KONFERENCA ME GAZETARËT E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës të mbajtur me gazetarët tha se Partia Demokratike do të ofrojë një zgjidhje të plotë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë gjatë mandatit të parë qeverisës. Berisha theksoi se marrëveshja e vitit 2006 është e tejkaluar dhe se PD do të ndryshojë ligjet për të eliminuar kufizimet që pengojnë dëmshpërblimin e këtyre personave. Berisha gjithashtu shprehu angazhimin për integrimin e kësaj shtrese në institucione dhe aplikimin e standardeve të dekomunistizimit. Po ashtu, ai njoftoi se PD do të punojë për një zgjidhje përfundimtare të çështjeve të pronës në Shqipëri.
Kryedemokrati, Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra Partisë Socialiste për mospranimin e dokumenteve biometrike të vendeve të BE-së në procesin e regjistrimit të diasporës për të votuar. Ai theksoi se kjo është absurde dhe që dokumentet biometrike ndërkombëtare kanë certifikim ndërkombëtar dhe duhet të pranohet, pasi refuzimi mund të përjashtojë shumicën e emigrantëve nga mundësia e votimit. Berisha shtoi se PD është e gatshme të paraqesë amendamente në parlament për të ndryshuar këtë situatë dhe se negociatat për këtë çështje po vazhdojnë.
Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një organ politik që vepron sipas urdhrave të Partisë Socialiste, veçanërisht të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Ai akuzoi gjykatën se krijon çështje që nuk ekzistojnë dhe se shpiku çështje të pa kërkuara, si në rastin e kërkesës për proporcionalitet. Berisha gjithashtu e cilësoi gjykatën si kaotike dhe të paaftë për të respektuar parimet themelore të drejtësisë dhe të konfliktit të interesit.
Lideri opozitar, Sali Berisha tha se statuti i Partisë Demokratike është mbi udhëheqësin dhe se ai do ta zbatojë atë në mënyrë rigoroze. Ai theksoi rëndësinë e decentralizimit të procesit të regjistrimit të diasporës dhe përpjekjet për të arritur një pjesëmarrje sa më të madhe të votuesve shqiptarë jashtë vendit. Berisha njoftoi se shumë shpejt do të hapet gara për kandidatët për deputetë dhe për procesin e brendshëm të partisë.
FJALA E PLOTË
Shtresa e të përndjekurve politikë përbën fibrën politike dhe morale të PD.
PD është e vendosur që në mandatin e ardhshëm të japë zgjidhje përfundimtare detyrimeve të mëdha që shoqëria shqiptare ka ndaj kësaj shtrese.
Në qoftë se flasim për një program, nuk është asgjë tjetër veçse detyrimi madhor i dëmshpërblimit të punës skllavëruese që dhjetëra mijëra të përndjekur politikë kanë kryer në kampet dhe burgjet e diktaturës gjatë 46 viteve.
Dëmshpërblimi i tyre i plotë është zotimi ynë para kësaj shtrese.
Faktikisht, marrëveshja e vitit 2006, mbi të cilën u përcaktua kuadri i dëmshpërblimit, është e tejkaluar, pasi ligjet aktuale kanë kufizimet e veta dhe Edi Rama, duke shpallur komunizmin dhe regjimin komunist si anë e drejtë e historisë, paçka se ishte ana më e zezë e historisë, ka injoruar në mënyrë pothuaj të plotë dëmshpërblimin e kësaj shtrese, skajimin e saj.
Unë sapo vij nga një takim shumë i frytshëm, një diskutim i gjerë me këtë shtresë dhe ramë dakord për një marrëveshje të re midis PD dhe shtresës të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të tyre, në mënyrë që ajo të jetë program qeverisës i yni.
Nuk mund të ketë më asnjë lloj justifikimi pa bërë të gjitha ndryshimet ligjore, të cilat janë atavizma të regjimit komunist në disa aspekte mbi cilësime për ‘akte terroriste’ apo sabotime, të cilat nuk kanë pasur asnjë qëllim tjetër, përveç luftës ndaj diktaturës.
Nuk mund të mos vazhdohet me praktikat e diskriminimit pozitiv në të gjitha aspektet, gjersa të krijohet balanca midis shtresave të popullatës dhe kohezioni midis tyre.
Integrimi i shtresës së të përndjekurve politikë në institucionet e vendit, forumet, është gjithashtu e domosdoshme.
Sikundër aplikimi i standardeve të reja të dekomunistizimit, e bazuar në rezoluta ndërkombëtare.
Pra, PD zotohet për t’i dhënë përgjigje përfundimtare problemeve të dëmshpërblimit të të përndjekurve gjatë mandatit të saj të parë.
Pret me kënaqësi një marrëveshje të re në formë kontrate me këtë shtresë.
Sikundër dua t’u informoj se të njëjtën gjë do bëjmë edhe me pronarët.
Mandati i ardhshëm i PD do jetë mandati i zgjidhjes përfundimtare të çështjeve të pronës dhe pronësisë në Shqipëri.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju para disa ditësh deklaruar se do të ketë një auditim të regjistrimit të diasporës në KQZ. Duke parë se ky është një proces mjaft i rëndësishëm, cila janë vështirësitë që PD ka konstatuar dhe çfarë po bëni ju për ti ardhur në ndihmë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sali Berisha: Së pari, kërkohet shtimi i operatorëve që trajton të dhënat e të regjistruarve. KQZ është zotuar që ky shtim do të ndodhë menjëherë, por ke parasysh një gjë, që KQZ komandohet, në një mënyrë ose në një tjetër nga PS, e cila bën gjithçka për ta vonuar këtë proces. Shtimi i operatorëve në procedimin e të dhënave është një nga problemet serioze.
Së dyti, ka probleme me identifikimin e kartave, por këto janë të kompanisë së kontraktuar.
Auditët tanë po merren edhe me këtë çështje.
Çështje themelore që mbetet këtu është kjo, pranimi i dokumenteve biometrike të vendeve të tjera. Ka një hezitim nga socialistët, sepse për arsye absurde, dokumentet biometrike të vendeve anëtare të BE, tani është koha e biometrisë, nuk mund të vihen në diskutim në mënyrë absolute nga autoritetet shqiptare. Ato kanë certifikim ndërkombëtar. Se në qoftë se ecim me këtë logjikë, se do votojnë vetëm ata që disponojnë biometri shqiptare, kështu mund të përjashtosh dy të tretat e emigracionit dhe diasporës nga votimi. Por negociatat po vazhdojnë.
Dje ju e dëgjuat zotin Bylykbashi, që tha se ne jemi të gatshëm të dërgojmë amendamentin në parlament për të bërë ndryshimet e nevojshme në rast se nevojiten.
Megjithëse bonsensi kërkon që asnjë lloj ndryshimi. Një dokument biometrik gjerman, amerikan, italian, francez, është i barasvlershëm në çdo kohë me dokumentin biometrik shqiptar. Tani të jem i sinqertë, lëvizja e tyre nuk përbën ndonjë problem madhor, por vetëm se duhet të justifikohet, duhet të bindemi pse kërkohet. Disa afate na thonë se i dikton edhe posta ndërkombëtare. Ne po i shqyrtojmë këto propozime para se të vendosim.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Dje ka patur një vendim nga Gjykata Kushtetuese përsa i përket ankimimit tuaj. Duke parë vendimet e fundit të Kushtetueses, thuhet se mungon korumi i anëtarëve të saj. A mund të themi se kemi Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri?
Sali Berisha: Ata i bëjnë vetë ato, i krijojnë kur duan kanë kuorum, kur nuk duan, nuk kanë kuorum. Brenda seancës, brenda procesit, për disa nuk kanë kuorum, për disa nuk kanë kuorum. I krijojnë vetë ata. Ajo është një gjykatë që është gjykata më politike. Është faktur kjo. Ajo i merr urdhrat nga Edi Rrama, nga Engjëll Agaçi.
Këtë do e nxjerrësh kështu, atë do e nxjerrësh ashtu. Këta bëhen qesharakë. Këtu thonë që Irena me 5 mbiemra është gjykuar, po ajo nuk është gjykuar. Para tre javësh thanë se nuk është gjykuar. Është në kaos të plotë. Është një gjykatë mjerisht shumë kaotike. Nuk respekton as parimet më elementare të konfliktit të interesit. Parimet më elementare të të drejtave. Gjykon për gjëra që nuk i kemi gjykuar.
Në këtë dosje për shembull nuk e kemi kërkuar proporcionalitetin. Nuk e kemi kërkuar. Gjykata shpik një çështje pa e kërkuar. Është e kotë, është në një kaos. E tillë është ajo, repart i PS.
Anisa Kadesha: Ndërsa ju jeni shprehur pro mbajtjes së primareve, deputetë dhe përfaqësues të PD thonë se ato nxisin konfliktin në bazë dhe anëtarësi. A do të ketë një reflektim nga ana juaj apo jeni i vendosur.
Sali Berisha: Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet.
Siç e shihni ka një përqendrim shumë të madh për votën e diasporës dhe faktikisht ne e kemi decentralizuar. Pra janë shumë drejtues tonë, lokalë dhe qendror që ndodhen sa në Shqipëri dhe në vende të tjera në kontakt që të mund të realizojmë regjistrimin sa më të madh të votuesve tanë jashtë vendit. Shumë shpejt do të hapet dhe gara për deputetë dhe për gjithë procesin.