Berisha: Protesta e 8 shkurtit ka synim votën e lirë! Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIM ME DREJTUESIT POLITIK DHE KRYETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve të PD-së, deklaroi se, protesta e 8 shkurtit ka synim votën e lirë. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati foli edhe për intervistën e Arben Ahmetajt dhe sipas Berishës, ish-zv/kryeministri i bëri autopsinë e vërtetë regjimit të Edi Ramës.

Në takimin e mbajtur në PD me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve, kryetari Sali Berisha denoncoi projekligjin e sjellë sot në parlament, për një kredi në lidhje me ndërtimin e hekurudhës.  Sipas Berishës, ‘ligji ishte për një hua të re prej 90 milionë nga BERZH-i për hekurudhën, e cila ka për nënkontraktor Orik Shytin dhe Leart Shytin, pra është Hakmarrja për Drejtësi’.

Gjatë fjalës me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi tentativat e Edi Ramës për të bllokuar të drejtën e shqiptarëve në diasporë që të votojnë.  Berisha u shpreh se, shqiptarët do të rrethojmë ambasadat e narkoshtetit dhe do i gjuajmë me vezë e domate.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të të gjithë qytetarëve dhe strukturave të PD-së për protestën e 8 shkurtit. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve u kërkoi atyre që të nisin punën që nesër me takime në të katër anët e Shqipërisë. ‘Të merrni masa, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në takimin e thirrur në selinë blu.

FJALA E PLOTE:

E thirrëm këtë takim me ju më së pari për protestën e datës 8.

Protesta e datës 8 si çdo mosbindje e jona civile ka synim votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Ju, 3 ditë më parë, dëgjuat një autopsi të vërtetë të këtij regjimi dhe personalisht të Edi Ramës nga zëvendësi i tij për 10 vite me radhë.

Në komb të qytetëruar, para një gjendje të tillë, kryeministri jep dorëheqjen sepse zëvendësi i tij faktoi që ai kryeson një organizatë kriminale, më të rrezikshmen që ka pasur Shiqpëria ndonjëherë, ose ndonjë vend tjetër.

Edi Rama, dhe për ne kjo është deklaruar në mënyrë të përsëritur, por kur pohohet nga ish-zëvendësi i tij, nuk ka shqiptar që të mos besojë dëshminë tronditëse, dëshminë më të rëndë të bërë ndonjëherë ndaj një kryeministri apo ndaj një qeverie, siç ishte dëshmia e Arben Ahmetajt në televizion dhe publik.

Edi Rama funksionon tërësisht dhe komplet si kreu i një organizate kriminale, i cili ka vjedhur dhe shpërdoruar me organizatën e tij miliarda euro shqiptarëve.

Në të gjitha aferat e mëdha të vendit është dora e zezë e tij.

Ishte shumë e veçantë, deklarata e Arben Ahmetajt, që është një hajdut pas tij numri 2 apo 3, firmosjen e inceneratorit të Tiranës, ia ka imponuar Edi Rama.

Me këtë kuptohet se pse Skrapi i partisë ngriti duart lart, megjithëse gjeti Erion Veliajn dhe të shoqen të zhytur në krim nga koka tek këmbët.

Arben Ahmetaj në dëshminë e tij, se ajo është dëshmi, nuk janë deklarata, janë dëshmi, pohoi se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës.

Ne e kemi denoncuar me dhjetëra herë famozin Armand Frangu, por kur e denoncon

zëvendëskryeministri, nuk ka njeri që të ketë më dyshimin më të vogël.

Ai deklaroi se urdhër arrestet u grisën sepse në atë aferë ishte e implikuar direkt Linda Rama. Ai Gerond Meçe flet për Lindën në përgjimin ambiental që është bërë. Ato u grisën dhe vazhdon drejtoresha e AKSHI-t e pacenuar, sikundër baxhanaku i Ramës dhe kunati i Lindës, vazhdojnë të fitojnë tendera.

Dhe të fitojnë me një shpenzim 70 mijë euro 4 a 5 milionë a sa kishin fituar. Natyrisht këto janë shuma që ndahen në familje. Ai është thjesht një vegël e familjes.

Edi Rama është po kaq i implikuar dhe më shumë në aferat e sterilizimit dhe të gjitha partneritetet publik privat në shëndetësi.

Afera më e madhe, më e tmerrshme e tij, është porti i Durrësit, ku pasi deklaroi se portin e ri do e ndërtojë privati, tani rezulton se portin do e ndërtojnë qytetarët shqiptarë me 1.3 miliardë euro.

A mund ta imagjinoni?

Edi Rama po shkel çdo ditë ligjin zgjedhor.

Në kundërshtim flagrant me ligjin vazhdojnë prokurimet publike të pandërprera.

U dorëzohen dhjetëra e qindra milionë bandave që t’i ndajnë me qeverinë.

Sot kishin sjellë ligjin në parlament.

Çfarë ishte ligji?

Ligji ishte për një hua të re prej 90 milionë nga BERZH-i për hekurudhën, e cila ka për nënkontraktor Orik Shytin dhe Leart Shytin.

Ka Hakmarrjen për Drejtësi.

Në pamje është një italian, një kompani italiane, nënkontraktor është Hakmarrja për Drejtësi.

Është banda e Edi Ramës, direkt.

Është banda e Xibrakës.

Dhe parlamentit i sjellin sot ligjin që të votojnë një kredi 40 e ca milionë të BERZH-it dhe çmimi i përfundimit të hekurudhës, e cila duhej të kishte përfunduar me kohë dhe nuk është kurrkund, të dyfishohet. Të ndajë Edi Rama paratë me bandën.

Siç e dëgjuat për tunelin e Llogarasë.

Arben Ahmetaj ka bërë një dëshmi jashtëzakonisht të çmuar për çdo shqiptar.

Ishte në Turqi unë, me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, kur i kërkuan kompanisë turke ta merrte me 180 milionë euro, tunelin për të cilin oferta nga kompanitë ishte 130 milionë euro. Të fusin në xhep 50 milionë euro.

Dhe ai vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, vazhdon me moton, sa më shumë vjedhim, aq më shumë vota marrim.

Së fundmi, po bllokon, po shkatërron procesin e votimit të emigracionit dhe diasporës.

Po!

Ne kemi qenë jashtëzakonisht të përkushtuar në këtë proces dhe jemi.

Ju e keni parë. Jemi shpërndarë kudo.

Po shikoni çfarë janë këta se nuk dua ta prish gojën.

Tani dalin e thonë, do votojnë, pra janë shqiptarë me të drejtë vote vetëm ata që kanë pasaportën shqiptare.

Shqiptar me të drejtë vote është çdo shqiptar kudo që ndodhet që ka shtetësinë shqiptare.

Pra, të dashur miq, dokumentet e BE nuk vlejnë në Shqipëri, sipas Edi Ramës.

Po çfarë është pasaporta? Dokumenti i identitetit se je filani. Ai dokument vërteton se shtetasi shqiptar, në listat e votimit, ka dokumentin e identitetit. Çfarë lidhje ka kjo a është shqiptar apo nuk është shqiptar?

Kapin një ligj të vitit 2008 të Kodit, në atë kohë kur bëhej fjalë për votimin brenda vendit, nuk kishte asnjë akses vote jashtë vendit, në të cilin është thënë se votuesi duhet të ketë dokumentet që lëshohen nga organet kompetente.

150 mijë janë qytetarët që kanë lindur jashtë dhe nuk e kanë emrin fare në lista.

Nuk kanë pasaportë sepse kanë lindur jashtë shumica e tyre. Pyesni të gjithë ata që kanë ikur në vitet ’90 dhe kanë fëmijë të rritur, ata nuk kanë marrë pasaporta.

Jo vetëm kaq, por janë qindra mijëra që i kanë humbur, nuk i kanë më.

Ka marrë pasaportën gjermane, ka marrë pasaportën amerikane, me atë pasaportë ai shkon në gjithë botën, vjen edhe në Shqipëri.

Por, ngaqë e panë se diaspora i urren, diaspora i përbuz, i përçmon, tani kërkojnë ta bllokojnë diasporën.

Dhe ne tani, do përdorim si qëndrimin tonë, denoncimin publik.

Ndërkohë, ne do mobilizojmë, të rrethohen dhe të gjuhen me vezë dhe domate ambasadat e narkoshtetit në mbarë botën.

Po, ne do luftojmë bashkë me diasporën dhe emigracionin që ata të ushtrojnë të drejtën e

votës.

A mund të pranohet kjo? Qenka pasaporta shqiptare më e vlefshme se ajo gjermane, franceze apo italiane?

Këtë vetëm logjika e kreut të organizatës kriminale Edi Rama e pranon.

Prandaj siç e shihni kemi shumë punë për të zgjidhur.

Beteja jonë ndalet vetëm në fitore.

Por këtu duhet të mobilizojmë të madh e të vogël, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dhe të ndërmarrim një seri aktesh mosbindje civile.

Jemi në betejë me diktaturën, asnjë njeri nuk duhet ta harrojë këtë.

Nuk duhet që qetësia e një dite apo e një jave të na bëjë të harrojmë se kemi diktaturë përpara. Jo. Ne do fitojmë!

Këto janë përpëlitje.

Marrin dhe një përgjigje në këtë mënyrë të gjithë shërbëtorët e këtij regjimi.

Duhet të ngrihemi më të fuqishëm se kurrë.

Jemi të sigurt në fitore.

Po ecim drejt fitores.

Nuk mund të na e marrë Edi Rama ne me këto mjete që po përdor.

Pse mor zotëri do u heqësh të drejtën tij 1 milion shqiptarëve të drejtën për të votuar?

Ne do ua sigurojmë atyre të drejtën. Do apo nuk do Edi Rama, ata do votojnë.

Është një çështje shumë e madhe.

Po kështu e keni parë ju çdo javë, çdo ditë vendime se si të shpërndajë para për të grumbulluar para për vete dhe klanin e tij.

Ju lutem shumë, kudo që t’i shihni zyrtarët, të cilët ligji i ndalon të marrin pjesë në fushatë elektorale, i gjuani me domate dhe vezë dhe i regjistroni dhe i fotografoni.

I garantoj se do të dënohen shumë rëndë dhe se krimi elektoral do të shpallet krim i rëndë.

O do shpëtojë Shqipëria nga krimi elektoral dhe shqiptarët do votojnë, ose pastaj të ardhme vendi nuk ka.

Ky vend nuk mund të ketë të ardhme në këtë mënyrë.

E ka zbrazur vendin në mënyrë të tmerrshme dhe kërkon të mbajë pushtetin se është i zhytur në krime gjer në veshë.

I iku tani edhe ai mbrojtësi i tij, Xhorxh Soros.

Ne e kemi betejë të shenjtë këtë betejë.

E kemi betejë për shqiptarët, nuk meritojnë kurrë një diktaturë.

Janë në kaos të madh, në një luftë të egër të brendshme më keq se të ishin ujqër dhe çakej.

Në një tmerr të brendshëm.

Por e meritojnë plotësisht dhe unë i garantoj se ligji do veprojë mbi të gjitha krimet që kanë kryer.

Nxjerr zëdhënësin e tij dhe paraqet platformën e hetimit të krimit elektoral, duke fjetur mbi dosje monstruoze të krimit elektoral.

Dosjet monstruoze nuk i heton dhe mendon se do mashtrojë shqiptarët.

Absolutisht do jetë njeriu që do të paguajë çmimin më të shtrenjtë për këto krime. Dhe organizata e tij kriminale.

Natyrisht Edi Rama i pari se Altin Lala zbaton çfarë i thotë Rama.

Dosjet Metamorfoza janë 50 përqind e tyre plot krim elektoral. Si i thoshte ai Taulant Ballës, m’i arresto ti pak ata, që të marrësh votat. Dhe ky i arrestonte. Ka kaq shumë aty.

Dhe ky tani kujton se na mashtron duke nxjerrë një zëdhënës që gjoja po heton krimin elektoral. Krimin elektoral do e hetojmë ne dhe do e hetojmë shumë me rreptësinë më të madhe ligjore.

Ndaj dhe një angazhim i përgjithshëm, mosbindja civile, diversifikimi do jetë në funksion të qëllimeve tona.

Me datën 8 e gjithë Shqipëria zbret në Tiranë.

Takimet me emigracionin dhe diasporën vazhdojnë siç kanë vazhduar.

Dhe unë shpreh mirënjohje ndaj të gjithë shqiptarëve në emigracion dhe diasporë për takimet dhe për ju që i keni takuar dhe keni bërë takime shumë të mira.

Por tani, po vazhdoi kështu, takimet do përqendrohen totalisht në qytetet me ambasadat shqiptare dhe ambasadat e narkoshtetit do kenë ditë të vështira.

Ftoj emigracionin dhe diasporën të vendosin komunikime urgjente me parlamentarët e tyre, të denoncojnë përjashtimin e tyre nga qeveria shqiptare nga e drejta e votës.

Duhet që nesër të nisim punën, takime në të katër anët e Shqipërisë.

Të merrni masa, të siguroni mundësi transporti, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj.

Fati i votës së lirë varet nga ne, jo nga Edi Rama.

Ne duhet të përmbushim misionin tonë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale