Berisha: Më 7 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KËSHILLIN KOMBËTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar se deputeti Ervin Salianji u burgos nga regjimi sepse denoncoi publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha u shpreh se ‘Salinji është një politikan që nuk ka qenë kurrë në pushtet, u burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij.’

Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se prej denoncimeve publike të Ervin Salianjit, shqiptarët mësuan se vëllai i ish-ministrit të brendshëm, ‘Faqezi Xhafaj’, jo vetëm fshihej në Shqipëri në një kohë kur kërkohej në vendin fqinj për të vuajtur dënimin e marrë, por si baron droge, me vëllain ministër, me lidhje të ngushta me vëllain e kryemafiozit të Shqipërisë, Olsin, drejtonte nga Vlora, qarku dhe porti i saj, trafiqet drejt Italisë dhe vendeve të tjera.

Kryedemokrati, Sali Berisha u shpjegoi shqiptarëve se ata sot kanë kundër tyre, qeverinë, presidentin, drejtësinë dhe narkoshtetin. ‘A do lejojmë ne që të dorëzojmë fatin tonë, fatin e fëmijëve tanë, fatin e demokracisë, fatin e Shqipërisë, një narkodiktatori si Edi Rama, pasardhës i etërve xhelatë që ngjyen duart me gjakun e shqiptarëve për 45 vite’, u shpreh Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. 

Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe Xhorxh Soros se kanë kapur shtetin shqiptar. ‘Shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm’, theksoi Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.  

Berisha bëri thirrje që në datën 7 tetor, në protestën kombëtare të shqiptarëve të hiqen flamujt partiakë, dhe të ngrihet vetëm një flamur, ai i kombit, i shpëtimit të Shqipërisë.

FJALA  E PLOTE:

Të dashur anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, drejtues kryesorë të kësaj partie.

Të dashur anëtare e anëtarë të PD, qytetare e qytetarë shqiptarë.

Sot, Këshilli Kombëtar i PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, fatin e pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar.

Prej dy ditësh, Shqipëria nuk është më ajo që ishte.

Pas 34 vitesh, në Shqipëri është rikthyer e plotë hija e zezë e narkodiktaturës, diktaturës që ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies.

Diktaturës të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Çdo shqiptar, çdo prind, çdo baba, çdo nënë, çdo vëlla dhe çdo motër, çdo i ri dhe çdo pensionist, njerëzisht mendoj se duhet të dëgjojë këtë mesazh për të kuptuar rrezikun e madh që i kanoset direkt fatit të tij dhe të njerëzve të tij më të dashur.

Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan në moshë të re, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë.

Një politikan që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria.

U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij.

Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge.

Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë.

Të dashur qytetare e qytetarë!

E vërteta është se prej denoncimeve publike të Ervin Salianjit, ju mësuat se vëllai i ish-ministrit të brendshëm, Faqezi Xhafaj, që drejtonte policinë e tyre, jo vetëm ishte një trafikant droge i rrezikshëm me aktivitet trafiqesh ndërkombëtare në Itali dhe Venezuelë, jo vetëm ishte i dënuar nga gjykatat e këtyre vendeve për krimet e tij të shëmtuara, jo vetëm fshihej në Shqipëri në një kohë kur kërkohej në vendin fqinj për të vuajtur dënimin e marrë, por si baron droge, me vëllain ministër, me lidhje të ngushta me vëllain e kryemafiozit të Shqipërisë, Olsin, drejtonte nga Vlora, qarku dhe porti i saj, trafiqet drejt Italisë dhe vendeve të tjera.

Dhe natyrisht lojërat e fatit dhe trafiqe të tjera kriminale.

Të dashur miq, prej denoncimit kurajoz të Ervin Salianjit, Geron Xhafaj sot gjendet prapa hekurave në Itali, pikërisht për trafik droge.

Vlora, Shqipëria një kriminel më pak.

Por për gjykatën politike personale të Edi Ramës, për gjykatën e sunduar nga krimi i organizuar, me urdhër të partisë, Ervin Salianji shkoi në burg për kallëzim të rremë, bazuar në kallëzimin e Geron Xhafës, si një hakmarrje, si një dëshmi e sundimit të plotë të kodit të mafies të vëllazërive mafioze Rama-Xhafaj në Shqipëri.

Me këtë akt, kreu i narkoshtetit shqiptar, Edi Rama nisi zyrtarisht fushatën e tij.

Por miqtë e mi, shqiptarët nuk janë naivë. Edi Rama nuk nisi fushatë elektorale, pasi zgjedhje me Edi Ramën është faktuar në mënyrën më të pakundërshtueshme se nuk ka dhe nuk mund të ketë.

E vërteta është se me burgosjen e Ervin Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe ndaj shqiptarëve.

Në sytë e çdo shqiptari ishit dëshmitarë të triumfit në sallën e gjyqit, të triumfit në sallën e

parlamentit, të krimit dhe drogës mbi të vërtetën.

Në rreshtimin me urdhër politik të të gjitha institucioneve të narkoshtetit dhe të drejtësisë sorosiane me krimin dhe drogën.

Në përdorimin e vendimeve politike të saj si plumba për opozitën.

Si plumba ndaj fjalës së lirë, duke burgosur një opozitar të ri dhe të pafajshëm, një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, por shërbimin e tij publik ndaj shqiptarëve.

Ervin Salianji ishte dhe është një nga ata të rinj guximtarë që midis të vërtetës dhe përuljes, nënshtrimit, pazareve me kriminelët në pushtet, zgjodhi të mbrojë të vërtetën.

Zgjodhi të mbrojë interesin e çdo qytetari të këtij vendi dhe jo vetëm të Shqipërisë.

Mafia nuk ka kufi, mafia nuk ka atdhe, ajo është një rrezik jo vetëm për një komb, por po kaq edhe për kombe të tjera.

Mirëpo, kur deputetët e opozitës burgosen se denoncojnë krimin e organizuar, vetiu shtrohet pyetja: kush do i mbrojë qytetarët, kush do i mbrojë fëmijët etyre, kush do jetë avokati i aspiratave të tyre, kush do përballet publikisht me trafikantët, me gjobëvënësit, me kriminelët?

A do ju mbrojë qeveria e Edi Ramës, që pret në zyrë njëra pas tjetrës vëllazëritë e drogës, kartelet e Sinaloas?

A do ju mbrojë presidenti që sillet si një noter i kreut të narkoshtetit shqiptar?

A do ju mbrojë drejtësia që është sot njësh me krimin, e cila në vend që të çojë përpara hekurave Edi Ramën për vjedhjet dhe plaçkitjet e mëdha të këtij kombi, për tradhtitë e tij kombëtare, për përpjekjet e tij për ndezjen e konflikteve në Kosovë dhe ndarjen e Kosovës me Aleksandër Vuçiç? Në vend se të çojë prapa hekurave Erion Veliajn, që ka vendosur modelin unik të vjedhjes 100 përqind të fondeve, Olta Xhaçkën që del mbi parlamentin, mbi Gjykatën Kushtetuese dhe e shndërron Shqipërinë në republikën e saj, kjo gjykatë dënon me burg Ervin Salianjin.

Shqiptarët sot kanë kundër tyre qeverinë, kanë kundër tyre presidentin, kanë kundër tyre drejtësinë, kanë kundër tyre krimin e organizuar, kanë kundër tyre narkoshtetin, pra të gjitha këto pushtete, të cilat janë më shumë se pushtetet që kishte diktatori i fundit komunist në vitin 1991, janë aktualisht instrumente të mobokracisë, diktaturës të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen të shqiptarëve të Edi Ramës.

Të një Noriege, të këtij narkodiktatori që zbaton manualet e narkodiktaturave në Shqipëri.

Të gjitha këto dihen, nuk po themi gjë të re.

Por sot pyetja që duhet t’i shtrojë vetes çdo shqiptar, çdo drejtues i PD, anëtar i Këshillit Kombëtar, çdo opozitar: A do lejojmë ne që të dorëzojmë fatin tonë, fatin e fëmijëve tanë, fatin e demokracisë, fatin e Shqipërisë, një narkodiktatori si Edi Rama, pasardhës i etërve xhelatë që ngjyen duart me gjakun e shqiptarëve për 45 vite.

Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar, të dashur demokratë, qytetarë!

Sot, secili nga ju jeni të vjedhur.

Jeni të burgosur.

Jeni të dëbuar nga atdheu.

Jeni të poshtëruar sepse shteti shqiptar është kapur nga Edi Rama dhe mbrapa kuintave nga mentori i tij diabolik, ideologu i globalizimit marksist të sotëm, Xhorxh Soros, armik i egër i demokracisë dhe qenies së kombit shqiptar.

Një eksperiment po aq pervers sa arkitektët e tyre Rama dhe Soros po bëhet sot mbi shqiptarët.

Duan të kthejnë shqiptarët në një kavie të nënshtruar, pa dinjitet, që gëlltit çdo poshtërim, çdo vjedhje dhe çdo krim që bëhet ndaj tij.

Por unë kam besim se në këtë orë të zezë, historia thërret për të mbrojtur Shqipërinë, shqiptarët do ngrihen, do të reagojnë, nuk do pranojnë kurrë të qëndrojnë si kavie të këtij regjimi, ndër më armiqësorët që kanë njohur ata.

Nuk janë shqiptarët vëllazëria Xhafaj, vëllezëria Rama apo vëllazëria Bajraj.

Unë kam besim shumë tek ADN-ja e shqiptarëve, ndaj dhe bëj sot një thirrje, në radhë të parë opozitës, së pari demokratëve, burgosja e Salianjit ishte deklarata e fundit e luftës që Edi Rama shpalli ndaj nesh.

Por ne jemi të vërtetë, ne jemi realistë, Edi Rama na ka bërë ne jo një, po disa deklarata lufte gjer sot.

Vjedhja e flamurit të PD tre vite më parë, ishte një deklaratë lufte ndaj qindra mijëra demokratëve që u përkiste ai flamur.

Burgosja e liderit të opozitës pa asnjë fakt, provë, vetëm e vetëm se e dinë se nuk mund të fitonte më kurrë zgjedhje të tjera, ishte një deklaratë lufte ndaj qindra mijëra demokratëve që e kishin zgjedhur me votë kryetarin e tyre.

Dhunimi i hapur masiv i zgjedhjeve, përdorimi i makinerisë gjigante të frikësimit të zgjedhësve dhe industrisë së blerjes së votës, shndërrimi haptas i krimit monstruoz në votë dhe votës në krim, të gjitha këto ishin thirrje lufte për ne.

Të gjitha këto faktonin se e ardhmja jonë, e ardhmja e shqiptarëve përfundon tek këmbët e një kryekrimineli mafioz që ndodhet sot në krye të narkoshtetit.

Me të gjitha këto sa përmenda më sipër, kishte vetëm një qëllim, shuarjen tonë, arkivimin tonë në histori, paraqitjen para shqiptarëve të një realiteti sikur ne nuk kemi ekzistuar kurrë.

Ndaj të gjitha këtyre, ne reaguam në mbrojtje, ne reaguam për mbijetesë.

Ne reaguam për të garantuar shqiptarëve opozitën sovrane, për të cilën vendosin anëtarët e saj dhe askush tjetër.

Mirëpo, çdo njëri prej jush, çdo demokrate e demokrat, duhet ta ketë të qartë se pas të gjitha këtyre, shqiptarët nuk na duan të qëndrojmë në mbrojtje.

Se pas të gjitha këtyre, shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm.

Revolta jonë, sulmi ynë duhet të jetë në nivelin e sulmeve që na janë bërë për të na fshirë nga

faqja e dheut.

Burgosja e Ervin Salianjit, duhet të jetë për çdo demokrat, për çdo qytetar, arrestimi pa asnjë fakt, dokument i Sali Berishës në shtëpi, persekutimi i liderëve të tjerë të opozitës, rrëmbimi i mandatit të kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, të gjitha këto së bashku janë kushtrime për opozitën, për PD-në, të përballet me këtë armik që çdo ditë bën çdo gjë për asgjësimin e tyre.

Miqtë e mi, duhet të jemi të vetëdijshëm se sot çdo qëndrim me duarkryq, çdo qëndrim në mbrojtje, është lojë për Edi Ramën.

Është fitore për Edi Ramën.

Ndaj dhe ne do kalojmë në sulm.

Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vend këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve.

Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente.

Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Këto instrumente nuk janë 700 mijë shqiptarë që na kanë votuar zgjedhjet e fundit, jo, mjaftojnë vetëm disa mijëra prej tyre që sot janë gati në këmbë për rezistencë të qëndrueshme, pa kthim, deri në fitore, por presin udhëheqjen tuaj, frymëzimin tuaj, orientimin tuaj, organizimin tuaj, mobilizimin tuaj.

Ndaj dhe kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës.

Për përgjigjen tonë me datën 7 tetor.

O sot o kurrë, pa kthim, të paralizohet qeveria gjer në vendosjen e qeverisë teknike.

Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë.

Vetëm kështu Shqipëria rikthehet në rrugën e ligjit, Kushtetutës.

Vetëm kështu ndalohet rrokullisja e saj dhe shoqërisë sonë drejt abiseve të historisë.

Por thirrja ime nuk është sot vetëm për ju të dashur demokratë.

Kjo thirrje është për çdo shqiptar pa dallim partie, përballë narkodiktaturës nuk ka demokrat,

socialist, pa parti, të majtë ose të djathtë, sot çdo vijë ndarëse që ekziston dhe do ishte e ndershme në një situatë normale, është fshirë.

Nuk ka vijë ndarëse kur përballë ke diktaturën e krimit, drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Prandaj sot çdo shqiptar është me ose kundër diktaturës.

Dhe sot që hekurat e burgut hapen që të futet një djalë i ri e i pafajshëm, çdo shqiptar duhet ta kuptojë se edhe mosreagimi është një mbështetje ndaj diktaturës.

Sepse edhe opozita ndaj opozitës është mbështetje e diktaturës.

Prandaj ndasive ton le t’u bëjmë një pauzë sepse një armik i vërtetë ka krijuar nevojën e bashkimit të mbarë shqiptarëve.

Prandaj me 7 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë.

Sepse demokracia, zgjedhjet e lira, sovraniteti, nuk i përkasin vetëm një partie, u përkasin të gjithë shqiptarëve.

Vetëm bashkë, shqiptarët e fitojnë këtë luftë.

U bëj thirrje medieve, ndonëse pjesa dërrmuese kontrollohen nga qeveria, por në shumicën e studiove, gazetarë dhe analistë, edhe ata që janë kritike të fortë të PD dhe Berishës, denoncuan burgosjen e deputetit Salianji dhe kjo ishte frymëzuese.

I përgëzoj për qëndrimin dhe gjykimin e tyre.

Komunikimi i tyre është jetik për këtë mision historik për shpëtimin e Shqipërisë.

Por komunikimi i tyre është vetëm një gjysmë mase dhe diktaturat nuk përmbysen me gjysëm masa, prandaj u bëj thirrje të gjithë gazetarëve, analistëve, punonjësve të medias dhe personave publike, me fatin 7 tetor të mos jenë në studio, por të jenë në fushë betejë, të jenë në protestë.

Shqiptarët, siç na mëson historia, kanë fituar vetëm kur janë bërë bashkë.

Prandaj nëse doni që Shqipëria të fitojë kundër diktaturës, narkodiktaturës, me 7 tetor, zbrisni në shesh jo për të shtuar numra se numrat ne i kemi dhe e kemi provuar në mënyrë të përsëritur, por për diçka shumë më të fuqishme se numrat, për shpresën, për të vrarë frikën tek shqiptarët.

Sepse kur shqiptarët të shohin se jemi bashkë, duke lënë mënjanë flamujt politikë, kostumet e profesionit dhe ndasitë që kemi, për t’u bërë një kundër një të keqe ekzistenciale, shqiptarëve do u ndizet shpresa, shqiptarët do zgjohen nga topitja e tyre dhe bashkë do arrijmë diçka që do shënohet përgjithmonë në librat e historisë.

Sonte kam një thirrje të pazakontë, të cilën nuk do ta kisha çuar kurrë ndërmend ta bëja.

Por, paranoja jashtë çdo kufiri e Edi Ramës, është injektuar edhe në realitetin ku jetojmë, duke normalizuar çdo gjë në këtë vend.

Sonte unë ftoj besimtarët myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë të bashkohen me 7 tetor, sepse pasardhësi i diktaturës hoxhiste që lau në gjak, martirizoi dhe bëri të pavdekshëm krerët e besimeve fetare dhe mijëra e mijëra besimtarë të Zotit, po përpiqet sërish të keqpërdorë besimet e mëdha të këtij kombi për qëllime kriminale dhe antishqiptare.

Edi Rama, më së fundi pas armiqësisë ndaj opozitës, tentoi të fusë thikën pas shpine tolerancës së shkëlqyer, bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri.

Por Zoti është një dhe i pandarë, ai nuk mund të përlyhet kurrë dhe nga askush dhe mesazh Edi Rama duhet ta marrë më të fortë se kurrë me datën 7 tetor.

Së fundmi, kam një thirrje për partnerët ndërkombëtarë.

Martin Luter King ka thënë se në fund, pak mbahen mend fjalët e armiqve, por heshtja e miqve.

Edi Rama po keqpërdor heshtjen tuaj duke ua shitur shqiptarëve si mbështetje për narkoshtetin që ndërtoi dhe sot njihet botërisht.

Edi Rama përdor heshtjen tuaj për t’u paraqitur si bashkëpunëtorë në krimet që ai po bën ndaj shqiptarëve.

Ndaj u bëj thirrje të bëni një vlerësim serioz të kësaj situate dhe heshtja juaj ndaj krimit që po bëhet ndaj shqiptarëve të marrë fund.

Beteja e shqiptarëve është betejë për të hëzuar atë që gëzojnë kombet tuaja: votën e lirë,

votën e lirë.

Të dashur opozitarë dhe qytetarë kudo që jeni, burgosja e Ervin Salianjit hap një faqe të re për revoltë.

Burgosja e Salianjit rikujton edhe njëherë se kjo nuk është betejë vetëm e PD, vetëm e opozitës, vetëm e të djathtëve, kjo është beteja e epokës, ky është misioni i çdo shqiptari për shpëtimin e Shqipërisë.

Të trokasim në çdo zemër, në çdo derë, tek çdo shqiptar me këtë mesazh në mënyrë që me 7 tetor të bëhemi të gjithë bashkë kundër kësaj të keqe që ka pllakosur Shqipërinë.

Për demokracinë, për sovranitetin, për kombin!

Rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale