FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME SHQIPTARET NË ATHINË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në takimin madhështor me shqiptarët e Greqisë, ku ka vlerësuar me nderim të madh Athinën dhe autoritetet për pritjen e shqiptarëve ndër vite. ‘Përulem me nderimin më të madh, Athina ka sot shqiptarë më shumë se në çdo kryeqytet, se çdo qytet tjetër jashtë Shqipërisë’, u shpreh Berisha në takimin madhështor me diasporën në Greqi.
Gjatë fjalës së tij në takimin në Athinë, kryedemokrati Sali Berisha vlerësoi shqiptarët e emigruar në Greqi dhe Athinë dhe punën e tyre ndër vite, pas rënies së komunizmit në Shqipëri. ‘Ju u shndërruat në një faktor shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në Greqi’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me diasporën në Greqi, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Lideri i opozitës, gjatë takimit me shqiptarët, u ndal edhe te marrëveshja e detit, duke theksuar se marrëveshja e bërë në kohën e qeverisjes së PD-së, ishte marrëveshja që fitonin edhe Shqipëria edhe Greqia. ‘Nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët, ishte ajo që bëmë ne për detin’, u shpreh lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryedemokrati Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se me urdhër të tij u arrestua kryebashkiaku fitues i Himarës, Fredi Beleri, për interesa personale të kryeministrit që lidheshin me Kanionin e Gjipesë. ‘Rama arrestoi Fredi Belerin për shkak të kanionit të Gjipesë, që e kishte marrë pa asnjë akt trashëgimie apo konfiskimi’, theksoi ai gjatë takimit me shqiptarët në Athinë, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha ka shprehur vlerësimin e tij të pakufishëm për shqiptarët e diasporës gjatë takimit në Athinë të Greqisë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. ‘Ju jeni zëri më i fuqishëm, shpresa më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do ti themi Ramës, prit diasporën se po vjen’, u shpreh Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në takimin madhështor me shqiptarët në Athinë, u shpreh se përgjatë 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria u kthye në kopshtin e Xhorxh Soros. ‘Shqipëria u bë kopshti i Xhorxh Sorosit me Edi Ramën. Që të gjitha kundër opozitës, ndaj të gjithave opozita qëndroi e pamposhtur’, theksoi Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha premtoi se në 3 muajt e parë të qeverisjes së PD-së, do të marrë fund mjerimi në Shqipëri. ‘Në 3 muaj e parë mjerimi do të marrë fund në Shqipëri, sepse Shqipëria i ka fondet, por po ja marrin hajdutët’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Gjatë takimit madhështor me shqiptarët në Athinë, lideri i opozitës, Sali Berisha, duke prezantuar programin ambicioz të Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, u shpreh se ‘Shqipëria Madhështore’ është zotimi ynë para jush’.
‘5 vite me taksa zero për këdo që kthehet dhe investon në Shqipëri’, ishte një tjetër premtim ambicioz i premtuar nga kryedemokrati Sali Berisha, për shqiptarët që kanë emigruar jashtë Shqipërisë.
Në mbyllje të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi angazhimin e shqiptarëve të diasporës për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, duke theksuar se ‘këtë dimër ia kanë kthyer Shqipërisë në pranverë’. ‘Ju këtë dimër, i’a keni kthyer Shqipërisë në pranverë, dhe 11 majin në fitoren historike, në fitoren më të thellë’, u shpreh lideri i demokratëve Sali Berisha në fund të fjalës së tij gjatë takimit madhështor me shqiptarët e Athinës.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë, minoritar grek dhe çam të pranishëm në këtë sallë.
Një mirënjohje të pakufishme për këtë pritje vëllazërore ju, të jashtëzakonshme.
Faleminderit shumë!
Të dashur drejtues të PD, aleatë, Dule, zotërinj deputetë, Beleri, miq, është nder i veçantë, nder i madh, të përshëndes sot nga kjo sallë, nga kjo tribunë, shqiptarët në Athinë, shqiptarët në të 4-anët e Greqisë, shqiptarët kudo që janë sot, tu përcjell përshëndetjet më të zjarrta nga Athina, qyteti i lavdisë së përjetshme, djepi i qytetërimit perëndimor, djepi i mendimit filozofik, shkencës, artit, kulturës, sportit, ligjit dhe të gjitha fushave.
Por unë dua të përulem me nderimin më të madh sot, para qytetarëve grekë të këtij qyteti, sepse miq, sepse Athina në këto vite ka treguar zemrën më të hapur, bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve.
Ajo ka sot shqiptarë më shumë se në çdo kryeqytet, se në çdo qytet tjetër jashtë Shqipërisë.
Miq!
13 vite më parë kam qenë këtu dhe mësova se, shqiptarët në këtë qytet posedonin 360 mijë apartamente, shqiptarët në këtë qytet, janë bërë pjesë e këtij qyteti. Edhe njëherë e theksoj, qytet i përjetshëm ndaj dhe vetëm mirënjohje për qytetarët dhe autoritet e këtij vendi.
Të dashur miq!
Takimi me ju është takimi më prekës, më mallëngjyes, është takimi me sakrificën mbinjerëzore të njeriut.
Ju në një kohë kur diktatura kishte shndërruar kombin shqiptar me një rraskapitje të madhe, pothuajse fantazëm, në një kohë kur ajo për dekada kishte vjellë vrer dhe demonizuar sa asnjë komb tjetër, fqinjin tonë mijëravjeçar, ju vërshuat drejt këtij vendi për të gjetur shpëtim nga dhimbjet e tmerrshme që krijonte varfëria e tejskajshme e trashëguar nga diktatura.
Ju sfiduat çdo gjë, çdo mashtrim, çdo dezinformim dhe erdhët drejt një të panjohure. Njerëz që gjuhën nuk e dinit, njerëz që profesionet e kërkuara nuk i kishit, por u pritët nga mirëpritësit tuaj, u pritët nga qytetarët e këtij vendi dhe me një shpejtësi të rrufeshme ju u shndërruat dora dorës në një faktor shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe lumenjtë e djersës që ju derdhët morën vlerësimin më të lartë në të gjitha fushat e këtij vendi, ndërtim, turizëm, bujqësi.
Sot nga ju në çdo fushë ka personalitete të shquara, ka këngëtarë, artistë, piktorë, shkrimtarë, sportistë, që nderojnë Greqinë në të gjitha garat me të cilët Shqipëria krenohet dhe do të krenohet.
Historia po përsëritet.
Ne jemi në sallën që mban emrin e një greke-shqiptare të famshme, Melina Mërkuri. Melina të tjera, Irena Papas të tjera, do të dalin nga ju me të cilat do të krenohet Greqia, do të krenohet Shqipëria.
Të dashur miq!
Mirënjohja ime për ju dhe e çdo shqiptari është e pakufishme sepse ju erdhët këtu dhe një pjesë të mirë të fitimeve tuaja ju i kaluat tek familjet tuaja në Shqipëri.
Ju u bëtë pjesë e rëndësishme e investimeve dhe ndërtimit të Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Partia Demokratike u themelua në vitet ’90, por ju nuk duhet të harroni se mbështetësi i parë i opozitës shqiptare, mbështetësi i parë i pluralizmit politik në Shqipëri nga arena ndërkombëtare ka qenë Kostandin Mitsotaqis, i cili do të ishte kryeministri i parë që do të takonte lidershipin disa javor të PD-së.
Kostandin Mitsotaqis ishte kryeministri i parë në Europë dhe botë që do të priste në Selanik, Ibrahim Rugovën.
Panorama e marrëdhënieve tona është padiskutim panorama e dy kombeve mike, e dy vendeve mike.
PD në këtë rast dua të theksoj, se marrëdhëniet mes dy fqinjëve nuk janë asnjëherë linare, njohin uljet dhe zbritjet, por në çdo kohë në pushtet, PD me qeverinë e këtij vendi ka njohur një dialog konstruktiv dhe një vullnet për të dialoguar pa asnjë tabu për çdo çështje.
Ky vullnet bëri që në mars 1996 të firmosnim me presidentin e Greqisë, Stefanopullos traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit.
Traktat që u jepte përgjigjen ligjore më të mirë, të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve, probleme që duheshin zgjidhur dhe të ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.
PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit.
Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj.
Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste.
Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin.
Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës.
Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira.

Miqtë e mi!
Ne jetojmë në një kohë kur liritë dhe të drejtat janë vlerat më themelore të njeriut të lirë, të shoqërive të lira.
Çfarë ndodhi në Shqipëri? Në Shqipëri ndodhi një akt, që përveç netëve më të zeza të diktaturës komuniste nuk mund të ndodhte tjetër.
U bë gara për pushtetin vendor. Opozita kandidoi Fredi Belerin në Himarë. Edi Rama e kishte
ftuar Fredi Belerin për ta afruar, por Beleri kishte pikëpamjet e tij të qendrës së djathtë dhe nuk
mund të devijonte qëndrimin e tij.
Tani, nuk po ndalem tek fushata e turpshme që bëri, sepse ishte një fushatë vetëposhtëruese për atë që bënte një fushatë të atillë ndaj Fredi Beleri.
Zgjohem në datën 15 dhe shikoj një zonjë e tronditur në palcë, nënë e tre fëmijëve, kryefamiljare kishin shkuar në 2 të natës dhe e kishin nxjerrë nga shtrati i fëmijëve duke besuar se mund ta bindnin të dëshmojë se ka shitur votën.
Nëna që nuk kishte takuar kurrë njeri tjetër, e kishin hequr nga shtrati në 2 të natës dhe e kishin çuar në Vlorë. As nuk pyeta fare, sa pashë atë skenë, kjo është skenë tipike e sigurimit të shtetit, e asaj policie të urryer që ka terrorizuar shqiptarët 46 vite dhe ishte turpi i turpit.
E ka thënë Niçe, streha e fundit e horrave është nacionalizmi.
Tani ky do ta mbulonte me nacionalizëm grabitjen e mandatit të Belerit.
Çfarë qëndronte mbrapa? Ta dini ju, ta dinë shqiptarët dhe e gjithë bota. Kanioni i Gjipesë. Po. Unë u skandalizova nga ajo skenë që pashë miq.
Po merrte mandatin, nuk e linte të betohej, ndërkohë që çdo shqiptar i burgosur gjatë 34 viteve që nuk ishte dënuar, ishte betuar për kryetar bashkie, deputet se kushtetuta nuk e ndalon. Këtë nuk e lejonte të betohej në asnjë mënyrë.
Unë deklaroj se pas këtij akti qëndronin interesa mafioze.
Një gazetar guximtar investigativ na nxjerr se Edi Rama pa asnjë dokument kadastral, as të sulltanit, as të mbretit as të diktaturës, pa asnjë dokument konfiskimi kishte marrë me emrin e nënës së tij të ndjerë, kanionin e Gjipesë. Dhe kur ra në qark, thoshte se ku është atje lart, sikur ishte në majë të Çikës, kanioni ishte buzë ujit 224 mijë metër katror tokë.
Ja pra miq se cila ishte për Edi Ramën interesi i marrëdhënieve me Greqinë, ja pra se cili ishte interesi i bashkëjetesës tuaj me grekët në këtë tokë.
Cili ishte interesi i marrëdhënieve tona me vendin fqinj, që 34 vite rresht pavarësisht ndonjë problemi, kurrë nuk kishte ngurruar së ndihmuari Shqipërinë, qoftë në integrimin Europian, qoftë në fusha të tjera.
Tani duhej ti vinim flakën marrëdhënieve për kanionin e Gjipesë. Absolutisht.
Çfarë ndodhi pastaj me Petron. 6200 zgjedhës të cilët në çdo zgjedhje kanë marrë pjesë në votime se u shtyhet afati, i la pa votuar vetëm që të humbiste Petroja të cilin e votuan qytetarët e Himarës, nuk e votuan të tjerët. Se çbëri ai, e di vetë.
Pra a mund të ndërtohen marrëdhëniet mbi parime të tilla, mbi terror policor, a mund të ndërtohen marrëdhëniet mbi rrembim mandatesh.
Beleri nuk është rasti i parë. Ku është Spiro Ksero, një njeri i ndershëm, një ministër eficent, absolutisht i dënuar për qëllime politike.
Por prisni, është i vetmi qytetar në Republikën e Shqipërisë që është dënuar 1 vit burg dhe 8
vite heqjen e të drejtës së zgjedhjes.
E kuptoni ju, sepse Spiro Ksera kishte një autoritet në Gjirokastër si tek minoritarët jo tek minoritarët dhe meqenëse përbënte një problem elektoral urdhëron ta ndalonte 8 vite të mos kandidojë.
Pse u ndala në këto raste. U ndala sepse narkodiktatori shqiptar nuk ka përveç interesave të tij dhe pushtetit të tij, asnjë interes kombëtar, asnjë interes qytetar është i gatshëm të bëjë dhe të ndërmarrë çdo vendim.
Të dashur miq!
Sot jemi në një moment historik dhe në fakt historinë po e bëni ju, ua them unë ju.
Çfarë ndodhi me Shqipërinë këto vite. E mbolli nga Pogoni në Alpe në kufi me Plavën e mbolli kanabis në vitin 2015.
Klanet e kanabisit vërshuan drejt Amerikës Latine.
Klanet më të fuqishme të drogës, Sinaloa etj., u pushtuan nga shqiptarët e Edi Ramës.
Ligji u asgjësua. Opozita e cila duhej të ngrinte zërin u godit me të gjitha mjetet.
Gjykatat u futën të gjitha në dorë.
Rrogat e pensionet që ishin më të larta në Rajon, zbritën me shpejtësi dhe sot janë më të ulëta.
Çmime stratosferike se narkoeuro, vetëm një mik i Edi Ramës nga Dubai, ka transferuar 3 miliardë euro në bankat e Europës. Pra ato po i largojnë shqiptarët masivisht.
Atë që i ka bërë Edi Rama Shqipërisë në memorien time, në leximet e mia, nuk ja ka bërë asnjë pushtues gjer sot.
Në 10 vite ka larguar nga Shqipëria 45%. Ju po bëni historinë, por ju duhet ta dini se qyteti i Kolonjës gjithë vitin 2023 pati vetëm një lindje. Shkretim të tillë nuk ka luftë, nuk ka fatkeqësi natyrore, ti ketë bërë një vendi sa i bëri narkoshteti i Edi Ramës, Shqipërisë.
Atëherë a nuk është ky armik ndër më të egrit që kemi njohur në historinë tonë. Ndaj dhe para kësaj alternative, para saj që ai shqiptarët nuk i lejon të votojë, zëri më i fuqishëm, shpresa më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët jeni ju.
Çfarë po shoh unë, çfarë po konstatoj. Një gjë të jashtëzakoshme. Në një Shqipëri që përjeton problemet më të rënda, po vërshon drejt saj ajo dashuri që do të bëhet eliksiri i vërtetë i shpëtimit të saj.
Ju keni një meritë të madhe, e keni ruajtur atë dashuri, e keni ruajtura të pashuar, të pashtershme dhe kjo që tregoni ju është dashuri për Shqipëri. Ju ngrohni sot me këto qëndrime, zemrat, votrat e shqiptarëve kudo që janë.
Do ti themi prit diasporën se po vjen.

Miq!
Donald Trump gjatë fushatës ka thënë një nga gjërat më të mëdha që një politikan ka thënë ndër kohëra.
Ka qenë shprehja e Çërçill që tha: Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, në fakt që ndryshoi kursin në Luftën e Dytë Botërore.
Ishte shprehja e Ronald Regan në portën e Branderburgut; Gorbaçov rrëzoje këtë mur se, liria gjermane është çështje e lirisë së njerëzimit. Muri u rrëzua, Gjermania u bë e lirë, lokomotiva e Europës.
Ishte Gorbaçovi me një kurajo mbinjerëzore që doli e tha, Rusia e Bashkimit Sovjetik është bërë toka e askujt, as e popullit rus as e mumuthit Parti Komuniste.
Donald Trump; armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm. Kush ishte ky armik, ata që deri dje ne i quanim për miq, ata janë.
Pse e tha këtë. Ai që të prek lirinë është armik. Cilido që të prek lirinë, vendas apo i huaj është armik dhe vetëm armik.
Vendi i madh i lirisë u përball me dhunime të lirisë. Filloi censura. Aty ku fillon censura, fillon diktatura.
Rrjetet sociale krijuan ekipe për të censuruar. Eksponentë të rëndësishëm të politikës, na duhet censura. Antony Blinken firmoste me ministrin e Jashtëm memorandumin e censurës.
Pastaj kjo ishte njëra anë.
‘Woke culture’, kultura që e kishim parë gjatë revolucionit kulturor kinez që përmbysnin statuja, simbole çdo gjë.
Pastaj përtej Marksit. Gjinia njerëzore duhet të ndryshohet. Marksi nuk e ka patur këtë, Marksi ishte për njeriun e ri, por jo për të ndërhyrë në gjini. Kaluan dhe Marksin.
Të gjitha erdhën në Shqipëri. Shqipëria u bë kopshti i Xhorxh Sorosit me Edi Ramën. Që të gjitha kundër opozitës, ndaj të gjithave opozita qëndroi e pamposhtur.
Ndaj miq, thashë dhe njëherë, ju po bëni historinë se kjo dashuri që tregoni ju, në këto takime ndaj vendit tuaj, ky optimizëm, ky entuziazëm është eliksiri i fitores së 11 majit.
Dhe ju garantoj ju, se ajo fitore do të jetë një fitore historike për Shqipërinë e shqiptarët, për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë e Greqisë dhe fqinjëve tanë. Po miq.
Ju garantoj se, me programin tonë, në 3 muaj e parë mjerimi do të marrë fund në Shqipëri, nuk do të ketë më varfëri ekstreme. Ju garantoj se, familjarët tuaj nuk do kenë më nevojë të blenë ilaçet dhe kafshatën me paratë tuaja.
Jo mor jo, do i marrin në Shqipëri se, i ka Shqipëria fondet, por po ja marrin hajdutët.
Ne do të kthejmë Shqipërinë në një Shqipëri ku jetohet.
Ne do të kthejmë Shqipërinë në një Shqipëri ku shqiptarët ëndërrat e tyre do ti bëjnë realitet në vendin e tyre.
Miq ne në 2013 kishim rrogat më të larta se të gjitha vendet e rajonit përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë.
Po sot ku janë. Sot rroga mesatare në Rumani, që në asokohe ishte 800 lej, është 3300 lej.
Sot pensioni në Malin e Zi që asokohe ishte 150 euro, është 450 euro.
Sot pensioni në Serbi është 330 euro.
Po çfarë ndodhi me shqiptarët, si ka mundësi. Ka mundësi miqtë e mi, se për Edi Ramën janë qenie inekzistente.
Sepse qeveria thotë do të ndërtojë djegësin e Tiranës, 130 mln euro, asnjë tullë nuk është hedhur, paratë janë vjedhur.
Sepse tenderat i marrin drejtorët e bashkisë 100%. I vjedhin 100%.
Sepse rruga kushton 10-fishin krahasuar me një vend të BE.
Sepse ai për vete udhëton me avion taksi, shpenzon 20 mln euro, shpenzon 120 mijë pensione. Sepse ai hap shishen, 33 mijë euro shishen që përveç sulltanëve dhe sheikëve, e miliardierëve nuk i hap njeri tjetër.
Sepse për vete ai, blen vazo për oborrin 5 mln euro.
Sepse ka një javë që sillet e përcillet për të mbrojtur garderobën 1 mln euro të Lajla Asadit të Tiranës.
U ndala në këto aspekte për të ju thënë se ku janë paratë.
Ky është projekti i parë.
Shqipëria Madhështore është zotimi ynë solemn para jush.
Ju e dëgjuat, njërin nga kryestrategët e rikthimit më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimin e Donald Trump me votën e lirë, në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha; Erdha këtu për të vazhduar punën e Trump dhe sipas tij, puna e Donald Trump ishte Shqipëria madhështore.
‘Make Albania Great Again’ ne po i themi ‘Shqipëria Madhështore’.
Po si do bëjmë Shqipërinë Madhështore’. Absolutisht do ta bëjmë Shqipërinë Madhështore.
Shqipëria do të jetë e teknologjive më të larta, do të jetë Shqipëria e internetit tre, do të jetë Shqipëria e blockchain, e kriptomonedhave, e inteligjencës artificiale, do të jetë Shqipëria e të rinjve më të aftë më të zot në fushën e hitech, e datacenterave.
Pra projekti ynë do të jetë projekti i asaj Shqipërie që doni të shihni, i asaj Shqipërie që do ju bëjë ju krenar, i asaj Shqipërie që do bëjë çdo kënd krenar.
Projekti ynë matet me më të vështirën dhe më e vështira të dashur miq, është rritja progresive e numrit të shqiptarëve në Shqipëri. Por ne do ta realizojmë atë me çdo kusht dhe çdo çmim.
Njëherë ju garantoj ju, se cilido nga ju që do të kthehet në Shqipëri do të ketë një periudhë 5 vjeçare pa asnjë taksë. Secilido prej jush që do të vijë të investojë, do të ketë mbështetje të plotë. Shqipëria do të vendosë të njëjtin regjim, po ato subvencione që ka Greqia për bujqësinë, që kanë vende të Bashkimit Europian.
Nuk ka Misir që ja kalon tokës shqiptare. Ajo pret vetëm frymëzimin punën, djersën tuaj për tu bërë më pjellorja tokë e rajonit.
Do të punojmë fort për të ju garantuar ju ruajtjen e gjuhës kudo që jeni.
Për të garantuar pensionet kudo që jeni, pa diskutim. Dhe jam i bindur se do ti realizojmë. Me qeverinë e këtij vendi, me dialog konstruktiv kemi trajtuar çdo problem dhe e kemi vënë në rrugë zgjidhje çdo problem, dhe do të vëmë edhe këtë, kjo është një e drejtë.
Ju garantoj se, ju sot jemi studentë të shkëlqyer, ju jeni sot ndër ushtarakët më të aftë në ushtrinë greke, që do mbroni Greqinë, ju jeni sot njerëz që keni firmën, vulën tuaj, së bashku me qytetarët e Greqisë në transformimin e madh të Greqisë.
Shqipëria pret me padurim investimet tuaja, Shqipëria pret me padurim investimet greke.
Mos harroni se pati një të kaluar zhvillimesh shumë intensive.
Kompanitë greke morën pjesë në vepra të mëdha infrastrukture. Bankat greke ishin ndër më të zhvilluarat. Investimet greke në të gjitha fushat.
Një nga një u larguan se me mafian nuk merret askërkush. Prap do të kthehen, prapë do të vijnë në Tiranë. Dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve është një garanci për marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat.
Të dashur miq!
11 maji po afron, po ju që ja bëtë dimrin, pranverë Shqipërisë, këtë dimër i‘a keni kthyer Shqipërisë në pranverë.
Midis jush qytetarëve shqiptarë në diasporë dhe emigracion dhe studentëve liberator të viti 1990, edhe ata e kthyen atë dimër në pranverë. Edhe po e ktheni këtë dimër në pranverë dhe Majin në fitoren historike, në fitoren më të thellë.
Dhe të gjithë ju do të mbeteni krenar gjithë jetën se rrëzuar dy diktatura, rrëzuat diktaturën komuniste, rrëzuat diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve të Edi Ramës.
Fitore, fitore, fitore! Është radha jonë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Greqinë.
Zoti ju bekoftë ju, miqtë tuaj kudo që janë.
Faleminderit shumë.