Berisha prezanton programin për shëndetësinë: Do ndjekim modelin gjerman dhe do dyfishojmë buxhetin

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët ka akuzuar qeverinë për degradimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke theksuar se kjo ka sjellë një rënie të jetës së shqiptarëve, që jetojnë 7 vite më pak se qytetarët e BE-së. Berisha theksoi se Shqipëria ka përkeqësuar treguesit e shëndetësisë, si vdekshmëria foshnjore dhe numri i mjekëve, duke krahasuar situatën me vitet ’60. Shqiptarët paguajnë shumë më tepër për shëndetin se qytetarët e BE-së dhe shërbimi shëndetësor është i dobët, me standarde të ulëta dhe financim të papërfillshëm. Po ashtu, Berisha kritikoi mungesën e digjitalizimit dhe eksodin masiv të stafit shëndetësor për shkak të pagave të ulëta.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi programin e Partisë Demokratike për reformën shëndetësore, duke u bazuar në modelin gjerman. Berisha premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e mundësive për konkurrencë në sigurimet shëndetësore. Lideri opozitar, Sali berisha kritikoi keqpërdorimin e fondeve për koncesione dhe checkup-e të panevojshme, duke theksuar nevojën për kujdes më të madh për të moshuarit dhe për depistimin e sëmundjeve.

Kreu i PD, Sali Berisha prezantoi një program për trajtimin e sëmundjeve neoplazike, duke propozuar krijimin e një fondi për ilaçe dhe pajisje përmes taksave mbi agjentët kancerogjenë dhe të ardhurave nga lotaria. Berisha iu drejtua me tone të ashpra kompanive farmaceutike për ndalimin dhe sugjeron bashkëpunim me Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin për uljen e çmimeve. Berisha premtoi investime në aparatura dhe rritjen e numrit të mjekëve, duke e cilësuar politikën aktuale si çnjerëzore. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm dhe kontrollit të sigurisë ushqimore.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi Taulant Ballën dhe Lulzim Bashën si një “binom të pandarë”, duke i krahasuar me tymin dhe blozën, duke theksuar se është e pamundur t’i ndashë. Berisha u shpreh se thirrja e tij është për ata që janë të lirë dhe për ata që janë vetvetja, duke i ftuar njerëzit të bashkohen, pavarësisht mendimeve të tyre për të.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se objektivi kryesor i Partisë Demokratike do të jetë transparenca për veprimtarinë korruptive dhe kriminale të qeverisë aktuale, si dhe paraqitja e programit të saj për shpëtimin e Shqipërisë. Berisha theksoi se këto dy shtylla do të jenë fokus i veprimtarisë së PD-së në parlament. Për më tepër, Berisha e konsideroi këtë parlament si të pavlerë dhe premtoi se do të krijojnë një parlament që Shqipëria meriton.

Kryetari i PD, Sali Berisha propozoi që qytetarët shqiptarë në diasporë të mund të votojnë pa pengesa, duke theksuar se çdo dokument biometrik të cilitdo shteti ku ata ndodhen duhet të konsiderohet i vlefshëm për votim. Berisha theksoi se afati i skadimit të dokumenteve nuk duhet të jetë pengesë dhe se kartat e identitetit apo pasaportat biometrike, pavarësisht nga shteti, duhet të pranohen për votim.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi PS-në për frikë nga vota e diasporës dhe theksoi se çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të votojë me çdo dokument të lëshuar në Shqipëri, pavarësisht skadimit. Berisha kërkoi që dokumentet biometrike të shtetit ku jetojnë emigrantët të pranohen për votim, duke e cilësuar përjashtimin e tyre një shkelje kushtetuese.

Kreu i PD, Sali Berisha mbështeti protestën për dy rastet e vrasjeve të Martin Canit dhe Egli Progës, duke akuzuar Edi Ramën dhe ministrin për minimizimin e dramave dhe manipulimin e informacionit. Berisha theksoi se protesta është e drejtë për të kërkuar përgjegjësi, ndërkohë që distancohet nga spekulimet për ngjarje të paqarta dhe thekson rëndësinë e respektimit të familjeve të viktimave.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi kontrabandën e naftës në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për pjesëmarrje në këtë aktivitet të paligjshëm. Berisha theksoi se nafta kontrabandohet vetëm me ndihmën e qeverisë, pasi ajo hyn në vend përmes porteve të hapura dhe me anije. Berisha shtoi se kjo është një vjedhje ndaj pasurisë kombëtare, duke përmendur se nafta shitet më shtrenjtë për qytetarët, ndërkohë që disa individë përfitojnë nga kontrabandimi.

FJALA E PLOTË

Shërbimi shëndetësor i shqiptarëve ka njohur një degradim katastrofal dhe në disa tregues themelorë është rikthyer në vitet ’60.

Së pari, në qoftë se ky shërbim ka si qëllim kryesor luftën kundër sëmundjeve, zgjatjen e jetës dhe zhvillimin e shëndetit dhe promovimin e tij, sot qytetarët shqiptarë jetojnë 7 vite më pak se qytetarët e BE.

Së dyti, në njërin prej treguesve më themelorë të sistemit shëndetësor, por edhe të sistemit shoqëror në shoqëri, që është vdekshmëria foshnjore, Shqipëria është 3 herë më keq se Mali i Zi, se duhet të krahasohemi me rajonin, dhe dy herë më keq se vendet e tjera të rajonit, po të mos shkuar në vendet anëtare të BE.

Së treti, dhe aty ku Shqipëria ka zbritur në nivelin e viteve 1960, janë numri i mjekëve dhe infermierëve për frymë. Sot shqiptarët kanë 2.5 herë më pak mjekë dhe infermierë se qytetarët e BE. Në qoftë se në vitin 2013, qytetarët shqiptarë kishin një mjek për 600 banorë, sot qytetarët shqiptarë janë rrokullisur dhe kanë një mjek për 1100 banorë.

Shqiptarët vdesin sot nga sëmundjet e zemrës 1.8 herë më shumë se sa qytetarët e BE.

Ata vdesin nga sëmundjet malinje, dy herë më shumë se qytetarët e BE, për shkak të keqtrajtimit të këtyre sëmundjeve siç jeni njohur ju.

Shqiptarët kanë sot dy herë më pak spitale dhe shtretër spitalorë se vendet e tjera të rajonit dhe të BE.

Shqiptarët, të cilëve iu premtua shëndetësi falas, paguajnë sot për kujdesin e tyre shëndetësor, 5 herë më shumë se gjermanët, 3 herë më shumë se italianët. Paguajnë nga xhepi i tyre 60 përqind të shpenzimeve që nevojiten për sistemin shëndetësor.

Këto tregues dëshmojnë për një rrokullisje të madhe, një degradim të shpejtë dhe të rrufeshëm të sistemit shëndetësor.

Shqipëria që në vitin 2012-2013, renditej në një nga vendet me eksesin më të mirë në shërbimin shëndetësor, sot është vendi i eksesit të munguar dhe pabarazisë më të madhe të shërbimit shëndetësor.

Problematika të tjera të mëdha janë cilësia e dobët e shërbimit shëndetësor. Ka një mungesë të madhe, të ndjeshme, të standardeve të funksionimit të shërbimit shëndetësor, qoftë në sektorin publik, po edhe në atë privat.

Efikasiteti i punës së këtij shërbimi është shumë i ulët. Është zhvilluar këto vite një mafie e tmerrshme midis sektorit publik dhe privat, i cili ka vetëm një qëllim, grabitjen më të madhe të mundshme të pacientëve në Shqipëri.

Oferta për të është mediokër ose krejtësisht jocilësore.

Centralizimi në sistemin publik ka ekuivalent vetëm Korenë e Veriut.

Financimi është qesharak dhe i papërfillshëm.

