KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e sotme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë historike dhe ndërkombëtare të rezolutës së miratuar dje në Uashington nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), duke e cilësuar atë si një ‘kambanë alarmi’ për Shqipërinë dhe Europën. Ai e përshkroi regjimin aktual në vend si një ‘narko-shtet të parë dhe të vetëm në Europë’, që përdor drejtësinë si armë politike kundër opozitës dhe ka shndërruar zgjedhjet në një ‘farsë elektorale’.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se ‘për herë të parë, në një dokument ndërkombëtar, bota perëndimore ka folur kaq qartë mbi gjendjen dramatike në Shqipëri’, duke theksuar se rezoluta e IDU-së është mbështetje e fuqishme për opozitën dhe për popullin shqiptar, i cili po përjeton ‘ditët ndër më të vështirat’ për shkak të shtypjes së pluralizmit dhe të drejtave themelore të qytetarëve dhe deputetëve të opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha evidentoi se që nga tetori i vitit 2024, forumet dhe organizatat e partive të qendrës së djathtë në Europë dhe botë kanë miratuar shtatë rezoluta për Shqipërinë, përfshirë dy nga IDU, dy nga Partia Popullore Europiane dhe tre nga Internacionalja Demokrate e Qendrës, të cilat ‘faktojnë realitetin dramatik të Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës’ dhe japin mbështetje të plotë për opozitën.
Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi pasojat shkatërruese të qeverisjes së Edi Ramës mbi ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke iu referuar statistikave të INSTAT-it: ‘lindjet kanë rënë në nivelin e para 100 vjetëve… vdekjet dominojnë mbi lindjet… ekonomia kontribuon vetëm me 49 përqind nga prodhimi, pjesa tjetër është nga taksat neto’. Ai kritikoi politikat që kanë shkatërruar sektorë kyç si turizmi dhe profesionet e lira, duke argumentuar se ‘narko-shteti është ai faktor që po shkatërron Shqipërinë më shumë se çdo faktor tjetër në ekzistencën e saj’.
Në lidhje me përmbajtjen e rezolutës së IDU-së, kryetari i PD-së Sali Berisha u ndal në tre çështje kryesore:
Rënia e demokracisë dhe lidhja shtet–parti–krim: IDU shpreh shqetësim të thellë se raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 konfirmon ‘shkelje sistematike, përfshirë intimidimin, shitblerjen e votës, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe përdorimin e korrupsionit dhe rrjeteve kriminale për të ndikuar listat e kandidatëve të Partisë Socialiste’, sidomos në qytete si Elbasan, Durrës dhe Vorë.
Politizimi i drejtësisë dhe shembja e mekanizmave të mbikëqyrjes: Rezoluta denoncon bllokimin e komisioneve hetimore, mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kontrollin e ekzekutivit mbi prokurorinë, gjyqësorin, median dhe institucionet rregullatore. IDU shpreh shqetësim për drejtuesit e opozitës, duke përfshirë Sali Berishën, Fatmir Mediun dhe Ilir Metën, duke folur për ‘drejtësi selektive dhe vendime të qarta politike’.
Shqipëria si narko-shtet dhe kërcënim për sigurinë: Rezoluta thekson se Shqipëria mbetet ‘qendër rajonale për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave’, ku krimi i organizuar është i infiltruar në sektorët publikë, turizëm dhe ndërtim, duke ‘cenuar stabilitetin rajonal, sigurinë evropiane dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së’.
Gjatë konferencës për media, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se IDU i ka bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Këshillit të Evropës të zbatojnë ‘kushtëzim strikt mbi bazën e meritës’ për Shqipërinë dhe të krijojnë ‘një mekanizëm të pavarur ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias’. Rezoluta kërkon gjithashtu ‘sanksione të targetuara ndaj zyrtarëve dhe entiteteve të lidhura me korrupsion, krim të organizuar dhe persekutimin politik’, duke mbështetur reformat për pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e lirisë së medias.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se dokumenti i IDU-së rikonfirmon se ‘bashkimi i pushtetit politik, drejtësisë dhe krimit të organizuar paraqet një kërcënim serioz për demokracinë dhe sigurinë në Europë’ dhe paralajmëron se Shqipëria mund të zhytet në një ‘regjim të përhershëm narko-autoritar’. Ai përfundoi me një mesazh të fortë për shqiptarët: ‘asgjë në botë nuk mund të mposhtë PD-në dhe opozitën shqiptare pa përmbushur misionin e saj, qëndresën e fuqishme ndaj narko-shtetit dhe largimin e tij sa më shpejt nga qeveria’.
FJALA E PLOTE:
Një ngjarje e re e madhe ka ndodhur në denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
E regjimit që i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale.
E regjimit që përdor prokurorinë si armë politike kundër opozitës.
Mbi të gjitha e regjimit që ka ndërtuar në Shqipëri narko-shtetin si kërcënim serioz për sigurinë e rajonit, Europës dhe më gjerë.
Dje në Uashington, në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, forum që bashkon rreth 80 parti politike të djathta dhe të qendrës së djathtë, por që de facto udhëhiqet nga Partia Republikane e SHBA, që përfshin Unionin Bashkimi Demokrat Kristian të Gjermanisë dhe të gjitha forcat politike, Partinë Konservatore të Britanisë dhe forcat e tjera politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në Europë dhe në botë, kanë votuar në unanimitet të plotë, me mbështetje të plotë, pa asnjë vërejtje, rezolutën kushtuar Shqipërisë, rezolutë e cila në harkun kohor 14-mujor, shënon dokumentin e shtatë apo rezolutën e shtatë ndërkombëtarë në të cilën forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në botë kanë shprehur mbështetje të plotë për opozitën shqiptare dhe popullin shqiptar ndën një narko-regjim, pra ndën një diktaturë autoritare.
Nga tetori i vitit 2024, forumet apo organizatat e partive të qendrës së djathtë apo të djathta në Europë dhe në botë, kanë votuar 7 rezoluta, nga të cilat dy janë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Dy janë të Partisë Popullore Europiane, tre janë të Internacionales Demokrate të Qendrës.
Të gjitha këto rezoluta faktojnë para të gjitha partive politike të spektrit qendra e djathtë, e djathtë, realitetin dramatik të Shqipërisë ndën regjimin e Edi Ramës.
Këto rezoluta janë mbështetje e fuqishme për opozitën shqiptare, që përballet çdo ditë me regjimin e bazuar mbi drogën, narko-shtetin.
Janë një mbështetje e fuqishme për popullin opozitar që po përjeton ditët ndër më të vështirat.
Shtypjen e pluralizmit, lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve dhe deputetëve të opozitës.
Këto rezoluta janë kambana alarmi se në Shqipërinë e vogël breg Adriatikut, që dikur Enver Hoxha e quante kështjella e pamposhtur e socializmit, një bastard politik i tyre, Edi Rama, ndërtoi kështjellën e drogës, krimit dhe vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.
Këto rezoluta nxjerrin në dritën e diellit keqpërdorimin e drejtësisë dhe reformës së drejtësisë nga narko-regjimi.
Dëshmojnë se Altin Dumani nuk është gjë tjetër veçse një Altin Troplin apo Poja i Skaput, që në një verbëri dhe fanatizëm politik sulmon me tërbim pluralizmin politik në Shqipëri, duke harruar se ajo është arritja më e madhe e shqiptarëve në rrugën e lirisë pas pavarësisë së vendit.
Këto rezoluta denoncojnë aktet e këtij mercenari që për të fituar mandatin e katërt padroni i tij, pa asnjë bazë ligjore, vë në arrest dhe ndjekje penale liderët e tre partive politike kryesore, duke u bërë kështu një shëmbëlltyrë e shëmtuar e prokurorëve të diktaturës komuniste.
Këto rezoluta janë gjithashtu një paralajmërim serioz për avoketërit e narko-shtetit në Shqipëri, Europë dhe botë.
Unë u them shqiptarëve se në tërë ekzistencën e tyre, një armik më të egër se narko-shtetin e Edi Ramës nuk kanë pasur.
Është e vërtetë se diktatura moniste e Enver Hoxhës ekzekutoi mbi 7 mijë shqiptarë për fjalën e lirë, dinjitetin njerëzor, dashurinë për Shqipërinë dhe Zotin.
Internoi dhjetëra mijëra të tjerë, persekutoi qindra mijëra.
Po kurrë Shqipëria, ato që pësoi këto 10 vite nga efekti i narko-shtetit nuk e ka pësuar.
Largimin masiv të shqiptarëve dhe rënien e tmerrshme të popullatës në Shqipëri në 10 vite.
Avoketërit e narko-shtetit nuk flasin kurrë për këtë rënie dramatike sepse ata verbërisht ose nuk shohin realitetin, ose paguhen nga Edi Rama.
Por sot, narko-shteti në Shqipëri, sipas dokumenteve zyrtare, faktohet në formën më të egër.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, njerëzisht u lutem të lexoni të dhënat e fundit të INSTAT, institucionit të statistikave zyrtare.
Ato paralajmërojnë kastastrofë në çdo aspekt për shqiptarët.
Ato tregojnë së pari se lindjet në Shqipëri kanë rënë në nivelin që ishin 100 vite më parë kur ishim 700 mijë banorë dhe kjo për shkak të largimit të shqiptarëve.
Ato tregojnë se nga viti 2018 e gjer sot, në këtë tokë, në këtë vend, për herë të parë në histori, vdekjet dominojnë ndjeshëm mbi lindjet.
Ato tregojnë se ne sot kemi treguesit e lindshmërisë më të ulëtit në botë.
Dhe së fundmi, po INSTAT pohon për herë të parë se e goditur nga paraja toksike e drogës, ekonomia shqiptare është në rënie të lirë.
Sipas këtyre statistikave, për herë të parë, ekonomia kontribuon vetëm me 49 përqind në rritjen ekonomike.
Vetëm me 49 përqind.
Sipas këtyre statistikave, në rritjen ekonomike kontributin kryesor e ka shteti me rrogat që jep, me pensionet, me sigurimet shoqërore dhe sigurimet e tjera.
Sipas këtyre statistikave, të ardhurat kryesore nuk vijnë nga prodhimi, po vijnë nga taksat neto.
Duhet ta kuptojë çdo njeri se çfarë është taksa neto. Është taksa që merr qeveria mbi produktin duke zbritur shpenzimet që janë bërë.
Po çfarë ndodh në Shqipëri?
Në Shqipëri çmimet rriten muaj pas muaj, vit pas viti dhe ky është mekanizëm i tmerrshëm.
Rritja e çmimeve rrit taksën. Dyfishimi i çmimit dyfishon të ardhurat nga TVSH-ja.
Çmimi i naftës në stratosferë mban në stratosferë akzicën.
Dhe këto që quhen taksa neto, këto janë burimi kryesor i rritjes ekonomike.
Dhe kjo është një rritje false.
Pak vite më parë, shumë pak vite më parë, të ardhurat nga profesionet e lira ishin 12 përqind.
Kanë zbritur sot në 1 përqind pas betejës që bëri kundër profesioneve të lira.
Shok të vërtetë ka pësuar turizmi nga narko-shteti.
Narko-shteti shkatërroi me shpejtësi turizmin, sepse rënia e euros, shtrenjtoi turizmin për çdo turist me 35 përqind.
Atyre që nuk u besojnë sytë dhe kronikave televizive për turizmin, u them shikoni pak kontributin e akomodimeve dhe shërbimeve në rritjen ekonomike krahasuar me një vit më parë se çfarë rënie dramatike.
U ndala këtu për të thënë se narko-shteti është ai faktor që po shkatërron Shqipërinë më shumë se çdo faktor tjetër në ekzistencën e saj.
Pikërisht të gjitha këto janë të sintezuara në mënyrë të shkëlqyer në këtë rezolutë të votuar nga rreth 83 parti politike anëtare të IDU, të cilat e kanë votuar me unanimet, madje përveç kësaj me diskutime mbështetëse nga eksponentë kryesorë, nga drejtues kryesore të kësaj organizate.
Do më lejoni të lexoj rezolutën, sepse mediat e lidhura me qeverinë e censurojnë atë.
Ato tërbojnë kur shohin denoncimin e zgjedhjeve si farsë.
Ato tërbohen në mënyrë të veçantë kur shohin denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Atyre u dridhen leqet e këmbëve apo toka nën këmbë sepse e dinë që koha e shtetit ligjor po afron, se narko-shteti dhe narko-diktatura nuk kanë të ardhme.
Këto janë çështjet kryesore.
Këto janë partitë anëtare, disa nga më kryesoret.
Neo Demokracia.
CDU-ja e Gjermanisë.
Partia Popullore e Austrisë.
Forza Italia.
Partia Republikane e SHBA.

Tani do t’u njoh me tekstin e rezolutës.
Duke marrë parasysh Raportin Final të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri; Treguesin e Shtetit të së Drejtës 2025 të ‘World Justice Project’ dhe Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për Klimën e Biznesit, si dhe duke pasur parasysh Kriteret e Kopenhagës, në Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së (1990), standardet e Komisionit të Venecias dhe rezolutat e mëparshme të IDU-së, CDI-së dhe EPP-së për Shqipërinë;
Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU);
Rënia e Demokracisë dhe lidhja shtet–parti–krim
1. Shpreh shqetësim të thellë se raporti i OSBE/ODIHR konfirmon shkelje sistematike, përfshirë intimidimin, shitblerjen e votës, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe përdorimin e korrupsionit dhe rrjeteve kriminale (e ka fjalën këtu për kartelet e drogës në Elbasan, Durrës, Fier, etj) për të ndikuar listat e kandidatëve të Partisë Socialiste, veçanërisht në Elbasan, Durrës dhe Vorë.
2. Vëren se mbi 4.500 aktivitete shtetërore u shfrytëzuan për fushatë me sanksione minimale (d.m.th pa u ndëshkuar), duke treguar anshmëri institucionale dhe mosndëshkueshmëri, dhe dënon përdorimin e fondeve publike dhe patronazhimit kriminal për manipulimin e votave si dhe të elektoratit të diasporës; (Pra siç e shihni në një pikë të veçantë denoncohet jo vetëm përdorimi i burimeve shtetërore për zgjedhje, po denoncohet Altin Tropolini, denoncohen të gjithë ata që përshtatën politikën e amnistisë për krimin elektoral dhe u bënë faktor dhe mbështetës të këtij krimi)
3. Paralajmëron se refuzimi i vazhdueshëm për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it ka thelluar presionin elektoral dhe ka gërryer besimin në demokraci;
Çështja e dytë madhore: Politizimi i drejtësisë dhe shembja e mekanizmave të mbikëqyrjes
4. IDU shpreh shqetësim të thellë për bllokimin e komisioneve hetimore, mocionet e shpërfillura si dhe mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe thekson me shqetësim kontrollin e ekzekutivit mbi prokurorinë, gjyqësorin, median dhe institucionet rregullatore; (Denoncim i plotë pra i përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e narko-diktatorit)
5. Dënon çështjet e motivuara politikisht ndaj drejtuesve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Fatmir Mediun, Ilir Metën dhe të tjerë, duke shprehur shqetësimin për drejtësinë selektive dhe vendime të qarta politike; (Kjo në pamje të parë i drejtohet Altin Troplinit apo Pojës së Skapit apo parardhësit të tij, por në fakt i drejtohet Edi Ramës që e përdor Troplinin, Pojën e Skapit, ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit dhe simotrën siameze të Taulant Ballës apo Enkelda Fetahun për qëllime politike dhe të tjerë, Irenën me 5 mbiemra. Kjo është një mbështetje e madhe për opozitën që të vazhdojë këtë betejë kundër diktatorit dhe veglave të tij. Prandaj dhe ju që shpesh më pyesni se pse i denoncoj, si mund të mos denoncoj këta mercenarë që shkelin Kushtetutën dhe parimet themelore të sistemit demokratik, që amnistojnë krimin elektoral dhe bëjnë gjah politik, këta janë armiq të egër të demokracisë dhe njerëzve të lirë)
Shqipëria si narko-shtet dhe kërcënim për sigurinë (Unë e di se më këtë titull do mërziten avoketërit e narko-shtetit në Shqipëri avoketërit e narko-shtetit në Europë dhe në botë, por mirënjohje të pakufishme për ata të cilët denoncojnë në këtë mënyrë në emër të interesave jetike të shqiptarëve)
6. IDU shpreh alarm se Shqipëria mbetet një qendër rajonale për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, me infiltrimin e krimit të organizuar në kontratat publike, ndërtim dhe turizëm, dhe paralajmëron se narko-ekonomia cenon stabilitetin rajonal, sigurinë evropiane dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së; (Të mbulosh narko-shtetin dhe pasojat e tij katastrofale mbi popullin shqiptar dhe ekonominë e tij, ligjin dhe drejtësinë, në një mënyrë ose në një tjetër, je bashkautor ose mbështetje e tij)
Thirrje dhe rekomandime
7. IDU i bën thirrje BE-së, SHBA-së dhe Këshillit të Evropës të zbatojnë kushtëzim strikt mbi bazën e meritës në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe kërkon krijimin e një mekanizmi të pavarur ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias; (Kërkohet pra të monitorohet drejtësia e politizuar dhe mediat që ushqehen nga narko-shteti me paratë e krimit)
8. Kërkon sanksione të targetuara ndaj zyrtarëve dhe entiteteve të lidhura me korrupsion, krim të organizuar dhe persekutimin politik dhe mbështet reformat për çmontimin e rrjeteve kriminale, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, rikthimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe mbrojtjen e lirisë së medias;
Konkluzione:
9. Rikonfirmon se bashkimi i pushtetit politik, drejtësisë dhe krimit të organizuar paraqet një kërcënim serioz për demokracinë dhe sigurinë në Europë;
10. Paralajmëron se Shqipëria rrezikon të zhytet në një regjim të përhershëm narko-autoritar; (Është zhytur, por të përhershëm)
11. I bën thirrje anëtarëve të IDU-së të mbeten vigjilentë dhe të mbështesin forcat demokratike shqiptare në mbrojtje të lirisë, pluralizmit dhe vlerave evropiane.
Kurrë ndonjëherë, bota perëndimore nuk ka folur në një dokument me një gjuhë kaq të qartë sa ç’ka folur dje në Uashington me datën 5 dhjetor në forumin botëror të IDU.
Një mirënjohje të pakufishme ndaj miqve tanë dhe një zotim solemn para shqiptarëve dhe atyre se asgjë në botë nuk mund të mposhtë PD-në dhe opozitën shqiptare pa përmbushur misionin e saj, qëndresën e fuqishme ndaj narko-shtetit dhe largimin e tij sa më shpejt nga qeveria.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: A mendoni se këto rezoluta, do të cënojnë pozitat e Edi Ramës tek ndërkombëtarët në kohën kur në Shqipëri, komisionerja për zgjerimin, Marta Kos tha se, zgjedhjet ishin të lira, apo të tjerë ambasadorë dhe zyrtarë të huaj rreshtohen krah kreut të qeverisë.
Sali Berisha: Së pari, këto rezoluta njëra pas tjetër, por mbështetur sigurisht jo vetëm në këto, por dhe në morinë e pafundme të dokumenteve dhe fakteve që dalin në dritë, mendoj se vëmendja, shqetësimi dhe denoncimi i narkoshtetit në Shqipëri, ka marrë përmasa botërore sot.
Unë do të ndalem vetëm në dy të dhëna.
Dy telegramet e ardhura nga njeriu më i fuqishëm i botës sot, presidenti Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, të gjithë ata që i lexuan, kuptuan se shqetësimi më madhor i tyre, për shqiptarët dhe amerikanët, janë organizatat kriminale shqiptare, kartelet e drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Së dyti, pardje është një publikim që në qindra e qindra artikuj të publikuar për narkoshtetin dhe dokumentar, konfirmon ato që opozita shqiptare i ka thënë me kohë, i përsërit çdo ditë, ato që mediat ndërkombëtare i kanë shkruar çdo ditë.
Tom Rogan, shkruan se disa burime të shërbimeve sekrete jo një, i kanë konfirmuar Uashington Examiner se përfitues kryesor i karteleve shqiptare të drogës dhe trafikut të drogës është vetë Edi Rama. Gjer sot në dijeninë time, dhe unë nuk mund të them se, është shteruese kjo që them, dihet që përfitues është Maduro, e sigurtë kjo, i lidhur direkt dhe i dyti bëhet Ramaduro, apo Edi Rama i Tiranës. Dhe kjo shënon një arritje të madhe.
Së pari, duhet të gjesh të vërtetën.
Përsa i përket deklaratës së Marta Kos, unë përshëndet si deklaratën e Komisionit Europian, ashtu dhe deklaratën e ambasadorit të BE-së këtu, dy ditë më parë të cilët e lanë një deklaratë apasionante atë Marta Kos, të pabaza se ska diskutim që institucionet ndërkombëtare, shtetarët, diplomatët dhe të gjithë janë të detyruar kur flasin për zgjedhjet, të marrin parasysh atë çka thonë institucionet e besimit të ngarkuara për vëzhgimin e tyre.
Elda Menga, TCH: Paralelisht me foltoret, ju keni nisur një analizë të brendshme ku kërkoni të evidentohen faktorët dhe kandidatët që kanë ndikuar negativisht në rezultat. Pak ditë më parë, ju paralajmëruat që nuk do të ketë gjueti shtrigash. Por a po kërkoni ata persona të cilët mund të kenë punuar për kundërshtarin politik. Dhe cilat janë kriteret që do të evidentojnë personat që kanë ndikuar negativisht në rezultat.
Sali Berisha: Foltorja ka qëllimin e vet, një takim dhe debat të hapur pa filtra, para kamerave, me mbështetësit tanë. Ne aty regjistrojmë propozimet e tyre, shënojmë kritikat që ata bëjnë në mënyrë që të përmirësohemi.
Por do të ishte jo e drejtë dhe jo reale, nëse do të pretendohej se me këtë foltore ne ezaurojmë debatin e domosdoshëm të brendshëm në parti, analizën e punës tonë. Ajo do të bëhet në çdo qelizë.
Absolutisht ne nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por ne symbyllas nuk jemi.
Ju e patë vetë, mbaruan zgjedhjet, pati nga ata demokratë që kishin marrë dhe rrogën e deputetit të PD-së, të tjerë anëtarë kryesie, etj., etj., që shkruan, u punësuan, u bënë drejtora, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit.
Është kështu apo jo. Pati të tjerë dhe këto më mirë se unë i dinë vetë strukturat, që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar një ditë. Pati të tjerë që shkuan me pushime në fushatë elektorale, apo që dhe punuan për PS-në. Natyrisht këta do të japin llogari, dhe do jenë strukturat që do përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre. Kjo është gjëja më normale.
Do jenë strukturat ato të cilat do të bëjnë të gjitha propozimet, mendimet, kritikak.
Ne jemi parti e mendimit të hapur, nuk vdesin kurrë, sepse jemi parti e vlerave të lirisë. Kjo është e gjithë puna.
Do të ketë diskutim, do të ketë me dhjetëra, qindra, qindra diskutime. Po të ja themi njëri-tjetrit gjërat, do japim shpjegime, do japim llogari, do mbajmë përgjegjësi. Pra kjo është e domosdoshme.
Atyre që spekullojnë, nuk ndodhi në periudhën që ne po mbronim votën. Mbrojtja e votës për ne ishte e një rëndësie jetike, jo vetëm për PD-në, për Shqipërinë. Ja ku është sot. Axhendë e parë në të gjitha forcat politike të spektrit të djathtë në Europë. 10 ditë më parë në Sao Paulo, në rend dite 4 ishin çështjet kryesore, njëra prej tyre ishte Shqipëria.
Këto u arritën. Tani jemi në një fazë tjetër, në një fazë që ne do të përballemi me këtë të keqe. Kemi këtë mbështetje, këto fakte, këto dokumente, kemi këto arritje në këtë fushë. Atëherë mbetet në guximin tonë dhe ne do ta tregojmë atë.
Pra kjo është, janë gjëra të dukshme. Ka patur që ta dini ju, ka patur denoncime për ‘x’ apo ‘y’ që po punon kundra nesh, por fushata është fushatë. Në fushatë edhe mund të ndërmerreshin masa, sepse aktet më të rënda janë të punosh kundër në betejë, të shmangesh, të dezertosh. Por janë lënë që të bëhet analiza, kjo është.
Elda Menga, TCH: Në udhëzimin e shpërndarë për degët e PD nuk është e përcaktuar qartë nëse do të ketë analizë për drejtuesit politik që rezultuan humbës dhe nëse do të ketë, kush do ja bëjë analizën drejtuesve politikë.
Sali Berisha: Do ketë analizë për çdo njeri. Një parti e lirë nuk njeh kufij, absolutisht secilit nga ne. Ne do dëgjojmë zërin e tyre.
Ka gjëra që militantët, anëtarët dhe simpatizantët tanë kanë të drejtë, ka gjëra që duhet t’ua shpjegojmë, nuk i dinë, nuk kanë faj, nuk janë informuar, duhet t’i informojmë.
Ju e kuptoni se përpjekje e madhe shumë që ne të mos denonconim krimin elektoral, të mos i dilnim zot votës, përpjekje e jashtëzakonshme nga Edi Rama, kërcënim direkt ndaj drejtuesve të misioneve vëzhguese.
Sikur të ishin në Bandistan dhe jo në një vend anëtar të Këshillit të Europës dhe që ka negociatat.
Ka të tjerë që vraponin o analizë tani, që të bëjmë gjithçka që t’i japim material Edi Ramës për të dobësuar raportin.
Ka të tjerë që prisnin që të mund të thoshin se këto ishin zgjedhjet më të mira në mënyrë që të mohojnë farsën elektorale, të mohojnë narko-diktaturën, të mohojnë diktaturën autoritare.
Po këta janë skllevër, janë mjeranë, nuk e meritojnë lirinë, se këtë që bëjmë ne e bëjmë për çdo shqiptar.
Ne patëm programin më të shkëlqyer në historinë e vendit.
Ne morëm ekspertin më të shkëlqyer të planetit.
Por farsa elektorale jo që nuk u ndalua, por mori përmasat më gjigante se kurrë.
Kështu që ne jemi pra, nuk i mbyllet kujt goja njëherë, kjo të jemi të qartë, e vetmja kërkesë, e vetmja gjë, që kjo analizë të bëhet brenda partisë.
Si ta duan, të hapur për mediat, të mbyllur për mediat, si të kenë qejf, nuk kanë asnjë lloj kufizimi.
Anisa Kadesha, RTSH: Për të shmangur një konflikt të ri në PD, pas lëvizjes Salianji-Alimehmeti dhe disa demokratëve të tjerë. A do ishit ju i gatshëm të ‘sakrifikoni’ ndonjë drejtues të PD nëse ky grupim do ua kërkonte një gjë të tillë.
Sali Berisha: Asnjë takim privat nuk më impresionon. Asnjë takim privat!
Absolutisht.
Ndërkohë, do të dëgjohet çdo zë brenda forumeve.
Ky besoj, kjo është detyra ime, ky është parimi për çdo forcë politike demokratike.
Por ata që zgjedhin privaten, zgjedhin privaten, kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Elda Menga, TCH: A keni pasur këto ditë takim me Ervin Salianjin dhe Ilir Alimehmetin, pra pas nisjes së lëvizjes së tyre. A u kanë shprehur në tryezë apo në zyrën tuaj, të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që ata kanë. Kolegia foli dhe për ndonjë sakrificë të ndonjë drejtuesi të PD. Lidhur dhe me pyetjen që ju bëra më parë, nëse në analizë rezulton se kanë përgjegjësi dhe drejtuesit politikë, cila do të jetë përgjegjësia që do të mbajnë ata.
Sali Berisha: Pas analizës ne shkojmë drejt kongresit zgjedhor.
Po, ka mendime, e them këtu, të qartë që në PD duhet të ndahen funksionet dhe kjo do ndodhë.
Por të gjitha këto do bëhen me vullnetin e anëtarësisë së PD.
Me vullnetin e demokratëve.
Asgjë nga pozicione private…
Elda Menga, TCH: A jeni takuar Ilir Alimehmetin apo Ervin Salianjin këto ditë.
Sali Berisha: Ilir Alimehmetin e kam pritur, ka kërkuar takim dhe e kam pritur. Anëtari i kryesisë, Salianji nuk ka kërkuar.
Elda Menga, TCH: Alimehmeti ju ka sjellë ndonjë propozim, platformë.
Sali Berisha: Alimehmeti nuk ka sjellë asnjë platformë, kemi bërë një bisedë dhe pak a shumë i kam thënë këto që po u them ju. Ne kemi një statut, kemi një vullnet.
Por një gjë ta dijë kushdo, për asnjë lloj qëndrimi, unë Edi Ramës nuk i jepja luksin, nuk i jepja material kundër raportit të OSBE/ODIHR.
Atë nuk e bëja kurrë unë. Se unë dy premtime të thjeshta kam pasur.
Kam premtuar se do mbroj votën dhe ripërsërita për këtë, në kushte jo të lehta, 2001-shin, e mbrojta votën, ja ku i keni.
Por jo këtë, merr raportin.
Ajo do ishte një tradhti ndaj demokratëve në qoftë se unë bëja atë që pretendohet.
Elda Menga, TCH: Takimi erdhi me kërkesë të Alimehmetit …
Sali Berisha: Nuk ishte një takim në grup, ishte një takim midis meje, Alimehmetit, e kërkoi vetë, kryekëshilltar i opozitës në Bashkinë e Tiranës dhe drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në PD.
Absolutisht unë pres, brenda orarit tim dhe mundësive të mia, pothuajse shumicën dërrmuese të atyre që kërkojnë takim.


