Berisha: Lubi Balluku duhej të ishte arrestuar me kohë sepse po prishin provat ditë e natë! Rama po ushtron një presion të tmerrshëm  dhe banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvend, akuzoi ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për kapjen e shtetit, presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe fshehje të shpenzimeve shtetërore. Berisha tha se Shqipëria ndodhet në krizën më të thellë politike dhe ekonomike, ndërsa qeveria është përfshirë në skandale korrupsioni të lidhura me tendera dhe projekte publike.

Lideri demokrat, Sali Berisha përmendi rastin e ministrave dhe zyrtarëve të lidhur me hetimet e SPAK, përfshirë mesazhet dhe dokumentet e gjetura në telefonat e Evis Berberit, si dhe ndryshimin e ofertës për tunelin e Llogarasë pas vizitës së Ramës në Turqi. Ai akuzoi AKSHI-n për shpërdorime masive financiare dhe përfshirje në afera tenderash, duke përmendur edhe rastin e ish-drejtorit Daniel Shima që është dhunuar dhe kërcënuar nga grupe kriminale.

Berisha deklaroi se ekonomia shqiptare mbahet vetëm nga shteti, ndërsa 10.3 miliardë euro nga fondet publike janë zhdukur pa gjurmë. Kryedemokrati akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka vepruar nën presion politik dhe se ka shkelur Kushtetutën me vendimet e saj.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha u shpreh se deklaratat e Edi Ramës për Partinë Socialiste si “bordello” tregojnë gjendjen e vërtetë të qeverisë dhe institucioneve të kapura nga korrupsioni.

FJALA E PLOTË

Zonja dhe zotërinj deputetë, të dashur qytetare dhe qytetarë.

Ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp.

Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve.

Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese.

Në të cilin një njeri ka vendosur me vendim të fshehtë të gjitha shpenzimet e tij.

Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, kur për Enver Hoxhën, për arsye të sigurisë kombëtare, por jo për Mehmetin, por vetëm për Enverin, shpenzimet ishin në një llogari të veçantë ku përveç Nexhmijes, askush nuk mund t’i kontrollonte.

Ky është parlamenti që mblidhet në ditët e krizës më të thellë, e akteve më antidemokratike, në një kohë kur një ministre është zbërthyer me të gjithë qenien e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet etj, etj, të gjetura në telefonat e Evis Berberit.

Në një kohë që një kryeministër është i kapur në çark si miu në telefonat, me mesazhet në telefonat e Evis Berberit.

Në një kohë që vërtetohet se oferta 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 milionë euro të kompanisë turke pas udhëtimit në Ankara të Edi Ramës me atë që quhet Lubi Balluku.

Në një kohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90 përqind e të gjitha fondeve të investimeve vidhen, vidhen, vidhen dhe nuk gjinden.

Ju e patë dje, doli nga dera e prokurorisë Lubia numër 2.

Po kjo Lubia numër 2, ta dini ju, më duhet të citoj, se ai është i brendshëm, Arben Ahmetajn që thoshte se AKSHI ishte kopshti privat i Edi Ramës sepse në grazhdin e AKSHI-t bënte kërdinë baxhanaku Fangu.

Fangu fitonte me dhjetëra e dhjetëra tendera.

Se në fakt, në përcaktimin e fituesve të tenderave në AKSHI, ishte sipas Gerond Meçes, edhe vetë zonja Linda.

Në fakt kjo ishte drejtoria e familjes.

A e dini ju sa janë thirrur në SPAK nga kjo drejtori? 25 vetë.

E keni harruar ju fatin e Danielit, a ju kujtohet ju fati i Danielit, Daniel Shima a u thotë ndonjë gjë ju?

Daniel Shima sapo doli Lubia biss, Lubia numër dy nga Skapi, shkoi në zyrë dhe e shkarkoi.

E shkarkoi dhe pas disa javës, uniforma me policë, e rrethojnë, e grabisin.

Fati dhe Zoti i dha atij mundësi të çojë një mesazh: po më marrin peng.

Dhe banda e Elbasanit ku e çuan e rrahu gjithë natën, por nuk e vrau. Ai është në shtëpi, ka dy muaj që e ka mbyllur dhe nuk del nga dhoma.

Nuk del nga dhoma Danieli i AKSHI-t.

E patë ju Lubinë biss se si doli.

Dhe përballë këtyre skandaleve, këtyre vjedhjeve të paimagjinueshme, përballë shkatërrimit të madh të materies kombëtare, rrënimit të vërtetë të ekonomisë… besoj e morët vesh që u kthyem ku ishim.

Për herë të parë në 32 vite, ekonomia mbahet nga kontributi i shtetit, jo nga ekonomia.

Ekonomia kontribuon vetëm 49 përqind të rritjes ekonomike. Sepse është në rënie të lirë.

Sepse droga dhe vjedhja po e shkatërrojnë atë.

Dhe tani, forca e ekzekutivit kundër pezullimit në një kohë kur ajo duhet të ishte prej kohësh e arrestuar sepse po prishin provat ditë e natë.

Sepse po zhdukin dokumentet ditë e natë.

Po, po.

Ka administruar 12 miliardë euro, nga të cilat absolutisht 10.3 miliardë janë zhdukur pa gjurmë, pa nam e nishan.

Ja ku e keni rrugën e Qafë Plloçës, ja ku i keni veprat.

Shikoni rrugën e Ersekës.

Shikoni rrugën e Arbrit.

Pra, para të gjitha këtyre, Gjykata Kushtetuese në një diktat të plotë dhe në presion të tmerrshëm, në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin, siç hodhi poshtë shqyrtimin e 30 deputetëve, nuk e legjitimoi duke shkelur Kushtetutën, nuk hedh poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme që është e zakonshme në Europë dhe kudo.

Tani do u them një gjë unë ju.

Unë kam thënë shumë gjëra për ju, nuk e mohoj.

Por nuk kam thënë kurrë atë që ka thënë Edi Rama.

Ai, dhe jo unë, ka thënë që PS është një bordello.

Unë nuk e kam thënë kurrë dhe nuk e kam atë koncept për socialistët.

Po për të parë se kush është bordello e vërtetë, shkoni te Skapi i partisë dhe shihni dokumentet.

Atje do mësoni se kush është bordello e vërtetë.

Kaq kisha!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale