FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, nuk ngushëlloi familjen por vrapoi për të ndihmuar vëllain e tij, presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
‘Rama nuk ngushëlloi familjen Bunjaku, por vrapoi të kërkojë konferencën ndërkombëtare me praninë ruse për të ndihmuar vëllain Vuçiç’, u shpreh Berisha.
Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se, skenari i ‘Shtetit Bektashi’ është një sulm jo vetëm ndaj besimeve fetare, por edhe ndaj myslimanëve shqiptarë që njëlloj si besimtarët e tjerë i luten një Zoti. ‘Bektashinjtë ishin rilindësit e mëdhenj, rilindësit gjenialë që shkruan dhe mbrojtën doktrinën e shqiptarësisë.’- u shpreh Berisha
Lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal propozimi skandaloz dhe ogurzi i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri. ‘Propozimi i Ramës për shtetin e ri është një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit, Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë’, u shpreh Berisha gjatë tubimit në mbështetje të tij te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën se asnjë projekt ogurzi për shqiptarët nuk do ta shpëtojë. ‘Shqipëria ka qenë dhe do mbetet vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha gjatë tubimit qytetar.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë.
Të dashur miq, Edi Rama i damkosur nga shqiptarët si hajduti më i madh jo i dekadave, por i shekujve të këtij vendi.
I damkosur si një antishqiptar që nuk mendoi kurrë tjetër veçse si të largojë dhe dëbojë me një gjenocid të mirëfilltë, me kushte të kalkuluara shqiptarët nga Shqipëria.
Për të mbuluar vjedhjet e tij të qindra e qindra milionë eurove, varfërinë e frikshme në rritje të pandalshme të qytetarëve shqiptarë, rrënimin e ëndrrave të të rinjve të këtij vendi, për të ndërtuar në Shqipëri folenë e të ardhmes së tyre, për të mbuluar cinizmin ekstrem, pashpirtësinë me mashtrimin që iu bëri pensionistëve, të cilët me pensionet më të ulëta në Europë dhe ndër më të ulëta në botë, në një kohë kur blejnë në dyqane nga 10 deri në 250 përqind ushqimet më të shtrenjta krahasuar me mesataren e BE-së.
Për të mbuluar damkosjen e tij si tradhtar i kombit me qëndrimet që ka mbajtur ndaj Kosovës.
Mos harroni miq, se sot një vit kur terroristët serbë shkrehën breshëritë mbi gjoksin e dëshmorit të kombit Afrim Bunjaku, Edi Rama me mesazhin që mori nga Beogradi, nuk ngushëlloi familjen Bunjaku, por vrapoi të kërkojë konferencën ndërkombëtare me praninë ruse për të ndihmuar vëllain Vuçiç.
Për të mbuluar denoncimet e mëdha në Europë dhe në botë si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në kontinent.
Për të mbuluar serialin e dështimeve të njëpasnjëshme.
Për të gjitha këto, ai shpalosi këto ditë propozimin e një shteti të Islamit të moderuar, kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit.
Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar.
Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj.
Të dashur miq, nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.
Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre.
Janë frymëzimi hyjnor dhe shpirtëror i tyre që nuk është e vërtetë që i ka ndarë, por me harmoninë që kanë treguar me njëri-tjetrin, janë bërë shembull i ndritshëm në të gjithë botën.
Por historia nuk është vetëm kjo.
Një barbar, një mizor lau në gjak krerët e besimeve fetare të Shqipërisë. Ndër to, në mënyrën më të egër dhe udhëheqësit shpirtërorë të bektashizmit shqiptar.
Ky ishte Enver Hoxha, i cili nuk pranonte që në këtë tokë të kishte një Zot përveç atij, që në fakt ishte satani i shqiptarëve.
Sot, 40 vite pas vdekjes së Enver Hoxhës, pasardhësi i Kristaq Ramës, xhelatit ateist që urdhëronte varjen në litar të Havzi Nelës, vendos të fusë duart e tij të zeza në punët e fesë, punët e Zotit.
Ky akt, i cili ka synimet më të liga, më antishqiptare, shkelmon pra parimin e sekularizmit, e unitarizmit të shtetit shqiptar.
Ky skenar erdhi nga Beogradi, erdhi nga Vuçiçi.
Ky skenar ka vetëm një qëllim, thikë pas shpine, përçarje fetare.
Ky skenar është një sulm jo vetëm ndaj besimeve fetare, ndaj myslimanëve shqiptarë që njëlloj
si besimtarët e tjerë i luten një Zoti.
Ndaj myslimanëve shqiptarë që njohin Profetin Muhamed si profetin e tyre, frymëzues përjetë.
Ndaj myslimanëve shqiptarë, bashkësia e të cilëve ka merita të jashtëzakonshme në doktrinën e shqiptarësisë.
Bektashinjtë ishin rilindësit e mëdhenj, rilindësit gjenialë që shkruan dhe mrbojtën doktrinën e shqiptarësisë.
Tre ditë më parë, në mënyrën më miqësore, e njoftova të respektuarin Baba Mondi, kujdes se e ka për veten e tij.
Se përbën një thikë pas shpine, në radhë të parë kundër bektashinjve, që janë frymëzim për atdhetarinë e tyre.
Që kanë aq kontribute në identitetin tonë kombëtar.
Që kanë aq kontribute në tolerancën dhe mirëkuptimin.
Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty.
Shqipëria dhe ka qenë dhe do mbetet shteti, vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare.
Do mbetet shteti laik që respekton besimin e tjetrit.
Fetë e shqiptarëve, myslimanët, të krishterët, janë gurra të pashtershme hyjnore që ushqejnë dhe pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve, por jo shpirtrat e katranove si Edi Rama, që përdor edhe fetë për qëllime mafioze, për qëllime antishqiptare.
Edhe njëherë, ju përshëndes nga zemra.
Le të vazhdojmë ne betejën dhe t’i themi Edi Ramës se vrimë miu nuk do gjesh për këto të zeza
që iu bën shqiptarëve.
Se nuk ka një të dytë përveç Enver Hoxhës si ti, që prodhoje lajme më të këqija për vendin dhe kombin tënd.
Prandaj, miqtë e mi, protesta, revolta, mosbindja civile është thirrja për të shpëtuar kombin shqiptar.
Është kushtrimi i shqiptarëve për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë.
Për të dalë me shpejtësi nga varfëria.
Për të rikthyer shtetin ligjor.
Për të shndërruar pasuritë përrallore të shqiptarëve në mirësi dhe të mira për qytetarët e këtij vendi.
Ndaj dhe, ju falënderoj shumë për këtë prani këtu, për këtë protestë.
Ju garantoj se forcë në botë që t’i rezistojë vrullit, hovit, zemërimit, revoltës popullore opozitare të shqiptarëve kundër regjimit nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!