Shqipëria financon shëndetësinë 2-3 herë më pak se vendet e rajonit.

Fola për burimet njerëzore, që kanë një eksod masiv, për shkak të rrogave të papranueshme.

Mungesë e plotë e dixhitalizimit. Mjekët shqiptarë janë të vetmit në Europë e shumë më gjerë, që mbushin kartela me dorë. kartela dixhitale që në vitin 2013 ishte e përfunduar gjithçka, u arkivua dhe vazhdohet me kartelën manuale me letër.

Sistemi i shkëmbimit të informacionit shëndetësor, i cili u nis me një kredi të qeverisë austriake prej 14 milionë euro, nuk sosi kurrë dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Partia Demokratike, qeveria e saj, do të ndërmarrë një reformë të thellë shëndetësore bazuar në modelin gjerman.

Ne punuam, ne nuk e konkluduam, por ne mbi këtë model arritëm gjer afër finalizimit të reformës në shëndetësi dhe ajo u zhbë me shpejtësi.

Politikat shëndetësore do jenë politika të qëndrueshme, të cilat kanë synime madhore zgjatjen e viteve të jetës dhe shtimin e cilësisë së jetës në këto vite.

Këto politika synojnë që qytetarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime plotësisht të përballueshme.

Ata nuk do mund të paguajnë kurrë më shumë se mesatarja e vendeve të rajonit.

Buxheti për shëndetësinë do dyfishohen.

Do ndërpriten menjëherë dhe do vendosen para ligjit të gjithë aktorët e krimit të koncesioneve në sistemin e shëndetësisë që i kushtojnë buxhetit 300 milionë euro.

Ndërkohë, nga të cilat përfitojnë vetëm mafia e tmerrshme e tyre.

T’u rikujtoj këtu se checkup-i në grupmoshat që bëhet dhe me regjistrat, në të cilat faktohet se gjysma e personave të regjistruar nuk kanë bërë kurrë checkup, është një gjobë e tmerrshme për qytetarët shqiptarë.

Kujdesi shëndetësor në rrafshin e depistimit do ketë një karakter krejt tjetër.

Do fillojë mbi një moshë të caktuar me patologji të caktuara, ashtu siç e kanë vende të tjera. Kurse checkup-i në Shqipëri përjashton moshat që kanë nevojë për checkup se nuk do të përballojë faturat.

Skema e sigurimeve shëndetësore do ndryshojë, do diversifikohet, nuk do jetë më monopol i një institucioni. Jo, ne do hapemi për institucione të tjera sigurimesh, përveç institutit aktual dhe kjo është e domosdoshme për garën e cilësisë së shërbimeve të ofruara.

Familja do jetë në epiqendër të këtij sistemi. Kujdesi për shëndetin familjar, për familjen, do jetë themeli i sistemit tonë.

Shëndeti i të moshuarve, me synim jetëgjatësinë e tyre, do jetë një drejtim tjetër themelor i shëndetësisë sonë.

Thashë edhe njëherë, Edi Rama me gruan e kushëririt të tij, Vilma Nushi, vjedhin dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit për të bërë checkup tek persona që kush në botë nuk i bën. Por nuk ka asnjë kujdes për moshën e tretë, gjë e cila është unike.

Ka një dramë të madhe me sëmundjet neoplazike në Shqipëri si në asnjë vend tjetër. Ilaçet për këto sëmundje janë realisht shumë të kushtueshme. Por realisht ekzistojnë mundësi të pamohueshme për t’i garantuar plotësisht ato.

Dhe këto mundësi janë së pari krijimi i një fondi të veçantë nëpërmjet një takse mbi të gjithë agjentët kancerogjenë, që janë të njohur si të tillë. Siç është duhani psh, por jo vetëm.

Së dyti, është shumë normale që të ardhurat nga lotaria kombëtare, një pjesë e tyre të përcaktohen për këtë sëmundje. Thashë edhe njëherë, ilaçet kushtojnë, por për Shqipërinë e kanë bërë çmimin shumë më të lartë, përzënia e kompanive të mëdha nga Tirana sapo erdhën në pushtet. Në Tiranë kishin selitë kompanitë më të mëdha farmaceutike. Këto kompani përshtatnin çmime të pranueshme për buxhetin e Shqipërisë, për ilaçet që prodhonin për sëmundjet malinje. Dhe ato ishin plotësisht të përballueshme, pavarësisht sasisë, pasi janë specifike për forma të ndryshme, për të sëmurë të ndryshëm.

Opsion tjetër është një bashkëpunim midis institutit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, praktikë kjo që bën të mundur porosinë në sasi më të madhe dhe rrjedhimisht me çmime më të arsyeshme.

Pra, nuk do lëmë praktikë pa ndjekur, që çdo i sëmurë, sepse sot në Shqipëri këta të sëmurë e kanë jetën dy herë më të shkurtër se në BE, pikërisht për këtë arsye. Për të mos thënë se elaborojnë teza çnjerëzore.

Nuk mund të ketë kurrë asnjë lloj mungesë në aparaturat e diagnozës dhe mjekimit të këtyre sëmundjeve.

Qeveria do investojë fuqishëm për ripërtëritjen e të gjitha aparaturave të sëmundjeve neoplazike.

Ju mund të imagjinoni, ato janë patologjia e tretë më e shpeshtë në Shqipëri. Sot ka vetëm 54 mjekë në Shqipëri që merren me këto sëmundje. Kjo merr fund. Do alokohen burimet, do 2-3 fishohen burimet njerëzore për trajtimin e tyre.

Kjo praktikë që merr Edi Rama është një praktikë, primitive, që bazohet në parime çnjerëzore.

I kam dëgjuar në studio përfaqësuesit e tyre, për të cilat ata duhet të ndëshkohen në mënyrën më të rreptë. Këto janë sëmundje të mjekueshme, të trajtueshme. Beteja me to është heroizmi më i madh i njeriut dhe duhet që shëndetësia të jetë krah të sëmurit me të gjithë potencialin e saj.

Natyrisht një mjedis jete i shëndetshëm, një garanci e madhe për ushqimet, të cilat janë sot më të pasigurta se kurrë.

Përdorimi i substancave të ndaluara toksike dhe patogjene merr fund pasi kontrolli i sigurisë ushqimore do jetë një nga drejtimet themelore për ruajtjen e shëndetit të shqiptarëve.

Në vija të përgjithshme, ky do jetë programi i ardhshëm, me të cilin ne synojmë të shënojmë një përmbysje të situatës aktuale, të degradimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Dhe jam i sigurt se brenda një mandati, objektivat e shpallura do realizohen plotësisht.

Natyrisht programi ynë, i përgatitur nga ekspertët më të mirë, do jetë objekt i një diskutimi të gjerë në rrethet mjekësore, dhe jo vetëm, para se të marrë formën përfundimtare.

PYETJE-PËRGJIGJE

Andon Kello, ABC Neës: Si ndiheni sot në ditën e inaugurimit të presidenti të SHBA-së. Ju ende jeni non grata. A keni shpresa se administrata Trump do përmbysë vendimin e administratës së Joe Biden.

Berisha: Sot në Uashington ndërrohet pushteti. Se çfarë nënkupton ky ndërrim pushteti mjafton të lexosh fjalimin parainagural dhe sot do jetë inagurali, të presidentit Donald Trump. Personalisht fitoren e presidentit Trump, pa asnjë lidhje dhe interes timin e kam konsideruar një mrekulli të vërtetë për njerëzimin. Pse? E kam konsideruar një mrekulli të vërtetë për njerëzimin sepse, administrata dhe qeverisja e fundit e demokratëve, për fatin më të keq të SHBA dhe botës, u dominua nga ekstremi i majtë. Dhe ata i dhanë epërsi të madhe praktikave, qëndrimeve marksiste-leliniste dhe përtej Marksiste.

Në këtë administratë, njohu një zhvillim të pabesueshëm, u institucionalizua ajo që quhet ‘ëok culture’ kurse unë do ta quaja ‘garbage culture’, kultura e zgjimit, në fakt kultura e plehut njerëzor. Ajo kulturë ishte kultura e marrë në vitet ’20, pas revolucionit bolshevik të vitit ’17, me emrin ‘prolekt kultas’. Prolekt ultas ishin ata kulturorë që duhej ç’rrënjosnin çdo gjë përveç kulturës së proletariatit. Të groposnin të gjithë mendimin letrar të themi rus, të klasikëve dhe të mbetej në piedestal vetëm romani ‘Nëna’ apo disa vepra të tjera të realizimit socialist.

‘Ëoke culture’ njerëzit nuk e kuptuar, por ishte reminishencë e revolucionit kulturor kinez, me përmbysje statujash, djegie arkivash dhe gjërash më të pabesueshme. Ju e patë se si e paraqitën 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së Yuri Kim, e cila po të ishte e bija e Kim Jon Unit apo mbesa e Enver Hoxhës nuk do të mund ta paraqiste ndryshe. Fakt, duke hequr fotografi, duke bërë marrëzira. Por ishte ambasadore përfaqësuese.

A i shërbenin këto SHBA-së? Në vlerësimin tim, këto SHBA-të i çonin drejt të shkuarës. Kjo është arsyeja pse unë e kam quajtur këtë fitore, më të rëndësishëm pas Luftës së Dytë Botërore e gjer sot.

Natyrisht Donald Trump do të ketë politikat e tij të padiskutueshme, por të paktën superfuqia e botës së lirë nuk do të jetë promovuese e përçudnimeve, nuk do të jetë agresore ndaj dinjitetit njerëzor. Marksi nuk shkonte tek gjinia. Parashikonte një botë pa kufi, një botë pa shtete, një botë ku në parajsën e së cilës punoje aq sa mundje, e merrje sa të duhej. Por ama nuk thoshte një botë që do të zgjedhësh gjininë.

Ju mund të ju duket çudi kjo, por unë po bisedoja para dy javësh me një mik timin të huaj dhe po bisedonim me këtë temë. Por çfarë më tha ai? Ai më tha se, në vendin tim çdo burrë e grua kanë të drejtë 1 herë në muaj që burri të thotë jam grua, dhe gruaja të thotë jam burrë. Kaq ishte ndikimi tej marksist, sepse Marksi i ka të gjitha, por këtë nuk e ka. Absolutisht e vërtetë kjo që them. Nuk u kuptua mirë çfarë po ndodhte. Një atak ndaj identitetit të njeriut, se gjinia është pjesë e identitetit njerëzor.

Për mua, për ato vlera që besoj, ky është shpëtimi. Se ata filluan dhe këtu, në kopshte, prindi  1 e prindi 2, pastaj të dilte 3-shi, fëmijë pa prind, me ferma grash. Prunë ligjin në parlament. Kështu që këto ndikime nuk u kuptuan shumë nga njerëzit, por ishin shkatërrimi i familjes dhe identitetit. Njeriu i ri i Xhorxh Sorosit ishte përtej njeriut të ri të Marksit. Njeriu i ri i Marksist shkonte në një botë pa shtete e fe, por nuk shkonte pa gjini. Nuk e kishte të tillë. Ndaj dhe e kam vlerësuar si një mrekulli për njerëzimin, fitoren e tij.

Dalim tek rasti im. Ai është një oqean, ky është një pikë ujë në oqean. Natyrisht unë gjer sot, kam patur një vendim që nuk bëj lobim, nuk kërkoj që të heqin vendimin se i kam hedhur në gjyq, tani padiskutim do të kërkoj sipas rregullave që kanë, të shqyrtohet një vendim që ka në bazë, lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Kaq.

Do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re sipas rregullave që ekzistojnë që ky vendim strikt anti-opozitë, ky grusht shteti brenda shtetit, ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund. Sigurisht do të kërkoj.

Andon Kello, ABC Neës: Dje keni bërë thirrje që të gjithë ata që kanë vendosur tulla në PD, të rikthehen. Lulzim Basha a ka vendosur ndonjë tullë në PD gjatë kohës që ka qenë kryetar apo deputet. A ishte kjo ftesë dhe për të.

Berisha: Unë mendoj se thirrja ime kishte të bënte, dhe ka të bëjë, vetëm me njerëz të lirë.

Të gjithë ata që janë të lirë dhe janë vetja e tyre, nga ’90 gjer sot, pavarësisht se çfarë kanë menduar dhe mendojnë aktualisht për Sali Berishën, janë të ftuar të bashkohen.

Por të më thoni ju për Lulzim Bashën, ju mund të më thoni edhe për Taulant Ballën pastaj.

Taulant Balla dhe Lulzim Basha janë një binom i pandarë.

Aq sa mund të ndash tymin nga bloza, aq mund të ndash këto dy persona.

Ermal Rizaj: Sot nis sesioni i ri parlamentar, cili është objektivi i PD në këto muaj të fundit para se të shkohet në zgjedhjet parlamentare?

Berisha: Objektivi i PD është konstant.

Transparenca mbi të gjithë veprimtarinë korruptive dhe kriminalet të narkoqeverisë dhe parashtrimi para qytetarëve shqiptarë i programit të saj si programi i shpëtimit të Shqipërisë nga kjo rrokullisje e madhe.

Këto dy do të jenë shtyllat kryesore në të cilat do lëvizim ne gjatë kësaj periudhe në parlament.

Natyrisht ky parlament nuk ka merituar të ekzistojë asnjë ditë.

Dhe në qoftë se do kishte një listë me 100 emra, i fundit emër që meriton është të quhet parlament.

Por ne kemi bindjen se do i japim Shqipërisë parlamentin që meriton.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Ndryshimet në kod elektoral për votën e diasporës. Referuar të dëhanve të bëra nga KQZ janë qindra e mijëra qytetarë që iu skadon letërnjoftimi apo pasaporta në periudhën 15 prill, 15 maj. Duke parë edhe çështjen e diskutimeve me PS, do të kërkohet që të zgjatet periudha e vlefshmërisë nga data 15 prill deri më 15 maj, apo atyre qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, që mund t’ju ketë skaduar pasaporta në 2015, apo në 2010?

Berisha: Së pari, parimi ynë, asnjë pengesë nuk duhet të ketë për qytetarët shqiptarë për shkak të skadimit që disponojnë.

Së dyti, çdo dokument biometrik i cilido shteti që ata ndodhen, duhet të konsiderohet i vlefshëm për të votuar qytetari shqiptar me të drejtë vote.

Pra, jo vetëm afati, por edhe e drejta e tyre për të votuar me dokumente që disponojnë të shtetit ku janë.

Karta identiteti apo pasaporta, çfarëdo që të kenë, mjafton të jenë biometrike, ato duhet t’i konsiderojmë të vlefshme për votën e tyre.

Konstatoj një mungesë të madhe vullneti nga PS, ka frikë dhe tmerr nga vota e diasporës. Kjo është e vërteta, ju e keni parë se si i presin, si i përzënë. Ka një alergji, të themi realitetin. Emigracioni dhe diaspora ka një alergji ndaj partisë së krimit, dhe këta po shohin se si mund ti mashtrojnë.

Ne ku qëndrojmë? Ne qëndrojmë që çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të veprojë me çdo dokument të lëshuar në Shqipëri, pavarësisht nga data e skadimit të saj. Çdo emigrant me të drejtë vote, që ekziston në listat e votimit duhet të ketë të drejtë të votojë me dokumentet biometrike të vendit ku jeton. Përjashtimi i emigrantëve për shkak të mungesës së dokumentit shqiptar, dhe zëvendësimit që i ka bërë ai me dokumentin biometrik të vendit ku jeton, është një krim në nivelin kushtetues. A merr pjesë apo jo, në zgjedhje atë e përcakton lista e zgjedhësve, ligji dhe kushtetuta.

Ne sigurisht po e ndjekim, jemi të gatshëm të votojmë ndryshime për hir të emigrantëve, por ndryshime që u shërbejnë vërtetë atyre dhe jo seleksionimit të tyre.

Mariglen Kume, MCN: Protesta në Ministrinë e Brendshme është thirrur pasi një punonjës policie është hedhur nga apartamenti i tij, pasi dyshohet se shoqëroi në polici djalin e biznesmenit, Samir Mane për disa procedura. PD pse nuk flet për këtë rast, dhe duhet t’i referohem edhe një rasti tjetër.

Berisha: Së pari, lidhur me rastin. Protesta nuk ka në asnjë cep të saj se thirret për këtë apo për atë motiv.

Unë u kam bërë thirrje qytetarëve të shkojnë.

Pse? Ka një vrasje për së dyti nga Edi Rama dhe ministri i tij kukull me tre mbiemra të dy personave, të Egli Progës në Pogradec dhe të Martin Canit, 14-vjeçar.

U ngrit Edi Rama para një jave dhe filloi, për t’ia zgjuar plagët familjeve dhe të gjithë atyre që e ndjenë këtë dramë, t’i zvogëlojë, të mashtrojë, të thotë se pothuajse nuk kishte vrasës për Progën, se nuk ishin gjobëvënës, bëri avokatin e vrasësve dhe Martin Canit, për të cilin zyrtarisht ka të dhënat më të turpshme ku ministrja thotë në komunikatë se kemi bërë maksimumin, drejtoresha e shkollës e shkëlqyer, oficerja e policisë së shkolëls ka bërë detyrën në mënyrë të përsosur dhe doli vetëm rrugaçi TikTok për Edi Ramën.

Pasi e bëri këtë, se nuk ishte kurrë kështu, sepse Martini i ndjerë u vra në derë të shkollës pas një sherri të zgjatur njëjavor. Luizi që ishte me të, hëngri disa thika nga një tjetër dhe tani këta shuajnë çdo gjë dhe nxjerrin se ishte TikToku, ndërkohë që as Martini, as ai djali tjetër që kreu aktin kriminal, nuk kishin llogari në TikTok.

Tani, pse unë protestën. Protestën sepse të njëjtën gjë si papagall bën ministri pardje deklaratën. Merr dhe u referohet pikërisht prapë këtyre dy rasteve, riprodhon si papagall atë që tha Edi Rama tre ditë më parë.

Dhe unë besoj se kjo meriton një protestë të fuqishme.

Tani vijmë tek pjesa e dytë, ndodhi ngjarja, mediat në vend që të thoshin po e fsheh policia, po e fsheh Berisha. Unë po e ndiqja, unë e kisha shumë të thjeshtë të thoja të zbatohet ligji. Prit unë komunikatën e policisë, se kur flet, ti duhet të kesh një bazë ku do e mbështesësh fjalën tënde, asnjë komunikatë policia. Po heton shërbimi inteligjent i tyre. Dhe ishin dëmtuar dy makina, dhe dëmtime makinash ndodhin çdo orë.

U hodh polici, shyqyr që shpëtoi, nga kati i 11-të. Është polici që e arrestoi. I bënë presion, askush nuk thoshte, por vetëm hamendje. Dhe ja që doli familja, dhe bëra shumë mirë që nuk fola, dhe familja tha mos bini në qafë se të gjithë ato që thoni janë absolutisht të pavërteta se ne kemi hallin tonë.

Tani, a duhet që ne për mendime të ndryshme që mund të kemi apo për tendenca, të lëndojmë një familje dhe një njeri? Jo, nuk duhet.

Dhe unë kam bërë shumë mirë që nuk kam folur. Dhe protesta nuk mund të ketë asnjë lidhje me një ngjarje, që sipas familjarëve, është gjithçka trillim. Çka lë të kuptohet se njeriu i tyre mund të ketë një brishtësi mendore apo pakujdesi. Ama ata luten, mos na rëndoni situatën tonë se nuk ka lidhje me asnjë presioni.

A mund të jenë këto debati kryesor kur nuk ka lidhja ngjarja, kur familja thotë nuk ka lidhje. Familja, po të kishte lidhje, do ta thoshte.

E kam quajtur, sepse e thashë edhe sot, edhe ajo që u bë me atë zonjën, ishte një gjë shumë e rëndë. Urdhëro ku përfundoi ajo, shkoi prapë në spital dhe uroj të dalë. Por nuk duhet të krijojmë zhurma aty ku nuk kemi qartësi.

Ja pra që ky paska probleme të vetat.

Edhe njëherë pse e kam mbështetur protestën. E kam mbështetur për ato dy raste. Se mua më janë dukur qëndrime shumë cinike qoftë i Edi Ramës, qoftë i ministrit të tij, për Martin Canin dhe Egli Progën.

Mariglen Kume, MCN: Ju, në konferencën e parë të këtij viti paralajmëruat kompanitë të cilat do të marrin pjesë në garën për Portin e Durrësit, oe do të përballen me ligjin. Jo më shumë se një javë në Portin e Durrësit u kapën 1 milionë litra naftë kontrabandë, dhe në këtë rast i kursyet kompanitë private dhe e latë vetëm te shteti përgjegjësinë. Pse nuk flet opozita për këto dy raste?

Berisha: Këtu para jush kam denoncuar kontrabandën e naftës me shifra, e cila është jo më pak se 300-400 mijë ton në vit.

Kam deklaruar se naftë pa pjesëmarrje të qeverisë nuk kontrabandohet dot kurrë. Jo, kurrë. Nuk mundet sepse nuk vjen më nafta me kamionë, nafta vjen me anije. Hyn kur qeveria i hap portin dhe pa diskutim që kompania që e ka bërë, nuk e di cila është, cilado duhet të ndëshkohet për kontrabandën, por që është qeveritar mbrapa saj, të garantoj 100 përqind.

Përndryshe, kemi një fenomen tjetër, çdo sirenë jahti që dëgjon në Durrës, u kushton shqiptarëve 500 mijë litra naftë. Vijnë e marrin me 500 lekë. Bëhen lajme na erdhi filan jaht, shtrohet një drekë ose një darkë për kryeministrin aty, dhe qytetarët paguajnë minimumi 1200 lekë për litër naftë të atij që merr në Shqipëri.

Dhe kjo është një vjedhje që Edi Rama i bën pasuritë kombëtare me miliardera.

Dhe thotë se i bëhet reklamë Shqipërisë. I bëhet reklamë Shqipërisë për korrupsion. Po pse nuk i hap Italia ato, ja ku i ka portet afër nesh. Pse nuk i jep Greqia? Greqia ka qindra porte.

Por del Shqipëria dhe e jep naftën me 500 lekë litri.

PËRMBYLLJA E KONFERENCËS

Berisha: Këto që lexova aty tek Skrapi, ku është dëshmi e angazhimit direkt të Taulant Ballës në aferën e Toyota Yaris, por vetëm dosjen e dorëzimit të heqjes së sekuestros për pasuritë e sekuestruara, çfarë angazhimi ka patur. Këtu e dini, janë një prokuror, me tre të tjerë të arrestuar, por jam përqendruar vetëm te kjo pjesë, se kjo dosje ka dhe kapituj të tjerë të cilat unë do t’i paraqes.

Po të mbaroj njëherë me Taon, me kriminelin që shëtit ministër, që shëtit poshtë e përpjetë, por që mbrohet nga Skrapi, dhe pastaj do të kalojmë në kapituj të tjerë të dosjes.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale