale në qoftë se opozita hesht para prokurorëve të lidhur me krimin, para prokurorëve që kundrejt ryshfeteve të majme mbrojnë kriminelët, mbrojnë vrasësit, mbajnë në shesh fletët e arrestit, u dërgojnë mesazhi se jeni arrestuar.

Më thoni ju mua, a mund të pranohet një gjë e tillë?

Në qoftë se, ne e pranojmë një gjë të tillë, ne përfundojmë me drejtësinë e Irena Gjokës.

Ja ku e keni, ja ku është gjykatësja e dënuar me burg në Greqi dhe fshehur dënimin.

E përzënë dy herë nga Greqia për falsifikim dokumentesh dhe fshehur përzëniet.

Dhe sot ka kapur për fyti një shtet të tërë në mënyrën më të paimagjinueshme, në një kohë kur në ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të trija këto rrethana janë rrethana ligjore që i ndërpresin mandatin si gjykatëse dhe e çojnë në burg.

E çojnë në burg se i ka fshehur, ia ndërpresin mandatin, sepse kanë ndodhur.

Kurse dje, KLGJ-ja votoi për të mos i ndërprerë mandatin asaj. A mund ta imagjinoni se ku jemi? Po pse? Sepse ajo është mikeshë e Ergys Agasit, por jo më pak se Linda Ramës dhe Edi Ramës.

Që ta dini domethënë.

E keqpërdorur në shkallë ekstreme kundër kundërshtarëve politikë, por në rrafshin ligjor një delinkuente me krime antikushtetuese dhe krime ligjore të rënda.

Atëherë, a mund t’i marrim ne të gjithë njëlloj?

Sikundër duhet t’i mbështesim ata që punojnë, duhet të kemi guximin të dënojmë dhe denoncojmë ata që janë të lidhur me krimin.

Ju më keni dëgjuar shpesh të atakoj Altin Dumanin.

Dhe pse e kam atakuar unë?

Sepse çdo njeri që pranon se me rrogë shteti mund të kesh tre apartamente, ose bën dudumin, ose bëhet avokat i tij.

Nuk mund të kesh tre apartamente me rrogë shteti, nuk blihen dot, bëji si të duash ti llogaritë.

35 vjet me rrogë shteti unë kam blerë 40 metra më shumë se apartamenti që kam pasur.

Por një apartament vetëm me rrogë nuk e blija dot, pa marrë kredi.

Tani më thoni ju mua, a duhet t’i themi ne këto apo nuk duhet t’i themi?

Unë do i faktoj shqiptarëve çdo gjë që kam thënë, por mbi të gjitha për opozitën nuk ka njerëz me të bekuar, më të vlerësuar se gjykatësit, prokurorët, policët, hetuesit që zbatojnë ligjin.

Pa më thuaj pak, çfarë do i thuash ti ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja dhe Altin Troplinit, të cilët në dosjen e krimit elektoral, dosje e ndërtuar mbi bazën e vendimit të gjykatave, e publikuar në mediat më të mëdha ndërkombëtare, amnistuan krimin elektoral? Më thuaj pak ti mua, a nuk është kjo një licencë për qeverinë dhe Edi Ramën që të përdorë cdo mjet kundër zgjedhjeve.

Prandaj dhe i dashur mik, ne duhet të jemi objektivë dhe të vërtetë, kjo është e rëndësishme.

E mbështesim çdo veprim që godet krimin dhe çdo prokuror dhe çdo gjykatës, por dënojmë me forcën më të madhe si delinkuent dhe kriminelë ata që shkelin ligjet dhe bashkëpunojnë me krimin.

Nik Selimaj: Çfarë mendoni për vizitën e Ramës në Izrael dhe protestës pro-Palestinë të mbajtur në Tiranë si reagim ndaj vizitës së tij?

Sali Berisha: Vizitat në Izrael të kryeministrit të Shqipërisë, kanë qenë dhe janë zhvillime normale me një vend mik. Shqiptarët dhe hebrejtë i lidh një miqësi e padiskutueshme, e provuar në kohërat me të vështira.

Qeveria shqiptare gjatë okupacionit, pra jo vetëm qytetarët shqiptarë, por qeveria shqiptare, bëri gjithçka që hebrejtë në Shqipëri të mos i dorëzoheshin plojës naziste. Dhe kjo është një nder jashtëzakonisht i madh.

Natyrisht, duke thënë këtë, them se, Edi Rama kudo që shkel, këmba e tij shkel si armik i betuar i kombit shqiptar. Pikë, armik i kombit shqiptar.

Përsa i përket protestave. Në çdo vend normal ka protestat e veta, ka protestuesit dhe këto janë një normalitet për një vend.

Edi Rama përbën një armik të kombit shqiptar.

Zoti Berisha, dje në Divjakë, fermeri që foli u injorua nga Rama, si e komentoni këtë situatë?

Sali Berisha: Së pari, fermeri që foli, foli me guxim në emër të gjithë fermerëve shqiptarë.

Por e vërteta, jo vetëm të fermerëve, por në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë sepse foli në emër të fermerëve sepse fermerët shqiptarë janë në kushte falimentimi sepse ka dy vite që prodhimi bujqësor është në rënie, në recesion.

Foli në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse rënia e prodhimit bujqësor ka rritur çmimet në Shqipëri, i ka bërë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, vende që kanë rroga 5-7 herë më të larta se shqiptarët.

Kurse përgjigjet e Edi Ramës qenë përgjigjet e një njeriu në panik, arrogant, i cili u përpoq të shpëtojë nga pyetjet e drejta me arrogancën e neveritshme të një njeriu në agoni politike.

Pyetje: Në kuadër të tryezës së dialogut politik, a mendoni se intelektualët duhet të ftojnë dhe Bamir Topin, Lulzim Bashën, Alibeajn, Patozin etj.

Sali Berisha: A po flet për intelektualë apo pseudointelekual. Më fal, të lutem. Unë e di që ndofta kjo nuk të vjen për shtat, por unë ta them me sinqeritet dhe më del nga zemra. Dhe të lutem shumë, për t’u bindur për këtë, ktheu pak në vitin 1990 dhe lexo, një intervistë që i kam dhënë gazetës ‘Drita’ dhe mund të jesh i pari njeri që i them lexo diçka timen, se nuk është kurrë në zakonin tim, në të cilin unë bëj dallimin në intelektual dhe pseudointelektual.

E kisha problem shumë këtë, sepse kishte intelektual të vërtetë, kishte të tjerë, pastaj që quheshin intelektual dhe silleshin si pseudointelektual. Tani këta janë fatkeqësia, pseudointelektualët janë fatkeqësia e kombit, janë mjerimi kombëtar, kështu që unë them, që më mirë të mos i ngatërrojmë.

A të bëj një pyetje tani ty. A nuk patën rastin ata për të qenë në të mirë të Shqipërisë? Kjo parti a nuk u dha atyre çdo mundësi? Të lutem, a nuk u dha tyre çdo mundësi, dhe çfarë e përdorën? Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij, të Lulzim Bashës, pasurimi i tij dhe shkatërrimi. Për atë tjetrin shko e pyet ata që u drejtojnë fushatën se çfarë të thonë. Prandaj, mos bëjmë fjalë me pseudointelektual.

Më gjej intelektual të vërtetë dhe unë, ç’është e vërteta kam nderimin më të madh.

Anila Tafa: A nuk ka ardhur koha që forcat politike të udhëhiqen nga natyra, të respektojmë ligjet e saj, duke jetuar sa më në harmoni. Politika të ndihmojë njerëzit të kthehen në fshatra, tek toka, por duke mësuar të jetojnë dhe respektuar ekosistemin. Është koha që PD të bëhet mbështetësja e fshatit, tokës dhe natyrës. Kështu që njerëzit do të jenë më të sigurtë tek një forcë politike. Duhet një ndryshim i vërtetë.

Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen dhe jam plotësisht dakord me shqetësimin tuaj. Por që të ketë një politikë aktive, duhet të garantohet popullimi, themelor. Si themelori i fshatrave. Fshatrat po vdesin. Me qindra e qindra fshatra pa asnjë banor, sepse ikin. Ta tha dje fermeri, çfarë i tha? Ke hapur tha tregun për prodhimet serbe dhe prodhimet tona mbeten në fushë. Duhet të ketë një politikë. Ju flisni për mjedisin. Në një farë mënyre unë i besoj, se unë jam mjek dhe i besoj çështjet e mjedisit, dhe nuk jam nga ata që kam bindjen se ata nuk qëndrojnë. Besoj në shumë gjëra.

Nuk kemi deklaruar ne se, kemi mbjellur 1 milionë pemë në Tiranë, siç ka deklaruar ai që është në burg, që ka vjedhur paratë e 1 milionë fidanëve.

Por ne me dokumente zyrtare kemi arritur në 11 milionë rrënjë ullinj kur e dorëzuam pushtetin, nga 4 milionë. Shumica u mbollën nga qeveria, por pastaj mbollën dhe qytetarët se e panë që ishte një leverdi. Mbollëm me qindra hektarë arrorë.

Në fakt, atë që mund të quhet politikë pyllëzimi, ne po e zëvendësonim me politikën e druve frutorë. Pse po e bënim ne këtë. Sepse terreni në Shqipëri, e gjithë zona kodrinore nga Hani i Hotit gjer në Vlorë, lejon veshjen e tyre me vreshta dhe ullinj. Aty ku mund të ketë një kaçube, më mirë të jetë një rrënjë ulli. Të jetë një vresht, kjo ishte filozofia jonë. Ndaj ne kishim parashikuar fillimisht 12 pastaj 20 milionë dhe në kohë potenciali ishte llogaritur gjer në 50 milionë rrënjë ullinj. Por kjo për zonën e ullirit.

Për zonën tjetër jo të ullirit, ne kishin llogaritur arror. Gështenjtë, arrë, lajthi dhe përveç tyre edhe shegën. Ne ecëm në këtë drejtim dhe u mbollën disa qindra hektarë me arror. Mendoj se vazhdimi i këtyre projekteve është një mbështetje e madhe dhe për mjedisin sepse natyrisht ka brenda antierozionin.

Ne për 1 hektarë ullinj jepnim 3500 dollarë në atë kohë, më vonë kaluam në 2500. Po kështu për arrorët. Por ama identifikimi, vërtetimi ishte absolut, nuk mund të gënjenje njeri, sepse paratë lëvroheshin kundrejt çdo procesi.

Çfarë bënë këta e nderuar zonjë. Këta fondet që u japin fermerëve për këtë, nuk i japin më kështu. Këta i japin 200 mijë lekë për votë patronazhistëve, dhe janë zhdukur. Absolutisht e vërtetë kjo që u them unë ju. Ndajnë fondet e përcaktuara, grante për pemë frutore etj., etj., i ndajnë ato për patronazhistë për vota.

Së dyti, e thashë dhe më parë e them prap. U rikthye nga viti 2009-2013, 180 mijë familje shqiptare. Shumë e shumë prej tyre në fshatra ku morën toka me qira, morën financimet, mbollën dru frutore, mbarështruan tufa me lopë, dhi, dele. Pra, filloi një rigjallërim në fshatin shqiptar.

Tani më thuaj pak? Të paktën 8 mijë km rrugë u ndërtuan në Shqipërinë rurale, minimumi, por mund të jenë më shumë po t’i llogaris. Më thuaj çfarë është bërë me Shqipërinë rurale gjatë 12 viteve.

A e dini ju se ato fshatra që thotë ky, janë të gjitha në letër, nuk ekziston asnjë. Ishte një projekt i ynë i mëparshëm dhe ky e kaloi në 100 fshatra, ne e kishim në komuna.

Për ta mbyllur, këta vjedhin 90% të fondeve që alokohen për punët publike, për qëllime të tjera. Me këta nuk ka absolutisht asnjë projekt të sigurtë.

FJALA PËRMBYLLËSE

Mesazhi im është, u falënderoj përzemërsisht që më ndoqët në këtë bisedë.

Besoj se u thashë përgjigje pyetjeve tuaja, përveçse njërit që tani më vjen në mendje, i cili pyeti se a do bëhen zgjedhje.

U garantoj se në PD do bëhen zgjedhje në të gjitha nivelet, dhe u garantoj se me të gjitha kritikat që bëhen për primaret, unë kërkoj mirëkuptimin tuaj se heqja e primareve do të thotë heqje e marrjes parasysh të vullnetit të anëtarëve.

Dhe nuk duhet të kërkojmë këtë, por do bëjmë çmos t’i përsosim ato.

Dhe mbi bazën e votës së anëtarësisë do të zgjidhet e gjithë organigrama drejtuese nga kryetari gjer tek degët, seksionet e PD-së.

Faleminderit shumë dhe prova jonë, ora jonë është data 10 shkurt, ora 5.

Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, në Tiranë. Një fundjavë të mbarë!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale