FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Në nisje të fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te vrasja tragjike e 14-vjeçarit, Martin Cani në derën e shkollës ‘Fan Noli’, duke bërë thirrje që qytetarët ti bashkohen protestës. ‘Vrasjen e Martinit duan ta mbulojnë me Tik Tokun, të gjithë shqiptarët ti bashkohen protestës së thirrur për të’, tha Berisha.
Kryedemokrati në fjalën e tij, i ka bërë thirrje rinisë që të ngrihet në këmbë dhe ti bashkohet protestë së nesërme të opozitës, duke theksuar se do jetë dita e revoltës. ‘Nesër është dita e revoltës, mbarë rinia shqiptare është në Tiranë me moton; o sot, o kurrë, është radha jonë’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal edhe te pensionet qesharake që Edi Rama u jep të moshuarve shqiptarë, të cilat janë edhe më të ulëta se sa pagesa që marrin gjermanët për një qen në shtëpi. ‘Edi Rama u jep pension të moshuarve, më pak se sa paga që Gjermania vendosi për qenin e shtëpisë’, theksoi Berisha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, theksoi se Edi Rama e ka tejkaluar edhe diktatorin gjakatar Enver Hoxhën. ‘Edi Rama e ke tejkaluar edhe Enver Hoxhën, por shqiptarët nesër do të të japin reston ty për luksin që ke vënë’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në qytetare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri edhe njëherë thirrje për marshimin e nesërm të opozitës ditën e martë 26 nëntor në Tiranë. ‘Nesër Shqipëria marshim në Tiranë. Nuk durohet një narkodiktator si ky, i cili mbjell dhunë kudo që shkon’, ishte thirrja e kreut të PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore më të përzemërta, ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, pararendës të fitores së opozitës shqiptare.
Ju guximtarëve të pamposhtur që mbroni kauzën e drejtë të çdo qytetari.
Mirënjohjen e pakufishme ndaj oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që shpërndajnë, përhapin në të katër anët e vendit, të vërtetat që përpiqet me vellon e zezë të censurës, ti fshehë regjimi i Edi Ramës, me fjalën e tyre frymëzojnë shqiptarët.
Të dashur miq!
Unë dua ta nis edhe njëherë me një përshëndetje miqësore për ata qindra e qindra qytetarë nxënës, studentë, prindër që protesuan sot para Ministrisë së Arsimit për vrasjen makabre në duart e shkollës, në gjirin e shkollës, të engjëllit, yllit 14-vjeçar të asaj shkolle, të familjes, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Martin Cani.
Krimin e shëmtuar ndaj të cilit, propaganda e shpifur qeveritare përpiqet ta mbulojë me Tik Tokun, me Snapchatin, përpiqet të laj duart, paçka se përgjegjësia është direkt e shkollës, e ministrisë e mbi të gjitha e atyre të cilët e kanë shndërruar Shqipërinë në protektorat të krimit.
Atyre që qeverisin këtë vend së bashku me krimin, si një sipërmarrje kriminale, në të cilën krimi godet në çdo vend, në çdo zyrë, në çdo shkollë, në rrrugë, në çdo shesh dhe kudo.
Ata kanë thirrur një protestë tjetër të mërkurën. Ftoj mbarë shqiptarët tu bashkohen atyre.
Ai që nuk proteston për Martin Canin, nuk proteston as për fëmijën e tij, prandaj është një rast për të treguar veten qytetar, është një rast për të treguar veten nënë, baba, prind, vëlla, motër, për të ju përgjigjur thirrjes së shpirtit të 14-vjeçarit që shkoi në shkollë dhe i morën jetën me çantën e librave në shpinë.
Të dashur miq!
Nesër është dita e revoltës popullore, dita e zemërimit popullor mbarë shqiptar, është dita në të cilën shqiptarët marrin në duart e tyre kryeqytetin e vendit, kryeqytetin e tyre, e nxjerrin nga kthetrat e bandave, kriminelëve, banditëve qeveritar.
Është një ditë pra, e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Protesta nesër është një akt madhor, është mosbindje civile me të cilën ne i themi narkoshtetit se qeveria teknike është zgjidhja e vetme me zgjedhje të lira, përndryshe do shohësh zi e më keq.
Edi Rama thirri mendjes.
Je shndërruar në të keqen më të madhe të këtij kombi, mosbindja civile është më e pakta që mund të ndërmerret ndaj teje.
Të rinjve shqiptarë u ke nxirë të ardhmen, i ke përzënë nga vendi i tyre, i ke shpërndarë në rrugët e botës, se në asnjë nuk kanë shans rast të ndërtojnë ëndërrat në vendin ku lindën.
Nuk kanë shans të ndërtojnë familje në vendin ku lindën.
Në asnjë rast nuk kanë shans të begatojnë, të bëjnë një jetë të denjë në Shqipëri, ndaj dhe nesër mbarë rinia shqiptare është në Tiranë me moton; o sot, o kurrë, është radha jonë.
Nesër në Tiranë janë mbarë shqiptarët, të cilët i ke zhytur çdo muaj e më thellë, i ke zhytur çdo vit e më thellë në varfërinë më të pamerituar.
Nëqoftëse në të gjithë popujt e Europës, begatia është rritur nga viti në vit, rrogat janë rritur nga viti në vit, pensionet janë rritur nga viti në vit.
Në Shqipëri nga viti në vit janë rritur tarifat e studentëve.
Nga viti në vit janë rritur gjobat që duhet të paguajnë shqiptarët për sistemin shëndetësor.
Nga viti në vit janë rritur çmimet e ushqimeve që blejnë në dyqane.
Nga viti në vit janë rritur nafta, ilaçet dhe çdo gjë tjetër.
Për të gjitha këto varfëria troket sot në gjysmën e familjeve shqiptare.
Kurse varfëria ekstreme troket sot në 4 herë më shumë familje, se sa 10 vite më parë.
Edi Rama edhe njëherë i’u rikujtoj shqiptarët se paguan pensionistët më pak se sa paga që vendosi për qenin e shtëpisë, Republika Federale Gjermane, para një muaj.
Ndokush mund të thotë se, Gjermania është Gjermani. Po Gjermania është Gjermani, është shumë herë më e pasur se ne, por nuk është kurrë më e pasur që të caktojë një rrogë më të madhe për qenin e shtëpisë, se sa për pensionistët që kanë punuar 40 vite, kanë shkrirë jetën e tyre.
Edi Rama ke kryer krime të shëmtuara, ndaj shqiptarët nesër do të të japin reston ty, sepse për vete ke krijuar luksin më të madh që ka njohur ndonjëherë një drejtues.
Ke tejkaluar Enver Hoxhën, i cili duhet ta dinë shqiptarët, vërtetë ndërtoi një vile 3-katëshe, po nuk e regjistroi kurrë në emrin të vetin. E regjistroi në emër të shtetit.
Si hajdut ke tejkaluar Enver Hoxhën sepse vërtetë ai ndërtoi një vile trekatëshe me një oborr rreth 1600 metër katror.
Po ti Edi Rama? Vilën me themele 10 metra më të gjata se ky pallati me tulla të kuqe që kam unë përballë, ETC me se e ndërtove.
Ti nuk e ke të shtetit, e ke personale.
A e dini ju o miq se, oborri i shtëpisë, parku i shtëpisë, që fillimisht ishte 5 mijë metër, është bërë tani 8300 metër katror.
Po lexoja dje për Guvernatorin e Kalifornisë.
Kalifornia është shteti i pestë me i pasur i botës, me një buxhet 4 trilion euro. Guvernatori i saj në vilën private kishte gjithsej 1400 metër katror oborr. Ndërkohë sulltani i Tiranës ka 8400 metër katror park dhe oborr tek sarajet në Surrel.
Miq!
Sa më shpejt të shpëtojmë nga ky grup, nga kjo organizatë kriminale.
Miq!
Edi Rama është gjysma identike e McGonigalit.
Ai dergjet në burg, kurse Rama zhgërryhet në sarajet e luksit në Surrel.
Kurse Rama kontrollon në Shqipëri të gjitha pushtetet.
Miq, çdo ditë që rri në pushtet na turpëron, çdo ditë që rri në pushtet na poshtëron, nuk durohet një padrino si ky.
Nuk durohet një narkodiktator si ky, i cili mbjell dhunë, dhunë kudo që shkon, sepse e ka kapur frika dhe tmerri nga krimet që ka kryer.
Ju e patë vetë se si me banditët e tij në takimin me emigrantët theu kocka emigrantësh, si një katil i vërtetë, njëlloj sikur të ishte i ati, me urrejtjen skizoide ndaj kundërshtarëve.
Ndaj dhe nesër Shqipëria në Tiranë. Marshim në Tiranë.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.
Fitore, fitore, fitore!
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!