FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYESINË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë deklaroi se Shqipëria ndodhet në një situatë të paprecedentë, ku Rama ka ndërmarrë një sulm të hapur kundër drejtësisë dhe ndëshkimit të korrupsionit, për të mbrojtur veten dhe ministrat e akuzuar. Berisha e cilësoi vendimin e gjykatës për pezullimin e masës ndaj Belinda Ballukut si një akt absurd dhe antikushtetues, që paralizon luftën kundër korrupsionit dhe shuan çdo shpresë për drejtësi të pavarur.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi Ramën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, për mbyllje dosjesh nga Prokuroria e Posaçme dhe për kapje të institucioneve, duke e quajtur Shqipërinë një narkoshtet ku vjedhja është bërë normë. Berisha theksoi se parlamenti, mediat dhe institucionet janë nën kontrollin e qeverisë dhe se zgjedhjet janë kthyer në farsë elektorale.
Në këtë situatë, kreu i PD-së tha se e vetmja rrugë për opozitën janë protestat, duke njoftuar thirrjen e një proteste kombëtare më 22 dhjetor, me synimin rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kryetari i PD, Sali Berisha pranoi gabimin e deputetëve të PD-së për firmat lidhur me Avokatin e Popullit, por theksoi se ato janë tërhequr zyrtarisht dhe se opozita nuk ka votuar për kandidaturën e Endrit Shabanit. Ai njoftoi ndërprerjen e çdo negociate dhe komunikimi të PD-së me mazhorancën për emërime institucionale, duke theksuar se agjenda e vetme e partisë do të jetë protesta dhe beteja për rikthimin e votës së lirë.

FJALA E PLOTË
Zhvillimet e 10 ditëve të fundit janë zhvillime të paprecedentë në shumë e shumë vite.
Por plotësisht të pritshme.
Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë kalon në sulm të hapur kundër ndëshkimit të korrupsionit.
Në rastin në të cilin ai vetë ka ndarë paratë.
Akti i tillë është ndër më të pashembullt, nuk them se është më i pashembullti në botë, se bota ka autokratë dhe Edi Rama nuk është i vetmi, por në një vend që aspiron, se i lirë nuk është Shqipëria, por që aspiron integrimin europian, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë.
Në qoftë se lexoni arsyetimin e shumicës dje, është identik, fjalë për fjalë, mishëron në një deklaratat e kryeavokatit Edi Rama, sepse ata vendosin pezullimin e pezullimit.
Sepse ata marrin përsipër anulimin e procesit ligjor të animimit në shkallët e tjera të procesit gjyqësor.
Sepse ata morën të mirëqenë pretendimin e Edi Ramës se qeveria paralizohet nga pezullimi i Lubisë.
Nuk ka absurditet më absolut se sa ky.
Qeveria nuk pezullohet as me një zëvendëskryeministër, as me tre, as me pesë ministra.
Këshilli i Ministrave vendos me shumicë.
Dhe këto pretendime të Edi Ramës janë pretendimet e një njeriu që është kapur duke vjedhur dhe do të mbrojë paratë e tij.
Pra, shuhet çdo shpresë se nëpërmjet pushtetit gjyqësor mund të luftohet realisht korrupsioni.
Se cila është situata sot me situatën në vitin 2011, unë iu rikujtoj ju dhe çdo shqiptari, në vitin 2011, një zëvendëskryeministër, i cili po të largonte ministrat nga qeveria, e rrëzonte qeverinë, jo që nuk mendoi në asnjë rast pasi u akuzua me një video të manipuluar 28 herë se ai kishte marrë ryshfet 760 mijë euro, çka ishte absolutisht gënjeshtër, sepse shkresa thoshte se sipërmarrësi, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, unë kam humbur 760 mijë euro.
Dhe Edi Rama dhe Filip Çakulli i paraqitën këto si 760 mijë euro të marra nga Ilir Meta.
Por Ilir Meta, për standardet e asaj qeveria, pa kërkuar fare prokuroria heqjen e mandatit, ka ardhur dhe ka paraqitur dorëheqjen.
Unë nuk shkoj në prokurori si zëvendëskryeministër, ai që do më hetojë mua, do më ketë mua qytetar si gjithë të tjerët.
Të njëjtin akt ka bërë Fatmir Mediu. Ka dhënë dorëheqje si ministër, ka dorëzuar imunitetin.
Në të gjithë periudhën 32-vjeçare, njeriu i vetëm që ka bllokuar hetimet për drogë dhe korrupsion, është Edi Rama.
Kërkoi antimafia italiane për Saimir Tahirin heqjen e imunitetin dhe arrestimin, nuk lejoi asnjërën.
Tani është një me Belinda Ballukun.
Është një me Belinda Balluku dhe triumfoi në çdo gjë që diktoi gjatë këtyre tre javëve.
Gjë më absurde nuk mund të kishte.
Të pretendohet se pezullimi i Ballukut shkel Kushtetutën apo paralizon qeverinë, problemi është se pezullimi i Ballukut çelte portën e ferrit për Edi Ramën, se ai ka vjedhur më shumë se Balluku në atë aferë.
Se ai, në të gjitha dosjet, është shumë më rëndë se Balluku.
Kështu që shpresa se do luftohet korrupsioni nga drejtësia e re, kjo është e para ministre në detyrë që akuzohet për korrupsion.
Asnjë nuk ka qenë, kjo po.
Dhe urdhëroni se çfarë bëri para shqiptarëve, ky është një poshtërim për çdo shqiptar.
Ky u thotë shqiptarëve se unë vjedh, ministrat e mi vjedhin, por ata nuk mund të gjykohen.
Për shkak të tij, dy ditë më parë, u zhvillua ofensiva diplomatike më e madhe që kam parë ndonjëherë për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë Speciale, çka të bën me të drejtë të mendosh se Edi Rama duket se kishte bërë gjithçka të zgjidhte njeriun që ai ka bërë marrëveshje për mbylljen e dosjes së tij.
Sepse e vërteta është se Dumani mbylli disa dosje të Edi Ramës, kjo është e pamohueshme.
Dumani mbylli dosjen e Edi Ramës, duke akuzuar Arben Ahmetajn për djegësin e Tiranës, të cilin ai e kishte kundërshtuar 4 herë, megjithëse e kishte firmosur Edi Rama.
Dumani mbylli dosjen Alabar, dhe shqiptarët do e marrin vesh mirë se çfarë krimi në përmasa gjigante po kryhet me portin e Durrësit, çfarë goditje të rëndë po i jepet çdo shqiptari me portin e Durrësit, për aq sa ka peshë transporti i mallrave në çmimin e tyre.
Pa llogaritur vjedhjet e tmerrshme që po bëhen.
Dumani mbylli dosjen e Olsi Ramës, e nxori tjetër.
Pra, Edi Rama duket se duhet me çdo kusht të kishte atë me të cilin ishte marrë vesh.
Por u garantoj se nuk ka asnjë vështirësi të realizojë skenarin që realizoi me të parin.
Nuk duhet të kemi iluzion.
Pra, përpjekja ndërkombëtare ishte shumë e drejtë, që qeveria të mos kapë kryetarin e Prokurorisë Speciale.
Por problemi nuk është aty, problemi është se pse Edi Rama do ta kapë me çdo kusht atë.
Ne jemi para një realiteti shumë të zymtë.
Një realitet në të cilin vjedhja e shqiptarëve nuk ka më frena. Është licencë.
Se kjo që bëri me pezullimin e pezullimit, gjykata mori përsipër Apelin dhe Gjykatën e Lartë dhe të pezullojë masën e sigurisë.
Imagjinoni ju tani se çfarë i mbetet themelit.
Nuk ka akt më të rëndë ndaj taksapaguesve shqiptarë se sa ky.
Nuk ka veprim më dëshpërues se ky.
Nuk ka veprim më poshtërues se ky nga Edi Rama.
Ndaj dhe kemi vetëm një rrugë, dhe kjo është rruga e protestave.
Kjo është rruga e protestës, rruga e protestës.
Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre.
Sa janë ata që duan ët flasin me protestën e tyre?
1 mijë? Ne në krye.
2 mijë? Ne në krye.
300? Ne aty.
Por rrugë tjetër nuk ka.
Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish.
Duhet t’i shohim gjërat siç është.
Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës.
Por ne kemi një problem themelor për të zgjidhur.
Kemi një problem për të cilin duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të hapur.
Ekzistencës ose mosekzistencës sonë.
Pse kështu?
Në një farsë elektorale, më e shëmtuara në histori, në një diktaturë autoritare, e cila arrestoi në vit elektoral drejtuesit e partive kryesore opozitare.
Në një regjim që përdori të gjitha potencialet e shtetit, vetëm gjoba dhe kamata 2 miliardë euro, që u intereson 200 mijë familjeve, nga të cilat 84 mijë biznese aktive.
Dhe në këto kushte, shqiptarët përsëri votuan 500 e sa mijë për opozitën.
Votuan PD-në si parti të parë.
PD është para një alternative, do vazhdojë të mbetet opozitë e farsave elektorale apo do përcaktojë qëllim të saj rrëzimin e këtij armiku të egër të votës së shqiptarëve, rikthimin e tyre, qeverinë teknike dhe marrjen e vlerësimit të qytetarëve të lirë.
Në një vend ku parlamenti kontrollohet në çdo sekondë, çdo minutë dhe çdo qelizë nga narkodiktatori.
Në një vend ku parlamenti me qëllim shndërrohet në institucionin më të diskredituar të vendit. Sepse është i vetmi institucion pluralist deri tani, ndaj dhe duhet të damkoset në mënyrën më të fuqishme në çdo gjë.
Në një vend ku mediat janë shndërruar në altoparlantë të pushtetit kundër opozitës dhe mbulimit të krimeve të pushtetit dhe damkosjes së opozitës.
Në një vend ku lobingjet zëvndësojnë standardet. Zëvendësojnë kriteret.
Paratë e taksapaguesve përdoren për deklarata të blera.
Çfarë do bëjmë ne?
Çdo njëri nga ju duhet t’i shndërrojë këtë pyetje vetes.
Pra, çfarë do bëjmë ne?
A do bëjmë ne përpjekjet për të rikthyer votën, për të larguar këtë qeveri nga pushteti, e cila me votë absolutisht nuk largohet? Ka një mburojë të tmerrshme lobingu ndërkombëtar që paguan dhjetëra milionë…
Prestigjiozja britanike dje shkruante se është i zemëruar, lexo lobingun e Edi Ramës.
Nuk thoshte një fjalë se skandali përfshinte direkt atë.
Ka bërë dhjetëra artikuj ‘Economist’ për drogën dhe narkoshtetin e tij, në atë artikull asnjë fjalë, as për drogën, as për narkoshtetin.
Po, e falënderoj, përmendte zgjedhjet. Për zgjedhje kishte një gjysëm rreshti.
Çfarë është ajo? Është lobing.
Marta Kos vjen dhe deklaron këtu se zgjedhjet ishin të lira.
Falënderoj shumë Komisionin që reagoi, falenderoje dhe përfaqësuesin e BE këtu që reagoi.
Por nuk ka spontanitet aty. Ato janë deklarata të paguara.
Por, të gjitha këto, çfarë kërkojnë nga ne?
Kërkojnë ne që të mos filozofojmë, por të përqendrojmë të gjitha forcat tona për të larguar nga pushteti këtë pushtet krimi, përndryshe zgjedhjet e tjera do i kishte 63 përqind minimumi. Ose sa të dojë.
Ndaj dhe duhet të fillojmë protestat.
Duhet t’i besojmë protestës.
Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë.
I kemi filluar ato që janë te kryeministria.
Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare.
Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë.
Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.
Në këtë situatë, komplekse dhe të vështirë, kemi arritur disa arritje shumë të mëdha për ne në këtë betejë.
Janë shtatë rezoluta ndërkombëtare që sanksionojnë Shqipërinë narkoshtet.
Sanksionojnë zgjedhjet farsë elektorale, dhe pa u zhvilluar disa prej tyre.
Sanksionojnë shtypjen dhe dhunimin e pluralizmit politik.
Sanksionojnë rezultatin e zgjedhjeve të diktuar nga kartelet e drogës.
Sanksionojnë persekutimin politik të opozitës.
Dhe kjo është një mëbshtetje e jashtëzakonshme.
Është një mbështetje e jashtëzakonshme, të cilën nuk mund ta përdorim si opozitë qaramane, por do e përdorim si opozitë frymëzuese.
Ato janë frymëzim për ne.
Zëri dhe përpjekja jonë për të rikthyer votën e shqiptarëve, lufta jonë për këtë qëllim ka mirëkuptim dhe mbështetje.
Ia dolëm në kushte të vështira, dhe ka të mërzitur për këtë, të realizojmë atë që realizuam në vitin 2001 me raportin e OSBE/ODIHR.
E mbrojtëm votën dhe ka qenë një betejë shumë e vështirë.
Jashtëzakonisht e vështirë.
Ka shumë faktorë që ndërhyjnë, por ai doli siç ishte, dhe u dha një kontribut shumë i madh.
Unë mendoj se ai raport përbën bazën solide ligjore, përbën ligjin ndërkombëtar të përpjekjeve tona për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira në këtë vend.
Mazhoranca qëndron mbi zgjedhje të dhunuara.
Është pseudomazhorancë, nuk është mazhorancë.
Kjo kërkon që çdo njëri prej nesh këtu, dhe çdo drejtues, ta ketë të qartë se çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, agjenda jonë është rikthimi i votës, largimi i kësaj qeverie me të cilën nuk ka zgjedhje.
Është sakrifica jonë për të larguar këtë qeveri që nuk lejon zgjedhjet.
Është misioni ynë.
Kush është në lartësinë e këtij misioni, angazhohet.
Kush nuk i përgjigjet dot, del anash.
Kush nuk do të ndjehet misionar, tërhiqet.
Por rruga është jetike dhe vendimtare për opozitën shqiptare.
Kështu që mendoj se data 22 dhjetor të jetë data e protestës së parë të përgjithshme kombëtare.
Ne duhet ta kemi të qartë se kryefjala e agjendës tonë do jenë vetëm protestat.
Nuk ka më asnjë shpresë përveç protestave.
Së fundmi, lidhur me aktin e Edi Ramës, vendimin e tij të fundit për të futur në dorë edhe një segment pushteti që kishte ngelur i ndarë përgjysmë, siç ishte Avokati i Popullit.
Me këtë akt, ai mori në mënyrë absolute të gjitha pushtetet, që në fakt i kishte, por avokati ishte diçka e ndërmjetme, ajo zonja përpiqej t’u përmbahej objektivave apo misionit të saj.
E mori me rrëmbim, me pasion. E gëzoftë.
Por këtu dy gjëra do them.
Firmosja e Endrit Shabanit pa asnjë diskutim ka qenë një gabim i padiskutueshëm i çdo njërit që ka firmosur, ky ka qenë një akt i nxituar dhe një gabim i çdo njërit që ka firmosur.
Edhe njëherë, dje kërkova ndjesë dhe përsëri kërkoj ndjesë përsëri për këto firma dhe këtë akt të nxituar të deputetëve të PD.
Nuk mund ta bënin atë. Jo.
Këto firma u dhanë në një periudhë kur u vendos një koalicion opozitar në mbështetje të kandidatit të bashkisë për Tiranën.
Por nga ana tjetër theksoj këtu se firmat janë tërhequr me firmë.
Pra, të gjitha firmat nga firmëtarët janë tërhequr me firmë, jo me deklaratë publike.
Dhe në mënyrë absolute në çdo parim dhe çdo ligj, ai nuk është kandidat i opozitës.
Firmat janë tërhequr me firmë.
Edhe gjer në momentin e fundit, propozuesi ka të drejtë të tërheqë propozimin.
Kështu që pretendimi se ishin firmat ato që e zgjodhën, është i padrejtë.
Ishte vendimi i Edi Ramës për të mos respektuar asnjë princip, asnjë rregull.
Endri Shabani është emëruar pa asnjë firmë nga asnjë deputet, përveç dy që janë të një partie tjetër.
Pra nuk ka pasur kurrë asnjë firmë nga PD në momentin që është votuar.
Çdo koment tjetër është absolutisht pa asnjë bazë juridike dhe është thjesht një mbështetje e verbër për veprimin antiligjor, antikushtetues të Edi Ramës në parlament.
Po marr këtu vetëm anën teknike.
Kandidatura e Endrit Shabanit është propozuar pa asnjë propozim nga PD, pasi çdo propozim i bërë me firmë, është tërhequr po me firmë.
Dhe, vendimi, asnjë deputet i PD nuk ka votuar për Endrit Shabanin.
Jo, gjer në momentin e votimit, propozimi mund të tërhiqet dhe ai ishte tërhqur ditë më parë.
Kështu që askush nuk mund të përligjë, të mashtrojë, të bëjë tellallin e Edi Ramës se e bëri meqë e kishte firmosur opozita.
Jo, opozita kishte tërhequr firmat.
E bëri sepse donte ta merrte me çdo kusht institucioni.
Konkluzioni ynë është se çdo përpjekje për të dhënë qoftë kontributin minimal në funksionimin e këtyre institucioneve është i kotë, pa vlerë, qesharak.
Dhe me këtë, unë mendoj dhe insistoj, PD me këtë rast ndërpret çdo lloj negociate, çdo lloj diskutimi, debati për çdo lloj personi me palën dhunuese.
Merr fund kjo.
Nuk mundet kurrë më.
Ai e faktoi.
Sigurisht që u angazhuam në proces.
Sigurisht që kishim kandidaturat tona.
Dhe ata që thonë se nuk u fol për Adriana Kalanë dhe Besim Ndregjonin, nuk kam folur kurrë për kandidatë më shumë se për ata dy kandidatura.
Edhe atë ditë në parlament dhe shumë herë të tjera.
Dhe ne nuk kishim vetëm këto dy kandidatura, kishim edhe kandidatura të tjera shumë të mira.
Ne nuk shkuam o ky o nuk ka.
Ndaj dhe cili ishte mesazhi që dha?
Mesazhi që dha ishte se të gjitha pushtetet janë në duart e tij.
Ne do i përgjigjemi atij.
Rikthehemi prapë.
Ndërpresim çdo lloj debati, diskutimi për çdo lloj personi dhe çdo lloj funksioni ose posti me partinë e krimit.
Hap që bëhet i domosdoshëm nga ajo që panë shqiptarët.
Akte antikushtetuese, antiligjore për të marrë edhe atë gjysmë pushteti që kishin pa marrë, sepse zonja Ballanca nuk ka qenë anëtare e PD kurrë.
Kështu që ne ndaj atij akti i përgjigjemi me ndërprerjen e të gjitha komunikimeve për persona apo debate për persona të caktuar, funksione të caktuara.
Nuk ka gjë më absurde që mund të mendohet se mund të vazhdohet.
Opozita para anëtarëve dhe mbështetësve të vet, njeh gabimin që bëri.
Por nuk e zgjodhi opozita.
Opozita me firmë tërhoqi firmat.
Dhe që deklaratë politike po të ishte e grupit, është tërheqje.
Ndaj dhe qëndrimi ynë do të jetë edhe njëherë gjithçka tek protesta.
Pra, nuk ka shans kurrë që të shkojmë më tej ne dhe të mashtrojë Edi Rama siç mashtroi.
Jo, e gëzoftë Endrit Shahanin, ta mbajë.
I gëzoftë gjykatësit që bllokojnë vendimet e gjykatave kur pariten apo urdhërohen nga Edi Rama.
Ky narkoshtet u ka shpallur luftë shqiptarëve, Kushtetutës, qytetarëve.
Ne do qëndrojmë në anën e tyre.
Së fundmi, kjo mbledhje duhet të caktojë në afatin e duhur kohor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të PD për analizën e situatës ku jemi dhe për të përcaktuar me Këshillin Kombëtar, për të marrë vendime të tjera, dhe për t’i siguruar vendimet e kryesisë mbi përqendrimin e PD me të gjithë burimet, forcën, resurset e saj, në drejtim të një beteje përfundimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rrëzimin e qeverisë.
Pra, alternativa do shkojmë ne drejt një farsë, secili duhet ta pyesë veten, dhe të bëhemi stoli në farsë, jo, nuk shkojmë.
Kemi dokumentin ndërkombëtar, kemi ligjin ndërkombëtar që tregon se ishte farsë.


