Berisha: Ju po shkelmoni vendimin e Komisionit të Ligjeve për të grabitur Avokatin e Popullit! Lepuri i Surrelit nuk merr asnjë firmë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend akuzoi mazhorancën se po shkel vendimin e Komisionit të Ligjeve për të favorizuar kandidatin e saj në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Berisha tha se komisioni, i kryesuar nga një ish-ministër i mazhorancës, kishte vendosur që çdo deputet mund të firmoste vetëm për një kandidat dhe se opozita e kishte respektuar këtë vendim duke tërhequr firmat e tepërta.

Kryedemokrati e quajti veprimin e mazhorancës akt të turpshëm dhe të ulët, duke e akuzuar për tentativë grabitjeje të postit të Avokatit të Popullit.

FJALA E PLOTË

E keqja banale e kombit jeni ju.

E keqja banale e kohës jeni ju.

Pse i them këto?

Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj.

Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, me të drejtë apo pa të drejtë, nuk mund të them, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë.

Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit.

Ai është kryetar komisioni.

Tjetër puna se e keqja banale e shndërron atë në hiç.

Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve.

Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat.

Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë.

Tani ju, meqenëse duhej patjetër që ai zoti Këlliçi e quajti Lepuri i Surrelit, por unë do ta quaj opozita që duam, kishte marrë firma, tani përmbysni vendimin.

Po përmbysni vendimin e Komisionit të Ligjeve, vendimin tuaj, shkelmoni mbi veten tuaj, vetëm e vetëm që të grabisni Avokatin e Popullit.

Ne kemi qenë luajalë me ligjin.

Komisioni i Ligjeve vendosi që nuk mund të ketë më shumë se një të drejtë për një kandidat çdo deputet.

Në respekt të saj, ne tërhoqëm firmat.

Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë.

Jo, nuk i merr dot.

Dhe shikoni se ç’bëni, i bëni edhe atij kukumalen në qafë për të realizuar një akt të turpshëm.

Bëjeni, por është një gjë shumë e ulët.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale