Berisha: Rama po blen vota me bonusin elektoral! Ne do vendosim kartën e konsumatorit 450 euro për çdo pensionist

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në konferencën me gazetarët akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mashtron pensionistët dhe ka shkaktuar një deficit të madh në fondin e sigurimeve shoqërore. Berisha theksoi se pensionistët shqiptarë, dikur me pensionet më të larta në rajon, tani kanë pensione dy deri tre herë më të ulëta se vendet e tjera të rajonit. Megjithëse ekziston një detyrim ligjor për indeksimin e pensioneve, deri tani është indeksuar vetëm një pjesë e vogël e inflacionit. Gjithashtu, shumë medikamente të nevojshme janë hequr nga lista e rimbursimeve dhe remitancat kanë pësuar një ulje prej 35-40%. Berisha fajësoi qeverinë për moskryerjen e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shton se edhe qeveritë vendore socialiste janë debitorë të mëdhenj në këtë fond.

Kryedemokrati, Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike do të rrisë pensionet me 20% për ata mbi 200 euro brenda 3 muajve të parë të qeverisjes. Berisha premtoi gjithashtu vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro, duke përfshirë kështu edhe pensionet e pjesshme, të cilat do të rriten nga 20 deri në 70%. Kjo do të realizohet duke transferuar para nga buxheti i shtetit në fondin e pensioneve dhe duke shlyer detyrimet ndaj pensionistëve.

Lideri demokrati, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për blerjen e votave me bonusin elektoral për pensionistët, duke e cilësuar këtë një akt të turpshëm që shkel ligjin dhe Kushtetutën. Berisha premtoi se nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, çdo pensionist do të pajiset me një kartë konsumatori që do të ofrojë 450 euro në vit, si rikthim i TVSH-së që ata paguajnë për artikujt e përditshëm. Po ashtu, Berisha premtoi uljen e çmimit të energjisë dhe përshtatjen e çmimeve të qirave sociale me rrogën e individëve, duke siguruar një trajtim më të drejtë për ata me pensione dhe rroga të ulëta.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama për shkelje të ligjit elektoral gjatë mitingut të tij elektoral, duke thënë se nëse SPAK do të hetonte krimin elektoral, duhej ta kishte arrestuar atë. Ai e cilësoi mitingun e Ramës si një akt të turpshëm, ku përdor administratën shtetërore për fushatë dhe përpiqet të fitojë keqardhje me fjalime emocionale, duke shpërfillur skandale të rëndësishme, si ai me USAID dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19. Berisha e akuzon Ramën për përpjekje të dëshpëruara për të shmangur përgjegjësitë dhe për të mbuluar abuzimet e tij me një “sallatë fjalësh”.

Berisha tha gjatë konferencës me gazetarët se qeveria do të detyrohet të ndërhyjë për të zgjidhur problemin e çmimeve të larta të banesave, të cilat janë rritur për shkak të influksit të narkoeurove. Ai propozoi ndërtimin e banesave sociale, të cilat do të shiten me çmime të arsyeshme, pak mbi koston e ndërtimit, duke mundësuar një alternativë më të leverdisshme për qytetarët. Përveç kësaj, qiratë për këto banesa do të jenë të rregulluara nga shteti dhe do të jenë shumë më të ulëta se çmimet aktuale të qirave që imponohen nga tregu i pasigurt.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama për shkatërrimin e shëndetësisë përmes koncesioneve, që kanë abuzuar me fondet dhe kanë lënë qytetarët pa shërbime. Berisha premtoi se këto koncesione do të marrë fund dhe ata që kanë përfituar nga ky proces korruptiv do të ndëshkohen. Berisha theksoi se shëndetësia ka nevojë për një dyfishim të buxhetit dhe për investime në teknologji të reja për imazherinë dhe laboratorët. Ai gjithashtu siguroi se do të sigurohen ilaçet për pacientët, duke krijuar mundësi për blerje më të lira përmes konsorciumeve me spitale të tjera.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Shpëtim Idrizi është një aleat i çmuar dhe se do të zhvillojnë negociata serioze për të zgjeruar frontin opozitar. Përsa i përket Lulzim Bashës, Berisha ka theksuar se ai është aleat i Taulant Ballës. Berisha tha se nuk paragjykon partitë e tjera, por theksoi se të gjitha forcat që duan largimin e Ramës janë të mirëpritura në këtë front.

Kryedemokrati, Sali Berisha ka sqaruar gjatë konferencës me gazetarët se Paul Manafort dhe LaCivita nuk kanë ardhur në Shqipëri si lobistë, por për të mbështetur fitoren e Partisë Demokratike, duke vazhduar punën e fushatës elektorale të Donald Trump. Berisha tha se Manafort është një strateg i njohur për fushatën e Trumpit të vitit 2016 dhe se ai ka ardhur në Shqipëri për të kontribuar në përpjekjet elektorale të PD-së, duke e quajtur këtë si pjesë të misionit “To Make Albania Great Again”. Berisha tha se ata nuk kanë kontrata për lobim dhe se nuk janë lobistë, duke e theksuar se ata janë të ftuar për të ndihmuar në fitoren e PD-së në zgjedhje.

FJALA E PLOTË

Sot përsëri do ndalem tek njëri nga problemet më të mprehta, por edhe më të dhimbshme qëpërjeton shoqëria shqiptare, gjendja e pensionistëve në Shqipëri.

Sot, pensionistët shqiptarë, të cilët 12 vite më parë merrnin pensionet më të larta se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshi Rumaninë e Bullgarinë, janë katandisur me pensionet jo më të ulëta, por 2-3 herë më të ulëta se sa të vendeve të rajonit.

Qëndrimi ndaj pensionistëve shqiptare ishte një qëndrim në kufijtë e çnjerëzisë dhe poshtërimit.

Pensionistëve, të cilëve me ligj u takonte indeksimi, nuk iu është indeksuar as gjysma e inflacionit të këtyre viteve.

Por ata kanë marrë edhe një tjetër goditje të fortë. Goditja tjetër e rëndë është se një pjesë e mirë e barnave janë hequr nga lista e rimbursimit, të domosdoshme për mjekimin e tyre të përditshëm.

Së fundmi, qindra mijëra pensionistë kanë pasur një mbështetje nga fëmijët e tyre, familjarët e tyre jashtë vendit. Remitancat kanë pësuar një zhvlerësim në masën 35-40 përqind.

Edi Rama ka ndjekur një politikë cinike dhe mashtrimi ndaj pensionistëve.

Pasi iu mbajti kompensimin e 6 muajve të vitit të kaluar për t’ua paraqitur si bonus në dhjetor, ai ndau për buxhetin e shtetit të vitit 2025 gjithsej 16 milionë për indeksimin e tyre.

E vërteta është që 16 milionë nuk indeksojnë më shumë se 40 përqind të inflacionit vjetor të këtyre qytetarëve.

Edi Rama ndërmori një fushatë mashtrimesh të paskrupullta ndaj pensionistëve. I tillë ishte mashtrimi se për pensionet e tyre të ulëta, fajet i kanë biznesmenët.

Gropën më të madhe në fondin e Sigurimeve shoqërore e krijon administrata shtetërore. Pra, në qoftë se fondi i sigurimeve shoqërore ka një gropë të zezë të madhe, kjo gropë është krijuar se ministria e Financave nuk u paguan sigurimet shoqërore që duhet të kalojnë paralel me rrogën që marrin në fondin e sigurimeve shoqërore. Janë mbi 100 milionë euro detyrime ndaj këtij fondi, të cilat nuk i ka shlyer Edi Rama.

Po kështu debitorë të mëdhenj në fondin e sigurimeve shoqërore janë qeveritë vendore socialiste.

Pra, janë këto që fundosin fondin e pensioneve dhe bëjnë të pamundur rritjen e pensioneve nga ky fond.

PD ka deklaruar dhe deklaron se ndërhyrjen në pensionet e shqiptarëve e konsideron një emergjencë.

Dhe se kjo ndërhyrje do bëhet 3 muajt e parë të qeverisjes.

Tre muajt e parë të qeverisjes do vendoset minimumi jetik. Kjo nënkupton që 57 përqind të pensioneve, të cilat janë pensione jo të plota, por të pjesshme dhe si të tilla nënkuptohet janë nën 170 euro, që të gjitha kalojnë në minimumin jetik 200 euro. Pra, pësojnë një rritje nga 20 gjer në 70 përqind si pensione.

Pensionet mbi 200 euro rriten me 20 përqind.

Kështu që kjo ndërhyrje do bëhet me paratë e buxhetit të shtetit. Do merren paratë nga buxheti i shtetit, do transferohen në fondin e pensioneve. Do shlyhet buxheti që buxhetorët kanë ndaj pensionistëve.

Nuk ka gjë më të turpshme në botë, punonjësit e buxhetit nuk paguajnë sigurime shoqërore. Kjo nuk ndodh kund në botë, përveçse në shtetin e mafies që është Shqipëria. Se kjo duhej të ishte automatike. Ky është një zbulim i ri skandaloz që tejkalon imagjinatën. Merr fund.

Nuk merr qytetar shqiptar rrogë në shtet pa kaluar automatikisht, krahas firmës që firmos për rrogën, të tjerët në sigurimet shoqërore të pensionistëve.

Por, përveç kësaj, do kalojnë në fondin e pensioneve nga buxheti i shtetit i gjithë shuma e domosdoshme për të realizuar këto premtime. Për të realizuar pra minimumin jetik 200 euro dhe rritjen me 20 përqind të pensioneve të tjera mbi 200 euro.

Së dyti, Edi Rama po spekulon në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kodin elektoral, me Kushtetutën, me bonusin elektoral të pensionistëve.

Ky është një akt i turpshëm, një akt i cili synon të blejë vota në fushatë, që nuk e bën asnjë shtetar në botë përveç narkodiktatorit Edi Rama. Ai e bën këtë.

Me këtë rast, unë siguroj pensionistët se përveç rritjes së pensioneve që njoftova, çdo pensionist do pajiset me kartën e konsumatorit me të cilën ai do marrë 450 euro në vit dhe nuk do jetë bonus siç e quan Edi Rama, por do jetë rikthim i TVSH-së që ata paguajnë për çdo gjë që blejnë në jetën e tyre, duke filluar nga ilaçet, ushqimi, buka dhe çdo gjë tjetër.

Po, do bëhet kjo sepse nuk mund të tolerohet më tutje ky hendek i tmerrshëm që po e copëton shoqërinë shqiptare.

Në këto përmasa është tmerrësisht i frikshëm.

Ndaj do jepen, fillimi do jetë karta e konsumatorit me 450 euro për çdo qytetar që merr minimumin jetik, për çdo pensionist dhe çdo rrogëulët.

Nuk mjaftojnë këto. Jo!

Do të ulet çmimi i energjisë në 7 lekë për kilovat nga 85 që e sollën këta.

Dhe do proporcionohen të gjitha qiratë e banesave sociale në përputhje me rrogën. Një rrogëtar me rrogë 700 mijë lekë, paguan 62 mijë lekë qira në banesë sociale. Një pension me pension 130 euro, paguan 62 euro për qira në ndërtesë sociale. Kjo merr fund. gjithçka do proporcionohet.

Në qoftë se pensioni është 4 herë më i ulët se rroga, 4 herë më e ulët do jetë pagesa e qirasë së tij.

Nuk mund të trajtohen njerëzit si kavie laboratori. Jo!

PYETJE-PËRGJIGJE

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, ka qenë një deklaratë ditën e djeshme nga kryeministri i vendit duke deklaruar se, Spak po survejon partitë, të ndalet menjëherë, nuk mund të cënojë të drejtat e qeverisë, t’i bëhet trysni administratës. Uroj një lajthitje e momentit. Pra, kryeministri Rama strategjisë së Spak për të hetuar krimet zgjedhore, duke qenë se për çdo qark, Spak ka përcaktuar nga një prokuror i cili do të hetojë partitë politike për shkelje të mundshme të kodit zgjedhor, etj, do të survejohen.

A jeni ju në mbështetje të Spak z.Berisha për të hetuar krimet zgjedhore, dhe si e komentoni këtë deklaratë të kryeministrit ndaj Spak, që të ndalë menjëherë ëktë që po bën duke e cilësuar lajthitje?

Berisha: Pika e parë, në qoftë se vërtet Skap e ka ndërmend të hetojë krimin elektoral, Edi Ramës duhej t’i vinte prangat në shesh me mitingun elektoral që organizoi mbrëmë.

Unë nuk mund të besoj në shpallje të një organi që fle mbi dosje të tmerrshme të krimit elektoral, evidente, zyrtare, të mbledhura në përputhje me procedurën ligjore provat dhe faktet.

Por, po qe se Spak pretendon se do ta dënojë, ja ku e ka Edi Ramën, mitingu i mbrëmshëm ishte shkelja më e rëndë e ligjit elektoral që ka ndodhur.

Përdor administratën në bllok, e nxjerr në shesh se kështu po më sulmojnë familjen, po më sulmojnë gruan, po më sulmojnë Erion Veliajn.

I gjithë fjalimi ishte një avokati e dëshpëruar sikur qytetarët shqiptarë kanë halle se çfarë po thonë gazetat, portalet apo kundërshtarët politikë për Edi Ramën dhe familjen e tij. Se ky ishte problemi i qytetarëve…

Dhe ky ishte fjalimi se shyqyr që e regjistruan se ishte një sallatë fjalësh pa vlerë. Një njeri i dëshpëruar, një njeri i cili e sheh që toka po shket me shpejtësi nën këmbë.

Në fakt ky është termi më i drejtë.

Po i shket me shpejtësi toka nën këmbë.

Nuk foli një fjalë për Mynihun. Nuk tha një fjalë të vetme.

Shkoi në Mynih, do kishte takim, tha. Asnjë takim me dinjitarët e lartë amerikanë. Asnjë ftesë. Asnjë foto.

Mirëpo kjo e poshtëroi keq edhe tek të vetët. Se tani kanë filluar edhe të vetët t’i largohen, të tremben prej tij.

Plus asnjë fjalë për superskandalin me USAID, në një kohë kur bashkëshortja dhe ish-bashkëshortja janë dy kokat kryesore të skandalit.

Po ma përmendin, thotë, po thuaj, trego sa janë marrë. Del Çuçi dhe Delina e thonë se nuk kemi marrë asnjë qindarkë. Po 10 milionë i ke me kontratë.

Drejtësi për të gjithë programi, pasuri për elitën e korruptuar të ekstremit të majtë në Shqipëri.

Pra, nuk flet për këto. Flet nëse ishte gardëroba kështu, nuk kam përgjegjësi, bën një sallatë fjalësh, se unë kur u ktheva nga Parisi për vakinë e babait, përpiqet të kapë momente emocionale të mbulojë skandalet, vjedhjet e tij.

Po çfarë gjynah ka ai, po të ketë gjynah ai, nuk lë të sëmurët të vdesin në spitale. Po të ketë gjynah ai, nuk vdiqën 20 mijë nga Kovidi dhe atë e bën ministre, në vend që ta çojë në burg. E ka një taktikë ai që bën këto për të ngjallur keqardhje.

Osman Stafa, News24: Z.Berisha, ju folët për zotimet tuaja elektorale, por në fakt, në Tiranë ka një problematikë shumë të madhe që pak kush flet. Qiratë, dhe çmimet e banesave. Aktualisht, një qira minimale në kryeqytet shkon 300 mijë lek minimumi, dhe mesatarja 500-600 euro. Nuk bëhet fjalë për të blerë një shtëpi për shkak të rrogave. Cili është zotimi juaj për këtë problematikë?

Berisha: Për fat të keq, e them këtu, qeveria do të detyrohet të ndërhyjë patjetër se kjo është bërë një problematikë shumë e mprehtë.

Narkoeurot kanë ngritur në qiell çmimet e qirave dhe çmimet e blerjeve.

Atëherë qeveria ka një zgjidhje, një mundësi, përveç zbutjes me mënyrë ta ndryshme, qeveria duhet të ndërtojë ndërtesa sociale, të cilat duhet të kenë një synim, çmimet reale, shitjen me çmime reale.

Dhe nuk është e dëshirueshme, por absolutisht do ndërhyjë.

Ne do ndërhyjmë me ndërtesa sociale, të cilat qytetarëve do u shiten me çmime pak mbi kosto, por me çmime të pakrahasueshme me çmimet që shesin narkotrafikantët në këto monumente të korrupsionit.

Kjo i detyron të gjithë të zbresin edhe me çmime.

E dyta, po në këto ndërtesa, qiratë do jenë të caktuara nga shteti. Do jenë qira shumë të arsyeshme.

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, nga investigimet që kam bërë në shëndetësi, rezulton se nga data 20 e çdo muaji, deri në datën 31, apo 30, në varësi të muajit, qytetarët shqiptarë përballen me mosbërje analizash, diagnostikim për mosbërje analizash për shkak se mbaron fondi. Kjo ndodh në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Pacientë të cilët presin 10 apo më shumë ditë, apo edhe pacientë të ciëlt vuajnë nga kanceri dhe duhet të bëjnë analiza para kimios, nuk i bëjnë sepse ualënë pas kimiove dhe detyrohen shkojnë tek privati duke harxhuar shuma të konsiderueshme parash. Më pas Trauma vijon pa kardikirurg, pa pajisje, sikundër edhe spitali Onkologjik që ka mungesa të forta të aksirelatorëve linearë që nuk bëjnë rrezen pacientët. Çfarë ndërhyrjesh do bëni në sektorin e shëndetësisë dhe koncensionin e laboratorëve?

Berisha: Mendoj se shëndetësinë e shkatërruan në mënyrën më të fuqishme, më të pamëshirë, koncesionet.

Janë ato si kuçedra që gllabërojnë fondet dhe buxhetin e shëndetësisë dhe lënë qytetarët pa shërbime.

Në qoftë se Edi Rama dhe Vilma Nushi ndajnë shumë përrallore të check-upit, në qoftë se Edi Rama dhe pronari në aparencë i analizave, ndajnë shumë përrallorë, lënë qytetarët në një të tretën e kohës pa asnjë mundësi analize, që nuk ka ndodhur krurë në histori, as në ditët më të varfra të diktaturës.

Kjo ndodh sepse Edi Rama zgjodhi shëndetësinë dhe të sëmurët për t’u pasuruar vetë nëpërmjet këtyre koncesioneve.

Këto marrin fund.

Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë proces të tmerrshëm korruptiv që u ka kushtuar qindra e mijëra jetë shqiptarëve, do ndëshkohen për krimin që kanë kryer përmes këtyre koncesioneve.

Kreu i tyre është Edi Rama, njeriu që ka promovuar në mënyrën më të fuqishme këto koncesione si një gjë të jashtëzakonshme, në fakt për xhepat e tij dhe bashkëhajdutëve të tij, kurse një ndëshkim për qytetarët shqiptarë.

Marrin fund këto.

Sigurisht shëndetësia do një dyfishim të buxhetit.

Shëndetësia, në fakt ne patëm bëmë një investim në kompleks mbi 100 milionë euro për imazheri dhe laboratore. Por ajo kohë është tani 12 vite më parë, natyrisht ato duan që të gjitha që të rinovohen.

Është e domosdoshme një investim i veçantë për imazheri dhe laboratore për të pasur teknologjitë më të fundit. Mund të jetë më shumë se 100 milionë se nuk rrinë çmimet siç kanë qenë, por sado të kushtojë, duhet një investim në këto shërbime në mënyrë që të ketë një shërbim të shpejtë.

Nuk mund të diskutohet që të mungojnë më ilaçet. Nuk kanë munguar ilaçet më përpara. Absolutisht, në memorien time, dhe unë nuk i injoroj ankesat. Ka pasur një ankesë për Ekszhaden, ishte ilaç i kushtueshëm, por e kemi marrë.

Kështu që nuk mund të bëhet fjalë të mungojnë ilaçet. Mund të gjenden mënyrat që të blihen më lirë? Po, kjo po. Mund të bëjmë një konsorcium me spitalet onkologjike të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Se ka rëndësi sasia që blejmë.

Por edhe në rast se dështon konsorciumi, ato do blihen. Ato do jenë përparësi absolute. Janë jetike, do blihen.

Duke i lënë të sëmurët pa ilaçe këta kanë treguar arsyetimin më të mjerë, më çnjerëzor që mund të bëhet.

Prandaj dhe këtu rezultatet nga ajo sëmundje janë përmbys në krahasim me vendet e tjera. Ajo që sëmundje në shumë raste mjekohet, shërohet, shtyhet afati, është betejë ajo…

Kurse këta, meqë është një sëmundje e tillë, t’i lëmë, të tallemi me ta, t’u japim çerek doze, të mos u japim, t’u japim ilaçe tjetër për tjetër siç ka ndodhur me Ina Kasimatin.

Marrin fund këto, ne do i kemi përparësi absolute këto.

Elda Menga, Tch: Z.Berisha, pas miratimit me konsensus të kodit elektoral, KQZ bëri me dije dhe afatet e reja zgjedhore. Më 3 mars skadon afati për regjistrimin e koalicioneve. Java e ardhshme është java e fundit ku ju mund të bëni negociata me aletatët. Interesi jonë është për një aleat të cilin nuk e kemi parë asnjëherë në tryezën e koalicionit tuaj opozitar, Shpëtim Idrizi. Cili është rezultati i negociatave me Shpëtim Idrizin? A do ejtë ai pranë Sali Berishës në këto zgjedhje?

Berisha: Shpëtim Idrizi është një aleat dhe ne do zhvillojmë negociata serioze.

Ne e vlerësojmë partinë e zotit Idrizi si një aleate të çmuar.

Ne do bëjmë gjithçka për të zgjeruar frontin opozitar edhe me parti të tjera.

Unë çdo ditë po ftoj parti të tjera, edhe ato që janë të pavendosura, uroj që të vendosin dhe të bashkohemi në një front për të larguar Edi Ramën nga pushteti.

Të gjitha të tjerat, nuk përjashtoj unë…

Basha është me Taulant Ballën, mos i ngatërro aleancat natyrale.

Ka parti Alibeaj? Po ku e ka?

Unë nuk po e paragjykoj atë. O zotëri, ata janë me vota të PD-së, të mos bëjmë kështu. Megjithatë unë nuk po paragjykoj asgjë, por të mos harrojmë se atë mandat e kanë me votat e PD, po u teket të dalë mënjanë…

Nuk i paragjykoj, jo, pavarësisht. Thashë, Basha ka partinë e Taulant Ballës.

Me të gjitha forcat politike që përcaktojnë si objektiv largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Kjo qëndron. Nuk përjashtoj asnjë.

Tani, kur bëhet publike, nuk ka pse të mos bëhet jopublike. Por edhe publike ka dhe do ketë.

Elda Menga, Tch: Z.Berisha, ju e keni shprehur më parë se jeni kundër elektronikës, i keni dhënë edhe arsyet, por kodi elektoral e detyron KQZ-në që të aplikojë një projekt pilot, jo në të gjithë Shqipërinë. Nëse vjen një propozim nga ana e KQZ, a do ishit dakord, dhe nëse po, në cilat zona e kërkoni?

Berisha: Tani, ky është një problem.

Nuk jemi ne që e hodhëm poshtë elektronikën. Elektronikën e hodhi poshtë PS.

Ju e patë vetë se çfarë bëri ajo me të ashtuquajturit shoqërues. Një shoqërues votoi 50 herë, 70 herë.

Ata e rrëzuan elektronikën vetë.

Nuk di të ketë një propozim të tillë nga KQZ.

E ka, por nuk thotë që në çdo zgjedhje, ka interpretime të veta ajo. Është më i gjerë interpretimi.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju folët për mitingun e mbajtur nga z.Rama ditën e djeshme, nga ana tjetër ddenoncuat se Spak nuk nis hetim për ëktë çështje. PD do dorëzojë kallëzim në Spak për mitingun e mbajtur nga z.Rama ditën e djeshme për shkelje të ligjit elektoral?

Berisha: Do bëjmë kallëzim.

Do bëjmë kallëzim, të bindur se SPAK shqyrton me përparësi të madhe dosjet që i dorëzon qeveria të Nesti Angonit, Idajet Beqirit.

Kështu që ne i bëjmë, ata nuk i shqyrtojnë dosjet tona, përkundrazi bëjnë të kundërtën.

Por ato mbeten aty dhe drejtësia vonon, por nuk harron.

Prandaj ne i bëjmë ato me persistencë.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Ju denoncuat se, administrata është kërcënuar ditën e djeshme për të marrë pjesë në mitingun e thirrur nga z.Rama. Si kryetar i PD, cilat janë ankesat që ju vijn nga adminsitrata nëpërmjet forumit digjital gjatë kohëve të fundit?

Berisha: Administrata, në qoftë se e vutë re ju, merreni dhe studiojeni atë që quhet studim i fytyrës, ju do gjeni dje gjënë që nuk e keni parë kurrë në një miting tjetër, njerëz që masivisht fshihnin fytyrë.

Nëse do mund të merrte një epitet tjetër, përveçse funerali politik i Erion Veliajt, ai mund të quhej mitingu i parë në historinë e Shqipërisë i maskave.

Njerëzit vinin, frikë nga kamerat, nuk donin t’i merrnin, sepse i kishin nxjerrë me detyrim dhe e dinin se janë në shkelje të ligjeve.

Dhe ata mendonin, mirë ky që do dënohet, po ç’kusur kam që të dal unë si dëshmitar.

Kështu që nuk mund të ketë dyshim se mitingu do denoncohet dhe çdo punonjës që shkel ligjin do ndëshkohet. Do ketë një ligj, përveç ndëshkimit gjyqësor, do ketë një ndëshkim ligjor për ta.

I garantoj se krimi më i rëndë i tyre do konsiderohet shkelja e ligjit elektoral.

Mos u përzini, mos u bëni dhunues të procesit elektoral.

Nuk ka, është radha jonë. Ne do fitojmë dhe pasojat do jenë shumë të rënda.

Nuk e di a e lexuat dje apo jo, drejtori i ri i FBI-së, Kash Patel, u zgjodh dje, dhe një eksponent shumë i rëndësishëm haptas duhet të fillojë me krimin elektoral hetimi.

Në qoftë se ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral, ne me duart tona i hapim gropën, varrin demokracisë shqiptare.

Dhe absolutisht nuk ka mjet më të fuqishëm se ky.

Fatmirësisht në SHBA, megjithëse u punua shumë, ai triumfoi. Donald Trump triumfoi me gjithë 1 mijë përpjekje që u bënë për të mos triumfuar.

Në Shqipëri, Edi Rama po mendoi, do përballet me pasoja shumë të rënda. Ai po mendon sikur nuk ka ndodhur gjë.

Kështu që ne do i qëndrojmë shumë dhe unë kam bindjen, pa i dhënë përgjigje përfundimtare problemit të ndëshkimit maksimal të shtetit elektoral, Shqipëria zgjedhjet nuk i ka.

Ndaj dhe ne do jemi shumë të rreptë në këtë drejtim.

Andon Kello, Abc News: Ditën e djeshme pas një deklarate tuajën ka reaguar autori i shkrimit, gazetari Keneth Bogel i New York Times dhe ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë pagesë nga kryeministri Edi Rama.

Berisha: Ka qenë një keqkuptim i Sali Berishës.

Më servirën se ishte një artikull i sponsorizuar.

Autori tha se nuk është i sponsorizuar.

Dhe unë i besoj gazetarit.

Sepse çdo gazetë e madhe shet një hapësirë në të cilën ti mund të shkruash çfarë të duash përkundrejt pagesës.

Nuk ka lidhje me redaksitë, nuk ka lidhje me qëndrimet e redaksisë. Janë shumë të kushtueshme si hapësirë.

Autori thotë nuk ka qenë e tillë, unë i besoj plotësisht atij.

Andon Kello, Abc News: Tani i njëjti autor përmend Paul Manafort, pasi e ka parë në oborrin e PD kur LaCivita erdhi në Shqiëpri dhe ju e prezantuat si fushatuesin e PD, dhe ai shtron pyetjen se, cili është roli i Paul Manafort?

Berisha: Paul Manafort është një kolos, një gjeni i fushatave elektorale, i fushatës së vitit 2016 të presidentit Donald Trump. Ai ishte arkitekti, kryestrategu i fushatës elektorale të vitit 2016 të presidentit Donald Trump, i cili u persekutua në mënyrën më hakmarrëse vetëm për këto arsye, nga McGonigal mes të tjerëve.

Dhe, ai ka qenë në Shqipëri legalisht, thashë dhe njëherë, është një person i jashtëzakonshëm në doktrinën elektorale dhe njohurit elektorale, ka ardhur me kryestrategun, bashkëkryestrategun e fushatës së vitit 2025 të presidentit Donald Trump.

Çfarë do të thotë kjo? Pse i persekutuar qenka Paul Manafort?

– Në çfarë cilësie vjen, si fushatues, apo si lobist?

Berisha: Jo, nuk janë lobistë, unë këtu para jush e kam thënë, absolutisht nuk janë lobistë. Nuk janë. Absolutisht nuk janë.

Sepse kompanitë lobiste, edhe këta nuk e dinë a bëjnë veprimtari lobiste apo jo, por ajo ka kontratë tjetër dhe rregull tjetër. D.m.th ata kanë ligjin e regjistrimit, jo vetëm problemet financiare, por çdo problem tjetër, si lobistë.

Nuk janë të kontraktuar dhe nuk janë për lobistë.

Kanë ardhur për fitoren e PD-së.

E tha ai vetë pse kanë ardhur. Për të vazhduar punën e Donald Trump. “To Make Albania Great Again”. Ishte ajo. E tha atë. Nuk ia thashë unë atë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale