Berisha-partnerëve: Në qoftë se nuk gjeni forcë të kuptoni dramën që u krijua me drejtësinë, të paktën mos vazhdoni të mbështesni Edi Ramën

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Në fjalën e tij në tubimin tek rruga e Shpresës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve për revolta pasi në këtë vend, të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu të vetëm. ‘Një regjimi që ka vendosur mbi shqiptarët sundimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së tmerrshme të qytetarëve shqiptarë. Miqtë e mi, protesta kundër formës më të egër, më të shëmtuar të diktaturave, të cilën Huntington, ky gjeni i historisë dhe sociologjisë e quan diktaturën e bandave, ju pra po zhvilloni betejën më të vështirë kundër diktaturës më të keqe’, theksoi Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë apel partnerëve ndërkombëtarë që të mos e mbështesin më Edi Ramën dhe drejtësinë e kapur prej tij. ‘Në qoftë se nuk gjeni forcë të realizoni dramën që u krijua me drejtësinë, të paktën mos vazhdoni të mbështesni Ramën’, u shpreh Berisha gjatë tubimit qytetar në mbështetje të tij te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të dalin në anën e së drejtës. ‘Në qoftë se nuk qëndroni dot në anën e interesit demokratik të shqiptarëve, mos qëndroni më në anën e kryekriminelit të Shqipërisë, kryebanditit, kryehajdutit Edi Rama’’ u shpreh Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka siguruar mbështetësit demokratë se kauza e tyre do të triumfojë. ‘Kauza jonë do triumfojë! U kalua një provë e madhe, prova tjetër është fitorja. Qeveri teknike dhe fitore’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha në fund të fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Ju burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, që protestoni me guxim, me revoltë, çdo ditë, çdo natë.

Me shembullin tuaj, me qëndresën tuaj ju jeni shpresa e fundit.

Ju jeni burimi i vetëm i frymëzimit të qytetarëve shqiptarë kundër një regjimi diktatorial.

Një regjimi që ka vendosur mbi shqiptarët sundimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së tmerrshme të qytetarëve shqiptarë.

Miqtë e mi, protesta kundër formës më të egër, më të shëmtuar të diktaturave, të cilën Huntington, ky gjeni i historisë dhe sociologjisë e quan diktaturën e bandave, ju pra po zhvilloni betejën më të vështirë kundër diktaturës më të keqe.

Kundër asaj diktature, e cila si pushtim i brendshëm ka përzënë nga vendi rreth 40 përqind të qytetarëve shqiptarë.

Kundër atij regjimi që varfëron shqiptarët çdo ditë, çdo muaj e më shumë dhe i largon ata në dhera të huaja.

Shkreton këtë vend më shumë se çdo pushtim i huaj.

Më shumë se çdo epidemi në historinë e tij.

Miqtë e mi, ju protestoni çdo natë.

Ju protestoni te bashkia.

Të tjerët protestojnë në Thumanë, të tjerët në Maliq sepse në këtë vend ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, vetëm revolta, vetëm protesta kundër tij është rruga e vetme.

Është rruga e vetme për të mos u shndërruar në fasadë të regjimit më kriminal që Shqipëria ka pasur në tërë historinë e saj.

Qytetarët shqiptarë janë qytetarët e vetëm në Europë, të cilët janë me drejtësi të munguar.

Shteti ligjor në Vietnamin e diktaturës komuniste është 4 kate mbi shtetin ligjor të mobokracisë së Shqipërisë, anëtare e NATO-s, kandidate e BE, turpi, faqja e zezë e Europës dhe e botës.

Qytetarët shqiptarë janë të vetmit që për një vendim drejtësie, duhet të presin 14.6 vite dhe si shpërblim marrin mesazhe se ne mbështesim drejtësinë e re. Se ne kemi besim te drejtësia e re.

Zotërinj, të nderuar partnerë, mos u tallni më me shqiptarët. Për çfarë drejtësie bëni fjalë ju?

Për drejtësinë që për të marrë vendimin në gjykata, duhet të presë 14 vite shqiptari?

Po të paktën këtë mos e bëni.

Për cilën bëni fjalë ju? Kur kryeministri, i ka vënë drynin Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë norma kushtetuese në doktrinën e të drejtës.

Zotërinj, në qoftë se nuk gjeni forcë të realizoni dramën që u krijua me drejtësinë, të paktën mos vazhdoni të mbështesni Edi Ramën.

Të mbështesni Edi Ramën se shqiptarët po qeshin dhe bota do qeshë me ju.

Urdhëroni çfarë ndodh me drejtësinë e re. Të nderuar partnerë, pasi u shemb Teatri Kombëtar njëshekullor, pasi u shemb në një akt prej Neroni, Gjykata Kushtetuese mori vendim të ndërpresë çdo akt dhe i dha të drejtë qytetarëve të Tiranës dhe Aleancës.

Pas katër vitesh, drejtësia e re e mercenarëve si Zamani u kujtua më në fund të hapë dosjen për ta mbyllur përfundimisht këta faqezinj që nuk kanë ligj as moral, por zbatojnë vetëm urdhra të një kryehajduti që quhet Edi Rama.

Që blen dhe shet çdo ditë dhe shkatërron Shqipërinë.

Ju lutem, zotërinj, ju vëzhgoni këtu, nuk paguheni ju nga qeveritë tuaja për të mbështetur një bandit-regjim se ky.

Nuk paguheni nga qytetarët tuaj për të mbështetur krerët e narkoshtetit shqiptar.

Zotërinj, në qoftë se nuk dilni dot në anën e të drejtës, në qoftë se nuk qëndroni dot në anën e interesit demokratik të shqiptarëve, mos qëndroni më në anën e kryekriminelit të Shqipërisë, kryebanditit, kryehajdutit Edi Rama.

Qytetarë dhe qytetare, koha është e juaja.

Koha është të merrni në dorë fatin tuaj.

Asgjë nuk e shpëton më Shqipërinë përveç vendimit tuaj për të marrë në dorë fatin tuaj.

Unë e kuptoj se mbi ju vepron mizorisht 24 orë në 7 ditë një propagandë toksike e ushqyer me paratë e krimit të qeverisë.

Papagaj të saj, të cilët kanë humbur çdo normë dhe standard etik, mashtrojnë dhe intoksikojnë qytetarët.

Vjedhjen e quajnë virtyt, mandatet e grabitura i quajnë fitore.

Shndërrimin e krimit në votë e quajnë rezultat.

Shndërrimin e votës në krim e quajnë meritë.

Unë e kuptoj intoksikimin propagandistik të kësaj propagande, që është po aq e shpifur sa ç’ishte propaganda naziste dhe komuniste, po ato ishin një ideologji, kurse kjo është vetëm vjedhje, vjedhje, vjedhje e shqiptarëve.

Mafie, mafie, mafie e shqiptarëve!

Çdo minutë, çdo orë, papagajtë e qeverisë ju mashtrojnë.

Kripto-avoketërit e regjimit që lëpijnë kockat e tij me qyrk opozitari, nga mëngjesi në darkë sulmojnë opozitën.

Prandaj dhe ju jeni heronj të vërtetë që qëndroni në këtë terren.

Që nuk dorëzoheni dhe nuk do të dorëzoheni kurrë!

Apolegjetërit e mashtrimit, apostujt e krimit, e drogës, e vjedhjes, sot janë në revansh të plotë.

Por sot, përsëri gjithnjë e më shumë ka qytetarë që zotohen dhe do zotohen për t’u përleshur me Hasinanë e Tiranës, me Maduron e Tiranës.

Për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë, sado që t’u fryjnë brirëve të mashtrimit papagajtë e qeverisë, kripto-avoketërit e votës së vjedhur, e rezultateve kallpe, e votës së shitur, përsëri kauza jonë nuk mposhtet.

Kauza jonë do triumfojë!

U kalua një provë e madhe, prova tjetër është fitorja. Qeveri teknike dhe fitore.

Ndaj dhe shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh për ju, oratorët e Parlamentit të Lirisë, qytetarët dhe qytetaret që ngrihen si viganë, që kanë vendosur të përballen me të keqen më të madhe që kombi ka pasur në histori, Edi Ramën, regjimin e tij.

Edhe njëherë mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale