Berisha: Opozita po qëndron dhe do të qëndrojë e gatshme për çdo sakrificë! Ne po mbrojmë idealet e qytetarëve

KRYETARI I PD, SALI BERISHA PRONONCIM PËR MEDIA JASHTË KRYESISË SË KUVENDIT

EKSTRAKT

Jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, Kryetari i PD, Prof. Dr Sali Berisha u shpreh për mediat se, opozita po qëndron dhe do të qëndrojë e gatshme për çdo sakrificë. Berisha tha se, opozita po mbron idealet e qytetarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama urdhëroi sanksionimin e tij sepse e di se do e kërrejë nga pushteti bashkë me popullin opozitar.

Berisha tha se nuk ka marrë asnjë njoftim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ai u shpreh gjatë prononcimit për media se, kreu i SPAK po sillet si një bandit.

Berisha tha se, nuk ka ndodhur në historinë e botës që deputetët të futen nga dritarja, dhe kjo tregon fytyrën e vërtetë të Ramës.

PRONONCIMI I PLOTË

Sot parlamenti Rama-Linda urdhëroi në kundërshtim me Kushtetutën, mbylljen e dyerve të këtij institucioni, mbyllje e cila mund të ketë ndodhur në kohërat më të zeza të diktaturës, dhe kurrë ndonjëherë tjetër, për deputetët e opozitës që të hyjnë në zyrën e grupit të tyre parlamentar.

Ky akt antikushtetues, antiligjor, tregon të dashur qyteatarë dhe qytetare situatën kritike që ndodhet në vend.

Tregon frikën e tmerrshme, lepurin e madh që i ka hyrë në bark Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale.

Kurrë ndonjëherë nuk mundet një roje të ndalojë një deputet të hyjë në një institucion, pa lere më në zyrën e tij. Me ligj dhe Kushtetutë, deputeti ka të drejtë të hyjë në çdo institucion.

Deputeti nuk mund të pengohet kurrë të hyjë në zyrën e tij. Kjo ndodhi sot me Edi Ramën, i cili, edhe njëherë në grahmat, në përpëlitjet e tij, nuk njeh më asnjë lloj ligji dhe Kushtetute dhe përpiqet të mbahet zvarrër në pushtetin e tij të krimit.

Sot, për herë të parë në historinë e planetit, grup deputetësh të PD u detyruan të bëjnë Tarzanin për të hyrë në zyrën e tyre në parlament, të ngjiten mbi mure. Kjo skenë është një skenë unike në mediat e botës, kjo skenë po qarkullon sot në katër anët e planetit si dëshmia më flagrante e narkoshtetit, e regjimit të Edi Ramës, të bazuar në drogën, krimin, vjedhjen dhe vasalët e tij.

Akt më të turpshëm, akt më të rëndë nuk mund të ketë. Deputetët e opozitës kishin mbledhjen e tyre në sallën e grupit parlamentar.

Ti mund ta përjashtosh deputetin sipas rregullave nga pjesëmarrja në seancë plenare, mund ta përjashtosh atë nga pjesëmarrja në komisione, por kurrë pa i hequr imunitetin, nuk mund ta përjashtosh nga pjesëmarrja në mbledhjen e grupit parlamentar.

Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

Kjo ndodh vetëm për shkak të përroit psikik të një njeriu, i cili i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me krimin, të një njeriu me procese penale në SHBA dhe ndonjë vend tjetër, përpiqet tani të mposhtë opozitën në këtë mënyrë. Ju garantoj se sot opozita është më e fortë se kurrë.

Unë sot u drejtohem nga ky vend, të gjithë qytetarëve shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre partiake.

Kjo që ndodh është asgjësimi i parlamentit. Dhe të gjithë ju, pavarësisht bindjeve partiake, që besoni se një parlament pluralist është jetik për liritë tuaja, është jetik për zhvillimin e vendit.

Kjo skenë, ky akt dhe ky vendim është atentati më i rëndë, më vdekjeprurës pikërisht ndaj pluralizmit politik në parlament.

Sot unë i drejtohem popullit opozitar: opozita po qëndron dhe do qëndrojë e gatshme për çdo sakrificë, për të mbrojtur idealet tuaja, për të  mbrojtur aspiratat tuaja, për të mbrojtur besimin tuaj se Shqipëria duhet të jetë një vend pluralist. Se përfaqësuesit tuaj duhet të kenë të drejtë të ngrenë komisione parlamentare, siç thotë Kushtetuta, për të hetuar abuzimet, vjedhjet, lidhjet me krimin të qeverisë.

Ajo që po bën sot opozita është në mbrojtje të idealeve tuaja, për të cilat ju i sollët në parlament këta deputetë. Ju nuk i sollët në parlament ata për të mbajtur fjalime, ju i sollët ato në radhë të parë për të bërë ligje, rezoluta në përputhje me interesat tuaja. Deputetët që keni sjellë në parlament, kanë depozituar në emër tuaj dhe të interesave tuaja, në përputhje me Kushtetutën, 32 ligje dhe rezoluta. Dhe të gjitha mbahen në sirtarin e Lindës së parlamentit me urdhër të Ramës. Asnjë prej tyre nuk kalon në komisione, asnjë prej tyre nuk vjen në seancë parlamentare.

Ne jemi këtu për të mbrojtur votën dhe idealet tuaja në këtë betejë dhe nuk ndalojmë përpara asgjëje, sepse Edi Rama dhe Linda e tij kërkojnë t’i imponojnë opozitës se kush duhet të përfaqësojë atë, në kundërshtim me çdo praktikë, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, në kundërshtim me traditën 32-vjeçare.

Ne emërojmë Oerd Bylykbashin si përfaqësues tonë në kryesimin e komisionit zgjedhor. Edi Rama ka frikë, ka tmerr. Bylykbashi është një nga juristët me njohuritë më të mëdha në të drejtën elektorale. Ai ka një eksperiencë ndërkombëtare dhe kombëtare në këtë fushë që e tmerron Edi Ramën.

Ndaj dhe në vend të tij, emëron Alibashën, njeriun që voton ose është zotuar të votojë rrogën e partneres së tij 6 milionë lekë si përfaqësuese e Edi Ramës në Gjykatë Kushtetuese.

Pra, këto janë. Edi Rama, i tmerruar nga një opozitë në këmbë, i tmerruar nga një opozitë që nuk e kontrollon dot më, por që mbron interesat e popullit opozitar dhe të vendit, urdhëron mercenarët e tij në gjykata dhe prokurori, një bandë e vërtetë që funksionon në SPAK si organizatë kriminale, duke shkelur ligjin, të sanksionojë kryetarin e PD, vetëm e vetëm pse atë nuk e kontrollon dot, vetëm e vetëm pse e din se ai do e kërrejë nga pushteti, bashkë me popullin opozitar.

Sqaroj edhe njëherë, i jam përgjigjur çdo thirrje në jetën time, çdo gjykate dhe prokurori dhe do vazhdoj pa asnjë lëkundje, por nuk do pranoj kurrë në emrin tuaj, në emrin e interesave tuaja, asnjë vendim antikushtetues nga kushdo tjetër. Sepse kjo do të thotë gjëmë për secilin prej jush, do të thotë gjëmë për vendin. Faleminderit!

Pyetje: Z.Berisha, a i druheni ju një vendimi të Gjykatës së Posaçme për ashpërsim të masës duke qënë se ditën e sotme ju nuk keni shkuar për t’u paraqitur?

Berisha: Ditën e sotme unë nuk kam asnjë njoftim, përveç njoftimeve publike. Ato nuk kanë asnjë vlerë. Unë kam një institucion, dhe institucioni zyrtar i punës për mua është parlamenti i Shqipërisë.

Çdo njoftim, kushdo që të ketë nga institucionet, për deputetin, e sjell në parlament.

Këtu nuk ka ardhur asnjë gjë. Asnjë njeri nuk ka marrë asnjë dokument.

Pyetje: Çfarë ndodh nëse nesër SPAK në mungesën tuaj sot do të sjellë në Kuvend një shkresë ku autorizon masën arrest shtëpie?

Berisha: A e kupton ti që ai nuk guxon ta bëjë ta bëjë këtë se ai duhej të sillej jo si bandit, por si zyrtar dhe të kërkonte që Sali Berisha të paraqitet, këto dhe këto, dhe ta vendoste parlamenti, do ta votonte edhe Sali Berisha vetë.

Por ai nuk e bën këtë se do të sillet si bandit. Dhe ju dhe askush nuk duhet të bëjë avokatinë e një banditi.

Sepse avokatia e një banditi nuk i shërben asnjeriu.

Pyetje: Sot në mbledhje është diskutuar mundësia për përshkallëzimin e aksionit opozitar

Berisha: Opozita nuk përjashton asnjë hap, por ju e shihni që ajo po bën një betejë me një vendosmëri, e cila e futi parlamentin në klandestinitet. E futi parlamentin në klandestinitet në kundërshtim të hapur me rregulloren e tij.

Sot parlamenti i Shqipërisë funksionon në Zoom, i cili parashihet në gjendje të jashtëzakonshme dhe në pandemi, asnjëherë tjetër.

Opozita, ju garantoj se do vazhdojë betejën e saj gjer në fitoren e sigurt të kauzës së drejtë. E provuan sot, sot mbyllën dyert në aktin më të turpshëm në histori për deputetët imunitarë, për të ardhur në zyrën e tyre.

Ata u futën nga dritarja, dështuan. Në historinë e botës nuk ka një rast të tillë. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.

Pyetje: Z.Berisha në kushtet ku tani të gjithë komisionet po zhvillohen online, betejën tuaj do ta vazhdoni vetëm me Gardën e Republikës?

Berisha: Betejën tonë do e vazhdojmë me regjimin e Edi Ramës. Garda e Republikës janë rrogëtarë për ne. Të cilët një gjë kanë, por bëjnë gabimin më të madh që zbatojnë urdhra antiligjorë. Për këtë ua them.

Ata janë zyrtarë, janë njerëz, punonjës, të cilët në ligjin e tyre, si ata dhe policia, të gjithë, kanë një nen: nuk zbatohen urdhrat antiligjorë. Ua rikujtoj këtu. Nuk zbatojnë urdhrat antiligjorë.

Pyetje: Po qytetarët kur do i thërrisni në protestë?

Berisha: Qytetarët janë të gatshëm, por siç e shihni e kemi marrë këtë me shembull personal.

Ata që do t’i thërrasin në protestë, duhet të japin njëherë shembullin e tyre personal të protestës dhe besoj se po e japim.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale