KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, denoncoi atë që e cilësoi si një tjetër mega-skandal korruptiv të qeverisë Rama, këtë herë të lidhur me projektin e Kolegjit Europian në Tiranë dhe me atë që ai e quajti marrëveshja e fshehtë Rama-Mogherini. Berisha e nis denoncimin e tij me fjalët duke u shprehur se; ‘Dy Lubitë dhe Ramaduro në mes’, duke e vendosur menjëherë në qendër të akuzës kryeministrin Edi Rama, të cilin e përkufizon si ‘protagonistin kryesor’ të një serie skandalesh që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë financat publike dhe imazhin e vendit në Europë. ‘Në të dyja del protagonist kryesor Edi Rama, njëherësh kryeministri më i korruptuar i Europës.’, tha Berisha.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryetari i PD-së akuzon Federica Mogherinin dhe Edi Ramën për fryrje të qëllimshme të kostove të studentëve, duke theksuar: ‘Kanë caktuar si bursë shumën 27 mijë euro kundrejt 29 mijë euro që është shumë për studentët që studiojnë në Belgjikë… ndërkohë që rroga mesatare në Shqipëri është 5 herë më e ulët.’
Po ashtu, ai ngre shqetësimin për një tjetër vendimmarrje të fshehtë, këtë herë lidhur me Piramidën e Tiranës, për të cilën shprehet: ‘Me një marrëveshje sekrete… është ndryshuar duket edhe destinacioni i Piramidës… por sipas njoftimeve të medias del se i është dhënë Kolegjit Europian në Tiranë, në përdorim apo në pronësi, këtë askush nuk e di.’
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha ka evidentuar faktin, se në Bruksel, ndryshe nga Shqipëria me Belinda Ballukun, drejtësia nuk është penguar në punën e saj. ‘Në Bruksel, Prokuroria Publike Europiane dhe prokuroria belge arrestuan Federica Mogherinin… drejtësia nuk u pengua. Kurse në Shqipëri, pas kërcënimit direkt nga Ramaduro… prokurori kërkoi pezullimin e Lubi Ballukut.’ Ai e cilëson aktin e qeverisë për të kundërshtuar pezullimin e ministrit në Gjykatën Kushtetuese si një ndërhyrje flagrante: ‘Në një rast unik në historinë e botës, kryeministri i Shqipërisë e shndërroi Kryeministrinë në zyrën e avokatisë së Lubi Ballukut.’
Më tej, kryetari i demokratëve Sali Berisha u shpreh se ekzistojnë prova të drejtpërdrejta të ndërhyrjes së kryeministrit në tenderin e Llogarasë, duke thënë: ‘Dhjetëra e dhjetëra mesazhe në dosjen Balluku faktojnë porositë që Rama i ka dërguar… për të shpallë fituese kompaninë turke me ofertë 190 milionë euro. Ju bëj thirrje të hetojnë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini… të hetojnë të gjitha email-et dhe SMS-të… dhe veçanërisht komunikimet e tyre me telefona të koduar Sky Ecc, Matrix.’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve Sali Berisha nënvizoi faktin se, opozita shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet europiane për zbardhjen e aferave financiare të qeverisë: ‘Opozita shqiptare, që ka si mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve. Është fare i njohur imponimi që u bëhet diplomatëve që të paraqesin raporte që sheqerosin situatën në Shqipëri.’
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha përmendi konkretisht ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, duke rikujtuar: ‘Romana Vlahutin është farë e njohur për raportet që çonte dhe merrte nga Edi Rama. Ftohet për të dhënë leksione njeriu më i korruptuar në Europë, shembull i korrupsionit ndërkombëtar.’

FJALA E PLOTE:
Dy Lubitë dhe Ramaduro në mes.
Pas skandalit të vjedhjes së 50 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë në tenderin e tunelit të Llogarasë nga Ramaduro dhe Lubi Balluku, plas skandali tjetër i vjedhjes së miliona e miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë me kampusin e Kolegjit Evropian në Tiranë dhe me bursat e studentëve të përcaktuara nga Lubi Mogherini dhe Ramaduro, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
E përbashkëta e këtyre dy skandaleve të përmasave ndërkombëtare është se në të dyja del protagonist kryesor Edi Rama, njëheras kryeministri më i korruptuar i Europës.
Me një marrëveshje të fshehtë me qeverinë shqiptare, që nuk është publikuar sepse është korruptive, është vendosur të ndërtohet me 17 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë kampusi i Kolegjit Bryzh duke marrë pikërisht për këtë qëllim truallin e parashikuar për ndërtimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Tiranës, për të cilin ekzistonte edhe projekti i kampusit.
Po kështu për të vazhduar vjedhjen e parave, Federica Mogherini dhe Ramaduro e vlerësimet e tyre kanë fryrë për interesa korruptive koston e jetesës për studentët e Kolegjit Europian në Tiranë dhe kanë caktuar si bursë shumën 27 mijë euro kundrejt 29 mijë euro që është shumë për studentët që studiojnë në Belgjikë në Kolegjin e Bryzhit.
Ndërkohë që rroga mesatare në Shqipëri është 5 herë më e ulët se rroga mesatare në Mbretërinë e Belgjikës.
Përveç këtyre, me një marrëveshje sekrete që në kundërshtim me ligjin nuk u publikua kurrë, është ndryshuar duket edhe destinacioni i Piramidës, e cila me një shumë prej 16 milionë euro, u rikonstruktua për të funksionuar si qendër e teknologjisë së lartë për të rinjtë shqiptarë, por sipas njoftimeve të medias del se i është dhënë Kolegjit Europian në Tiranë, në përdorim apo në pronësi, këtë askush nuk e di.
Megjithatë, falë ndërhyrjes së fuqishme të Prokurorisë Publike Europiane, EPPO, dhe OLAF, qëndrimi ligjor ndaj Lubi Ballukut dhe Lubi Mogherinit është i ndryshëm.
Në Bruksel, Prokuroria Publike Europiane dhe prokuroria belge arrestuan Fderica Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj, mbasi atyre iu hoq imuniteti në përputhje me ligjin nga autoritetet kompetente të BE-së; drejtësia nuk u pengua.
Kurse në Shqipëri, pas kërcënimit direkt nga Ramaduro të prokurorit të dosjes Balluku, ai, në vend të arrestimit, kërkoi pezullimin nga detyra të Lubi Ballukut.
Dallimi në këto skandale thellohet edhe më shumë sepse, në një rast unik në historinë e botës, kryeministri i Shqipërisë e shndërroi Kryeministrinë në zyrën e avokatisë së Lubi Ballukut, për shkak të implikimit të tij direkt, siç faktojnë me dhjetëra e dhjetëra mesazhe në dosjen Balluku që ai i ka dërguar vetë Lubisë dhe Evis Berberit për tenderin e tunelit të Llogarasë.
Rama vetë paditi në Gjykatën Kushtetuese, në emër të qeverisë, vendimin e Gjykatës Speciale për pezullimin e Ballukut, me pretendimin absurd se është vendim antikushtetues— gjë që nuk ka ndodhur kurrë në Europë apo në botë. Edi Rama ndërmori këtë akt të pashembullt pas kërcënimeve që mori nga Lubia në takimin 7-orësh në kryeministri, në të cilin ajo i përmendi urdhrat me mesazhe që Rama i kishte dërguar edhe Berberit për të shpallë fituese të tenderit të tunelit të Llogarasë kompaninë turke me ofertë 190 milionë euro, dhe jo kompaninë me ofertë 140 milionë euro, e cila në fakt e ndërtoi tunelin, sepse, po me porosi të Ramës, u zgjodh si nënkontraktore në kundërshtim me ligjin nga kompania fituese e tenderit.
Kështu pra, në rastin e Lubi Ballukut, Rama denoncon pezullimin e saj nga gjykata speciale si antikushtetues, antieuropian, dhe në mbrojtje të saj i atribuon Komisionit të Venecias opinione që nuk janë kurrë të tij.
Miq, dosja Rama-Mogherini duket se është shumë më e rëndë se sa dosja e Bryzhit.
Ndaj, duke shprehur vlerësimin më të lartë për EPPO, OLAF dhe prokurorinë e Mbretërisë së Belgjikës, ju bëj thirrje të hetojnë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Ju bëj thirrje të hetojnë të gjitha emailet dhe SMS-të që Rama ka shkëmbyer me Lubi Mogherinin për këtë çështje dhe, në veçanti, të hetohen komunikimet e tyre me telefona të koduar Sky EÇ, Matrix, të cilët është vërtetuar se Rama i ka përdorur në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar.
Shqiptarët do ta vlerësonin shumë hetimin e lobingut që Mogherini ka bërë për Edi Ramën, për sukseset e tij imagjinare dhe mbulimin e mega-skandaleve të tij në Bruksel, dhe në veçanti angazhimin e saj kundër opozitës shqiptare.
Ju bëj thirrje këtyre organeve të hetojnë aferat korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij-dyshen Mogherini-Vllahutin-në blerjen e vilës për ambasadorin e BE-së me çmim 2-3 herë më të lartë se tregu; të hetojnë abuzimet e mëdha të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij me fondet e taksapaguesve europianë për bujqësinë, energjinë dhe mjedisin, të denoncuara nga opozita njëlloj si kampusi i Kolegjit në Tiranë, në interesin më të mirë të taksapaguesve europianë, por edhe të qytetarëve shqiptarë që duhet të ishin përfitues të këtyre fondeve që vidhen nga kleptokratët e Tiranës.
Opozita shqiptare, që ka si mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve korruptive nga qeveria e Tiranës.
Tani, para se të merrni ju fjalën, unë do u tregoj këtë skenë.
Skenë e papërsëritshme.
Meqenëse Rama i thoshte se nuk më lejon ligji ta bëj këtë, ta çoj në Gjykatë Kushtetuese, bien dakord të dy që të thërrasin për të urtë Ulsiun.
Kjo është e vërteta, dhe Ulsiu, siç e dini, kontrolloni kamerat tuaja, pas njëfarë kohe shkoi dhe u fut në takim.
Ulsiu, natyrisht, mbajti anën e Ramës.
Çfarë i tha Lubia.
‘Më shih pak në sy ti mua? Ulsi, më shih pak drejt në sy’.
E meku, e qepi.
Kaq.
Kjo skenë, muret nuk kanë vetëm veshë, muret kanë edhe sy.
Kaq!

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Andon Kello, AbcNews: Berisha, duket se nuk ka konsensus për emrin e Avokatit të Popullit. Partia Socialiste ka refuzuar skemën e propozuar nga Partia Demokratike për ta zgjedhur kandidatin me marrëveshje, dhe javën e ardhshme në seancën plenare do të hidhen në votim të gjithë emrat e mbështetur nga opozita. A do ta votoni kandidatin Endrit Shabani, i cili është një nga emrat e propozuar me firmë nga Partia Demokratike?
Sali Berisha: PD ka vendosur të mbështesë kandidaturat e saj që ajo beson se e përmbushin më mirë këtë funksion. Pra, firmat mund të jenë dhënë, por ne mbështesim disa kandidatura, i kemi të përcaktuara dhe grupi parlamentar do i mësojë sot, të cilat ne besojmë se e kryejnë më mirë atë detyrë.
Danjela Maloku, ReportTv: Dje nisët foltoren me qytetarët, ku theksuat se nuk do të pranoni më zgjedhje me lista të mbyllura. A nënkupton kjo se ju tashmë pranuat de facto që listat e mbyllura të Partisë Demokratike nuk kanë qenë zgjidhja më e mirë?
Sali Berisha: Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në.
PD është parti me statut, me institucione, me forume. PD ka dhe do të ketë, ka filluar mbledhjen e forumeve, ka filluar debatin dhe do jetë debat i hapur për cilindo anëtar dhe drejtues. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë.
Danjela Maloku, ReportTv: Sot, paralelisht me foltoren tuaj, nis edhe një tjetër foltore e z. Ervin Salianji, që do të zhvillojë takime me demokratët duke nisur nga Durrësi. A i druheni një revolte të brendshme që mund të nisë nga z. Salianji?
Sali Berisha: Tani se ç’ngrin apo trillon Saimir Tahiri apo tjetër kush, unë nuk di.
Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me asnjë regjistër.
Kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni.
Nuk mund të pyetem për këtë sepse kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni.
Danjela Maloku, ReportTv: Para disa ditësh u paraqitët në SPAK për çështjen e 21 Janarit. Mes shumë pyetjeve, mbetet pa një sqarim edhe rasti i korrigjimit të një regjistri të Gardës së Republikës, ku fillimisht shkruhej ‘të ngrihet helikopteri për të hedhur lëndë homogjene’, që më pas është korrigjuar në ‘lëndë lakrimogjene’, çështje e diskutuar edhe në Parlament në vitin 2015. A jeni pyetur nga SPAK për këtë dokument?
Sali Berisha: Tani se ç’ngrin apo trillon Saimir Tahiri apo tjetër kush, unë nuk di.
Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me asnjë regjistër. Kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni. Nuk mund të pyetem për këtë sepse kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni.
Osman Stafa, News24: Z. Berisha, thatë pak më parë se çdo aktivitet që zhvillohet jashtë forumeve të Partisë Demokratike është aktivitet privat. A do të marrë Partia Demokratike masa ndaj anëtarëve të strukturave apo eksponentëve të rëndësishëm që zhvillojnë aktivitete të tilla? Parashikohen masa apo përjashtime?
Sali Berisha: Këto janë veprimtari tërësisht private, nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. E them edhe njëherë, janë në funksion të këtij apo atij interesi, kjo mbetet për t’u parë, por PD ka forumet e saj demokratike, nga kryesia, Këshilli Kombëtar, tek seksioni.
Që të gjitha do mblidhen dhe kanë filluar të mblidhen për të bërë diskutime dhe analizën e punës.
Por aktualisht PD ka dy objektiva kryesore, së pari po merret çdo ditë dhe po denoncon mega-aferën korruptive, të pashembullt të tunelit të Llogarasë dhe bllokimin që po përpiqet t’i bëjë drejtësisë Edi Rama duke bërë avokatin e Lubi Ballukut.
Së dyti po merret me analizën e punës së saj, pas mbylljes së vlerësimit ndërkombëtar, damkosjes së zgjedhjeve.
Ju duhet ta dini se edhe dje, në Kongresin e SHBA, dëshmitarë të thirrur nga Kongresi për dëshmi, kanë bërë deklarata në të cilat u kanë kërkuar autoriteteve amerikane, kanë njoftuar, kanë denoncuar persekutimin e opozitës dhe sulmin ndaj pluralizmit politik.
Farsën zgjedhore dhe lidhjet me krimin.
Pra PD është edhe në një analizë të vet të brendshme, edhe në betejë kundër Edi Ramës për vjedhjet dhe abuzimet e tij.
Nuk ka, nuk mund të ketë, ne kemi forumet.
Kush del jashtë forumet, del. Nuk i përfill forumet, është puna e tij, është zgjedhja e tij.
Një gjë do të them, po të shkosh në vitin 1990, po të lexosh një intervistë timen dhënë gazetës Drita, do gjesh aty se për Sali Berishën, thelbi i lirisë është zgjedhja.
Në fakt, nuk jam origjinal, ky është nocioni ekzistencialist për lirinë.
Kështu që çdo njeri bën zgjedhjen e vet.
Bekim Bici, OraNews: Duke patur parasysh hetimet ndaj rastit Mogherinit, por dhe diskutimet për ndikimin e aktorëve ndërkombëtarë apo europianë në politikën e brendshme shqiptare, a keni një qëndrim në lidhje me ndikimet që mund të kenë aktorët europianë apo në një farë forme diplomacia Europiane në proceset e brendshme politike shqiptare.
Sali Berisha: Tani unë jam njeriu që kam folur më hapur dhe flas më hapur.
Së pari, duhet të dallojmë një gjë, që këto absolutisht nuk lëkundin besimin tonë tek BE dhe institucionet e tij.
Jo. Përkundrazi.
Ato janë. Ato vepruan. Ata nuk e mbrojtën, i hoqën imunitetin ish-përfaqësues së lartë të BE.
Nuk shkoi kush në nbdonjë gjykatë që ta mbrojë, siç bën Edi Rama.
Por Romana Vlahutin është farë e njohur për raportet që çonte dhe merrte nga Edi Rama.
Është fare i njohur imponimi që u bëhet diplomatëve që të paraqesin raporte që sheqerosin situatën në Shqipëri.
Janë të njohura këto.
Prandaj kërkova hetimin e këtij lobimi, se ajo ka lobuar fuqishëm për Edi Ramën.
A është vetëm ajo? Nuk është vetëm ajo, mund të ketë të tjerë.
Po përsëri e vërteta vonon, por nuk harron.
E vërteta do dalë.
Urdhëro se cili është Edi Rama sot.
Ftohet për të dhënë leksione liderëve të rinj njeriu më i korruptuar në Europë, shembull i korrupsionit ndërkombëtar.
Në rastin Mogherini, në rastin McGonigal, etj.
Tani imagjino se ç’do të thotë të ftosh një figurë të nxirë të tillë për t’u dhënë moral liderëve të rinj.
Këto janë, por kjo botë është e hapur.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Nisët dje turin e foltoreve nga njësia numër 9 në kryeqytet, si do të jenë këto foltore, të përditshme dhe çfarë pritet në aksionin e PD në vijim.
Sali Berisha: Foltoret nuk mund të jenë të përditshme, por do jenë në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Jemi në atë situatë që krahas analizës që do bëhet do ketë edhe foltore në të gjithë territorin e vendit, ku demokratët, por edhe qytetarët të debatojnë, të propozojnë, të kritikojnë, të sugjerojnë ato që mendojnë për këtë situatë.
Osman Stafa, News24: Ju thatë se çdo gjë që zhvillohet jashtë PD është nul, nuk ka asnjë vlerë për forcën tuaj. Ju në vitin 2021 kur nisët foltoren tuaj e bëtë brenda strukturave apo jashtë strukturave.
Sali Berisha: E bëra brenda strukturave për faktin se kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e mbarë demokratëve.
E bëra për të shpëtuar PD-në nga kontrolli mafioz i Edi Ramës dhe të tjerëve, dhe i sorosianëve.
E bëra sepse Edi Rama i kishte hapur dy procese Lulzim Bashës, njërin për Toyota Yaris, tjetrin për Nik Muzinin dhe çonte Engjëll Agaçin dhe e gradonte si donte.
E bëra për të shpëtuar forcën kryesore të opozitës nga kontrolli mafioz i Edi Ramës.
Osman Stafa, News24: Por dhe ndoshta kjo, po eci me llogjikën tuaj, mos ndoshta po bëhet për të shpëtuar PD, duke qenë se keni 30 vite që e keni krijuar dhe duke mbajtur këtu, të paktën, sipas listave, që ua thanë edhe demokratët dje ne takim, njerëz që i kanë shkëputur lidhjet me qytetarët.
Sali Berisha: Jo, nuk kam 30 vite. Unë jam modeli i dorëheqjes në Shqipëri. Kam dhënë dorëheqje si President i Republikës, kam dhënë dorëheqje si kryetar partie, kam dhënë dorëheqje si kryeministri vendit.
Kam drejtuar opozitë, pastaj kam dalë pothuajse një deputet i thjeshtë. Jo, nuk është ashtu.
Unë përsëri po luftoj për një mision në kushte shumë të vështira, mbrojtjen e votës së qytetarëve. Ajo është realizuar në konceptin që kam unë për mbrojtjen e votës.
Tani vazhdoj misionin për të përmbysur së bashku me shqiptarët, për të motivuar shqiptarët të çlirohen nga kjo diktaturë.
Kaq!

