KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë përmes dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve, ndërsa kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij. Në konferencën e sotme për mediat, ai u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve të vogla dhe shërbimeve publike t’i bashkohen revoltës studentore. ‘Regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë’, deklaroi Berisha, duke pretenduar se mbi 150 persona janë ndaluar gjatë protestave.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë ndaj studentëve, përfshirë vajzat në konvikte, dhe pretendoi se protestues të plagosur po marrin trajtim në spitale. Sipas tij, deklarata e Ramës se nuk do të japë dorëheqjen ka shtuar revoltën qytetare. ‘Në këtë mënyrë ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë’, tha Berisha, duke e cilësuar qeverisjen e Ramës si ‘narkoshtet’ dhe duke e akuzuar kryeministrin për përgjegjësi për situatën e krijuar.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje bizneseve të vogla të shprehin solidaritetin me studentët, madje edhe përmes ndërprerjeve të përkohshme të punës. Ai kërkoi gjithashtu që shërbimet publike të rreshtohen në mbështetje të protestës. ‘PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike’, deklaroi kreu i opozitës, duke theksuar se Partia Demokratike do ta mbështesë protestën deri në fund.
Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi gjyqtaren që dha sot vendimet gjyqësore ndaj protestuesve, si në konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj punon në strukturat policore. Ai njoftoi se PD ka organizuar shërbim avokatie falas për personat e ndaluar gjatë protestave.
Duke iu përgjigjur akuzave të Edi Ramës dhe përfaqësuesve socialistë se, PD qëndron pas akteve të dhunës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi ato si ‘turpi dhe faqja e zezë’ e Ramës. ‘Opozita do të qëndrojë me të gjithë fuqitë e saj në mbështetje të kësaj proteste’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha , duke përsëritur kërkesën për e menjëhershëm të Edi Ramës.

FJALA E PLOTE:
Sot nga, Mati, Tropoja, Kurbini është shpallur greva në mbështetje të fuqishme të revoltës studentore.
Sot nga Korça, Vlora dhe mbarë jugu, nxënësit janë në greva, në solidarizim me rininë studentore, revoltën e tyre.
Ndërkohë regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë.
Janë mbi 150 të ndaluar nga narkobanditët me uniformë, qytetarë pa asnjë lidhje me ndonjë akt të veçantë të paligjshëm.
Edi Rama në skenarin e mbylljes së universitetit dërgoi mbrëmë narkobandat e tij policë me mjete policie dhe automjete policie për të thyer xhamat, terrorizuar dhe hedhur spraj ndaj vajzave në konviktet e studenteve, akte këto tipike të diktaturave të bandës.
Në fjalën e tij, ai shtoi revoltën tek mbarë shqiptarët.
Deklaroi në mënyrën më të papërgjegjshme se nuk jep dorëheqje.
Në këtë mënyrë ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë.
Në spitalet e vendit po mjekohen protestues me kafkë të shpuar nga plumbi në ballë, i gomës mundet, atë që ka treguar skaneri, tregon vrimën në pjesën ballore të vajzës së goditur.
Të tjerëve u janë krijuar plagë të rënda, hematoma të mëdha në kokë, në trup.
Dhoma në lokale të paidentifikuar, janë të filmuar ku janë hedhur me dhjetëra studentë të dërrmuar, të goditur dhe të lënë përtokë.
PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë.
PD u bën thirrje bizneseve të vogla që kanë te kjo parti, partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë.
PD i garanton ata se studentët nuk kanë urrejtje ndaj tyre.
Urrejtja studentore është për Padrinon dhe oligarkët e tij.
Por është në kodin moral të biznesmenit të ndershëm të qytetëruar të marrë anën e studentëve, qoftë me një ndërprerje të përkohshme pune njëorëshe, dyorëshe në mënyrë që të inkurajojë këtë lëvizje.
Një akt miqësor ndaj studentëve, revoltës së tyre, që po tregojnë një guxim të jashtëzakonshëm, pritet nga çdo biznesmen.
Narkoshteti i Edi Ramës është armiku kryesor i tyre, armiku kryesor i shqiptarëve.
Dhe studentët po përballen pikërisht me narkoshtetin e Edi Ramës.
Indiferenca ndaj revoltës studentore, dashje pa dashje është mbështetje për regjimin më të urryer të shqiptarëve dhe Edi Ramën.
U bëj thirrje të gjitha shërbimeve publike të konsiderojnë rreshtimin e tyre me studentët.
Është e një rëndësie jetike zgjerimi dhe universalizimi i kësaj greve, i kësaj revolte.
PD dënon me forcën më të madhe vendimet e sotme të dhëna nga një gjykatëse në konflikt të hapur interesi, e cila për definicion me ligjin, në respekt të ligjit, për shkak të pozicionit të bashkëshortit, duhet të refuzonte vlerësimin e masës ndaj heronjve të revoltës studentore.
Masat politike të dhëna nga Edi Rama përmes gjykatës, a mund të imagjinoni ju, studenti Metaj, luani i protestës pa asnjë akt dhune përveç reagimeve plotësisht të ligjshme ndaj narkobanditëve që e arrestuan dhe donin ta rrëmbenin, e lënë në arrest shtëpie njëlloj si Karçanajn e AKSHI-t të Surrelit.
A mund të imagjinohet një gjë e tillë?
Ajo që me Ergys Agasin dhe bandën e AKSHI-t ka zhdukur dhe shpërdoruar qindra e qindra milionë për llogari të Edi Ramës dhe mafies së tij, ajo ndodhet në arrest shtëpie njëlloj si studenti guximtar që u mbrojt me heroizëm, u mbrojt me guxim të jashtëzakonshëm nga shtatë narkobanditë që e rrethuan pa asnjë motiv.
Vendimet e sotme janë marrë në zyrën e Edi Ramës.
PD informon qytetarët dhe protestuesit se ajo ka organizuar shërbim avokatie falas për çdo të ndaluar.
Ndaj dhe duhet t’i drejtohet kësaj zyre, telefoni i të cilit do afishohet në faqe, për të kërkuar ndihmë në çdo kohë gratis nga avoketër shumë të kualifikuar.
Deputetët e saj kanë qenë dhe janë non-stop në të gjitha narko-komisariatet, dhe do jenë në mbrojtje dhe mbështetje të studentëve.
Edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe qëndrimet çnjerëzore të narkoregjimit të Edi Ramës dhe u them shqiptarëve se zjarrvënësi më i madh i Shqipërisë në histori është Edi Rama.
Se me flakët e zjarrit të tij, ai ka djegur ëndrrat e qindra mijëra të rinjve.
Se me flakët e zjarrit të tij, ai ka djegur shpresën e një kombi të tërë në Shqipëri.
Se me flakët e zjarrit të tij, ai ka vjedhur së paku me narkoqeverinë e tij mbi 12 miliardë euro në tendera, prokurime dhe koncesione.
Se me flakët e zjarrit të tij, ai ka shfarosur, ka zhdukur qindra mijëra vende pune dhe ka përzënë nga Shqipëria mbi 47 përqind të shqiptarëve në 10 vite.
Ata që bërtasin dhe duan të fajësojnë studentët për këtë apo atë akt, ata janë skllevër të Edi Ramës.
Ata janë puthadorë të shpifur të tij, që paguhen nga taksat e vjedhura të shqiptarëve prej tij.
Në qoftë se flitet për zjarrvënie, zjarrvënësi më i madh në historinë e këtij kombi, që nga pushtimi otoman gjer sot, është Edi Rama.
Ndaj dhe e mbyll këtë deklaratë duke kërkuar në mënyrë të prerë dorëheqjen e tij të menjëhershme.
Unë e kuptoj se krimet e rënda që ka kryer e tmerrojnë dhe nuk e lejojnë të marrë këtë vendim.
Por prapë, midis fatit të Çausheskut dhe fatit të Ramiz Alis, mendoj se në interesin më të mirë të tij dhe të shqiptarëve është të zgjedhë fatin e diktatorit të fundit ideologjik dhe të ikë dhe ky me turp si diktatori i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, keni një koment ndaj akuzave të bëra nga kryeministri dhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste, se Partia Demokratike qëndron pas akteve të dhunës në protestë?
Sali Berisha: Partia Demokratike deklaron se mbështet me të gjithë potencialin e saj këtë protestë dhe do ta mbështesë gjer në fund.
Akuzat bajate të Edi Ramës janë turpi dhe faqja e zezë e tij, sipas të cilit, kjo protestë është rezultat i armikut të brendshëm që është opozita, dhe armikut të jashtëm që kësaj here nuk e morëm vesh s’e ka identifikuar akoma, nëse është Greqia, Irani, Rusia apo Turqia apo tjetërkush nuk e dimë.
Por flasim për armik të jashtëm dhe bashkërendim me opozitën. Dije i them, dije mirë, se opozita do të qëndrojë me të gjithë fuqitë e saj në mbështetje të kësaj proteste.
Ndaj jep dorëheqjen, largohu menjëherë sa më parë!
Për sa i përket dhunës dhe zjarrit, ti je zjarrvënësi më i madh i kombit, ti je dhunuesi më i madh i kombit.
Ndaj dhe ti meriton ndëshkimin më të madh!


