Berisha: Idenë e Kosovës së pavarur Ibrahim Rugova, ishte i pari që e mbolli në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari. Ai ishte një fakt kryesor, i garancive për një Kosovë demokratike

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR IBRAHIM RUGOVËN

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në konferencën për 80-vjetorin e lindjes së Presidentit historik të Kosovës. Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore, organizoi ditën e sotme konferencën shkencore – Jubilare: “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë”.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se ‘Lidhja e Prizrenit’ ishte padiskutim një bashkim kombëtar, ku Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, ishin ëndërrat e shqiptarëve.

Por sipas Berishës, Kosova e pavarur ishte një ide që Ibrahim Rugova e mbolli në mendjen e pothuajse të gjithë shqiptarëve të Kosovës.

Sipas kreut të PD, Sali Berisha, Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij, politikan edhe misionar dhe ata që nuk e njohën Rugovën si të tillë, gabuan shumë. ‘Rugova ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan’- u shpreh Berisha.

Për Berishën, Ibrahim Rugova ishte një personalitet, ku të gjithë gjenin garancinë për një shtet demokratik të Kosovës, ku do të jetonin së bashku, shqiptarët, serbët, malazezët, boshnjakët, romët dhe të gjithë etnitetet e tjera.

FJALA E PLOTE:

Mirëmëngjesi dhe një përshëndetje të përzemërt, një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për studiuesin, publicistin Enver Bytyçi që vendosi të organizojë këtë konferencë kushtuar një gjeniu të rrallë në historinë e politikës shqiptare, por e vërteta është, për veprën e tij ndër më uniket në historinë e Europës.

Ne e kemi patur këtë fat. Me gjithë problemet dhe serinë e pafundme të mbrapshtive, ne kemi patur, kemi nxjerrë gjithnjë, somitete, figura të shquara.

Shumë dëshirojnë të krahasohen me Skënderbeun, etalon, natyrisht princ i përjetshëm. Por nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.

Kështu që sot ai do të ishte 80 vjeç. Nuk është, por e vërteta është se ai është midis nesh dhe i pavdekshëm me veprën e tij.

Thashë se, bëra atë krahasim në fillim sepse ai, ideja e një Kosove të lirë nuk vdiq kurrë në Kosovë. Edhe gjatë perandorisë Kosova arriti të ishte një nga pjesët më të rëndësishme, herë, herë edhe më fatale të saj.

Kosova ishte e para që ju kundërvu projektit copëtues të trojeve shqiptare. Banorët e Plavës dhe Gucisë, banorët e tjerë. Lidhja e Prizrenit ishte një, padiskutim një bashkim kombëtar. Por Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, këto ishin ëndërrat e shqiptarëve.

Një njeri nisi apo ngjizi në mendjen e shqiptarëve të Kosovës, një ëndërr të re; Kosova e pavarur. Në takimin e parë në shkurt të vitit 1991, i ndjeri Azem Hajdari i cili nuk kishte gjë tjetër në mendje, veç Kosova e bashkuar me Shqipërinë, rrinte e rrinte dhe e pyeste. I thoshte, po për bashkimin? Më vonë i thoshte Rugova, kjo njëherë.

Këtë ide të Kosovës së pavarur ai e mbolli në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari pothuajse, në Kosovë.

Pra krijoi një ëndërr të cilën ai nuk e la ëndërr.

Me një vizion dhe vendosmëri të themi, atë që përdore Enver, radikale, ta përdorim këtë term, ai filloi zbatimin e projektit të tij; ndërtimin e shtetit paralel në Kosovë, përballë shtetit të pushtuesit.

Ngriti shumicën e institucioneve, parlamentin, presidentin, qeverinë.

Për kushtet, vështirë të ketë pasur kush, në kushte pushtimi, një pushtet paralel më eficent se pushteti që ndërtoi Ibrahim Rugova.

Jo.

Ai krijoi një pushtet paralel real, me kostot e tij, një qeveri në mërgim, por një qeveri aktive, e cila realizoi një përfaqësim ndërkombëtar në kohë reale.

Qendrat e informacionit të saj, u bënë gjenerator kryesor të të vërtetave të shqiptarëve në Kosovë.

Krahas qeverisë në mërgim, udhëheqja tjetër Lidhjes Demokratike të Kosovës, operonte dhe vepronte në Kosovë. Pra ëndërra filloi tani të shndërrohet në realitet.

Tani do të ju them një gjë tjetër.

Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij. Në çkupim? Ishte edhe politikan edhe misionar. Ata që nuk e njohën Rugovën si të tillë, gabuan, gabuam shumë.

Rugova ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan.

Por Rugova misionar ishte Rugova i pathyeshëm. E morën peng në Beograd, u zemëruan shumë me të. Hodhën baltë Tirana dhe e majta e Kosovës me tonelata.

Këtu SHBA e ndërroi ambasadorin në mes të luftës një ambasador që për fat e kisha njohur shumë në vitet ’90 dhe një ish-këshilltar i tre presidentëve, Robert (Bob) Frouik. Kisha shumë njohje me të.

Tek pija një kafe në një lokal, i them, Bob do të them një gjë; ai presidenti yt nuk ka nevojë për këshillën time, por unë ty ta them këtë sepse të kam mik.

Çfarë më thotë?

E kemi kot këtë zemërimin me Ibrahim Rugovën, i them.

Pse më tha?

Sepse është misionar. Ia shpjegova.

Gjithë takimet që kam pasur me Nënë Terezën, gjithë përqendrimi ishte të  kuptoja se ku i buronte forca asaj. Ai arriti ajo të ketë një forcë të jashtëzakonshme, dhe arrita në përfundimin se ishte, përqendrimi tek ajo që besonte.

Tek Rugova ishte e njëjta gjë.

Mund të dëgjoje fjalimet, por në tërësi dëgjoje 4 fjali; Kosova republikë, Kosova e pavarur, protektorat i NATO-s, protektorat i OKB-së.

Ndodhi që pas pak ditësh Rugova shkoi tek shqiptarët në Maqedoni, në kampe, ata e pritën në një mënyrë të jashtëzakonshme, shpërthyese dhe Bob më tha; Sali paske pasur të drejtë ti.

Rugova ishte ndërtuesi i pavarësisë së Kosovës, ishte ndërtuesi i saj.

Natyrisht projekti i tij paqësor kishte kufij të caktuar dhe realizimi i tij pa luftën ishte i pamundur.

Historianët do të nxjerrin të vërtetën, sepse ai këtu në ministrinë e tij të mbrojtjes që kishte, ajo ministri këtu stërviste ushtarakë. Po. Dhe aq sa konsiderohet Adem Jashari, themelues i UÇK-së, e vërteta është se Adem Jashari, jo një, por mbase 2-3 herë është stërvitur në Shqipëri nën drejtimin e qeverisë së Kosovës.

Megjithatë ata që bënë luftën kanë meritën e jashtëzakonshme, historike. Ata shtynë përpara projektin e pavarësisë. Bënë të mundur që Aleanca e Atlantikut të Veriut të ndërmarrë sulmin më të madh pas luftës së dytë botërore, për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Paslufta përsëri shqiptarët në Kosovë, në të gjitha zgjedhjet, votuan Rugovën dhe LDK-në.

Në besim të madh e pyet një gazetar i CNN, në kampin e shqiptarëve në Maqedoni, pse e doni ju këtë, një fshatar me qeleshe; e duam thotë, se është i civilizuar.

Në fakt ai ishte i civilizuar. Ai Ibrahim Rugova imponohej me civilitetin e tij.

Në këtë kontekst, ai ishte një fakt madhor, kryesor, i garancive për një Kosovë demokratike, Kosovë të qytetarëve të barabartë para ligjit.

Askush nuk mund të ishte si ai, president i shqiptarëve, serbëve, malazezëve, boshnjakëve, romëve i të gjithë  qytetarëve që jetonin në Kosovë.

Dhe askush nuk mund të vinte në diskutim kredencialet e tij.

Përpjekjet që Kosova të mos jetë e pavarur,  dhe qenë shumë të forta gjithnjë ndesheshin me faktorin Rugova, i cili ishte një garant i një shteti të lirë, të pavarur.

Kurrë nuk arritën që të lëshonin akuzën e vetme në këtë drejtim.

Nuk donin pavarësinë pas lufte, të jemi realistë, e donin SHBA-të dhe e bënë ato, por Europa u lëkund shumë, për fat të keq.

Fillimisht eci drejt saj, pastaj ndodhi një stopim i paarsyeshëm i asaj ideje, dhe filluan njësoj si gjatë pavarësisë së Shqipërisë, pse dy shtete islamike, ndërkohë që ne ishim shtete laike, në një kohë që nuk e deshëm vetë të ishim dy shtete, por na detyruan vetë të ishim dy shtete, por ai qëndroi dhe u shndërrua në një nga faktorët më kryesor të besimit të botës, për një Kosovë të lirë, të pavarur.

Ndaj dhe ne, unë do ta mbyll fjalën time me një mirënjohje të thellë për veprën e pavdekshme të Ibrahim Rugovës.

Po e përshëndes këtu, mikun e tij të ngushtë mikun e tij të ngushtë, dhe mikun tim presidentin Fatmir Sejdiu dhe të gjithë të pranishmit, zotin Nesho dhe të gjithë të pranishmit për këtë konferencë kushtuar një gjeniu të papërsëritshëm në politikën shqiptare siç ishte, Ibrahim Rugova.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale