FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS DËSHMISË NË SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar kallëzime të tjera penale ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, pas çështjes së gjyqtares Irena Gjoka. Pas dëshmisë së dhënë në SPAK, ku u thirr për t’u pyetur si kallëzues në lidhje me padinë e tij ndaj Gjokës, ai deklaroi se do t’i qëndrojë plotësisht kallëzimit dhe se përgjegjësia, sipas tij, duhet të shtrihet edhe te zyrtarët që kanë trajtuar këtë çështje. ‘Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut. Që përbën turpin e zyrtarit, turpin e juristit, turpin e gjykatësit’, deklaroi Berisha.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha deklaroi se, Gjoka ka pasur dy dëbime nga Greqia, një dënim penal dhe falsifikime në dokumentacionin e paraqitur për dekriminalizimin, procesin e vetingut dhe emërimin në krye të gjykatës. Sipas tij, institucionet përgjegjëse të drejtësisë kanë shmangur përgjegjësinë përballë këtyre fakteve. Ai e cilësoi rastin si një histori që ka ekspozuar, sipas tij, dështimin e institucioneve të drejtësisë për të zbatuar ligjin. Ai paralajmëroi se kallëzimet nuk do të ndalen te gjyqtarja. ‘Pas Irenës, çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit ose Llagamit, kush ka qenë kryetar KLGJ-je. Ndaj kreut të ILD-së’, u shpreh Berisha, duke shtuar se do të ketë kallëzim penal edhe ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi KLGJ-në dhe ILD-në se kanë shmangur përgjegjësinë për administrimin dhe përcjelljen e dokumentacionit të kërkuar nga avokatët e tij. ‘KLGJ thotë nuk e kemi, ILD thotë ia kam dërguar KLGJ-së’, deklaroi kreu i opozitës. I pyetur nëse ka besim se këtë herë çështja do të hetohet, pasi më parë ishte pushuar, Berisha tha se vlerëson qëndrimin e gjykatëses që riktheu çështjen dhe kërkoi plotësimin e hetimeve me 20 detyra. ‘Kam besim se qëndrimi i përgjegjshëm i gjykatëses, e cila nuk ra në kurthin e Dumanëve dhe të atyre që e mbështetin, tregoi që ajo ka respekt për ligjin’, u shpreh ai.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha sqaroi se paraqitja në SPAK nuk nënkupton se ka besim te ky institucion. ‘Jo, s’do të thotë fare se unë kam besim tek SPAK, por unë jam këtu sepse një gjykatëse e përgjegjshme ka urdhëruar që të pyetem’, tha ai. Sa i përket kallëzimeve të tjera, kryetari i PD-së deklaroi se do t’i depozitojë në momentin që do ta gjykojë të përshtatshëm. ‘Atëherë kur ta gjykoj oportune vetë dhe do t’ju informoj’, u shpreh Berisha.
Gjatë komunikimit me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përfshirjen e vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në dhomat e këshillimit të gjyqtarëve kushtetues. Ai e cilësoi këtë praktikë antikushtetuese, duke deklaruar, se cenon kompetencat e Parlamentit. ‘Ky është një kompromis që Edi Rama bën në kuadrin e lobingjeve të tij, por kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës’, deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të dalë me një qëndrim zyrtar pasi juristët e saj të kenë përfunduar shqyrtimin e vendimit.
FJALA E PLOTE
Aty ndodhej busti i Irena Gjokës.
Kisha parë, nuk kisha parë, por si kësaj here nuk kisha konstatuar këto që pashë tani.
Kjo për vibe-n tuaj të mëngjesit.
Tani kalojmë tek materia, tek lënda.
Erdha me kërkesën e SPAK-ut, i cili bazuar në urdhrin e gjykatës së çështjes së Irena Gjokës, kallëzues i të cilës jam unë, kishte kërkuar të pyetem pasi nuk isha pyetur asnjëherë si kallëxues nga SPAK-u i partisë.
Së pari deklaroj se në të gjithë jetën time, ky është kallëzimi i parë që unë kam bërë ndaj një personi.
Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut.
Që përbën turpin e zyrtarit.
Që përbën turpin e juristit.
Turpin e gjykatësit.
Ndëshkimin e një njeriu që arriti t’u bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë të këtij vendi, të cilat u garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me 5 mbiemra.
Po pse Irena përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit, të gjyqtarit e me radhë?
Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj.
Ka të vërtetuara dy falsifikime.
Ka të vërtetuar një dënim penal.
Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime
Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës.
Pse Irena është turpi i turpeve?
Sepse Irena arrin të bukosë në mënyrën më kriminale KLGJ-në, KLP-në, jo më këta Dumanër e Manekër, por të bukosë KLGJ-në, të bukosë ILD-në, të bukosë KLP-në, institucione të cilat me Kushtetutë janë të ngarkuara të garantojnë zbatimin e ligjit mbi sistemin e drejtësisë.
Historiku i saj është histori turpi dhe kriminale.
Irena Maneku është shkarkuar nga Sali Berisha në vitin 1996.
U kërkua të japë dorëheqjen për konflikt interesi, nuk dha dorëheqjen. Arriti në atë shkallë sa t’u thotë avoketërve të mi, provoni se jam shkarkuar.
Dhe KLGJ, që u kishte dhënë vërtetimin e shkarkimit avoketërve të mi, u mohonte këtë vërtetim grupit parlamentar të PD.
Pse ua mohonte?
Nëse ua mohoi me urdhër politik apo ua mohoi se i pagoi Irena, kjo është… por të njëjtin dokument që i është dorëzuar avoketërve, nuk ia dha grupit parlamentar të PD.
Irena është historia më e turpshme që mund të ekzistojë sepse ka shfrytëzuar pozitën, ka nxjerrë tre pasaporta, ka ndryshuar mbiemrin dhe nuk ka dorëzuar asnjë pasaportë në komisariat, nuk ka njoftuar asnjë humbje pasaportash.
Irena është një shëmbëlltyrë e turpit njerëzor, e zyrtarit dhe gjyqtarit sepse ka një dënim penal në gjykatën e Janinës.
Për çfarë? Për falsifikim vize.
Ka një ekspertizë të autoriteteve policore greke të cilat konfirmojnë se viza ka qenë e falsifikuar.
Por për Irenën nuk është faji i saj, është faji i atij që ka falsifikuar vizën.
E kuptoni apo jo?
Se ku janë pasaportat e saj, askush nuk e di.
Në çdo moment gjyqtari, për çdo gjë që i cenon integritetin në përputhje me nenin 6 të Kushtetutës, dhe cenimi i integritetit sipas nenit 6 të Kushtetutës parashikon shkelje të ligjeve të miratuara me tre të pestat në Parlament. Por të gjitha këto, për ata nuk ekzistojnë.
Kjo ishte Irena dhe mund të hyj dhe të them shumë gjëra të tjera, por nuk ia vlen.
Por problemi është se Irena u padit, dhe Altin Maneku, avokati i saj, e çoi pa asnjë lloj përgjegjësie, në mungesë të plotë përgjegjësie, e çoi në gjykatë si një person për të cilin nuk ka asnjë lloj fakti penal.
E kuptoni ju?
Pra, për Altin Manekun, mashtrimi në formularët e vetingut, mashtrimi në formularin e dekriminalizimit, mashtrimi në formularin e emërimit kryetar gjykate, nuk përbën vepër penale dhe se neni 96 i Kushtetutës nuk ekziston.
Të gjetur para këtij akti të pafytyrë dhe të papërgjegjshëm, një gjykatëse vendos të bëjë ligjin. Një gjykatëse që i beson ligjit, e kthen vendimin e paturpshëm dhe kriminal të Altin Manekut, se këta kanë nxjerrë tani formulën, ka vjedhur, por nuk dënohet.
Gjykatësja e ktheu me 20 pyetje, ndër të cilat ajo kërkon të pyetet kallëzuesi i Irena Maneku Gjokës, Sali Berisha.
Thirrem tani, historia është kjo, ky vendim është marrë nga gjykatësja pothuajse gjashtë muaj më parë dhe unë thirrem në limitet e afatit gjashtëmujor, javën e fundit të gjashtë muajve që ka caktuar gjykatësja.
Pse kështu?
Me shpresën se nuk do gjendet në Shqipëri.
E kuptoni ju se çfarë mendje djallëzore kanë…
Nuk do gjendeshit ju apo zonja Gjoka?
Sali Berisha: Nuk do gjendesha unë se unë jam për t’u pyetur.
Po ju jeni me detyrim paraqitje, duhet të njoftonit autoritetet kur të largoheshit?
Sali Berisha: Unë njoftimin e kam marrë absolutisht tre ditë më parë dhe unë mund të isha jashtë dhe mund të mos isha dhe këta mund ta mbyllnin që nuk u gjet.
Po si ka mundësi të pyetet kallëzuesi pasi gjykatësja shtron 20 pyetje, kërkon që të pyetet kallëzuesi dhe jep pyetjet se çfarë do pyetet dhe tani kallëzuesi thirret javën e fundit dhe njoftohet, meqenëse e shtruat ju, maksimumi katër ose pesë ditë më parë.
Pra, e shihni ju se çfarë përfaqëson Irena.
Pas Irenës, çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit ose Llagamit, kush ka qenë kryetar KLGJ-je.
Ndaj kreut të ILD-së, të cilët shiko se çfarë bëjnë, bëjnë ping-pong njëri me tjetrin, por ku kërkohet dosja e KLGJ nga avoketërit tanë, KLGJ thotë nuk e kemi, ILD thotë ia kam dërguar KLGJ-së.
Pra, do të ngrihet padi penale ndaj tyre.
Natyrisht Dumani e ka të garantuar.
Dhe unë vazhdoj këtë përpjekje.
Pse?
Sepse kur ky sistem i ngritur me Kushtetutë degradon në shkallë të tillë të turpshme, çfarë është kjo po ta analizoni?
Kjo është praktikë pengmarrje.
Dumani ose ka marrë para ose është peng i Gjokës për favoret që i ka bërë Gjoka, pra kemi të bëjmë me një kalbësirë, e cila do zbërthehet në përputhje me ligjin.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha, se ju e nisni gjithmonë duke akuzuar mediat, meqenëse u pyetët si kallëzues për herë të parë, a dorëzuat dokumente që ju i keni bërë publike këtu përpara nesh?
Sali Berisha: Unë ato dokumente që kam pasur, i kam dorëzuar në padinë që kam bërë.
Klodiana Lala, News24: Tani meqenëse hodhët akuza ndaj medias që po mbrojnë persona të caktuar, mund të na thoni kë po mbron media?
Sali Berisha: Tani, tani të them unë ty. Ke lënë përshtypjen, jo media, po Klodiana, ka lënë përshtypjen me ca informacione që funksionon si një enë sifon e informacioneve…
Klodiana Lala, News24: Na e shpjego pak zoti Berisha se kur ju djeg, ju gjithmonë gjeni një vend ku të gjuani?
Sali Berisha: Mua nuk më djeg asgjë. Mua nuk më djeg asgjë nga mashtrimet e askujt. Por ti që hiqesh si informante e këtyre se ke të dhëna, kush t’i jep të dhënat ty që i nxjerr ti?
Klodiana Lala, News24: Unë jam gazetare zotëri. Mund të jeni edhe ju një prej atyre që më informojnë…
Sali Berisha: Nga unë nuk merr kurrë ti informacione. Pse nuk merr ti kurrë informacione nga unë? Se ti je e keqpërdorur. Kaq. Vetëm kaq.
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha vazhdo, unë jam mësuar me sulme nën brez sidomos nga politika. Vazhdo zoti Berisha unë jam gazetare…
Sali Berisha: Unë edhe njëherë po të them ty, ti ke ardhur për këtë qëllim, po unë të them ty, ti je e keqpërdorur. E kepërqdorur në shkallë ekstreme. Klodiana Lala është një person që keqpërdoret në mënyrë të pamëshirë.
Ata që të keqpërdorin kanë përgjegjësi, jo unë që respektoj gazetarët, por meqenëse e deshe, ta thashë. Ti je një nga gazetaret më të keqpërdorura zonjë dhe nuk të ka përgjegjësi as Sali Berisha, as opozita. Gjeje vetë përgjegjësinë.
Klodiana Lala, News24: Jam përpara opinionit publik dhe mbaj përgjegjësi për çdo fjalë që them. Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis.
Sali Berisha: Bravo, ti je fytyra e re e gazetarisë.
Klodiana Lala, News4: Jam që ç’ke me të. A dorëzuat sot dokumente si kallëzues? A dorëzuat ju dokumente si kallëzues?
Sali Berisha: Kam dorëzuar të gjitha dokumentet në kohën e duhur dhe kaq. Stop!
Arsen Rusta, MCN TV: Thatë që u pyetet për herë të parë dhe kishte 20 detyra që ka lënë gjykata. Nga këto 20 detyra, çfarë lidhej me ju?
Sali Berisha: Thirrja ime.
Dhatë vërtet deklarime apo ishte procedurë formale?
Sali Berisha: Jo, jo. Pa diskutim që u pyeta dhe unë bëra deklaratën përkatëse.
I qëndroni kallëzimit?
Sali Berisha: Pa diskutim. Plotësisht.
Dhe pse keni besim që këtë herë do hetohet kur herën e parë u pushua?
Sali Berisha: Kam besim se qëndrimi i përgjegjshëm i gjykatëses, e cila nuk ra në kurthin e Dumanëve dhe të atyre që e mbështetin, tregoi që ajo ka respekt për ligjin. E ktheu atë dhe mendoj se bëri një akt të përgjegjshëm, shtroi 20 detyra, la afat 6 muaj dhe unë, një akt të përgjegjshëm dhe ligjor nuk kam pse të mos e përshëndes.
Klodiana Lala, News24: Ku do ta depozitoni kallëzimin ndaj zotit Maksuti, zotit Dumani, zotit Metani, zotit Rusi dhe zonjës Llagami?
Sali Berisha: Atëherë kur ta gjykoj oportune vetë dhe do t’ju informoj absolutisht në përputhje me ligjet e këtij vendi do ketë kallëzim penal për çështjen Gjoka.
Berisha: Pjesëmarrja e vëzhguesve të ONM në dhomat e këshillimit të gjyqtarëve kushtetues është antikushtetuese
Anila Hoxha, TCH: Zoti Berisha, së fundmi Gjykata Kushtetuese ka miratuar një rregullore për rishikimet e subjekteve të shkarkuar nga proceset e vetingut, ku përfshihet dhe nuk përjashtohet pjesëmarrja e vëzhguesve të ONM-së në dhomë këshillimi të gjyqtarëve kushtetues. A mund të na jepni një qëndrim? Ka një qëndrim Partia Demokratike në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për përfshirjen në mënyrë të paprecedentë të vëzhguesve në një dhomë këshillimi?
E para, dhe e dyta, ju vini në SPAK sot si kallëzues, vazhdimisht e keni kaluar këtë prag si person i pandehur dhe keni dhënë qëndrimet tuaja të vazhdueshme në raport me SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme. Fakti që ju sot jeni pyetur si deklarues edhe si kallëzues për çështjen Gjoka, tregon se ju ndërkohë vazhdoni të keni besim te SPAK?
Sali Berisha: Kjo s’do të thotë fare se unë kam besim tek SPAK, por unë vlerësoj, unë jam këtu sepse një gjykatëse e përgjegjshme ka urdhëruar që të pyetem.
Unë kur bëra kallëzimin penal, normalisht do të isha pyetur, apo jo? Nuk u pyeta. Kaq është. Domethënë, kallëzuesi nuk u pyet nga SPAK-u i partisë.
S’e lejonin pagesat e Irenës apo urdhrat e Ramës, atë unë nuk e di. Por gjëja më elementare ishte që kallëzuesi të pyetet apo s’është kështu? Ata nuk kanë bërë këtë detyrë dhe gjykatësja ka kërkuar të bëjnë këtë detyrë.
Dhe për ONM-në, vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Sali Berisha: Po. Në mënyrë absolute. Asgjë që merr pushtetin e Parlamentit nuk mund të pranohet nga Partia Demokratike.
Unë po dëgjoj tani që ata do të jenë pjesë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është fund e krye antikushtetuese. Ky është një kompromis që Edi Rama bën në kuadrin e lobingjeve të tij, por kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës. Kushtetuta përcakton me një ligj të veçantë të gjithë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese.
Në qoftë se gjykatësit kushtetues mendojnë se mund ta shkruajnë atë ligj, mund t’i shtojnë amendamente apo të tjera, pastaj ata gabohen shumë rëndë. Nuk mund ta bëjnë këtë.
Natyrisht, ne do japim përgjigje zyrtare, juristët tanë po e studiojnë tërësisht këtë.
Si pretekst ka shërbyer një klauzolë që i kalon fazën përfundimtare të vetingut Gjykatës Kushtetuese, por i gjithë ky proces, sipas ekspertizave të para, është totalisht i paligjshëm mbasi janë marrë atributet e Parlamentit.
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha, sot në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror është një tjetër zonjë, Esmeralda Hasani. A ka Partia Demokratike një qëndrim lidhur me këtë dekretim të Presidentit të Republikës?
Sali Berisha: Personalisht, emrin e Esmeralda Hasanit e kam dëgjuar ditën që u emërua në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Arsen Rusta, MCN TV: Pra e keni dëgjuar sot?
Sali Berisha: Jo, është thënë dje ose pardje që u emërua. Në këtë kuadër, nuk e di se çfarë funksioni ka pasur, cilat kanë qenë funksionet e saj në këtë shërbim, koha e shërbimit, por një gjë është e sigurt që ajo, kur emërohet nga Edi Rama, është Vlora bis.
Nuk mund të jetë ndryshe vetëm simotër e Vlorës. Një gjë është e sigurt. Po emërua nga Rama.
Arsen Rusta, MCN TV: Doktor, fundjavën do e kaloni në Lalz apo në Tiranë?
Sali Berisha: Fundjavën e kaloj në krye të detyrës.
Arsen Rusta, MCN TV: Pra do jeni në Lalz apo në Tiranë?
Sali Berisha: Jo, nuk e kam përcaktuar ende. Nuk e kam përcaktuar se ku do jem. Nuk e di. Po shkova do ju njoftoj. Po shkova do njoftoj, unë jam transparent.


