Berisha: Ishte vetëm aksioni i parë. Kemi 77 mënyra të mosbindjes civile për të paralizuar narkoshtetin! Mediat e gjithë botës i kanë bërë jehonë guximit të opozitës

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT  

EKSTRAKT

Një ditë pas protestës së mosbindjes civile, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për gazetarët, falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë. ‘Mbrëmë dhatë leksionin më të mirë se çfarë është opozita! Pa zgjedhje të lira, Shqipëria nuk ka paqe’, theksoi kreu i PD-së gjatë fjalës së tij.

Gjatë fjalës së mbajtur para gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, që të pranojë qeverinë teknike sepse javët në vazhdim do të jenë edhe më të ashpra për të. ‘Krijo qeverinë teknike sepse javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd’, nënvizoi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

Për liderin e opozitës Sali Berisha, mosbindja civile do të vazhdojë dhe ka mënyra të shumta që të realizohet. ‘Kemi 77 mënyra të mosbindjes civile për të paralizuar narkoshtetin!’, tha Berisha. Kreu i PD-së  nuk la pa nënvizuar edhe faktin se mediat botërore shkruan për Shqipërinë. ‘Mediat e gjithë botës i kanë bërë jehonë guximit të opozitës’, theksoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, deklaroi se, mosbindja civile do të përshkallëzohet. Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos dëgjojnë papagajtë e qeverisë që bëjnë opozitën e opozitës.

Mosbindja civile është një dhe e vetme e nuk ka plan ‘B’. Deklarata u bë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët. Kryedemokrati u shpreh se, do të nisë një fushatë masive që miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, të informohen për realitetin në Shqipëri, pasi ata janë të dezinformuar.

I pyetur nga gazetarët nëse është si opsion në tryezën e opozitës, bojkoti i zgjedhjeve parlamentare të 2025, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh qartë: Kurrë.  Sipas tij, Partia Demokratike po shkon drejt një fitore të merituar të saj.

FJALA E PLOTE

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Me këtë mesazh dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ju qëndrestareve dhe qëndrestareve të pamposhtur.

Dua ta nis këtë fjalë, me një falënderim nga zemra për të gjithë ata qytetare dhe qytetarë guximtarë, që mbrëmë dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita. Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive.

Ata dje ngjanib me Feniksin, në fakt ishin udhëhëqësit, ishin prijësi, zoti i kryeqytetit, por dhe i Shqipërisë.

Zoti i madh i bekoftë!

Një falënderim i veçantë për të gjithë ata djem dhe vajza, që mbrëmë iu përgjigjën vjedhjeve se shekullit të inceneratorëve, sterilizimeve, Dubai City-t, parajsës së Edi Ramës, amnistisë së mercenarëve të Skrapit ndaj këtyre krimeve të mëdha, me mosbindje civile.

Një falënderim i madh për gjithë ata burra dhe gra, që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile burgosjeve politike të opozitës, proceseve me dëshmitarë të rremë, si në kohërat më të zeza të diktaturës hoxhiste.

Një falënderim për të gjithë ata guximtare dhe guximtarë që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile shndërrimit nga Edi Rama të procesit zgjedhor në farsë elektorale, dhe që dje dhanë mesazhin e qartë, se pa zgjedhje të lirë, Shqipëria nuk ka dhe nuk do ketë paqe!

Një mirënjohje të pafundme për të gjithë ata qëndrestare dhe qendrestarë që iu përgjigjën mbrëmë me mosbindje civile zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin e padrinos, zëvendësimin e Kushtetutës së Republikës me Xhaçko-Kushtetutë dhe të parlamentit të vendit me parlamentin e Spirogjokës, zëvendësimin e qeverisë me narkoqeverinë e padrinos dhe të lubive të pangopura, tao-taove të drogës.

Të dashur miq.

Mosbindja juaj dje, ka një rëndësi më të veçantë, se sa aksioni që kryet në vetvete.

Sepse ju mbrëmë thyet, bëtë pluhur një sofizëm, një mashtrim të ulët, që në vitet e fundit ishte përhapur qëllimisht si virus, e vërteta është se edhe midis nesh, për të vrarë shpresën e shqiptarëve.

Ky mashtrim është se shqiptarët nuk reagojnë.

Ky mashtrim është se shqiptarët janë të përulur.

Ky mashtrim është se shqiptarët më para ikin, largohen, se sa t’i dalin zot vetes, vendit dhe kombit të tyre.

Nga mbrëmë, nuk ka njeri në botë, që mund të thotë më këtë gjë.

Nga mbrëmë shqiptarët u vërtetuan guximtarë dhe heronj.

Dhe kjo vetëm falë jush.

Sepse ju mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me vjedhjen.

Mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me poshtërimin.

Mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me krimin e organizuar.

Mbrëmë treguat se zjarri i revoltës ka filluar të djegë trojet e narkoshtetit.

Mbrëmë ju dëshmuat se nuk ka paqe në Sgqipëri pa votën e lire.

Prandaj për aksionin tuaj mbrëmë, mirënjohjen më të pakufishme.

Sepse ju dje rizgjuat krenarinë shqiptare.

Ju dje zgjuat nga letargjia shqiptarët, që prej 12 vitesh kanë kafshuar gjuhën ndaj çdo poshtërsie dhe padrejtësie, që u është bërë.

Por mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të ri, i fillimit të mosbindjes civile.

Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion.

Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës…

Reago sa je në kohë.

Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë.

Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira.

Dhe aty në zgjedhje të lira, le të shohim se kë votojnë shqiptarët.

Pse ke frikë Edi Rama? Kur mendon se fiton, pse nuk krijon qeverinë teknike?

Të bëj thirrje, edhe një herë Edi Rama, krijo qeverinë teknike.

Sepse javët që vijnë, mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd.

Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh.

Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën.

Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama.

Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën.

Pastaj Durrësin. Vlorën. Kukësin. Tepelenën. Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë.

Se nuk ke lënë qytet pa masakruar me shpopullimin e tij.

Nuk ke lënë qytetarë pa varfëruar me vjedhjet e tua.

Nuk ke lënë familje shqiptare pa gjymtuar.

Dhe i gjithë vreri që ke derdhë mbi shqiptarët, do plasë mbi ty javët që vijnë.

Të dashur qendrestare dhe qendrestarë.

Rikujtoj dhe një herë, që jemi në misionin më të rëndësishëm të jetës sonë.

Zoti do bekojë gjithë ata guximtarë që dje drodhën narkoshtetin.

Mediat e gjithë botës dje i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme guximit, heroizmit të opozitarëve shqiptarë.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse ne Europë, në SHBA dhe ne mbare vendet e lira ne kemi shume miq, mijëra e mijëra herë me shumë se sa mendojmë.

Sepse nuk ka gjë më frymëzuese, më fisnike, se një popull që reagon ndaj tiranisë së bandave, ndaj padrejtësisë.

Që sulmon krimin.

Që djeg korrupsionin.

Që lufton për votën e lirë.

Prandaj nëse shihje mbrëmë komentet e popujve europianë, në titujt e medieve ndërkombëtare, kishin vetëm admirim për ju.

Dhe për ironi të fatit.

Mbrëmë, kur gjithë popujt e botës së lirë, të përfaqësuara nga mediat e tyre, solidarizoheshin me opozitën shqiptare, të përulurit e zakonshëm të narkoregjimit dukej se për ne kishin përsëri vetëm sulme te shpëlara.

Ata janë papagajtë e zakonshëm të qeverisë, që ashtu si çdo natë, në studiot televizive bënin opozitën e opozitës.

Janë po ata që deri dje thoshin opozita është e mbaruar se nuk reagon. Ndërsa mbrëmë thanë se opozita reagoi se është e mbaruar.

Janë po ata që u mërzitën se dogjëm disa kazanë plehrash, por nuk thanë një fjalë për vajzën e vogël që u helmua me gaz nga narkopolicia e Edi Ramës, si të ishim në Sirinë e Asadit.

Janë po ata që thanë dje se protestuesit dogjën babanë e artistes së njohur Juli Emiri, kur gjithë shqiptarët e panë në video narko-kriminelin me uniformë që jo vetëm i hodhi protestuesit të pafajshëm shishen molotov me qëllimin total për ta djegur, por në një krim edhe më të shëmtuar, në vend se të shuanin zjarrin që mbuloi protestuesin, zgjodhi të shuante me ujë zjarrin e pllakave.

Janë po ata që heshtën si fije bari për breshëritë me plumba me shotganë që vrasës gjakftohtë me uniformë shkrehen kundër protestuesve.

Janë këta shpifarakë që nuk shqipëruan një fjalë për helmimin me gaz toksik të banorëve të një lagjeje të tërë për të mbrojtur parlamentin e krimit, parlamentin e Spirogjokës.

Miq, sulmet e këtyre mjeranëve për ne janë nder, sepse këta janë qenie të denatyruara që ulin kokën kur vidhen.

Që kyçin gojën para së keqes.

Që buzëqeshin kur poshtërohen.

Që admirojnë dhunuesin e tyre.

Dhe jo vetëm kaq. Shumëkush prej tyre, në xhepa ka dhe paratë tuaja, që janë vjedhur me inceneratorë, me tendera e prokurime.

Por ne nuk jemi të tillë.

Ne jemi shqiptarë të guximshëm.

Që e duam demokracinë.

Që e duam lirinë.

Që e duam Europën.

Që kemi të shenjtë dinjitetin.

Dhe prandaj luftojmë.

Prandaj mosbindja do vazhdojë.

Prandaj mosbindja do përshkallëzohet.

Prandaj përballë narko-diktaturës do ketë vetëm mosbindje totale.

Sepse koha e narkoshtetit perëndoi përgjithmonë.

Tani është ora e guximtarëve.

Është radha jonë.

Votën nuk e falim!

Prandaj me hir ose me pahir, do ta kemi qeverinë teknike.

Që të garantojmë votën e lirë.

Dhe me votë të lirë, do të shohim kë do votojnë shqiptarët.

Rrofshi ju. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë opozita, rroftë Shqipëria.

O sot o kurrë!

Është radha jone!

Fitore!

Faleminderit.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:

Enkel Xhangolli, KlanNews: Ju flisni për mosbindje civile, dhe protestoni kundër padrejtësive që bën qeveria. Por pas qeverisë, një nga institucionet që ju akuzoni se ka bërë padrejtësi është edhe SPAK. Kur do të ketë mosbindje civile para SPAK?

Sali Berisha: Skapi është një organizatë kriminale shumë e rrezikshme për demokracinë në Shqipëri, shtetin ligjor, Kushtetutën, por mendoj se Spaku është një vegël e verbër në duart e kreut të krimit të organizuar shqiptar, Edi Rama. Ndaj dhe është një seksion i partisë së rilindjes, i partisë së krimit. Kështu që përqendrimi ynë mbetet në këto objektiva, ndonëse ne e kemi bërë të qartë më shumë se kushdo tjetër se ç’përfaqëson sot Skrapi i partisë.

Mariglen Kume, MCNTV: Ju thatë se keni nisur mosbindjen civile ç’ka nënkupton një revoltë të qytetarëve dhe duke mos ju bindur ligjeve të një vendi. Ju vetë si prijës i PD-së, a do ta jepni këtë shembull duke mos ju bindur ligjeve të këtij vendi, pra të dilni me qytetarët në shesh, në protesta.

Sali Berisha: Unë mendoj se vetë burgosja ime në shtëpi është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, ligjeve dhe opozitës së këtij vendi. Por mendoj se po qëndroj si çdo protestues i pamposhtur. Siç e shihni ju, ata që 3 vite më parë shpallën non-grata Sali Berishën mbi bazën e lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, ata që duke shkelur çdo parim të vendit të tyre dhe parim ndërkombëtar, erdhën dhe kërkonin persekutimin dhe ndjekjen penale të Sali Berishës, Edi Rama që bënte thirrje për persekutimin e Sali Berishës, pas një procesi 4-vjeçar, morën përgjigjen më ekzemplare. Kjo përgjigje ishte kjo, që Sali Berisha, një politikan, një shtetar që nga vitet ’90 gjer sot, kishte nderuar veten e tij, familjen e tij, ligjet e vendit të tij, qytetarët e kishin besuar dhe miqtë e tij në mbarë botën. Pas 32 vitesh në detyra nga më të lartat, doli se ish-presidentit, ish-kryeministrit të Shqipërisë, njeriu i vetëm që i kishte paguar pushime apo shërbim shëndetësor, ishte vajza e tij dhe dhëndri i tij. Doli se asnjë nga familjarët e tij dhe ai vetë, nuk kishin përfituar qoftë dhe një qindarkë nga tendera, prokurime apo pasuri publike. Kurse atyre që ndërmorën procesin kundër Sali Berishës për të ndihmuar Edi Ramën dhe konsoliduar pushtetin, u mbetet turpi sot dhe në të gjitha kohërat. Unë besoj se me këtë është një nga shërbimet e mëdha historike që unë i kam bërë kombit shqiptar dhe çdo njeriu. Dhe e kam theksuar shumë herë, ndjehem i lehtësuar sot shumë, se kur unë i deklarova në letër publike shkëlqesisë së tij, Entoni Blinken, zoti Sekretar, ky dizenjim ka në bazë keqinformimin e bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Unë njëkohësisht i thanë se në momentin e parë që të nxirrni një letër, një dokument, një shkresë, një provë të vetme që të faktoni atë që keni shkruar, Sali Berisha largohet përgjithmonë nga politika. Koha provoi se në fakt në këtë hetim të mercenarëve të Edi Ramës brenda, por edhe të hetuesve të tjerë jashtë, intensiv, gjetën turpin e tyre. Pra, ajo që bëra unë, qëndrova si shqiptar dhe kjo besoj ishte më e madhja ndoshta që kam bërë në jetën time.

Anisa Kadesha, RTSH: Nëse kryeministri Rama, nuk e pranon kërkesën tuaj për krijimin e qeverisë teknike, a keni një plan ‘B’ se si mund ti imponoheni dhe a është opsion bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare.

Sali Berisha: Së pari, mosbindja civile nuk ka plan B, ka vetëm mosbindje civile me 77 format e saj. Një punë më intensive do bëhet me miqtë tanë për të shpjeguar të vërtetat e mëdha të narkodiktaturës në Shqipëri. Sepse kam bindje se në një shkallë, ata janë të dezinformuar. Jo të gjithë, por ka prej tyre qartësisht të dezinformuar. Sepse qeveria i mashtron nga mëngjesi gjer në darkë me variante false. Do u jap vetëm një shembull, marrim rastin e Ervin Salianjit. Ervin Salianji, siç e dini ju, denoncoi në vitin 2018 një regjistrim të njërit prej kolegëve tuaj investigativë, guximtarë, që i kishte bërë Geron Xhafës, të dënuar në Itali dhe me dosje në Venezuelë, si trafikant ndërkombëtar, vëllait të Faqezi Xhafës. Cilido mund të shkojë në gusht të vitit 2016, dhe të shohë polemikën më të ashpër me fjalorin më ordiner të Edi Ramës ndaj Sali Berishës sepse unë kisha denoncuar Geron Xhafën si trafikant ndërkombëtar që rrinte në Vlorë dhe nuk bënte dënimet. Për hir të vërtetës unë u them këtu se të gjithë denoncimin tim e bëra bazuar tek mediat e Karlo Bolinos, i cili ndër të tjera kishte publikuar të gjithë procesin e Gjykatës së Lartë të Venezuelës. Por asgjë nuk ndodhi. Edi Rama e shpalli Geronin heroin e Vlorës, njeriun e ndershëm që rriste dy fëmijë dhe vazhdoi Fatmiri ministër, por kur Salianji publikoi regjistrimin në të cilin Geroni faktonte se vazhdonte të merrej me trafiqe, Faqezi Xhafaj e paketoi, e ambalazhoi dhe e nisi në 5 të mëngjesit në Itali. Edi Rama mashtron, u thotë që regjistrimi nuk është i vërtetë dhe ky është një mashtrim i madh. Dhe laboratori i Britanisë së Madhe nxori se zëri nuk ishte i dëshmitarit të rremë Alizoti, nuk ishte, nuk ngjiste. Dy, zëri i fshirë qëkishin dërguar këta, ngjiste me zërin e Babales. Tre, zëri nuk ngjiste me placebot. Mirëpo këtyre u thuhet se Salianji shpifi dhe mashtroi, madje krijoi prova të rreme, se Salianji nuk krijoi se nuk bëri asnjë regjistrim, në një kohë kur laboratori nuk e jepte 100 përqind, por anësonte 100 përqind nga zëri i Babales. Të heshtësh para burgosjes të një deputeti të ri, që bëri një akt guximtar, që çoi një njeri të rrezikshëm në burg në Itali, me pretekstin që ky shpifi për të, është e rëndë për ndërgjegjen e çdo njeriu të qytetëruar. Se në fund të fundit, të marrim një variant tjetër, të supozojmë se zëri nuk ishte i Babales, të supozojmë se gazetari regjistroi një tjetër dhe e serviri për Babalen, kjo në një kohë kur ky nuk ka bërë asnjë kallëzim në prokurori, kjo është shpifje. Por shpifjen ne e kemi dekriminalizuar në Kushtetutë, kurse deputeti ynë është në burg. Pra, u ndala në këtë aspekt.  Edhe ne kemi punë për të bërë sepse propaganda që bën Edi Rama është toksike, është dezinformuese. Kudo ka disa pushtete, ka qeveri, ka parlamente, por edhe mediat janë pushtet.  Fatmirësisht. Dhe pushteti më i lirë janë pushteti i medieve. Dhe ju keni parë mediat se çfarë qëndrimi mbajnë ndaj adashit të Sinaloas të Meksikës, adashit të Olsit të Xibrakës, etj, etj.

Anisa Kadesha, RTSH: A është bojkoti i zgjedhjeve të ardhshme një opsion i PD, nëse nuk plotësohet kërkesa për qeveri teknike.

Sali Berisha: Kurrë!  Ta harrojë kush se bojkotojmë! Se kjo do të thotë t’i bësh dhuratë narkodiktatorit, po atë dhuratë nuk ia bëjmë kurrë ne. Përkundrazi do votojnë të lirë shqiptarët. Ky është i vetmi opsion i yni. E panë mbrëmë se si ishte sheshi, se si ishte Tirana,kush ishin zotërit e saj. Mjerë ata që luajnë me votë. Ata do donte Edi Rama, do e kishte dëshirën më të madhe. Por ata harrojnë. Do votojnë shqiptarët me qeveri teknike pa kreun e krimit qeveritar shqiptar, Edi Rama. Prandaj le ta përsërisin, por ju mos e besoni fare. PD shkon në fitore, dje ka qenë starti jo vetëm i misionit të shenjtë për të rikthyer votën e lirë, por edhe për fitoren e merituar të saj. Dhe ju garantoj që kjo do ndodhë!’, theksoi kreu i PD-së, gjatë konferencës për mediat.

Bekim Bici, Top News: Ju flisni se në protestën e djeshme ishte starti i PD drejt zgjedhjeve të lira. Kur do të jetë protesta e radhës e PD dhe a do të vijohet me këto forma të përshkallëzimit që ju keni, që ju u shprehët pak më herët dhe cila është forma e parë që do të ndiqet nga strukturat tuaja?

Sali Berisha: Të gjitha janë çështje që do vendosen me diskutim me bashkëpunëtorët nga forumet dhe do t’u njoftohen. Por asnjë dyshim që do vazhdohet gjer në fitore. Domethënë, ju e patë të nderuar gazetare dhe gazetarë. Ne u përpoqëm me të gjitha mënyrat. Ne kemi bërë 7 protesta kombëtare, të cilat partia që është në pushtet nuk i ka organizuar dot kurrë në jetën e saj, as gjysmën e pjesëmarrjes. Ne bëmë një betejë në parlament, epike për të drejtat tona kushtetuese. Pasi u njohën, u shkelën. Unë u them qytetarëve, edhe shqiptarëve: Edi Rama duke dhunuar çdo të drejtë kushtetuese të deputetëve në opozitë, faktikisht e shdnërron opozitën në fasadë. Por fatmirësisht, që opozita sot është e vërtetë dhe në këmbë, ai ka shpallur luftë ne i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë. Kjo javë ka qenë fillimi i luftës sonë ndaj një armiku të qënies së shqiptarëve, të ligjit, të Kushtetutës, të votës, të demokracisë dhe të vendit. Kështu që, jemi më të motivuar se kurrë, më të kthjellët se kurrë. Do vazhdojmë përsëri të qartësojmë shqiptarët. Por për ne ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme ajo prani e thirrur jo për protestë, nuk është përdorur termi protestë, asnjëherë. E thirrur për mosbindje civile. Dhe mosbindja civile është betejë. E thirrur pra për betejë. Çka do të thotë se tek ajo shumësi njerëzish, tek ai uragan ekziston vetëdija. Se aty ku zgjedhjet janë farsë, aty ku arrestohen drejtuesit e opozitës dhe eksponentë të opozitës si kundërshtarë politikë, aty është diktaturë dhe duhet luftuar me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, ose me beteja guerrile ç’ka ne i përjashtojmë.

Isa Myzyraj, Ora News: Prej së hënës së kaluar vendi është zhytur në një krizë politike. Duhet thënë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton qartë rolin e Presidentit të Republikës në jetën politike në Shqipërisë. Presidenti sipas Kushtetutës është përfaqësuesi i unitetit të popullit. Ju keni ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës., si ju duket roli i presidentit Bajram Begaj në jetën politike aktive në Shqipëri, pasi është pothuaj ndër të vetmit institucione që  nuk ka thënë ende asnjë fjalë me krizën politike që kalon Shqipëria?

Sali Berisha: Ajo është një derë që e çel dhe e mbyll Edi Rama sa herë që do. Kjo është marrë vesh, Isa. Nuk ka shqiptar që nuk e kuptuar që ai flet dhe hesht me lejet e Edi Ramës.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale