Berisha: Nuk është betejë për partinë, por për Shqipërinë, kjo foltore është edhe për të shpëtuar familjen. Ky regjim është një kalbësirë dhe ne duhet ti përvishemi që të bjerë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E MIRDITËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve’ në Mirditë, ka shprehur mirënjohjejen dhe respektin ndaj qytetarëve dhe demokratëve të Mirditës, duke theksuar rolin e tyre si shembull guximi dhe dinjiteti. ‘Vij tek ju me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes, të përulem para jush, mençurisë tuaj, dinjitetit tuaj. Ju jeni shembulli i guximit të njeriut, për tu ndarë nga e keqja.’, tha Berisha

Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij, e vendosi menjëherë theksin mbi rëndësinë historike të foltores, duke e paraqitur atë jo thjesht si një instrument politik, por si një simbol të jetës së tij, të demokracisë dhe të vlerave të familjes shqiptare: ‘Është foltorja e jetës time, është foltorja për demokracinë, për familjen, për Shqipërinë.’

Në fjalimin e tij, lideri i demokratëve Sali Berisha nuk kurseu kritikat ndaj qeverisjes së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një rrezik të madh për kombin, demokracinë dhe ekzistencën e popullit shqiptar. Ai përmendi drejtpërdrejt ndikimin e regjimit mbi jetën e qytetarëve, investimet e pjesshme dhe favorizimin e lidhjeve familjare në mënyrë të padrejtë: ‘Para 5 ditësh po shihja një emision. Gazetarët po tregonin me dokumente se, si kryetari i bashkisë së Tepelenës, famëzi Tërmet Peçi, motra dhe i tij kishin përfituar 60 milionë euro tendera. Ju garantoj se të gjitha bashkitë e veriut të marra së bashku në 4 vite nuk kanë marrë 60 milionë investime nga qeveria.’, deklaroi lideri i opozitës, Sali Berisha.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së Berisha e vuri theksin në çështjen e familjes dhe të ruajtjes së saj si vlerë themelore të shoqërisë shqiptare, duke i lidhur direkt këto tema me politikat e qeverisë dhe ligjet e diskutueshme që, sipas tij, cenojnë identitetin dhe të drejtat e fëmijëve. ‘Ndaj dhe kjo foltore është edhe për familjen. Për të shpëtuar familjen. Ndaj kjo foltore, kjo foltore nuk është më vetëm foltore e demokratëve. Kjo foltore është e të gjithë shqiptarëve, të cilët i thonë prindit prind, babait baba, nënës nënë, vajzës vajzë, djalit djalë.’, tha Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e njohjes së realitetit politik dhe të sfidave që vendi përballet, duke u ndalur tek manipulimet zgjedhore dhe ndikimi i krimit të organizuar në proceset demokratike: ‘A mund të ketë zgjedhje kur bandat, kartelet e drogës, ndër më të fuqishmet në Europë dhe në botë, kartele miq që diktojnë çmimin e kokainës në Europë, kartele që janë eksportuesit kryesorë në Europë të kanabisit dhe vendosin para të pafundme, shndërrojnë krimin në votë dhe votën në krim.’, nënvizoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

Për kryedemokratin Sali Berisha, Foltorja e Mirditës ishte më shumë se një tubim politik: ajo ishte një thirrje për mobilizim qytetar dhe konsolidim të opozitës, një betejë për shpëtimin e demokracisë, për mbrojtjen e familjes dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë. ‘Nuk është më betejë për partinë, është betejë për Shqipërinë, është betejë për familjen, është betejë për demokracinë. Ky regjim është një kalbësirë, por nuk bie. Ai bie kur t’i përvishemi ne. Ne duhet t’i përvishemi atij.’, tha kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Mirditë.

FJALA E PLOTE:

Demokrate dhe demokratë, mirditore dhe mirditorë, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kudo që jeni sot në këtë sallë, familjet tuaja, Shqipëri dhe botë.

I dashur kryetar i bashkisë, kryetar i partisë, drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, deputetë, miq të mi.

Vij tek ju me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes të përulem para jush, mençurisë tuaj, dinjitetin tuaj.

Ju jeni shembulli i guximit të njeriut, për tu ndarë nga e keqja. I mençurisë së njeriut për ti dhënë atë që meriton të keqen, për të mbrojtur vlerat në kushte jashtëzakonisht të vështira, të një diskriminimi ekstrem, të një propagande mashtruese që barazohet me atë të viteve të zeza të regjimit komunist, përsëri drita e të vërtetës ju priu ju për të ndëshkuar me votën tuaj, këtë të keqe të madhe që ka pushtuar vendin.

Votuat në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme kandidatët e opozitës shqiptare, kandidatët e PD.

Pikërisht për këtë arsye, unë zgjodha Mirditën për të çelur siparin me Foltoren e 2-të, e cila dua të them këtu se është foltorja e jetës time.

Është foltorja e jetës time, është foltorja për demokracinë, për familjen, për Shqipërinë.

Nëqoftëse me foltoren e parë ne së bashku dhe se harroj kurrë pritjen tuaj unë, ne shpëtuam PD-në, po bëhej gjithçka që Shqipëria të ishte pa opozitë, ose më saktë me kallp opozitë.

Po bëhej gjithçka që opozita të ishte stoli e një armiku të egër të kombit shqiptar, e një armiku të familjes shqiptare, e një armiku të egër të qenies shqiptare, i cili quhet Edi Rama.

Po miq, në histori nuk ka një pushtues mizor, një ka një diktator, nuk ka një regjim që të ketë zhbërë shqiptarët, kombin në 10 vite sa Edi Rama.

Mbyllni për një moment sytë dhe kujtoni fshatrat e bukur të Mirditës, ku janë njerëzit, ku janë nxënësit, ku janë fëmijët.

Pra, po si kjo është e gjithë Shqipëria. Pra në 10 vite jemi zhbërë sa kurrë në ekzistencën tonë.

Sot ne kemi atë shtesë popullate, që kishim kur ishim gjithsej 700 mijë vetë, 100 vite më parë.

Sot Mirdita dhe Shqipëria ka lindshmërinë më të ulët për shkak të emigracionit.

Nga viti 2018 vdekjet tejkalojnë ndjeshëm lindjet. Çdo vit me këtë ritëm ne pakësohemi 400-500 mijë vetë në vitin 2050.

Ne ecim drejt shfarosjes tonë nga ky regjim si kurrë ndonjëherë tjetër.

Por unë jam këtu, do të them, Enver Hoxha për shkak të burrërisë, qëndresës, heroizmit antikomunist të mirditorëve, pushkatoi, ekzekutoi, burgosi qindra e mijëra mirditorë.

Por ama diskriminim absolut që i ka bërë Edi Rama, Mirditës dhe veriut në tërësi nuk ja ka bërë kush kurrë.

Para 5 ditësh po shihja një emision. Gazetarët po tregonin me dokumente se, si kryetari i bashkisë së Tepelenës, famëzi Tërmet Peçi, motra dhe i tij kishin përfituar 60 milionë euro tendera.

Ju garantoj se të gjitha bashkitë e veriut të marra së bashku në 4 vite nuk kanë marrë 60 milionë investime nga qeveria. Një diskriminim, një lënie, e veriut i cili në prodhimin e përgjithshëm jep qindra milionë euro, kurse në shpërndarje shifni vetë. E ndaloi kohën, pa investime në Mirditë, në Shkodër, në Kukës, Tropojë, Peshkopi.

14 vite vazhdoi Rruga e Arbrit, dhe sa gjithsej 27 kilometra. 32 ishin të të përfunduara.

Pra vetëm motra e Tërmetit kishte marrë nga vëllai i tij, apo rrethi i tij, 60 e ca milionë euro tendera.

Ja ky është Edi Rama për mirditorët, ky është Edi Rama për banorët e veriut. Një armik, një armik në gen. Pse e them në gen, sepse Enver Hoxha e kishte në rreth të kuq veriun. E konsideronte zonë armike

Po familja, çfarë bëri. Ka sjellë në parlament dhe miratoi me dhunë ligjin më të turpshëm, më shkatërrimtar për gjininë njerëzore që është vepër e Zotit, burrë dhe grua, djalë dhe vajzë.

Ligjin me të cilin, fëmijëve tanë, nipave, mbesave, stërnipave tanë do të ju diktojë gjininë tjetër nga ajo që kanë lindur.

Miq, ekzistenca e një shoqërie të vërtetë është në rrezik të madh.

Ju e dini, manifesti dhe Marksi djallë me zile, armik të egër kishin pronën private. Ajo thoshte Marksi është nëna e të gjitha të këqijave.

Tani këta post Marksistët, ekstremistët e majtë merren me gjininë dhe konceptojnë liri, ndryshimin e gjinive. Dhe kjo rrymë ç’njerëzore mori hov në SHBA. Lavdi Zotit fitoi Donald Trump dhe e ndaloi.

Dhe tani më thonë mua, se pse për Trump. Si jo, po shpëton familjen ai. Ajo kandidatja tjetër dilte miting në miting, thoshte se emigrantëve ilegalë që vijnë në SHBA do të ua ndryshojmë gjininë me paratë e shtetit, atyre që duan. E kuptoni ju çfarë ishte kjo. Të përdorje fuqinë me të madhe të botës për të zezat më të mëdha, shkonfigurimin e njeriut.

Ky ligj u votua në Tiranë, u votua në Shqipëri nga Edi Rama, para dy javësh.

Dhe më keq, u zhduk, u pre u sharrua një kolonë kryesore e të drejtave të njeriut; prezumimi i pafajësisë.

Sipas këtij ligji, po akuzove je i fajshëm gjersa të provosh që ske faj. A nuk është kjo një diktaturë e egër që e pret këtë vend.

Dhe më keq, prifti që lexon Biblën, hoxha që lexon Kuranin dhe paraqet familjen, vlerat e saj sipas mësimeve të shenjta, mund të shkojë në burg sepse duhet përkufizimi post marksist i saj.

Isha në një takim në Tiranë, dhe e ngriti një qytetar, e ngriti me forcë. Ai propozoi, bëri një propozim të mençur. Ju, tha, duhet të keni një podkast, të flisni vetëm për familjen, pa familje se është në rrezik familja. Po kërcënohet familja. Ta dinë njerëzit se ç’mësojnë. Filluan i çuan librat, i kishin gati librat. Për t’u thënë fëmijëve se nuk je vajzë ti, po qe se ti mendon se je djalë, je djalë, edhe i jepi hormone pastaj. Apo nuk je, nuk je djalë, po je vajzë. Po qe se e do kështu, merri hormonet.

Po si mund të ndërhyjë shteti në gjininë e fëmijëve? Si mund të ndërhyjë shteti në mësimet bazë që jepni ju, që ju jep familja fëmijëve për nënën, babën, vëllaun, motrën, për familjen, për gjininë? A ka ndërhyrje më të egër se kjo?

Ndaj dhe kjo foltore është edhe për familjen. Për të shpëtuar familjen. Ndaj kjo foltore, kjo foltore nuk është më vetëm foltore e demokratëve. Kjo foltore është e të gjithë shqiptarëve, të cilët i thonë prindit prind, babait baba, nënës nënë, vajzës vajzë, djalit djalë. Që nuk duan t’ia u shkonfigurojnë me këto akte.

Por kjo foltore është për shpëtimin e demokracisë.

Miq, ju jeni dëshmitarë se çfarë kalvari kaloi kjo forcë politike. Ju, të gjithë së bashku e kaluam. Një përpjekje e madhe për ta zhdukur opozitën. Një përpjekje e madhe për një Shqipëri pa opozitë. Ata që bënin këto përpjekje, ata janë ekstremistë të majtë. Ata donin me çdo kusht që pushteti i Edi Ramës të çelnjikosej.

Ata mbronin drogën e tij, ata mbronin krimet e tij, ata mbronin farsën e tij elektorale. Kjo është e vërteta.

Por ne qëndruam. U përpoqën ta bëjnë copë-copë. Përdorën arreste, përdorën të gjitha mjetet, por ne nuk i lëshuam ato të vërteta që besojmë. Jo, nuk i lëshuam. Dhe i mbrojtëm ato. Sot, ne jemi një opozitë, në shumë aspekte, më e fortë se kurrë. Ja u them unë ju.

Se cilët jemi ne, të ndalemi për një moment. Ku ishim ne 4 vite më parë? Çfarë bënë kundra nesh 4 vite më parë? Si u përpoqën të na shuanin ne? Me gjykata, me prokurori e me të gjitha me radhë, me izolimin më të thellë. Sot, ja ku jemi. Me mbështetjen më të madhe që s’e kemi patur kurrë.

Njeriu që ju mbështetët, që e sanksionuan, që e vunë në arrest, dy javë më parë, organizata më e madhe e forcave politike të botës, e nderoi duke e zgjedhur zëvendëspresident. Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, unë ju kam deklaruar ju, së pari, se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Dy net më parë, një demokrat më shkruan në mesazh dhe më thotë; Doktor, ne e dimë, se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Po aman, thotë, mos e thuaj se njerëzit na dëshpërohen.

Dhe unë ia shpjegova. I thashë, shiko, ne kaluam gjëra shumë të vështira, po i kaluam vetëm e vetëm se nuk i mashtruam njerëzit dhe mbrojtëm të vërtetat. Dhe i them, më thuaj mua pak, a mund të ketë zgjedhje kur qeveria burgos në vitin elektorale dy liderët e partive kryesore opozitare dhe tjetrin e vë në ndjekje penale?

Opozitarët, pse janë opozitarë, s’kanë asnjë imunitet, ama kur i arreston në vitin elektorale, ti e bën atë vetëm për të marrë mandatin me dhunë politike. A mund të ketë zgjedhje? Ja ku është Edi Rama i thashë unë.

Kur organizon me paratë e shqiptarëve, në periudhën e ndaluar me ligj, 4553 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit. Pa e disa sa i thonë, i thonë 30, 40 aktivitete në ditë. I thonë qindra miliarda lekë vetëm e vetëm për të ndikuar te zgjedhësit.

A mund të ketë zgjedhje kur shpërndan në mes të fushatës 100 euro për çdo pensionist për të blerë votë?

A mund të ketë zgjedhje kur fal dy ditë para votimeve, unë gjer vonë ju kisha thënë ju 200 milionë, ju kërkoj ndjesë. Jo, ishin tani që janë bërë llogaritë, 1 miliard e 700 milionë euro. 1 miliard e 700 milionë euro fali dy ditë para zgjedhjeve. Vetëm gjobat dhe kamatat e biznesit ishin 200 mijë familje.

A mund të ketë zgjedhje kur ti e merr dhe e shtron administratën që e paguani ju në policë të votës, në polici politike në kundërshtim me ligjin? A mund të ketë zgjedhje kur bandat, kartelet e drogës, ndër më të fuqishmet në Europë dhe në botë, kartele miq që diktojnë çmimin e kokainës në Europë, kartele që janë eksportuesit kryesorë në Europë të kanabisit dhe vendosin para të pafundme, shndërrojnë krimin në votë dhe votën në krim.

Kanë futur në këtë parlament 28 deputetë me listë. A mund të ketë zgjedhje kur ti 5-fishon fondin e granteve, kur ti i lëshon prefekte elektorale dhjetëra mijëra legalizime, leje ndërtimi, punësime e të tjerë?

Jo, zgjedhje nuk ka. Vetëm dy deklarata do sjell sot tek ju. Në raportin e vëzhguesve të zgjedhjeve në Shqipëri të Këshillit të Europës, shkrojti rekomandim: Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Domethënë, në Shqipëri gjendja është pothuajse siç ka qenë me Partinë e Punës. Me dallimin që atëherë s’kishte parti të tjera, por tani ka parti, por partitë duhet të përballen me shtetin elektoral, i cili ka miliardat, i cili ka të gjitha mjetet, i cili vetëm zgjedhje nuk bën, por bën farsë elektorale.

Një burrë i shquar, që ishte këtu vëzhgues, në Parlamentin Europian, Michael Gahler, u tha se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.

Pse i numërova këto. I numërova këto për të argumentuar se, me Edi Ramë nuk ka zgjedhje, por ama ndryshimi është shumë i madh.

Edi Rama i vodhi zgjedhjet në vitin 2021. Nuk i hyri ferra në këmbë, nuk i hyri gjë në këmbë. Edi Rama kësaj here mori damkosjen që meritonte.

Të gjitha këto që thashë janë të gjitha të nxjerra nga raporti i ndërkombëtarëve.

Ndodhi që këtu erdhi një ditë një mikeshë e tij dhe tha që, zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Në nderin e institucionit që e përfaqësonte, të nesërmen e përgënjeshtroi ai institucion; jo tha, ne për zgjedhjet themi atë që thotë ODIHR.

Ndodh dhe tjetra. Nëqoftëse përpara zgjedhjet përgëzoheshin pa u numëruar kësaj here nuk ka marrë asnjë urim nga qeveria e SHBA, e as nga ndonjë qeveri tjetër.

Por kur e pyetën gazetarët Departamentin e Shtetit, a e përgëzuar kryeministrin, jo, se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe direktiva e presidentit kërkon që të urohen vetëm ata që bëjnë zgjedhje të lira.

Ku jemi ne sot, a na dëmton ne kjo, njohja e të vërtetës dhe realitetit? Jo, për të luftuar armikun ne duhet ta njohim mirë atë.

A do mundet ky, vrasës i votës tonë, shkatërrimtar i këtij kombi, armik i Mirditës, armik i familjes shqiptare, të na mposhtë ne në përpjekjen tonë për të mbrojtur këto vlera? Jo kurrë.

Ndaj dhe ne duhet të nisim betejën tonë vendimtare me këtë të keqe të madhe. Para Zotit dhe çdo shqiptari kemi faktuar se, ky ka vrarë votën e lirë në Shqipëri. Se në pushtet qëndron duke dhunuar votën dhe liritë tona.

Tani ligji është në anën tonë, e drejta është në anën tonë. Gjithçka do varet nga guximi ynë, gjithçka do varet nga forca jonë, nga mençuria jonë, nga riorganizimi ynë, nga konsolidimi i Partisë Demokratike, nga ripërtëritja e saj.

Nuk është më betejë për partinë, është betejë për Shqipërinë, është betejë për familjen, është betejë për demokracinë. Ky regjim është një kalbësirë. por nuk bie. Jo. Ai bie kur t’i përvishemi ne. Ne duhet t’i përvishemi atij. Po t’ishte vota qenie politike, ai e vrau atë. Ai është në gjak me çdo shqiptar që do lirinë. Po. Votën respektoje ti.

I dëgjojmë me të drejtë thonë, po si s’ngrihen shqiptarët? Ja si ngrihen rumunët. Po rumunët bëjnë zgjedhje mor zotërinj. Bëjnë zgjedhje të lira. Nuk i shtyp një regjim, nuk i shtypin bandat, krimi, dhuna. Pavarësisht nga problemet që kanë, po aty rotacioni nuk pengohet nga krimi. Nuk ushtrohet terror.

A e dëgjuat ju si i thoshte ajo? Atij asgjë atij demokratit, atij deputetit demokrat, asgjë. Armikut

të klasës, asgjë. Pra, ne kemi çdo të drejtë. Por ne kemi dhe do kemi mbështetje gjithnjë më të madhe.

Do t’ju them këtu, këta miqtë e tij, dhe nuk kanë qenë të paktë, ishin të revoltuar me mua se flisja për narkoshtet. Flisja për narkoshtet. Po unë flisja për narkoshtet, se narkoshteti po na shkatërron. Po i largon shqiptarët nga Shqipëria, po i varfëron, po i mjeron, po i bën të gjitha.

Çfarë po flisja unë? Por ama mos harroni. Se tre ditë më parë telegrami nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ishin; të luftojmë kartelët e drogës, organizatat kriminale, bashkëpunëtorët e tyre. Kush nuk e din se Edi Rama është bashkëpunëtor i tyre.

Ndaj dhe le të vazhdojmë ne një përpjekje të madhe. Në qoftë se Partia Demokratike zhvilloi me sukses betejën për ekzistencën e saj, Partia Demokratike duhet të zhvillojë me sukses betejën për shpëtimin e demokracisë, shpëtimin e familjes, shpëtimin e Shqipërisë.

Kjo kërkon të angazhohemi, secili prej nesh, në një debat të hapur, me propozime, me sugjerime. Partinë Demokratike mund ta forcojmë, mund ta ripërtërijmë, mund ta konsolidojmë vetëm kur çdonjëri ta ketë, ta ketë çështje këtë, këtë problem.

Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik. E vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura dhe kjo do jetë Partia Demokratike.

Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe e mendimit të lirë. Në këtë parti, çdo njeri do ketë të drejtë të kritikojë, të votojë kundër në vullnetin e tij të lirë.

Por si çdo parti tjetër, është një parti me rregullat e miratuara bashkërisht. Dhe ato duhet të respektohen. Nuk mundet kurrë t’i imponohesh në atë mënyrë.

E kam fjalën këtu, secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve. Secili demokrat do ketë të drejtën të votojë për cilindo. Të votojë i lirë.

Por secili demokrat e ka për detyrë që tani të mendojmë që atë proces që futëm, zbatuam së bashku, si ta përsosim? Si ta bëjmë më solid, më të drejtë? Si t’i bëjmë ato lista? Listat janë tuajat, nuk janë të Tiranës. S’mund të bëjë Tirana lista. Si t’i bëjmë këto lista më të besueshme nga secili prej nesh?

Si të afrojmë ne, çdo njeri prej nesh, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua, me vlera, që e njeh. T’i thotë hajde, jemi në një betejë për të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Ne po shkojmë drejt shuarjes si komb në qoftë se nuk marrim masa urgjente.

Parlamenti po miraton buxhetin, asnjë fjalë për shpopullimin.

Miq, duhet të vendosim sa më urgjente politikën e antishpopullimit, në mënyrë që të paktën pas 25 vitesh të kemi disa rezultate.

Ndaj edhe njëherë, ju falënderoj shumë për këtë pritje. Ju ftoj të jepni mendime, ju garantoj se ju garantoj se normat demokratike, fjala e lirë, mendimi i lirë, do mbeten vlerat më të çmuara, sikundër interesi kombëtar, mbrojtja e familjes, mbrojtja e vlerave të demokracisë.

Faleminderit shumë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale