Berisha: Në ora 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë me media, hodhi akuza ndaj Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, duke e përkufizuar situatën aktuale si kulmin e një ‘narkoregjimi’ që, sipas tij, ka humbur çdo lidhje me ligjin, Kushtetutën dhe standardet demokratike. Që në hyrje të fjalës së tij, ai e vendosi theksin tek ajo që e cilësoi si një raport i përmbysur pushteti brenda mazhorancës, duke deklaruar se ‘fati i Edi Ramës përcaktohet tërësisht nga Lubi Balluku’ dhe se vendi ndodhet përballë një ‘situate të paimagjinueshme’, ku vendimmarrja reale nuk i përket më kryeministrit, por një figure që, sipas tij, ushtron ‘një presion të gjithanshëm banditesk, publik e privat, ndaj Gjykatës Kushtetuese’.

Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se ‘Edi Rama kërkon me çdo kusht të mbrojë Lubinë’, duke e lidhur këtë mbrojtje me një marrëdhënie shantazhi politik, ku ‘ajo i betohet çdo ditë që në krah do të kem ty në qoftë se më lëshon’. Për të ilustruar këtë raport force, ai përmendi edhe episode konkrete të brendshme të mazhorancës, duke deklaruar se ‘akti i fundit i saj kërkon menjëherë shkarkimin e Spiropalit nga detyra e ministres së Jashtme’, jo për arsye institucionale, por për intriga dhe frikë të brendshme politike. Sipas tij, këto nuk janë thjesht përplasje personale, por dëshmi e ‘plotfuqisë së Lubisë ndaj Ramës’, një realitet që, siç u shpreh ai, ‘po ndodh dhe do të ndodhë’.

Lideri i opozitës Sali Berisha foli edhe për skandalin e AKSHI-t, të cilin Berisha e paraqiti si një çështje që ka tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe ka alarmuar kancelaritë evropiane. ‘Në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n’, deklaroi ai, duke renditur dy akuza madhore: së pari, se ‘Edi Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj në Shqipëri’; dhe së dyti, se nga kjo strukturë ‘janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s’, një akt që, sipas tij, përbën ‘një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën’.

Berisha e përshkroi situatë me AKSHI-n si një ‘monedhë me dy faqe’, ku ‘në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër është Linda e Surrelit’, duke nënvizuar se pikërisht ky dyzim ‘e trondit’ dhe ‘e shkatërron Edi Ramën’. Në këtë klimë, ai e paraqiti protestën e 24 janarit si një moment vendimtar, jo thjesht politik, por historik, duke e cilësuar atë si ‘shpresa e fundit e Shqipërisë’, e përfaqësuar nga ‘ata guximtarë që do vendosin të protestojnë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti’.

Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha ‘24 janari është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar këtë regjim, këtë organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, standard, Kushtetutë, normë apo standard’.  Ai deklaroi se ‘mbarë shqiptarët kudo që janë, njerëzit e lirë në Europë dhe në botë, presin me 24 janar fjalën e kryengritjes paqësore të qytetarëve të revoltuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë’. Në kulmin e fjalës së tij, ai formuloi thirrjen direkte për mobilizim qytetar, duke përcaktuar qartë kohën dhe mesazhin politik:

‘Në orën 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të Tiranës dhe mbarë vendit të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij’. Kjo hyrje e fjalës së Kryetarit të PD-së vendosi tonin e një përballjeje të ashpër politike, ku protesta paraqitet si instrumenti kryesor për ndryshim dhe si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj asaj që opozita e konsideron një krizë të thellë të rendit demokratik në vend.

FJALA E PLOTE:

Fati i Edi Ramës në galloshet e Lubi Ballukut.

Fati i Edi Ramës përcaktohet tërësisht nga Lubi Balluku dhe ka krijuar një situatë të paimagjinueshme.

Një presion të gjithanshëm banditesk, publik, privat ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Edi Rama kërkon me çdo kusht të mbrojë Lubinë, pasi ajo i betohet çdo ditë që në krah do të kem ty në qoftë se më lëshon.

Akti i fundit i saj, kërkon menjëhershëm të Spiropalit nga detyra e ministres së Jashtme, pasi sipas saj, ajo po ha dardha pas shpine.

Dhe kjo po ndodh dhe do ndodhë.

Ua dhashë këtë shembull jo për t’u marrë me intrigat mes tyre, por për të treguar plotfuqinë e Lubisë ndaj Ramës.

Ajo ka realizuar çdo gjë, siç faktojnë mesazhet, 6500 mesazhe në dosje, dy të tretat e të cilave lidhen direkt me Ramën, ka zbatuar vetëm urdhrat e saj.

Situata është edhe më dramatike dhe po kundërmon në mbarë Europën.

Në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n.

Dy arsye.

Edi Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj në Shqipëri.

Nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo përbën një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën.

Por AKSHI është një monedhë me dy faqe.

Në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër është Linda e Surrelit.

Dhe kjo e trondit Edi Ramën.

Kjo e shkatërron Edi Ramën.

Ndaj dhe jam sot këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, shpresa e fundit e Shqipërisë janë ata guximtarë që do vendosin të protestojnë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

24 janari është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar këtë regjim, këtë organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, standard, Kushtetutë, normë apo standard.

Mbarë shqiptarët kudo që janë, njerëzit e lirë në Europë dhe në botë, presin me 24 janar fjalën e kryengritjes paqësore të qytetarëve të revoltuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Ndaj dhe në ora 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të Tiranës dhe mbarë vendit të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: 4 ditë pas protestës, PS ka thirrur në 28 janar, Këshilli i Mandateve për imunitetin e Ballukut. A mendoni se pas ngrirjes së procedurave, maxhoranca do të shkojë drejt lëshimit të Ballukut?

Sali Berisha: Edi Rama ka vendosur të mos i heqë imunitetin Lubi Ballukut.

Edi Rama nuk i heq dot imunitetin Lubi Ballukut sepse është vetë.

Është Lubia me pantallona.

Është vetë.

Atëherë janë qytetarët që do përcaktojnë me revoltën e tyre, do mbrojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Por Edi Rama nuk e heq, qytetarët duhet ta kenë të qartë këtë.

Isa Myzyraj, OraNews: Sot u bënë 15 vite nga 21 janarit i vitit 2011, kur u vranë 4 protestues në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë kohës që ju ishit kryeministër i vendit. Keni diçka për të thënë?

Sali Berisha: Unë i kam thënë të gjitha për këtë ngjarje. Kam shkuar dhe në prokurori e kam dëshmuar për këtë ngjarje, e cila ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar, e faktuar.

Ishte protesta me axhendë politike, siç janë dokumentet ndërkombëtare.

Ishte protesta e paralajmëruar e Edi Ramës, se do të tejkalohet kushtetuta, etj., me radhë.

Ishte protesta e thirrur mbi bazën e falsifikimit të tmerrshëm, së bashku me Filip Çakullin, të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, i ndjeri, ku flitej për një letër në mos gaboj të një pronari, fitues tenderi për një HEC që e kishte marrë me gjykatë, jo nga ne. Gjykata ja kishte marrë një kompania italiane dhe dhënë këtij, për arsye që unë nuk mund të them, por vendimi i gjykatës duhej zbatuar, nuk kishte dyshim dhe që ai thoshte, shkruhej në shkresë; i nderuar ministër, për këtë vonesë që po më bëhet, 3 muaj pa u zbatuar vendimi i gjykatës, sipërmarrja ime ka humbur 700 e ca mijë euro.

Dhe fjalën 700 e ca mijë euro që Ilir Meta i thotë Dritan Priftit, që jepja, zbato vendimin e gjykatës, Edi Rama dhe Filip Çakulli e transformuan sikur ky i kishte marrë apo po i kërkonte 700 mijë euro kompanisë.

Pra, Edi Rama është përgjegjës kryesor për montimin dhe falsifikimin e dokumentit, tashmë e vërtetuar.

Për protestën e dhunshme që thirri, me një axhendë të caktuar.

Prano zgjidhjen politike më thotë mua, ose do kalohet mbi kufoma.

E gjitha kjo, nuk e di a e kanë thirrur apo jo, por ka një autor kryesor, organizator kryesor dhe ky është Edi Rama. Dhe për dijeninë tuaj, janë jo një, por më shumë se një, deklarata të qeverisë Amerikane, por dhe të institucioneve ndërkombëtare ku kërkohet hetimi i plotë i këtij zhvillimi nga polici i thjeshtë tek organizatorët kryesorë.

Është eksplicite organizatorët kryesorë.

Kjo është e gjitha. Lotët që derdh janë lotët e krokodilit. Edi Rama i solli ata si mish për top për pushtetin e tij. I solli si mish për top, për pushtetin e tij.

Ina Rama e hetoi çështjen, por nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën.

Sa u dënuan aty, por nuk gjeti asnjë shkak se aty kishte qëllime, ku Garda qëlloi në kushtet e ligjit. Garda ka zbatuar ligjin, ndaj dhe ajo propozoi vendimet.

Kjo është historia.

Por Edi Rama kërkon të përdor këto viktima, për të shpëtuar Lindën e tij, veten e tij, Mirlindën e tij, Lubinë e tij.

Asnjë qëllim tjetër sepse kësaj here kjo katërshe famëzezë është në gjykim, jo vetëm në Skap, por është në gjykim në të gjitha instancat, në të opinionin publik ndërkombëtar. Nuk ka më iluzione. Këto dosje kanë një emër, dosjet e Edi Ramës.

E kam mësuar nga kontaktet që kam, kjo është marrë, po analizohet kudo.

Isa Myzyraj, OraNews: Përderisa jemi gjatë në hetim, sepse edhe SPAK po heton mbi këtë ngjarje. A ka Sali Berisha përgjegjësi morale, politike, ligjore sado pak në këtë ngjarje?

Sali Berisha: Prit një minutë. Sali Berisha u rrethua në zyrë. Nëqoftëse ti, nëqoftëse një njeri merr dhe falsifikon një dokument dhe paraqet një dokument si dëshmi për një korrupsion, të faktuar të zv/kryeministrit.

Mos harro një moment. Në atë dokument, kur u shfaq për herë të parë, dilja dhe unë si i përfshirë. Por meqenëse në ‘cut e paste’ kalonin nga sekondi i 25 në të 32 dhe dukej haptazi se e kishin bërë trashë atë, u detyruan ta tërheqin, dhe të thonin është gabim, nuk është i përfshirë. Shkoni në atë kohë ju.

Pra nëse merret dhe bëhet një kurth i tillë, përgjegjësia ime se, Edi Rama merr dhe falsifikon në mënyrë më të pafytyrë, më kriminale dokumente për të akuzuar një tjetër, nuk kishte asnjë lidhje me atë falsifikim.

Nuk është përgjegjësia ime. Përgjegjësia ime, se unë kisha trajtuar me standardet më demokratike 752 protesta të opozitës në të 4-anët e vendit, pa asnjë cënim, por në përputhje me rregullat e një vendi demokratik.

Përgjegjësia ime, se hidhnin gurë dhe plumba? E mohoi sot, por ato janë në dritare, të dokumentuara, plumbat dhe revolet e tyre janë të dokumentuara, drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Nuk blindoja dyer unë, blind isha vetë unë. Nuk lëshoja zyrën unë, nuk bëja këtë frikacak që ja mbath. Jo unë në zyrë. Pse në zyrë? Se isha në të drejtën time, nuk i kisha borxh kujt.

Kisha zhvilluar zgjedhjet që kishin qenë sipas OSBE-ODIHR, zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira.

Unë isha në zyrë punoja, edhe në atë orë unë punoja. Jo më thanë mua, hajde të evakuohemi, jo u thashë unë pse të evakuohem. Unë jam në punën time.

Edi Rama qëndronte në kullën karshi dhe priste çastin që të vinte në zyrën time dhe të ju mbante fjalim pushtuesve poshtë. Por ai nuk mund të merrte kurrë. Nuk jam ai.

Sigurisht është ngjarje fatkeqe shumë dhe unë kam kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar dhe kam insistuar për hetim ndërkombëtar, se nuk kisha pikën e besimit te kjo, që i kam thënë ato fjalë dhe nuk ja heq asnjë.

As sot dhe gjersa të jetë gjallë, sepse i meriton ajo, sepse hyri në një lojë shumë të turpshme, të paimagjinueshme.

Keqardhje po, ngushëllime po që atë ditë.

Ke deklarata, ishte planifikuar si protestë e dhunshme.

Andon Kello, AbcNews: Si e ka pritur PD ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë për të qenë anëtar themelues i bordit të paqes për Gazën. Dhe si do votojë PD pasi ftesa do të shkojë në parlament për votim?

Sali Berisha: Së pari, me aq sa di unë, se ç’është e vërteta, çfarë e di, e di nga mediat, dhe ndonjëherë të medieve janë të sakta, por mund të jenë edhe të përafërta.

Ftesa për bordin e madh të paqes, se janë dy borde, njëri është ekzekutiv, tjetri është bordi këshillues që është për autoritetin e Gazës.

Bordi i paqes, me sa di unë, janë shpërndarë ftesa për shumë e shumë vende.

Pra, presidenti Trump aty ka ftuar vendet.

Në Shsqipëri, shefi i ekzekutivit nuk është presidenti, është ceremonial presidenti, kështu që ftesa i takon kryetarit të qeverisë.

Ky është komenti im.

Nuk kam asnjë llojo komenti tjetër.

Dhe kjo, ju mund të mendoni se kjo forcon pozicionin ndërkombëtar të Edi Ramës apo në Shqipëri, absolutisht jo.

Çfarëdo ftese të marrë, Edi Rama mbetet një narko-diktator.

Por natyrisht është njeriu që përfaqëson Shqipërinë.

Sa të jetë aty, ftesat për Shqipërinë do i marrë ai.

Kaq…

Andon Kello, AbcNews: A do votoni pro?

Sali Berisha: Nuk e di se në radhë të parë kjo shtrohet në parlament.

Andon Kello, AbcNews: Është marrëveshje ndërkombëtare.

Sali Berisha: Nuk di të shtrohet në parlament.E vërteta është, të jem i sinqertë, ka disa opsione. Një mendim është se këtu duhet të zëvendësohet OKB. Një mendim, unë mendova në fillim se është një koalicion i vullnetit si në rastin e Irakut, meqenëse shumë vende e kundërshtuan ndërhyrjen në Irak, atëherë qeveria e SHBA krijoi koalicionin e vullnetit ku edhe ne morëm pjesë dhe unë kam shkuar si kryeministër në Mosul.

Nuk u kërkuan fonde, u kërkuan forcë ushtarake dhe ne çuam simbolikisht.

Pra, unë po i ndjek këto zhvillime.

Një gjë është këtu që duhet ta pohojmë, paqja në Gaza ishte në vlerësimin tim dhe të çdo njeriu, një arritje e jashtëzakonshme se ishte një situatë shumë e vështirë.

Ju e keni parasysh, aty vrasjet shtoheshin ditë për ditë dhe ajo është ndërprerë.

Tani, presidenti Trump njëherë shpalli planin me 22 pika, të cilin e ka të miratuar në OKB.

Plani i presidentit për Gazën ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit.

Në këtë kontekst, baza ligjore ndërkombëtare ekziston.

Sa është përputhur me rezolutën e OKB, unë këtë nuk mund ta… është çështje ndërkombëtare…

Daniela Maloku, ReportTv: Zoti Berisha, ndërkohë që ne flasim, qeveria e ka miratuar aderimin e Shqipërisë në bordin e paqes për Gazën, ndërkohë që pritet që nesër të mblidhet Kuvendi për të kaluar këtë marrëveshje. Cili do jetë qëndrimi i PD?

Sali Berisha: Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Do të shohim. Unë po informohem nga ju.

Daniela Maloku, ReportTv: Parimisht si duhet të jetë vota e opozitës?

Sali Berisha: Parimisht ne mbështesim plotësisht përpjekjen dhe vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza. Planin për paqe të presidentit Trump. Nuk di se cilat janë asgjë tjetër më shumë se kaq.

Sepse siç e dini vetë, të dhënat janë të ndryshme.

Ndaj dhe kjo urgjencë ka për qëllim, se unë nuk shoh një urgjencë këtu, nëqoftë se e bën me urgjencë, ta bëjë. Por është tjetër të jesh dakord, dhe tjetër ta bësh me urgjencë.

Asgjë nuk e shpëton. Asnjë bord, asnjë vizitë, asnjë takim nuk e shpëton nga verdikti i datës 24.

Sepse ai këtë urgjencë e lidh me protestën.

Me datën 24 janar, Tirana dhe Shqipëria do jetë e tëra në rrugë kundër kryeministrit më të urryer të kohërave pas Enver Hoxhës gjer sot.

Isa Myzyraj, OraNews: Si i komentoni deklaratat e kryeministrit që në tavolinë të jetë dhe mbyllja e RTSH-së, duke kritikuar menaxhimin. A keni ju një koment në lidhje me RTSH dhe kërcënimet që ka bërë Edi Rama?

Sali Berisha: Kërkesa e tij për të mbyllur Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) nuk ka diskutim që është një kërkesë me të cilën kërkon të nxjerrë, të vjedhë ndonjë gjë, dhe të ndajë fitimet me ndonjë mik të tij që don të ja japë.

Nuk mund të them se, ka hallin tek censura, mbasi për kështu ai censurën e ka omniprezente po thuaj. Nuk dalloj unë asgjë mes Top Tunelit dhe RTSH, nuk shoh ndonjë dallim. Ndaj dhe këtu kemi të bëjmë me punë pazaresh, që ai është i pangopur.

Nuk mund të them se është punë censure? Jo se ai censurën e ka kudo. E patë ju, falë toka, falë ndërtesa, falë këto, falë ato, i fut nën sqetull, u jep hotele, u jep gjëra. Qëllimi është se ka bërë pazar me ndonjë të vetin dhe do të ja japë atij, për të ndarë pare me të.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale