FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME GRUPIN PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes me grupin parlamentar ditën e sotme, akuzoi kryeministrin Rama për aktin e paprecedent, duke deklaruar se “asgjësoi” dhe “pushkatoi parlamentin” shqiptar, me miratimin brenda pesë minutash të programit qeverisës dhe kabinetit të ri.
Berisha tha se, ky zhvillim është një dhunë brutale publike ndaj qytetarëve, opozitës dhe vetë parlamentarizmit, që shënon “rekordin më kulmor të poshtërimit të Kushtetutës dhe institucioneve”. Ai theksoi se Rama, “bastard i xhelatëve të diktaturës”, zgjodhi të ekzekutojë opozitën dhe Kushtetutën, duke e kthyer vendin në një narkoshtet që mbështetet mbi krimin, korrupsionin dhe drogën.
Lideri opozitar, Sali Berisha tha se mandati i Ramës është i damkosur, sepse qëndron “fund e krye mbi krimin, shkeljen e ligjit dhe vjedhje masive”. Berisha paralajmëroi se programi qeveritar është “një mashtrim i radhës”, për të mbuluar vjedhjet gjigante, që sipas tij kapin shifrën e 64 miliardë eurove të abuzuara gjatë 12 viteve të pushtetit socialist. Kryedemokrati, gjatë fjalës së tij drejtpërdrejt për media në mbledhjen me grupin parlamentar, përmendi emra konkretë, duke akuzuar ministra dhe drejtues për “hajdutëri dhe plaçkitje të pronave publike”, ndërsa tha se “as 120 Diella nuk mund të mbulojnë vjedhjet e Lubisë”.
Duke e krahasuar Ramën me diktatorët, Berisha u shpreh se:
Në një krahasim me diktatorët, Berisha shtoi se: “Në vitin 1946, Enver Hoxha pushkatoi deputetët e opozitës, ndërsa sot Edi Rama pushkatoi parlamentin dhe Kushtetutën. Kurrë asnjë diktator nuk ka guxuar të kryejë një akt të tillë”.
Berisha akuzoi gjithashtu presidentin e Republikës si bashkëfajtor në këtë skenar, duke theksuar se “droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha i ftoi deputetët të kalojnë nga fjalët në veprime konkrete:
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, beteja e opozitës nuk do të jetë vetëm politike, por edhe morale dhe qytetare: për mbrojtjen e Kushtetutës, parlamentit dhe të drejtave të qytetarëve, kundër krimit, korrupsionit dhe “narkoshtetit të Edi Ramës”.
FJALA E PLOTË
Sot, sipas një skenari të parapërgatitur, që e lajmëroi vetë kryehorri i kombit, se vetëm ai mund të ndërmarrë një skenar dhe akt të tillë, u asgjësua në momentin e tij më solemn, momentin më të rëndësishëm të transparencës, të përgjegjësisë, parlamenti shqiptar.
Ka ndodhur që kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama të kalojë ligje për 5 minuta, por nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë dhe në asnjë vend, që një program qeverie, një kabinet të kalojë brenda 5 minutave siç u veprua sot.
Ky është një akt brutal dhune publike ndaj qytetarëve shqiptarë të çdo spektri që ka marrë pjesë në votim.
Ky është një akt brutal dhune ndaj opozitës dhe popullit opozitar, me të cilin Edi Rama, i cili kujtonte Fahri Balliun, Klevisit, për betejat e tij kundër nenit të agjitacionit dhe propagandës, Edi Rama një bastard i xhelatit të diktaturës që ka firmosur varjen në litar dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm, sot me një skenar të parapërgatitur ekzekutoi parlamentin, parlamentarizmin, opozitën në parlament dhe vendosi kështu rekordin më kulmor të dhunës dhe poshtërimit ndaj institucionit të parlamentit, ndaj Kushtetutës në radhë të parë, ndaj institucionit kryesor të vendit, parlamentit, dhe ndaj opozitës.
Natyrisht ky zhvillim dramatik meriton dhe duhet të marrë përgjigjen më të fortë dhe më të fuqishme.
Jo në fjalë, fjalët nuk kanë aspak vlerë, por në veprime, në veprime, në veprime.
Me aktin e tij, ai faktikisht shkelmoi, shumëzoi me zero, asgjësoi vullnetin e të gjithë shqiptarëve që morën pjesë në votim. Përfaqësuesve të atyre që votuan kundër Edi Ramës. Republikës parlamentare. Kushtetutës së kësaj republike.
Shpalli luftë të hapur, me një skenar të përgatitur, bashkë me kreun e parlamentit, që është një individ skllav i krimit dhe korrupsionit të vet dhe që tregoi se është i aftë të zbatojë çdo skenar të gatshëm që vjen nga Edi Rama dhe banda e tij.
I damkosur, sepse ky mandat qëndron mbi krimin, ky mandat qëndron fund e krye mbi krimin dhe kjo është bërë e qartë…
Ky mandat qëndron mbi korrupsionin, mbi drogën, mbi dhunimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
I vetëdijshëm për këtë, i vetëdijshëm që nuk ka asnjë legjitimitet në mandatin që ka marrë, atëherë atij i duhen akte brutale ekstreme për të mbijetuar në krye të narkoshtetit të tij.
Edi Rama ka paraqitur një program mashtrim fund e krye dhe e di që opozita këtë program do t’u faktonte shqiptarëve se ky është vetëm mashtrimi i radhës dhe asgjë tjetër.
Do u dëshmonte shqiptarëve se siç ka vjedhur shuma përrallore në 64 miliardë euro të 12 viteve që ka administruar, vjedhjet në këtë mandat do jenë shumë të mëdha.
Do u dëshmonte shqiptarëve se ata që kanë ardhë, ata janë ndër më të përsosurit në hajdutëri, në vjedhje.
Se jo një Diella apo 5 Diella, por 120 Diella nuk mbulojnë vjedhjet e Lubisë së papërmbajtur.
Natyrisht ndan me Ramën.
Ose vjedhjet e Pirro Vengut, që vetëm për të mos prishur gojën se mund t’i thuash shumë gjëra atij. Që plaçkiti të gjithë pronat e ushtrisë bashkë me Nikon.
Pra, ai faqezi sterrë, qoftë me ekipin e tij, qoftë me bëmat e tij, zgjodhi asgjësimin e parlamentit në momentin më kyç.
Ndaj dhe ne, të cilët shkuam në parlament me vendosmërinë më të madhe për të bërë transparencën e plotë para qytetarëve shqiptarë, të këtij ekipi hajdutësh, kriminelësh që kanë vjedhur me dhjetëra e qindra milionë euro taksapaguesve, bashkëpunëtorëve në krimet më të shëmtuara me organizatat kriminale, për të paraqitur alternativën tonë natyrisht kundërkrimit të organizuar, kundër këtyre kriminelëve në pushtet, për të zbërthyer të gjitha mashtrimet e tyre në programin e rreckosur, por këto ata do i shkrinin para shqiptarëve dhe do dilnin siç janë.
Dhe zgjodhën një skenar, që vetëm mendja më e zezë, më e errët mund ta përfytyronte, mund ta imagjinonte.
Edi Rama tregoi se, këtu është problemi, në një diktaturë totalitare në vitin 1946, Enver Hoxha i mori dhe i pushkatoi ata deputetët e opozitës, kurse ky faktikisht pushkatoi parlamentin sot.
Ky pushkatoi Kushtetutën sot.
Ky njeri që u kthye nga Brukseli, të krijon përshtypjen se atë hapjen e kapitujve e konsideroi si një licencë për të asgjësuar parlamentin.
Asnjë diktator i diktaturave totalitare, asnjë diktator i diktaturave autoritare nuk ka bërë një akt të tillë.
Kurrë!
Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime.
Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për parlamentin, për qytetarin.
Kjo mbledhje sigurisht që është emergjente, e jashtëzakonshme sepse situata është e jashtëzakonshme.
Asnjëri nga ne, asnjë shqiptar nuk do përfytyronte se ky bastard i xhelatëve komunistë, mund të sillej ndaj Kushtetutës dhe parlamentit në këtë mënyrë.
Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt.
Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën.
Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat.
Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim.
Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona.
Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm.

