Berisha nga Berati: Vijmë me një zotim solemn, do t’ju kthejmë paratë që qeveria merr nga ju! Barra fiskale për bizneset pas 100 ditëve të para, do të jetë më e ulëta në Europë dhe në botë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE PËR QARKUN E BERATIT

EKSTRAKT

Gjatë prezantimit të kanddiatëve për qarkun e Beratit, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama për braktisjen totale të qytetit dhe të gjithë Shqipërisë gjatë 12 viteve të fundit. Sipas Berishës, ky regjim ka lënë në harresë një qytet historik dhe të pasur me trashëgimi kulturore, si Berat, duke e varfëruar dhe shkatërruar atë. Kryetari i PD tha se madje edhe universiteti i Beratit është mbyllur, dhe premtimi për ndërtimin e ishullit të Osumit ka dështuar, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh nga qeveria aktuale.

Lideri opoitar, Sali Berisha theksoi se, përkundër shpenzimeve të mëdha për projekte të tjera, qytetarët dhe fermerët janë lënë pas dore, duke përmendur varfërinë që ka përfshirë pensionistët dhe bujqësinë, si dhe konkurrencën e padrejtë që ka ardhur me Ballkanin e Hapur. Berisha i krahasoi pagat dhe pensionet e shqiptarëve me ato të vendeve fqinje si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi sociale dhe ekonomike të thellë.

Në fjalimin e tij, Berisha premtoi një ndryshim të madh nëse opozita do të vije në pushtet. Ai u angazhua për një qeverisje që do të rikthejë dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke premtuar se në 100 ditët e para të qeverisjes së re, çdo qytetar do të përfitojë 200 euro, dhe pensioni minimal do të jetë 200 euro. Lideri historik i PD, Sali Berisha, gjithashtu premtoi një rritje të pagave për të gjithë, duke garantuar se rroga e ulët nuk do të jetë më pak se 500 euro.

Berisha premtoi se me ardhjen në në pushtet, do të ndërmarrë një reformë të thellë në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Ai propozoi dyfishimin e buxhetit për këto sektorë dhe rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, për t’i siguruar ata një shërbim shëndetësor dinjitoz për qytetarët shqiptarë. Për arsimin, Berisha premtoi rritje të pagave për mësuesit deri në 1500 euro, digjitalizim të arsimit dhe ulje apo heqje të tarifave universitare. Po ashtu, kryetari i PD premtoi krijimin e një liste barnash rimbursueshme si në Italinë fqinje dhe një zgjidhje për krizën e mungesës së mjekëve.

Në aspektin ekonomik, kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi disa masa të rëndësishme për mbështetje të biznesit dhe zhvillim ekonomik. Berisha premtoi uljen e taksës së sheshtë në 10%, uljen e TVSH-së në 15% dhe reduktimin e çmimit të energjisë në 6 lekë për kilovat. Ai gjithashtu premtoi ngritjen e kufirit për tatim-fitim për bizneset e vogla në 180 mijë euro. Berisha u angazhua për mbështetje të fermerëve, duke premtuar pesëfishimin e subvencioneve, ndihmë direkte për prodhim, kredi me interes të subvencionuar dhe garanci për çmimet për t’i mbrojtur ata nga fatkeqësitë natyrore dhe stoqet e tepërta.

Berisha akuzoi me tone të ashpra qeverinë për neglizhencën ndaj sektorit të bujqësisë dhe theksoi se do të mbrojë prodhimin vendas me çdo kusht, duke e konsideruar të parëndësishëm tregtinë e kanabisit, për të cilën qeveria e Ramës është kritikuar, dhe duke premtuar se do të bëjë Beratin dhe prodhimet e tij një krenari kombëtare.

Një tjetër premtim i Berishës ishte “pastrimi i shtëpisë” shqiptare, duke e shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë që çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët e qeverisë do të konfiskohet, përfshirë kontot bankare, vilat dhe hotelet brenda dhe jashtë vendit. Lideri demokrat sulmoi luksin e qeveritarëve, duke përmendur shpenzimet e jashtëzakonshme për veshje dhe aksesorë të papërballueshëm për rrogat e tyre shtetërore.

Në lidhje me sigurinë dhe rendin, Berisha paralajmëroi strukturat kriminale që ushtrojnë presion mbi qytetarët, duke i quajtur “kocka mafioze” dhe “ushtarë të së keqes”, dhe tha se këta individë do të trajtohen si organizata terroriste dhe do të ndëshkohen me forcë të plotë ligjore. Ai theksoi se ligji dhe qytetari janë më të fortë se çdo formë presioni dhe dhune.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi 11 majin si një datë historike për shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, dhe bëri thirrje për ndryshim. Ai e paraqiti votën si një mundësi për të “pastruar shtëpinë” dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për çdo qytetar të Shqipërisë. Berisha përfundoi fjalimin e tij duke theksuar se, koha e regjimit aktual ka mbaruar dhe ftoi shqiptarët të votojnë për fitoren dhe ndryshimin që do të sjellë një Shqipëri më të drejtë, më të begatë dhe më dinjitoze për të gjithë.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta! Ju, qytetarë dhe qytetare të Beratit, të pranishëm në këtë shesh, banorëve të këtij rrethi, banorëve të këtij qarku, kudo që janë sonte në qarkun e Beratit, në Shqipëri, jashtë vendit.

Përshëdetjet e mia më të përzemërta!

I dashur z.Agron Duka, kryetar i PAA, aleat i PD.

I dashur z.Enno Bozdo, drejtues politik i qarkut të Beratit. I dashur kryetari i PD të qarkut, Shyqyri Duro.

Të dashur deputete dhe deputetë, kandidate dhe kandidatë të PD për qarkun e Beratit të pranishëm në këtë takim, dhe zonja që shkëlqen me mungesën e saj, Valbona Doko, që ndodhet duke punuar me emigracionin që të votojë.

Shpreh krenarinë time me ju sot, që jeni jo vetëm krenaria e Beratit, por jeni krenaria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për parlamentin e ardhshëm.

Të dashur miq, ditët po na afrojnë një datë të madhe, një ngjarje të madhe, një datë që do ndajë eopkat, do ndajë narko-diktaturën, do ndajë 12 vite, në të cilat shqiptarët u larguan nga Berati, u larguan nga trojet e tyre sa kurrë ndonjëherë në tërë historinë qindra e qindra vjeçare.

Pra, po shkojmë drejt një vendimi të madh, që çdo qytetare dhe qytetar i Beratit, i këtij qarku dhe tërë Shqipërisë do marrë më 11 maj për t’u ndarë me një të keqe e cila dëmtoi kombin, zbrazi Shqipërinë, pakësoi shqiptarët sa asnjë luftë, sa asnjë epidemi, sa asnjë fatkeqësi në tërë historinë e tyre.

Miq, sot është një moment për t’u përulur me nderim të madh shumë, para baballërëve, gjyshërve, stërgjyshërve tuaj, të cilët këtu buzë Osumit ndërtuan një kryevepër madheshtore, siç është qyteti juaj. E vendosën Beratin në kurorën e trashëgimisë së qytetërimit botëror. Berati madhështor është vepra e tyre e pavdekshme, e përjetshme.

Berati madhështor është frymëzim i madh për çdo shqiptare dhe shqiptar , për çdo beratase dhe për çdo beratas, për të bërë çdo gjë, për t’u ngritur në lartësinë e kësaj madhështie që trashëgojmë ne në këtë qytet.

Pra, Berati, diamant në kurorën e kulturës botërore, këto 12 vite njohu braktisje, braktisje dhe vetëm braktisje..

Berati, diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore, këto 12 vite njohu një varfërim të banorëve të saj, një varfërim shumë të pamerituar, ky qytet, ky rreth.

Mendoni për një moment, të duket se është qyteti i kohës së ndaluar. Qyteti nuk njohu, jo që nuk njohu investime, por edhe universiteti u mbyll. Universiteti, i cili i jipte qytetit gjallëri, shpresë dhe besim.

Berati, të cilit iu premtua ishulli i Osumit, premtimin e ishillit e mori lumi. Kurse, Edi Ramës i ngelet turpi dhe mashtrimi.

Miq, vështirë të ketë ndonjë vend tjetër njerëz punëtorë, njerëz të punës, si në këtë qark, si tek ju. Por, edhe me potenciale shumë të mëdha, me potenciale madhështore.

Çfarë ndodhi 12 vite?

U braktis fshati shqiptar. U ndërprenë subvencionet. U hapën kufijtë me Ballkanit të Hapur për prodhimet e Banasë dhe Shumadisë, fermerët e atyre zonave kanë 8-fishin e subvencioneve me fermerin shqiptar. Në këtë mënyrë, u prish gara, u prish konkurrenca, fermerët e Beratit dhe të Shqipërisë falimentuan në seri.

Edi Rama me Ballkanin e Hapur, nxiti largimin masiv të fermerëve nga fermat e tyre dhe nga Shqipëria.

Të dashur miq, burrat, gratë e Beratit dhe të Shqipërisë që shkrinë jetën e tyre në ndërtim, në arsim, në shëndetësi, në çdo fushë, njohën këto 12 vite një varfëri nga më të papranueshmet. Pensionet e tyre mbetën ato që ishin, kurse çmimet e mallrave që duhet të blinin me pensionet e tyre u dyfishuan dhe u mbidyfishuan.

Një pensionist i Beratit, që në vitin 2013 merrte 143 mijë lekë, pension mesatar, sot merr 173 mijë lekë maksimumi. Një pensionist në Malin e Zi, që merrte në 2013, 138 mijë lekë, sot merr 450 mijë lekë. Po kaq merr pensionisti në Maqedoni, po kaq merr pensionisti në Serbi. Dhe ata pensionistë nuk kanë Berat, nuk kanë diamant të kurorës kulturore të njerëzimit.

Ndaj dhe ne, vijmë tek ju qytetare dhe qytetarë të Beratit, të të gjitha bindjeve politike qofshit, vijmë tek me një zotim solemn, se nuk do bëjmë gjë tjetër vetëm t’ua kthejmë para ju, paratë që qeveria merr nga ju.

Po pse u trefishua pensioni i malazezit? Si u trefishua në 12 vite? Thjesht. Qeveria e Malit të Zi iu ktheu qytetarëve paratë e taksave që iu merrte.

Po. Ligji më elementar për një qeveritar është kur ndan buxhetin, do të thotë, kjo përqindje do t’u kthehet atyre që japin buxhetin.

Çfarë bënë këta?

I dini vet pensionet, nuk po i numëroj këtu se ku janë. Por një gjë u them. Nga 760 mijë pensionistë, 57% e tyre janë me pension jo të plotë. Pra, janë me pension ndën 170 euro. Pra, janë me pension, siç e tha shumë bukur, që nuk mjaftojnë aq për ilaçe, që nuk mjaftojnë për kafshatë.

A u bë këtu një padrejtësi e jashtëzakonshme?

Me mijëra e mijëra familje, nuk përballonin dot në sofër fëmijët e tyre më, dhe detyroheshin t’u thonin: ndiq fatin tënd bir, ose bijë.

Ndërkohë, qeveritë e vendeve përreth, jo. Rrisnin pensionet, rrisnin rrogat e ulëta. Në vitin 2013, ne kishim rrogën e ulët 180 euro. Rumania e kishte 160 euro. E kishte gjithësej 830 lei. Rumania sot rrogën e ulët e ka 3300 lei. Po, sigurisht, sepse çdo qeveri me ndjenjat më minimale të dhembshurisë dhe respektit për qytetarët ua kthen paratë qytetarëve.

Gjënë e parë që bën me një buxhet, iu kthen para atyre. Ato që mbeten i përdor për të tjera, por për ata.

Kurse këta, jo! 12 mld euro për rrugë.

A e dini or miq? Se janë ndërtuar nga 2005 në 2013 11.300 km rrugë, dhe ju garantoj se nuk kanë kushtuar më shumë se 3.8 mld euro. Jo!

Kanë ndërtuar në 12 vite, absolutisht asnjë kilometër, më shumë se 200 kilometra, dhe kanë shpenzuar 12 mld euro.

Dhe tani, çfarë thotë?

Tani që, ne kemi bërë premtimin minimal për minimumin jetik, dhe që jemi të zotuar ta vendosim 100 ditët e para. Absolutisht 100 ditët e para, çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo njeri me ndihmë ekonomike, çdo student, çdo jetim, çdo fëmijë i një gruaje kryefamiljare, do marrë 200 euro.

Sot, thoshte që do ta bëjmë pensionin minimal 200 euro në vitin 2030. Ky nuk ka respekt minimal për shqiptarët! Ky i përçmon shqiptarët!

Ky, nuk kupton se është poshtërim, për atë që ka punuar 45 vite dhe numëron kafshatën, nuk blen dot ilaçet, por rri në mëshirë të sëmundjes dhe fatit, apo në mëshirë të lëmoshave që mund t’i japë kush.

Dhe kjo që bëjmë ne, nuk është kurrë lëmoshë. Detyrim ligjor dhe moral i shoqërisë ligjore ndaj tyre.

Dhe jo vetëm kaq! Po unë i garantoj se çdo rrogëulët, dhe rroga e ulët nuk do jetë më kurrë ndën 500 euro, çdo pensionsit, çdo qyetetar me minimumin jetik, do të ketë kartën e konsumatorit dhe nuk do blejë më ushqimet dhe gjërat bazë me çmimin që i blejnë të tjerët me rroga të larta, por do i blejë me 20% më pak. Do marrë 450 euro në vit mbrapsht.

Ne besojmë atë që ka thënë Mahatma Gandi: madhështia e një kombi matet me qendrimin që ai mban ndaj nejrëzve të tij në nevojë! Dhe merr fund mjerimi në Shqipëri! Nuk do ketë më shqiptarë në mjerim. Unë jam këtu para jush për t’u zotuar.

Luftë totale kësaj të keqe të madhe.

Me moton e frikësimit të qytetarëve, Edi Rama u del e u thotë, se po të bëjmë ëktë bjemë në greminë.

Bjemë në humnerë.

Miq, ky është një mashtrim banal, dhe ky është një mashtrim që dëshmon një pashpirtësi ekstreme. Po, pse në greminë ra Mali i Zi që i trefishoi pensionet gjatë 12 viteve? Në greminë ra Kosova, vend në të cilin Albin Kurti, vetëm 3 muaj më parë deklaroi se 100 milionë euro do t’i kalojë për pensionistët. Do rrisë pensionet 20%.

Përkundrazi, miq, do bëhemi edhe më të mëkëmbur, edhe më të drejtë. Do rikthejmë shpresën, do rikthejmë besimin. Do nderojmë ata që e meritojnë, dhe e meritojnë plotësisht.

Dhe ju siguroj se, do të ndërtojmë rrugë dhe vepra publike, minimumi 5 herë më shumë, se sa kanë ndërtuar këta në 12 vite. Sepse këta, kanë vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme.

Të ndërtosh një rrugë me 20 mln euro kilometrin, në një kohë kur kroacia, të njëjtën rrugë e ndërton me 1.7 mln euro kilometrin, je hajdut që nuk njeh asnjë kufi.

Të ndërtosh nëj shkolë me 8 mln euro, në një kohë kur Gjermania, më i pasuri në Europë ndërton shkolla me 700 mijë euro, me standard ndërtimi. Do të thotë, nuk ke moral, nuk të mbetet asgjë.

Edi Rama, të zhdukësh 130 mln euro për djegësin e Tiranës dhe të mos ketë nam as nishan për ëktë djegës, ndërkohë paratë kanë përfunduar në kontot bankare të Edi Ramës, Erion Veliajt. Është një krim i shëmtuar.

Po, a e dini sa janë ato? Ato janë 812 mijë pensione. Po t’i shndërrosh në pensione mesatare. Të hapësh shishen e verës 33 mijë euro, ju garantoj se nuk ka një kryeministër të një vendi të lirë që i lejon vetes një gjë të tillë. Jo, sepse ka një sens zyrtari, kufizimi. Ka një sens ai që qeveris. Ruan një moral, një etikë, për të respektuar ata që e votojnë.

Edi Rama përzuri pronarin e një televizoni të vogël, i cil ishte i lirë, i pavarur. Shqiptarët u gjobitën për shkak të tij, 110 mln euro. Vet udhëton me avion taksi në dispozicion. 21 mln euro, 140 udhëtime në 2 vite, në një kohë kur presidenti i SHBA-ve ka bërë 74 udhëtime.

Bileta stadiumesh, 28 mijë euro. Dhurata fabuloze, 50 mijë euro. Po shkëputesh nga njerëzit kështu, njerëzit ose të duken miza, ose thua: këta nuk ekzistojnë fare. Se ndryshe nuk ka mundësi, se si të pranosh ti pensionin e tyre mesatar 170 euro. Pale minimale që është 100, 120.

Ndaj dhe miq, filozofia jonë është shumë e thjeshtë: T’ua kthejmë paratë ju!

Këtu e nisim. Paratë që marrim nga ju, do ua kthejmë ju të parëve!

Nuk ka Shqipëri madhështore me njerëz në mjerim. Por nuk ka Shqipëri madhështore me arsim në rënie katastrofale. Nuk e themi ne këtë. Këto 12 vite në provën e cilësisë që ben organizata e vendeve të zhvilluara OECD, Shqipëria nga ngjitje vertikale që pati në vitet 2006-2013, pësoi rënien vertikale më të madhe në botë 8 vitet e fundit. E shkatërroi arsimin. E politizoi në shkallë ekstreme. I denigroi mësuesit, i varfëroi ata, i politizoi ai. Por, pa arsim madhështor nuk ka Shqipëri madhështore, ta kemi të qartë. Kurrë!

Ndaj dhe, i garantoj mësuesit, prindërit, nxënësit, se modernizimi i arsimit do të jetë objektivi ynë madhor. Dyfishimi i buxhetit. Rroga e mësuesit do të ejtë 1500 euro dhe do të vazhdojë rritjen.

Arsimi nuk do të ketë shkurtime në personel. Jo, përkundrazi. Do zvogëlohet numri i nxënësve në klasa. Digjitalizimi i sistemit të plotë arsimor dhe aplikimi i teknologjive të reja.

Mesatarja për në universitete, hiqet. Tarifat, të cilat janë sot për universitetet ndër më të lartat në Europë, shkojnë drejt reduktimit në tarifa sibolike, ose hiqen fare.

Në këtë mënyrë, ne ringrmë arsimin në Shqipëri. Pa shëndetësi moderne, pa shërbim shëndetësor nuk ka Shqipëri madhështore.

Ndaj dhe ne, kemi vendosur, dhe ju premtoj sot ju këtu, se lista e barnave të rimbursueshme do të ejtë pikë për pikë si ajo e republikës italiane, 100% e rimbursueshme. Ju garantoj, se do të dyfishohet buxheti për shëndetësinë.

Miq, një kryeministër që është kryetar qeverie deklaron se, atje në Onkologjik janë kryer krime kundër njerëzimit, dhe vazhdon sikur nuk kandodhur asgjë, mund t’i vësh çdo epitet. Por ajo që është e vërtetë është kjo. Përgjegjës për ato krime kundër njerëzimit është ai, dhe është e vërtetë që aty janë kryer krime kundër njerëzimit. Se aty nejrëzit kanë vdekur, jo nga sëmundjet, por nga mungeas e ilaçeve, nga mungesa e mjekimit, dhe vdesin.

Pra, padiskutim që do të dyfishohen rrogat e mjekëve dhe të ifnermierëve.

A e dini ju që, sot ne në vitin 2013 kishim 1.5 gjer 2 herë mjek më pak se mesatarja e BE. Sot, kemi 4 herë më pak se mesatarja e BE. Po kështu, edhe infermierë.

Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve është kushti i të gjitha kushteve për një shërbim shëndetësor dinjitoz për qytetarët shqiptarë.

Miq, Berati madhështor e bënë ata të cilët ndërtuan, të cilët prodhuan, ndaj dhe ne, Made in Albania, do të jetë krenari kombëtare. Do bëjmë gjithçka që Berati, Shqipëria, të prodhojnë, të prodhojnë, të prodhojnë.

I garantoj biznesmenët e Beratit se, barra fiskale pas 100 ditëve të para, do të jetë më e ulëta në Europë, ndër më të ulëtat në botë.

Ne vendosim taksën e sheshtë 10%. Por vendosja e taksës së sheshtë 10%, do të thotë rritje automatike e rrogave me 13%. S, sot kjo taksë është 23%.

Vendosja e taksës së sheshtë 10%, do të thotë frymëmarrje më e madhe për biznesin. Do të thotë para më shumë në konton e tij, mundësi më e madhe investimi, mundësi më e madhe punësimi.

Ne do ulim Tvsh-në në 15%. Është e lartë Tvsh-ja, i mundon, i vret shqiptarët Tvsh-ja. I rëndon.

Sot, shqiptarët paguajnë Tvsh shumë për të njëjtën shifër, më shumë se italianët, më shumë se gjermanët, sepse absurditeti i taksambledhësve shqiptarë nuk ka fund.

Jo, ne do e zbresim në 15%. Dhe ky, është një lehtësim për qytetarët, për bizneset, për të gjithë.

Energjinë, do ta zbresim në 6 lekë kilovatin. Tavani për tatim fitim për biznesin e vogël do rritet nga 100 mijë euro në 180 mijë euro.

Pra, do t’i japim biznesit të vogël një hapësirë të madhe. Në këtë mënyrë, ne ndezim motorrët e prodhimit. Por, në Shqipëri, sektor ndër më të fuqishëm të prodhimit është bujqësia, janë fermerët.

Është bujqësia, sektori ku punësohen rreth 500 miëj shqiptarë. Është bujqësia që pësoi rëniet më të mëdha këto 12 vite. Unë vij para jush, për t’u zotuar para çdo fermeri, se qeveria do të 5-fishojë subvencionet për fermerët e Beratit dhe fermerët e Shqipërisë.

Ne do subvencionojmë fermerët e Beratit për njesi prodhimi. Do subvencionojmë për kokë bagëtie, për fidanët e mbjellura, për bimët e arave, që përdor Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Ne, do u ofrojmë fermerëve linja krediti, 80% të interesave do të mbulohen nga qeveria.

Ne do japim garanci për prodhimin, duke krijuar fondin e çmimit bazë për t’i mbrojtur fermerët nga fatkeqësitë natyrore dhe stoqet që mund të krijohen.

Ne, do mbrojmë absolutisht çdo sezon prodhimin shqiptar. E mbron çdo vend. Nuk pranojmë ne të bëjmë ëktë që bëri ky, hap doganat për kamionat. Doganat hapen pasi të shitet prodhimi i vendit, në radhë të parë.

Ne, vazhdojmë projektet tona, sepse besojmë që ato janë më të mirat.

Nga viti 2006 në vitin 2013, u kaluan nga 4.2 mln ullinj të trashëguar nga të gjitha kohërat, arritën në 11.4 milionë rrënjë ullinj total në Shqipëri.

Do vazhdojmë gjersa të arrijmë 20 milionë. Dhe ata që vijnë pas, do ta vazhdojnë të arrijnë në 50 milionë. Nuk do të ketë kush frikë nga ulliri, siç ka ky, meme e gjallë, që flet gjithë ditën për kanabis dhe nuk thotë një fjalë për ullirin, nuk thotë një fjalë për fikun, nuk thotë një fjalë për vreshtat, nuk thotë një fjalë për millët, nuk thotë një fjalë për lopën, nuk thotë një fjalë për asgjë tjetër, vetëm kanabis, kanabis, kanabis. Bimën e helmit.

Jo, miq! Ne do ta bëjmë të famshëm Beratin dhe prodhimet e tij në Shqipëri dhe në botë.

Made in Albania!

Ne do pastrojmë shtëpinë tonë. Po!

Do pastrojmë shtëpinë tonë, së pari për të siguruar jetën, pronën, veprimtarinë e çdo qytetari. Edhe këtu, nga Berati, dua t’u them kockave mafioze, ushtarë të së keqes së Edi Ramës që, si hije të zeza rendin për të frikësuar qytetarët. Mbi tokë, vend nuk do keni!

Në shpellat më të thella po të futeni, në galeritë më të thella, do t’u kapin dhe do t’u përplasim përpara ju dhe Edi Ramën, ju dhe Taulant Ballën, ju dhe të gjithë ata që ju ndërsejnë kundër qytetarëve!

Harrojeni ju, se ka në botë gjë më të fortë se ligji, më të fortë se qytetari. Ndaj dhe, dijeni mirë, secili prej jush që do të implikohet me instimidim për qytetarët në zgjedhje, do të shpallet organizatë terroriste, do të trajtohet si organziatë terroriste, me të gjithë forcën e ligjit.

Miq, pastrimi i shtëpisë kërkon që edhe ky luks verbues, i këtyre ministreshave dhe ministrave, që dalin në shesh si të jenë sulltanesha të Zululandit. Me xhingla, me mingla, me aksesorë që kushtojnë dhjetëra e mijëra, në mos qindra euro. Të cilat me rrogat e tyre, nuk mund t’i shohin as në ëndërr, jo më t’i blejnë. Kontot e tyre bankare, kudo që të jenë, vilat dhe hotelet kudo t’i kenë, do t’i konfiskohen. Do vendosen përpara ligjit .

Shqipëria ëshë shtëpia e Zotit, dhe Zoti kërkon që shtëpia të pastrohet!

Pra, 11 maji është dita e çdo shqiptari, pavarësisht nga bindjet politike. Se unë kam bindje, çfarëdo që të jesh, demokrat, i pa parti, socialist, nuk mund të pranosh që të vidhen 130 milionë për inceneratorin dhe djegësi të mos ekzistojë.

Unë kam bindje, se cilido që të jesh, nuk mund të pranosh që, komshia yt punon tokën me parmendë, kurse kryeministri shkon për vakanca me avion në dispozicion dhe shpenzon 21 milionë euro.

Nuk mund të pranosh, që të marrë biletën e ndeshjeve 28 mijë euro. Nuk mund të pranosh që, të ndahet pasuria me një grusht të vogël njerëzish, familjarë krushqi, ministra, kryetarë bashkish dhe soji i tyre. Ky, Ervini, këtë mund ta quani Ervin Veliaj.

Këta janë të gjithë nëj specie, këta nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Këta të gjithë kanë model 5D, vjedhjen e buxheteve.

Jo, jo, nuk shkoni dot më. 11 maji, është dita që shqiptarët ndahen me të keqen. Shqiptarët do pastrojnë shtëpinë e tyre!

Pra, më 11 maj, miqtë e mi, me votën e lirë, çelin një kohë tjetër. Ndahemi nga një regjim që na zbrazi, e varfëroi shumë, e shkatërroi Shqipërinë. Por, kjo kërkon që të shumëfishojmë forcat këto ditë. Kjo kërkon, t’i themi jo lodhjes. Të sakrifikojmë. Të ulemi me çdo qytetar, me çdo fermer.

E dëgjuat ju. Fermeri thoshte: prodhimet po kalben, por unë prap votoj për ty.

Mos e merrni me inat atë. Jo! Është i indoktrinuar. Por, bisedoni me të. Uluni, bisedoni me të. Se prodhimet nuk duhet të kalben. Se ato prodhime nuk janë vetëm tuat. Me ato prodhime ti begaton veten, por edhe shoqëria përfiton prej tyre. Me ato prodhime ti furnizon tregun, çmimet janë më të ulëta.

Pra, duhet t’i shohim gjërat. Jo një më një, unë e dua ta zëmë atë, dhe meqënëse unë e dua atë, unë ia fal, punë e madhe se më kalben prodhimet.

Në asnjë mënyrë! Prodhimet kalben nga politika e tij. Sepse, hapi doganat me Ballkanin e Hapur për Vuçiçin. Dhe po u kalben prodhimet. Shteti duhet të të kompensojë. Garantoj fermerët, se çdo mbiprodhim do kompensohet me çmimin bazë.

Çdo pensionist, duhet të bashkohet me ne. Ai thotë sot, deklaroi, se unë do t’i rris pensionet 200 euro në vitin 2030.

Unë ju jap fjalën e nderit se, 100 ditët e para, nuk do të ketë pension në Shqipëri ndën 200 euro.

Koha, pra,është të mendojmë për veten tonë, për fëmijët tanë, për pensionistët tanë, të rinjtë tanë. Të mendojmë për të kthyer shpresën, për të kthyer besimin, për t’i kthyer Beratit madhështinë e njerëzve të tij, Shqipërisë madhështore, ashtu siç e ka bërë Zoti.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, rroftë Berati!

Faleminderit!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale