FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR ÇESHTJET SOCIALE DHE PUNEN
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pranishëm në prezantimin e programit qeverisës të PD-së 2025-2029, foli për vjedhjet e qeverisë së Edi Ramës. Berisha u shpreh se, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike 2005-2013 u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë me 3.8 miliardë euro, ndërsa Lubi Balluku shpërdoroi 12 miliardë euro pa ndërtuar asnjë rrugë.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit qeverisës të PD-së 2025-2029, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Shqipëria ka çmime stratosferike dhe kjo sjell dhe varfërinë. Ai u shpreh se, pensionet në Shqipëri janë të barabarta me pagesën që një gjerman bën për qenin e tij.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, u shpreh se, Partia Demokratike ka gati programin, planin për të zhdukur varfërinë e tejskajshme në Shqipëri brenda 3 muajve të parë.
Sipas Berishës, kjo është vetëm paketa e emergjencës së PD-së i shpreh se, ‘minimumi jetik do të jetë 200 euro. rroga minimale, si fillim 500 euro. Pasojat e rritjes së rrogës minimale, do kompensohet me uljen e taksave. Por qytetarët do marrin një rrogë për të përballuar jetën.
Çmimi i energjisë për pensionistët dhe në tërësi do jetë 7 lekë’, theksoi kreu i PD-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka ftuar qytetarët që të bëhen bashkë dhe të punojnë deri në 11 maj, që të ndahemi nga kjo e keqe e madhe që ka zënë Shqipërinë.
Në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të programit qeverisës të PD-së, 2025-2029 për çështjet sociale dhe punës u shpreh se ‘është koha, të dashur qytetarë, më 11 maj, të ndahemi me këtë të keqe të madhe. Dhe unë garantoj se me përparësi absolute, kjo paketë do zbatohet.
Sikundër një paketë po kaq e fuqishme do jetë për biznesin. Një paketë tjetër do jetë për fermerët. Dhe pas tyre, Shqipëria Madhështore, Shqipëria epiqendër e hightech-ut në rajon do jetë qëllimi ynë’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fund të fjalës së tij.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe një falënderim të përzemërt për të gjithë ju që jeni këtu dhe për panelistët, punën që kanë bërë në përgatitjen e këtij programi, i cili përbën edhe pjesën më të ndjeshme, më të dhimbshme, më me rëndësi jetike të programit të PD.
Në qoftë se ndalemi dhe i vështrojmë këto 12 vite të qeverisjes që po ikën, janë vitet në të cilat Shqipëria mund të përfytyrohet si një gropë e madhe që ‘hëngri’ bijtë dhe bijat e veta. Nuk i hëngri sigurisht, por i detyroi të largohej nga vendi.
I detyroi të largohej sa asnjë vend tjetër, sa nga asnjë faktor tjetër përveçse nga varfëria.
Këtu nuk kishim luftëra, këtu nuk kishte asnjë shkak. Këtu gjer në vitin 2014 popullata po rritej në këtë vend. Lehtësisht po rritej, por po rritej.
Këto ishin vitet e një përmbysje të madhe.
Vite në të cilat u thellua në mënyrën më të frikshme hendeku midis qytetarëve në tërësi, zyrtarëve të lartë dhe oligarkëve në anën tjetër.
Unë, po theksoj këtu zyrtarëve të lartë për të veçuar zyrtarët e administratës, sepse në rritjen e fundit, në fakt të parë dhe të fundit që iu bë rrogave në 12 vite, 50 përqind të fondit të rritjes së rrogave e mori nomenklatura e Rilindjes, që maksimumi bëhet 1000-1200 vetë dhe gjysma tjetër u mbeti 200 mijë vetëve.
Pra, u krijua një hendek shumë i madh, por më shumë se të gjithë të tjerët, këtë e ndjeu, apo kjo goditi pensionistët në Shqipëri.
Në qoftë se i hidhni një sy shpërndarjes së të ardhurave, çfarë do gjeni? Do gjeni se Shqipëria investon buxhetin si zë tre herë më shumë se sa vendet e BE.
Në qoftë se ndalemi, portofoli i Lubi Ballukut ka pasur 12 miliardë euro tendera dhe prokurime. Hapni sytë ku janë?
Ua them vetëm për të krahasuar një shifër. Të gjitha rrugët e ndërtuara në vitet 2005-2013 që janë 11 mijë kilometra rrugë, kanë kapur një shifër 3.8 miliardë euro.
Në qoftë se kthehemi sot, absolutisht përveç tunelit të Llogarasë, asnjë rrugë tjetër e filluar dhe e mbaruar me buxhet në këto vite, nuk ekziston. Jo, nuk ekziston.
Se si është vjedhur me rrugët, unë do u jap vetëm një shembull, i cili është unik në planet, Unazën e Madhe të Tiranës. 13 kilometrat e fundit, në mënyrë që të vidhej jo në çdo kilometër, por në 900 metër të saj, u ndanë në 14 lote. 14 kontrata!
A mundet? Nuk mund të dëgjojë kush kurrë.
A ka njerëz të tillë të pangopur, të shpërfytyruar që vërsulen mbi pasuritë publike në këtë mënyrë?
Mund t’u jap plot shifra të tjera. Po çfarë ndodhi?
Ndodhi që pensionistët, të cilët merrnin në vitin 2013 një pension mesatar 145 mijë lekë, sot marrin 160 mijë. Në atë kohë, ata merrnin më shumë se të gjitha vendet e rajonit.
Sot, pensioni në Mal të Zi është 450 euro.
Sot, në Maqedoni është 400 euro.
Në Serbi mbi 400 euro.
Në Bosnje-Hercegovinë, 300 e ca euro.
Në Kosovë, 190 euro.
Pra, në Shqipëri 160 euro.
Por, në qoftë se e krahasojmë dy periudhat, çmimet në Shqipëri në vitet 2005-2013, në raport
me çmimet në BE, jo vetëm që nuk ndoqën trendin e tyre, por në raport me ato çmime, çmimet
në Shqipëri ranë.
Kurse këto vite, çmimet e ushqimeve në raport me çmimet në BE, janë rritur me 30 përqind.
Pra, Shqipëria me çmime stratosferike dhe me pensione pothuajse të barabarta me pagesën që bën gjermani për qenin e shtëpisë. Gjermanët japin 130 euro për kafshën e shtëpisë, për qenin.
A ishte kjo mundësia? Kurrë nuk është kjo mundësia.
Po pse Mali i Zi të trefishojë pensionet? Çfarë ka? Rezerva, potenciale ekonomike shumë më të pakëta se Shqipëria.
Pse Maqedonia të trefishojë pensionet? Pse Serbia të trefishojë pensionet?
Ka vetëm një shkak, sepse bëhet një shpërndarje e buxhetit, e cila e konsideron qytetarin, e cila respekton dinjitetin e tij, e cila bën gjithçka t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.
160 euro ka qenë paga minimale e rumunëve në vitin 2013, kur këtu ishte 180 euro. Sot paga minimale në Rumani është 830 lej, pra është afërsisht 800 euro.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ekzistuar një grup njerëzish më amoralë në raport me qëndrimin ndaj qytetarit, se sa këta qeveritarë.
Si mundet? Si mundet ti të lësh qytetarët e tu në këtë mjerim ekonomik?
T’u lësh alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Nuk po ndalem në fusha të tjera, se ato dihen.
Mos të raftë ndonjë sëmundje e rëndë, sepse të merr sëmundja nga mungesa e ilaçeve, jo se nuk mjekohet. Se ilaçe nuk ka.
Se ata që duhet të sigurojnë ilaçet, duhet të firmosin marrëveshje me X spital. Gënjeshtarë të shpifur.
Po ç’punë ka marrëveshja me ilaçet që i duhen Spitalit Onkologjik? Dihet që kushtojnë, por pa diskutim do i blesh ato.
Pra është një shoqëri me një hendek të tmerrshëm.
Një shoqëri, e cila është në fakt në shpërbërje në këtë gjendje.
Ndaj dhe ne po përgatisim paketën e emergjencës, e cila tre muajt e parë do të zhdukë varfërinë e skajshme nga Shqipëria.
Varfërinë e skajshme, çdo vend i lirë, i grupit të vendeve me të ardhura si ne, e ka zhdukur.
Nuk e pranon, e përjashton nga shoqëria. Si e përjashton? Duke dhënë para, duke paguar, duke
shpërndarë më mirë të ardhurat.
Shumë thjesht, do i japësh qytetarit atë mbështetje, atë pension, atë ndihmë ekonomike që e mbron nga varfëria ekstreme.
Ndaj dhe ne, 3 muajt e parë do vendosim minimumin jetik 200 euro.
Nuk është një shumë e madhe, por shoqëria në Shqipëri nuk ka më varfëri ekstreme me këtë.
Sot duhet ta dimë, 57 përqind e pensioneve janë të pjesshme. Tani nuk ka, tani ka minimum
jetik 200 euro.
Ka rritje të pensionit mbi 200 euro me 20 përqind.
A është kjo tamam? Jo, nuk është tamam kjo. Se ai që është me 200 euro, nuk ka pse të blejë kafshatën me të njëjtin çmim si ai me 2 mijë euro.
Ai do ketë kartën e konsumatorit me të cilën do i kthehet mbrapsht e gjithë TVSH-ja që i paguhet për ushqimet, 20 përqind.
Pra, nuk do marrë bonuse që thotë ky, jo mo jo, kjo kartë është e barabartë me tre pensione në
vite.
Pensionistët pra do kenë edhe kartën e konsumatorit.
Lista e rimbursimeve do pësojë ndryshime absolutisht bazuar totalisht në nevojat dhe kërkesat e tyre.
Sigurisht ata kanë më shumë nevojë për ilaçe. Ata kanë nevojë për shumëllojshmëri ilaçesh.
Ajo listë do rishqyrtohet dhe do plotësohet me urgjencë. Me rimbursim të plotë!
Sot, ka pensionistë që as ilaçet e dy javëve nuk i blejnë dot me pension. Çfarë bën ai? Nuk
mjekohet. Ai rri në mëshirë të fatit. Të shkojë sa të shkojë. Kjo merr fund.
Askush të mos ketë as dyshimin dhe as shqetësimin më të vogël për fondet. Fondet janë që të
gjitha.
Ne nuk do kemi buxhet 8 miliardë se ne do ia lëmë biznesit. Ne do ulim taksat. Por ne me 4 miliardë që e kishim buxhetin dyfishuam rroga dhe pensione dhe ndërtuam atë infrastrukturë që ndërtuam.
Natyrisht skema e pensioneve ka domosdoshmëri të reformohet, të konsolidohet. Kolona e dytë, kolona e tretë dhe me radhë.
Por ky është një proces disavjeçar, shumëvjeçar.
Ne nuk do presim frytet e asaj. Jo, ne do shpërndajmë të ardhurat buxhetore duke vendosur qytetarin të parin.
Rrogën minimale, si fillim 500 euro. Do shkojë drejt rritjes. Pasojat e rritjes së rrogës minimale, do kompensohet me uljen e taksave. Por qytetarët do marrin një rrogë për të përballuar jetën.
Çmimi i energjisë për pensionistët dhe në tërësi do jetë 7 lekë.
Qiratë e ndërtesave sociale. Një pensionist deklaronte një ditë, që unë marr 130 mijë lekë pensionin, 62 mijë lekë i lë qira në banesën sociale. Imagjinoni ju si e mbyll muajin ky pensionist? Kjo merr fund. do jenë simbolike. Nuk them që do jenë zero, por do jenë absolutisht simbolike.
Në këtë mënyrë ne çlirojmë shoqërinë nga dhimbjet e skamjes.
Ne do bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit, sepse fitorja e kësaj beteje varet nga suksesi i biznesit.
Ju duhet ta dini se ka tre vite rresht që prodhimi bie nga viti në vit. Fatale!
Nga viti 2023-2024, eksportet janë ulur 32 përqind.
Por eksportet janë prodhim, janë punësim.
Janë sektorë që punësojnë më shumë, janë sektorë që prodhojnë më shumë.
32 përqind. Pse? Nga narkoeurot e narkotrafikantëve, e klubit Rama, e kreut të organizatës kriminale, të cilat futen me kontejnerë, shndërrohen në kulla. Kullat me çmime më të larta se në Londër dhe Paris, rrisin dhe qiratë në stratosferë, i shndërrojnë në mollë të ndaluar dhe zhvlerësojnë euron që u vjen nga jashtë pensionistëve me 38-40 përqind.
Pra, situatë alarmante, emergjente dhe ne kemi vullnetin e hekurt për ta përmbysur këtë situatë tre muajt e parë. Buxheti i parë.
Buxheti i parë do parashikojë këtë paketë dhe do e implementojë këtë paketë.
Askush të mos ketë asnjë iluzion se do mbeten punë publike pa kryer. Jo, absolutisht, do kryhen dhe shumë më tepër.
Por natyrisht me të cilat i bën Kroacia, Sllovenia, që i bëjnë vendet e BE, jo me çmime 14 kontrata për 13 km rrugë.
Është një largim i madh shumë.
Këta drejtues, këta qeveritarë janë shfrenuar totalisht në raport me problematikat e qytetarëve.
Në qoftë se ti si kryeministër të mbijnë sarajet 57 metër të gjata themelet me oborr 8 mijë metra, duke pasur të treguara në ILDKP gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë, ti erresh dhe zgjohesh në shpellë hajduti. Ajo shtëpi është shtëpia e hajdutit.
Ti mendon se merr ajër të pastër aty, por shpirti nuk të gjen kurrë qetësinë sepse e ke ndërtuar pikërisht me këto pensione që ke vjedhur, e ke ndërtuar pikërisht mbi djersën e këtyre njerëzve.
Dhe u thua pastaj se fajin e kanë këta që mbajnë punëtorë në të zi. E gjithë administrata është në të zi. Debitori kryesor i fondit të sigurimeve shoqërore është administrata e Edi Ramës.
Jashtë çdo lloj koncepti. Këtej u thotë pensionistëve ju i mbani punëtorët në të zi, ky mban
administratën në të zi.
Pra, të gjitha këto kërkojnë një ndërhyrje të fortë, të cilën ne jemi të përgatitur ta bëjmë me shumë sukses.
Ndaj me këtë rast, unë ftoj çdo pensioniste dhe pensionist, ftoj çdo rrogëtar të këtij vendi, çdo rrogëulët, çdo rrogëtar me rrogë të mesme, çdo të ri, që të punojmë këto 70 ditë që kanë mbetur nga 11 maji dhe të ndahemi me këtë të keqe të pakrahasueshme.
Shumë nga ju e dini, Enver Hoxha në diktaturë, edhe ai mbante pensionet, por ai çmimet nuk i rriste ama, ose rritje shumë e lehtë. Rrogat dhe pensionet i mbante të fiksuara. Paratë i fuste në tunele dhe bunkere.
Këta bunkere dhe tunele nuk ndërtojnë, por këta i fusin në konto offshore, këta i shndërrojnë në vila, në hotele, në pallate, në pasuri të tyre.
Ka një dallim këtu, diktatori më gjakësor në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, vilën nuk e regjistroi për familjen e tij. Jo, e ndërtoi, ia mori pronën tjetrit, e ndërtoi në pronë të tjetrit, por në dokumente nuk u regjistrua si pronë e familjes së tij.
Kurse këta, absolutisht haptas dhe fshehtas, me emra false, nuk ka njerëz më të pasur se këta
sot.
Ndaj dhe është koha, të dashur qytetarë, më 11 maj, të ndahemi me këtë të keqe të madhe.
Dhe unë garantoj se me përparësi absolute, kjo paketë do zbatohet.
Sikundër një paketë po kaq e fuqishme do jetë për biznesin. Një paketë tjetër do jetë për fermerët.
Dhe pas tyre, Shqipëria Madhështore, Shqipëria epiqendër e hightech-ut në rajon do jetë qëllimi ynë.
FJALA PËRMBYLLËSE
Unë dua të garantoj audiencën këtu dhe të gjithë ata që na ndjekin se, ato çka ju deklaruat janë elementë thelbësorë të programit dhe do të zbatohen pikë për pikë.
Besimi ynë i madh është tek individi dhe iniciativa e tij e lirë, tek suksesi i tij. Dhe ato masa me të cilat u sulmua këtu shtresa e mesme, ajo taksë famëzezë 23% që kishte synim shfarosjen e saj, faktikisht largimin e saj nga Shqipëria, gjykata reagoi por garantoj se do të jetë zero. Sikundër, nuk do ketë taksë për biznesin e vogël.
Energjia do të jetë me një çmim, të paktën tri herë më të ulët, minimumi tri herë. Po, do të jetë 6 lekë. Është 18 gjer në 24 lekë, do të jetë 6 lekë.
Taksa e sigurimeve shoqërore do të ulet në mënyrë të ndjeshme.
Në vitin 2005, Shqipëria ka patur një diferencë në rroga midis burrave dhe grave që shkonte 36%. Në vitin 2013, kjo diferencë zbriti në 17.8% dhe ishte 0.3% e ndryshme nga ajo në BE. Por, në BE kishte vende që këtë diferencë e kishte shumë më të ulët se 17%. P.sh Italia e ka mjaft më të ulët. Kështu që, ne do bëjmë gjithçka për të realizuar vërtetë barazinë gjinore në aspektin ekonomik dhe në aspekte tjera.
Do bëjmë gjithçka për një rol sa më të rëndësishëm të vajzave dhe grave në Shqipëri.
Sot, e keni përdor dhe e përdorim gjithnjë, nëna kryefamiljare. Në fakt, sot duhet prind kryefamiljar, sepse ky është realitet i yni, por edhe për prindin kryefamiljar të vetëm do ketë një politikë të veçantë mbështetje dhe kujdesi.
Një përmbysje e qëndrimit të gjersotëm të shoqërisë ndaj personave me aftësi ndryshe. Sot, këta persona përjetojnë mungesa shumë të mëdha të mjeteve të jetesës dhe të përballimit të problematikës.
Absolutisht, një paketë e veçantë do të jetë për lehtësimin e jetës së tyre, për integrimin e tyre, për trajtimin e tyre. Natyrisht, një dimension jetik për ta, por që mungon sot është rehabilitimi dhe riaftësimi. Nuk ka një dimension të tillë real në Shqipëri.
Ne do investojmë fortë dhe do të zhvillojmë këtë dimension shumë të rëndësishëm.
Desha të shtoj këtu, jeni të ftuar ju të pranishëm këtu, janë të ftuar të gjithë qytetarët që për çdolloj, për çdo ide, propozim, sugjerim që kanë t’i adresohen departamentit të Çështjeve Sociale, në mënyrë që programi ynë të jetë më i ploti, të jetë me të vërtetë një program në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Faleminderit!