Berisha: Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë faktoi farsën elektorale! Edi Rama dështoi në përpjekjet për të ndryshuar këtë raport

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, reagoi pas raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një farsë të organizuar nga qeveria e Edi Ramës. Berisha theksoi se përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar raportin dhe fshehur realitetin kanë dështuar totalisht dhe se raporti përfundimtar ka mbetur i paprekur në çdo detaj. Në këtë raport evidentohen shkelje të rënda të parimeve ndërkombëtare zgjedhore, të mishëruara në Kartën e Kopenhagenit dhe në Kodin e Venecias, përfshirë përdorimin masiv të burimeve shtetërore dhe ndërhyrje të dhunshme në procesin zgjedhor.

Lideri democrat, Sali Berisha denoncoi përdorimin e administratës publike dhe patronazhistëve për të kontrolluar votën, faljen e gjobave me vlerë 200 milionë euro, blerjen masive të votave përmes prokurimeve publike dhe shpërndarjes së përfitimeve financiare si dhe përdorimin e kanabisit dhe bandave për të influencuar rezultatet. Ai theksoi se këto praktika e kanë kthyer Shqipërinë në një “parti-shtet”, ku nuk ekziston ndarja mes institucioneve dhe partisë në pushtet, duke bërë që zgjedhjet të mos jenë aspak të lira dhe të ndershme, por thjesht një farsë elektorale.

Në këtë kuadër, Berisha kritikoi me tone të ashpra parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit si më armiqësorin ndaj interesave të shqiptarëve, duke shënuar një nivel të paprecedentë shkeljesh ligjore dhe kushtetuese. Ai shtoi se ky parlament ka miratuar qeverinë dhe programin e saj në kohë rekorde, ka mbyllur seancat pa diskutime dhe ka refuzuar interpelancat dhe hetimet ndaj kryeministrit, duke i dhënë fund funksionimit të tij normal demokratik.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se kriteri bazë i zgjedhjeve është barazia e kushteve të garës, dhe kur shteti futet në lojë si një aktor i vetëm me të gjithë resurset e tij, zgjedhjet nuk janë të lira, por farsë. Ai shpjegoi para gazetarëve se raporti i ODIHR thekson në mënyrë të përsëritur mungesën e barazisë, duke treguar se Edi Rama ka përdorur me çdo mjet aparatin shtetëror për të siguruar fitoren e partisë së tij. Gjithashtu, Berisha denoncoi kontrollin e medias prej pushtetit, duke përmendur se 90% e mediave ishin nën kontrollin e një partie, çka ka kufizuar rëndë qasjen në informacion të lirë dhe të balancuar.

Në lidhje me paketën e maleve, lideri opozitar, Sali Berisha shprehu shqetësimin se kjo paketë është një plaçkitje e hapur dhe një ndërhyrje që po shkakton armiqësi dhe konflikte midis komuniteteve malore. Ai theksoi se toka komunale, që ka qenë pronë e komuniteteve malore për shekuj, po rrëmbehet në mënyrë të padrejtë nga investitorët e mbështetur nga qeveria. Berisha u bëri thirrje investitorëve që të mos prekin tokën e tjetrit dhe akuzon qeverinë se po nxit konfliktet për përfitime politike, duke përmendur edhe shkatërrimin e objekteve në zona si Thethi dhe Sylbica si shembuj të keqmenaxhimit dhe abuzimit me pronën.

Sa i përket krijimit të qeverisë teknike dhe reformës zgjedhore, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se pa presionin dhe zërin e fuqishëm të protestave dhe angazhimit qytetar në rrugë dhe sheshe, kjo qeveri nuk do të formohet. Kryedemokrati ftoi shqiptarët që të përgatiten për këtë betejë për votën e lirë dhe garanton se PD do të punojë ngushtë me opozitën për të siguruar përfaqësim dhe një zë të bashkuar në komisionet e reformës.

Në përfundim, Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu besimin se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë është një instrument i fuqishëm për të ngritur ndërgjegjen kombëtare dhe për të bërë një thirrje për ndryshim, duke u zotuar se opozita dhe qytetarët do të ngrihen për të mbrojtur votën e lirë dhe për të ndalur farsën elektorale që po mbahet nga qeveria aktuale.

FJALA E PLOTË

Edi Rama ka zgjedhur heshtjen dhe mashtrimin për të mbuluar dështimin e tij të plotë dhe total në ndryshimin e raportit fatal për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Siç kisha paralajmëruar, siç kisha paraqitur dokumente zyrtare që faktonin ndërhyrjet brutale të qeverisë shqiptare pranë institucioneve të vëzhgimit dhe direkt vëzhguesve ndërkombëtarë për të ndryshuar termat e përdorura në raportin e tyre për zgjedhjet e 11 majit, janë bërë përpjekje, të cilat me kënaqësi të madhe u them shqiptarëve se patën zero efekt.

Është në meritën më të madhe të institucioneve që vëzhguan zgjedhjet, që i qëndruan fjalë për fjalë të gjitha konstatimeve që faktojnë një farsë të vërtetë elektorale më 11 maj.

Raporti përfundimtar mbështet plotësisht tezat e raportit paraprak se në zgjedhjet e 11 majit u shkelën parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve, të mishëruara në Kartën e Kopenhagenit, në platformën e Këshillit të Europës për zgjedhjet, në Kodin e Venecias, në dokumentet më serioze ndërkombëtare për zgjedhjet.

Ato faktojnë se kodi zgjedhor në nenet e tij për përcaktimin e rregullave të fushatave elektorale u thye 4500 herë me evente të ndaluara gjatë fushatës elektorale.

4500 ngjarje, që po t’i llogarisësh, përbëjnë një shumë prej dhjetëra dhe qindra milionë eurosh, të përdorura këto ngjarje vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë gjer ditën e fundit 7 milionë euro për organizatën private të Giro D’Italia.

Edi Rama paturpësisht iu drejtoi pyetjen, duke menduar se do i trembte, ku i keni faktet për ato që keni shkruar.

Igli Hasani, e keni parasysh letrën e tij kërcënuese, që e mohonin.

Por në raportin që unë shpresoj të mos jetë fake, të jetë real, që është vendosur në internet, rezulton se nuk është hequr asnjë presje.

Aty faktohet se në kundërshtimet me parimet ndërkombëtare, Edi Rama i ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të urryer të shqiptarëve për votën.

Aty faktohet se janë përdorur bonuse për votën, dhuratë për votën 100 euro për pensionistët.

Faktohet se është përdorur falja e gjobave 200 milionë për votë.

Faktohet se janë dhënë 138 licenca për 28 mijë hektarë tokë të mbjellë me kanabis.

Pra, faktohet se u dhanë 500 milionë euro prokurime në kundërshtim më ligjin për të blerë vota.

Faktohet përdorimi i punësimit të përkohshëm në mijëra raste për të blerë vota.

Faktohet terrori mbi punonjësit e administratës për të votuar.

Faktohen pra të gjitha mënyrat për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve për votën.

Në raport, lexojeni një frazë, po të mos bënin këto, zgjedhjet do ishin më afër zgjedhjeve të lira.

Pra, janë në Siberi krahasuar me distancën tani.

Nuk janë kërkund.

Janë zgjedhje farsë.

Faktohet angazhimi në një seri qytetesh të karteleve të drogës dhe bandave për të rrëmbyer votën.

Faktohet qëndrimi antiligjor në raport me ankesat.

Angazhimi i të gjitha resurseve të administratës njëlloj si në partinë shtet. U shuan linjat e ndarjes së partisë nga shteti, thotë raporti.

Vetëm ky moment është i mjaftueshëm ky element për të gjithë ata që kanë kulturën elektorale minimale për të kuptuar se zgjedhjet ishin një farsë.

Në kushtet e partisë shtet kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë.

Kurrë nuk ka.

Faktohet që Shqipëria është një diktaturë autoritare që kontrollon votën e shqiptarëve.

Siç e shihni, shqiptarët bazuar në këtë raport, kanë detyrimin madhor të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ju konstatoni që parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit është parlamenti më armiqësor ndaj shqiptarëve në historinë 32-vjeçare.

Është parlamenti që miratoi qeverinë dhe programin e saj për 28 minuta.

Është parlamenti që shkelmon ligjin dhe Kushtetutën për të mbyllur seancat pa diskutime.

Është parlamenti në të cilin refuzohen interpelancat nga kryeministri. Në të cilin refuzohen komisionet hetimore për kryeministrin.

Është parlamenti që po firmos fundin e tij të turpshëm. Faktikisht vdekjen e tij.

Rikthehuni pak në komisionet parlamentare se si drejtuesit socialistë të këtyre komisioneve qëndronin para Altin Troplinit dhe të tjerëve sikur të ishin mbushur plot nga frika.

Merreni dhe shiheni prapë se si për çdo fjalë kërkonin të përgjigjeshin vetë, të mos i linin ata të flisnin. Shihni sekuencat se flasin vetë ato.

Absolutisht e them me dhimbje të madhe.

E patë që nuk duan të lejojnë të pyeten?

Shikoni çfarë…. po sigurisht se nga Peleshi e poshtë të gjithë kanë dosjet dhe parlamenti urdhëron Troplinin.

Tani thonë jo deputetët nuk duan të bëjnë pyetje vetë, por t’i bëjnë me shkrim kur në çdo parlament të botës deputeti ngrihet dhe thotë kam këtë pyetje. Dhe është i detyruar të jetë korrekt me personin që e pyet.

Këta thonë jo.

Pse? Se ua dikton Troplini.

Ua diktojnë ata.

Nuk kisha parë ndonjëherë skena të tilla. Kurrë. Ajo është për film, për Netflix. Origjinal.

Pra, unë përshëndes dhe shpreh mirënjohje ndaj vëzhguesve.

Unë mirëkuptoj vështirësitë e tyre për publikimin, ndaj dhe u vonua raporti se u bënë përpjekje të mëdha për ta çuar në kalenda.

Por jo, triumfoi e vërteta. Triumfoi arsyeja.

Edi Rama donte me çdo kusht që raporti të mos publikohej.

Por ja ku është raporti. E keni në ueb.

Ka çdo fjalë dhe çdo presje që kishte raporti i parë, çka është një bazë e fuqishme shprese që shqiptarët të ecin drejt zgjedhjeve të lira.

Le të bëjnë ç’të duan, asgjë nuk do ndalë përpjekjen tonë për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët.

PYETJE-PËRGJIGJE

Andon Kello, Abc News: Sa i përket raportit të OSBE/ODIHR kam dy pyetje. Duket që raporti është mjaft objektiv, por në asnjë rresht të 46 faqeve nuk përmendet. Pra, termi farsë nuk përmendet, përmenden tema zgjedhorë, por jo farsë.

Dhe e dyta. Pas këtij raporti, çfarë keni ndërmend të bëni?

Berisha: Tani, në qoftë se raporti thotë, zotëria duhet të kemi pak problemin e kulturës ligjore.

Kur raporti thotë se u përdorën të gjitha resurset administrative nga partia shtet, nga partia në pushtet, do të thotë se nuk kishte fushë të barabartë, dhe e ka shkruar jo një herë, por dy ose tre herë e ke në raport.

Kriteri më themelor i zgjedhjeve është barazia.

Në terminologjinë profesionale nuk ekziston terminologjia zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bazuar në Kartën e Kopenhagenit, të drejta ose të padrejta.

Të drejtat kanë kusht themelor barazinë e garës.

Një fushë e pabarabartë do të thotë farsë. Po nuk qe e barabartë është farsë në terminologjinë politike.

Merr pak raportin e Këshillit të Europës. Raporti rekomandon që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.

Kaq. Se po qe se është parti shtet, nuk ka zgjedhje, ka farsë.

Sigurisht se shteti futet në garë me një emër që quhet partia X, me të gjithë potencialin e vet financiar, njerëzor, dhunën, policinë, etj, për të rrëmbyer mandatet.

Pra, e thonë këtë, potë dish të lexosh jo njëherë, por disa herë.

Nuk përputhet me parimin ndërkombëtar sistemi i patronëve.

Ka bërë përpjekje titanike Edi Rama për të hequr ato terma, por do e ndjekin gjer ditën e fundit të jetës së tij.

Ka kaluar edhe në kërcënime personale ai. Nuk i hoqi dot.

Nuk shkruajnë ata terma politike. Ata kanë terma teknike, të barabartë, të pabarabartë.

Lexo pak vetëm kapitullin e medieve për të kuptuar se zgjedhje nuk ka pasur. Në qoftë se ka zgjedhje pa informim, apo ku njëra palë kontrollon 90 përqind të medieve.

Shih dy rreshtat e fundit të raportit për mediat. I damkos Edi Ramën dhe zgjedhjet.

Unë çuditem që të dalë ndonjë prej tyre që të thotë se ishin zgjedhjet më të mira, që nuk kanë shkruar kurrë.

Por zgjedhjet më të mira të vitit 2009 thuhet se plotësuan kriteret kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Dhe i ka shkruar këto një person që unë e kisha shpallur non-grata.

E vërteta. Por objektivitetin e kishte për vete ajo, jo për mua.

Merrni zgjedhjet e vitit 2009, që Edi Rama bëri namin.

Merr zgjedhjet e vitit 2007-ës, ato ishin dizastër, ta them unë, se Edi Rrama i tmerruar që mund të humbiste, nuk donte të hynte zgjedhje dhe imponoi një pamflet rregullash të paimagjinueshme për votuesit.

Por ka një frazë aty, thonë gjithçka për ato zgjedhje jo mirë, por ka një frazë: qeveria nuk bëri përpjekje për të ndërhyrë në rezultat.

Kurse këtu çfarë gjen?

Qeveria bëri 4500 evente për të ndërhyrë në zgjedhje.

Qeveria fali 200 milionë euro gjoba.

Qeveria ka krijuar sistemin e patronëve për të ndërhyrë në zgjedhje.

Pati blerje masive vote. Në 30 përqind të qendrave të votimit nuk ishin askund standardet.

Tani, një gjë të siguroj, çdo rresht pozitiv absolutisht përveç njërit, janë shkruar për çdo zgjedhje në çdo situatë që bëhen.

U administruan me korrektesë. Në diktaturë, administrimi është gjithmonë korrekt. Për administrim, me daulle. Poetët thurnin poezi për zgjedhje.

Kështu që, unë nuk them se nuk pati, por unë besoj se këta i kanë bërë një shërbim të madh shqiptarëve me raportin.

Ndaj dhe u detyrova ta denoncoj.

E denoncova në asamblenë parlamentare të OSBE-së përpjekjen e Edi Ramës për të ndryshuar raportin.

E denoncova në Bruksel dhe Strasburg.

E kanë denoncuar përfaqësuesit e opozitës kudo dhe dështoi me turp.

Asnjë rresht nuk ka ndryshuar.

Klajdi Bodlli, Syri Tv: A shihni ndonjë mangësi në këtë raport të OSBE/ODIHR z.Berisha, duke qenë se, për votën e diasporës nuk është se merret shumë seriozisht, ndërkohë që opozita ka bërë disa denoncime në lidhje me këtë proces votimi, por edhe vetë rezultatin i cili ka patur shifra të çuditshme?

Duke marr shkas nga ky raport, i cili sipas jush vërteton masakrën zgjedhore, në këto kushte mos duhet që në zgjedhjet e ardhshme, të paktën opozita të kërkojë garanci duke kërkuar një qeveri teknike paraprake si në Maqedoni, për të mos qenë më në këto kushte? 

Berisha: Tani, vërejtja juaj është e drejtë.

Në raport, kapitulli i diasporës është deficitar.

Por ai kapitull, sado që është shumë i rëndësishëm, nuk zbeh vlerën e madhe të raportit dhe ne do ua dërgojmë këtë vërejtje që kemi ne, që të kenë një njohuri më të plotë.

Dhe do e paraqesim kudo në Europë edhe pjesën e diasporës, ndonëse deklaron se 43 mijë raste nuk u regjistruan.

Dhe ka edhe një rresht aty ku thotë se nuk u dërguan në adresa, etj.

Por një analizë e plotë për diasporën i mungon raportit.

Mirëpo mendoj se me këtë analizë që bëri dhe me faktin që i qëndroi të gjitha konstatimeve para votës së diasporës, është në meritën e madhe të tyre se ndërhyrjet kanë qenë shumë të turpshme nga Edi Rama dhe ministri.

Tani, qeverinë teknike nuk ta krijon kush po nuk e krijove vetë, po nuk e e imponove vetë.

Prandaj, në qoftë se shqiptarët duan të votojnë të lirë, të përgatitemi për betejën tonë, për protestën tonë, për votën e lirë.

Qeveri teknike ne kërkojmë, por të jeni të sigurt, pa zërin tonë të fuqishëm në rrugë dhe sheshet e këtij vendi, ajo nuk krijohet.

Dhe ne do ngrihemi dhe kjo nuk ka diskutim.

Lidhur me reformën, njëherë shfrytëzoj rastin të deklaroj këtu dhe të siguroj të gjitha partitë opozitare se PD do bëjë përpjekjen më maksimale për përfshirjen maksimale të tyre në komision dhe ato do jenë një zë që do përfaqësohen.

Nuk është e vërtetë… unë e pashë një titull dje që PD dhe PS e akaparuan edhe reformën.

Unë ndjej keqardhje, por ata janë një linjë shumë e veçantë, por kjo nuk është e vërtetë për PD.

PD në qoftë se do shkojë, do shkojë me aleatët e vet, me opozitarët dhe ne kemi besim se do gjejmë një gjuhë të përbashkët me të gjithë opozitën.

Ne arritëm të gjejmë një kandidat të përbashkët për Tiranën, që ishte diçka shumë pozitive për mendimin tim, ne do arrijmë për hir të votës së lirë të kenë përfaqësimin dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët.

Ne nuk do përdorim kundër aleatëve tanë qëndrim tjetër përveç konsensusit, mirëkuptimit dhe ujdisë.

Le të shkruajnë çfarë të duan tituj, por e vërteta do jetë kjo.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale